Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Përgjegjësia jonë është t’u japim qytetarëve shqiptarë kandidatët më të mirë, jo thjesht për të fituar zgjedhjet, për të drejtuar me sukses në 4 vitet e ardhshme bashkitë e vendit!

Të reja

Përgjegjësia jonë është t’u japim qytetarëve shqiptarë kandidatët më të mirë, jo thjesht për të fituar zgjedhjet, për të drejtuar me sukses në 4 vitet e ardhshme bashkitë e vendit!

08 May 2019    

Komunikim me  mediat i Kryeministrit Edi Rama, pas mbledhjes së Kryesisë:

Kryeministri Rama: Do të prezantojmë të gjithë listën e kandidatëve për kryetarë të bashkive, si dhe për këshillat bashkiakë. Për kryetarët e bashkive do vendosim emër për emër ditën e shtunë. Për këshillat bashkiakë do të konsolidojmë të gjitha kriteret dhe pastaj do të mandatojmë të deleguarit, sipas qarqeve, që të depozitojnë sipas afatit, listën e kandidatëve për të gjithë këshillat e bashkive për zgjedhjet e 30 qershorit.

Sa kandidatë do ketë në 30 qershor?

Kryeministri Rama: Në 30 qershor, ne do të kërkojmë votën e qytetarëve në të 61 bashkitë e vendit, për të marrë një mandat për 4 vitet e ardhshme në drejtimin, mundësisht, të 61 bashkive.

Cilat bashki do t’ia lini pjesës tjetër të koalicionit, aleatëve?

Kryeministri Rama: Ne jemi regjistruar në një koalicion, siç e dini edhe ju dhe kandidatët do të jenë kandidatë të koalicionit, natyrisht.

Zoti Rama, a keni frikë nga kandidaturat e Bindjes Demokratike, nga opozitarët e tjerë?

Kryeministri Rama: Tani, në garë në demokraci hyhet për të fituar dhe hyhet me besimin që i jep zgjedhësve alternativën më të mirë. Nuk udhëhiqesh nga frika e atij që ke përballë, por udhëhiqesh nga përgjegjësia për të dhënë t’i maksimumin. Pastaj, sigurisht janë qytetarët që vlerësojnë dhe fiton më i miri.

A jeni ende të hapur për të pranuar Partinë Demokratike të regjistrohet jashtë afateve në zgjedhjet e qershorit?

Kryeministri Rama: Partia Socialiste nuk bën regjistrime subjektesh të tjera në zgjedhje. Këtë çështje e trajton qartësisht ligji zgjedhor dhe mbi bazën e ligjit zgjedhor funksionon një administratë zgjedhorë që në krye të vet ka Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në 2017-ën kishte një ligj zgjedhor dhe u rivendosën afatet, falë marrëveshjes politike zoti Rama...

Kryeministri Rama: Jemi në 2019-ën, në mos gabohem. 2017-ta është tanimë histori. Në 2017-ën kemi bërë një përpjekje të jashtëzakonshme të njëanshme, të udhëhequr nga unë me atë rast, që duke pasur edhe përgjegjësinë më të madhe, kam bërë edhe sasinë më të madhe të lutjeve për opozitën dhe për kryetarin e saj. Sot jemi në kushtet kur kemi vetëm një përgjegjësi, t’u japim qytetarëve shqiptarë kandidatët më të mirë, jo thjesht për të fituar zgjedhjet, për të drejtuar me sukses në 4 vitet e ardhshme bashkitë e vendit.

A jeni mërzitur që nuk do të keni Luzim Bashën përballë?

Kryeministri Rama: A jam i mërzitur që s’do ta kem përballë?! Duhen gjëra shumë të mëdha që unë të mërzitem. Unë jam sigurisht i keqardhur, patjetër, që opozita e Partisë Demokratike dhe e simotrës së saj të vogël, Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka vendosur të shkojë në një rrugë pa krye. Unë uroj që të jetë një rrugë me kthim për ta, por nuk kam ndërmend të bëj asnjë përpjekje që ata të kthehen nga ajo rrugë, sepse në fund të ditës besoj që ajo që është më e rëndësishmja është që sistemi të garantojë pjesëmarrjen e gjithsecilit. Por në një sistem demokratik, askush nuk është i detyruar të marrë pjesë me zor në një proces zgjedhor dhe në momentin kur nuk ndjen detyrim ndaj atyre që përfaqëson ka marrë fund. Nuk ka një detyrim më të madh sesa ai dhe nuk ka mbi të gjitha, një detyrim ligjor për të marrë pjesë me zor në zgjedhje. Nga ana tjetër s’ka asgjë që e detyron palën tjetër, në këtë rast shumicën qeverisëse që të tërheqë me zor në procesin zgjedhor ata që nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje. Është një moment sigurisht i pazakontë, por ka gjithë potencialin e vet për të krijuar një situatë të re politike.

Mund të rrezikojmë një përplasje civile në 30 qershor? Sepse opozita ka paralajmëruar pamundësimin e zgjedhjeve dhe nuk janë tërhequr pavarësisht paralajmërimeve tuaja që do dënohen me burg ata që pengojnë.

Kryeministri Edi Rama: E keni gabim. Unë nuk kam bërë asnjë paralajmërim për opozitën, në kuptimin e udhëheqësve, sepse ata nuk kanë nevojë për informacion lidhur me një bazë ligjore që e kemi miratuar bashkërisht kur ata kanë qenë shumicë. Unë thjesht mendoj që ne kemi detyrimin të informojmë të tjerët, që në padijeni të legjislacionit, në padijeni të ndëshkimeve përkundër shkeljeve të ligjit në procesin zgjedhor, mund të përfundojnë pa qenë në dijeni se përfundimi është ai, aty ku nuk kanë pse përfundojnë për llogari të një udhëheqësi, të një udhëheqësi tjetër, apo të një grushti drejtues që i bie kokës.

Sa demokratike mund të jenë zgjedhjet e 30 qershorit, kur Partia Demokratike nuk do marrë pjesë dhe një pjesë e zgjedhësve do të jenë të papërfaqësuar?

Kryeministri Rama: Në një palë zgjedhje, të gjithë duhet të kenë të drejtë të zgjedhin dhe gjithsekush ka po ashtu të drejtën që të mos zgjedhë, pra, të qëndrojë në shtëpi. Ata që zgjedhin, marrin një përgjegjësi individuale për të dhënë besim tek një kandidat apo tek një tjetër, tek një parti apo tek një tjetër dhe mbi bazën e atij besimi vazhdon funksionimi normal i sistemit demokratik. Ata që nuk marrin pjesë në zgjedhje ia kanë lënë të tjerëve këtë përgjegjësi dhe i nënshtrohen zgjedhjes së tyre, njësoj si gjithë të tjerët, kështu funksionon sistemi. Zgjedhjet demokratike në një vend nuk i bën pjesëmarrja, ose mospjesëmarrja e 1, 2, 5 partive. As, siç është rasti, pjesëmarrja e 40 partive, por e bëjnë standardet dhe për sa kohë standardet janë të garantuara, sigurisht të përmirësueshëm dhe në përmirësim të vazhdueshëm zgjedhje pas zgjedhje, këtu nuk kemi të bëjmë me një cenim të sistemit demokratik. Këtu kemi të bëjmë me një vendimmarrje politike legjitime të një force politike që në një moment të caktuar vendos të vrasi veten politikisht. Këtë nuk mund t’ia ndalosh dhe i takon zgjedhësve të asaj force të marrin vendimet e tyre në raport me atë vendimmarrje dhe të mbajnë qëndrimet e tyre në vijim të rrugës.

Zoti Rama, Brukseli ju ka kërkuar që ta zgjidhni vetë krizën politike mes jush. Kur do ta zgjidhni dhe a jeni në negociata, apo a jeni në biseda me Partinë Demokratike?

Kryeministri Rama: Unë nuk kam dëgjuar ndonjë kërkesë të Brukselit për të zgjidhur ndonjë krizë. Unë kam dëgjuar që Brukseli, apo Berlini, apo Parisi, apo shtoni kë të doni në aspektin e ligjit dhe partnerëve ndërkombëtarë, apo Uashingtoni, kanë thënë që kjo është një çështje e politikës së brendshme dhe u takon palëve. Palët kanë marrë vendimet e tyre, procesi është ky dhe ne ka ardhur koha që t’i besojmë plotësisht sistemit që kemi zgjedhur dhe të mos kërkojmë më zgjidhje ad-hoc për një krizë të krijuar artificialisht, që pastaj të ketë një tryezë, që pastaj të ketë një zgjidhje, që pastaj të dalin përfitime, sepse me sa duket, më shumë sesa na ka rritur dhe na ka fuqizuar demokratisht, kjo nuk na ka lënë të rritemi aq shpejt sa duhet dhe të jemi aq të fortë në konstitucionin tonë demokratik, përderisa arrijmë e diskutojmë akoma në këtë formë, - jo ju, se ju këtë detyrë keni, por flas në debatin politik, - se çfarë ndodh kur një parti bën kështu, apo një parti bën ashtu në raport me të tërën. Në raport me të tërën nuk ndodh asgjë. Në raport me atë parti, apo një parti tjetër, konsekuencat janë të natyrës politike dhe janë konsekuenca që i përcakton sjellja e zgjedhësve të tyre.

Pra, ishte gabim 17 maji i 2017? Nuk do ketë një tryezë të dytë?

Kryeministri Rama: Ky është konkluzioni juaj. Unë nuk kam këtë konkluzion. Unë mendoj që jemi në 2019-n. Ajo ishte një zgjidhje e bërë me shumë vullnet të mirë, e bërë me të gjithë dëshirën e madhe që të ketë një moment ndryshimi thelbësor në qasjen e politikës ndaj zgjedhjeve, që dha si rezultat procesin zgjedhor më të mirë që kemi pasur ndonjëherë në të gjitha aspektet, por që nuk çoi në maturimin e nevojshëm të Partisë Demokratike në këtë rast, apo në maturimin e nevojshëm të një pjese të politikës.

Shumë faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm