Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Prezantohet Enciklika e VI, Rama: Shendetesia nje ishull komunist

Të reja

Prezantohet Enciklika e VI, Rama: Shendetesia nje ishull komunist

10 Jun 2008    
Ky sistem shëndetësor i partitizuar, është as më shumë dhe as më pak, por një sistem që mbahet në këmbë me kontributet e taksapaguesve dhe mban në këmbë partitë dhe çetat e pushtetit prej 17 vjetësh. Nuk jam absolutisht dakord që reforma në këtë sistem ka dhimbje, ose më saktë reforma në sistemin aktual shëndetësor, do të ketë një dhimbje shumë therëse vetëm për partitë politike, jo për mjekët, jo për infermierët, jo për pacientët, jo për qytetarët.

Është prezantuar sot Enciklika e IV, ajo e Shëndetësisë, në një takim ku merrnin pjesë njerëz të sistemit shëndetësor në vend.

Ky dokument koleksionin të gjitha problemet e konstatuara prej PSSH në sistemin e shëndetësisë. Në muajin shtator do të fillojnë të organizohen tryezat rajonale të shëndetësisë në bazë qarku ku do të mblidhen mendimet dhe idetë konkrete në të gjithë Shqipërinë për strategjinë dhe rrugët që duhet të ndiqen për të reformuar thellësisht këtë sistem

Pjesë nga fjala e Kryetarit të PSSH Edi Rama në këtë takim

Nëse partitë politike kanë vesh për të dëgjuar, shumë gjëra mund të bëhen ndryshe. Fakti që shumë gjëra janë bërë mbrapsht, ka ardhur si rezultat i mungesës së organeve të dëgjimit. Pasi mjafton vullneti për të dëgjuar dhe mjaftojnë edhe këto ndërhyrje për të kuptuar jo pak lidhur me sistemin aktual. Në fakt, sistemi shëndetësor dhe jo vetëm sistemi shëndetësor është realisht një ishull komunist në një shoqëri të lirë, që tenton të shkojë drejt një kapitalizmi funksional, por në vend të byrosë politikë, është kioska e ministrit në qëndër të ishullit dhe në atë kioskë lëviz gjithë jeta e sistemit. Ajo kioskë bën atë që prej 17 vjetësh vazhdon ta degradojë sistemin e shëndetësisë. Siç kemi një sistem të partitizuar në çdo sektor ku ministri ka kioskën përmes të cilës ushqen partinë, kemi edhe një sistem shëndetësor të partitizuar prej 17 vjetësh. Dhe ky sistem shëndetësor i partitizuar, është as më shumë dhe as më pak, por një sistem që mbahet në këmbë me kontributet e taksapaguesve dhe mban në këmbë partitë dhe çetat e pushtetit prej 17 vjetësh. Nuk jam absolutisht dakord që reforma në këtë sistem ka dhimbje, ose më saktë reforma në sistemin aktual shëndetësor, do të ketë një dhimbje shumë therëse vetëm për partitë politike, jo për mjekët, jo për infermierët, jo për pacientët, jo për qytetarët. Është një reformë e cila nuk bëhet prej 17 vjetësh, vetëm për shkak të çetave në pushtet, të cilat ushqehen me abuzimet mbi sistemet që duhet të qeverisin, brenda organizimit të shoqërisë tonë. Kjo reformë, gjëja e parë që duhet dhe që do të bëjmë qysh në masën e parë që ne do të marrim për shëndetësinë në Shqipëri, do të heqë nga ministri tenderat dhe të gjitha mundësitë për të komanduar sistemin me mjetet financiare, të cilat pastaj kthehen në mjete abuzive.

Jam absolutisht i bindur, se edhe në fazën e parë, kjo është një reformë e cila nuk sjell dhimbje për askënd, përveçse për çetën e pushtetit, sepse ka të bëjë me shkurtimin e të gjitha burimeve financiare dhe të gjitha rrugëve të pushtetit, që nuk shkojnë në sistem, por rrjedhin jashtë sistemit. Reforma në shëndetësi është e dhimbshme në ato vende ku bëhet fjalë për të shkurtuar ato burime që i shkojnë sistemit, kurse ne na duhet një reformë për të shkurtuar burimet që rrjedhin jashtë sistemit, tek cetat e pushtetit. Këtë reformë, jo vetëm që do ta bëjmë, por duhet ta shohim si simbolin e aftësisë.

Cfarë kushton të kalosh të drejtën e menaxhimit dhe të administrimit të spitaleve në duart e mjekëve? Kujt i kushton? Kushton pushtet dhe i kushton pushtetit, askujt dhe asgjë tjetër. Sigurisht, kalimi i këtij funksioni në duart e njerëzve të sistemit, menjëherë do ta bëj sistemin më funksional.

Unë hyj ndër ata që besojnë, se një nga arsyet që mund të diskutohen në një instancë tjetër të kësaj prapambetjeje dhe të këtij degradimi që ka shoqëruar vitet e tranzicionit në Shqipëri, që është një degradim në sistem dhe që ka të bëj me paaftësinë për të ndërtuar një sistem kapitalist funksional, në vend të një sistemi komunist, i cili ra bashkë me diktaturën në fund të vitit '90, që është fakti se nuk kemi patur asnjëherë në këto 17 vjet, një program që të ketë qënë një instrument qeverisës. Programet e këtyre 17 viteve, kanë qenë libra apo libërtha dëshirash të mira, për të plotësuar të gjitha nevojat e njerëzve; Dëshirash të mira për të shkuar pranë njerëzve dhe për t'u thënë, se ne jemi në gjendje t'i realizojmë ëndrrat tuaja. Dëshirash të mira të nxjerra nga nevoja për të marrë votat dhe për të fituar pushtetin. Por ndërkohë, përsëri për arsye që mund të diskutohen, pushteti asnjëherë nuk është konsideruar si një instrument për të realizuar qëllimet e përbashkëta, por si një qëllim në vetvete. Lufta për pushtet gjithmonë është parë si një luftë që mbaron për të dy palët, në ditën e zgjedhjeve dhe rifillon të nesërmen, ku njëra palë kërkon pushtetin, kurse pala tjetër hyn në një rrugë improvizimesh për shkak të mungesës së programit dhe më pas degradon në arrogancë, në mungesë të plotë të kontrollit mbi sistemin. Edhe sot, ne praktikisht po jetojmë këtë fazë të degradimit të kësaj pale që qeveris, e cila është në vitin e 3 të mandatit qeverisës dhe praktikisht duket qartë që tanimë ka hyrë në inercinë e humbjes së kontrollit mbi të gjitha sistemet e organizimit tonë shoqëror, ku në çdo sistem, ka një anarki të ndjeshme, ka një mungesë të ndjeshme koordinimi dhe sensi të veprimeve. Ka një çakordim të ndjeshëm mes të gjithash strukturave të brendshme të secilit sistem, gjë që mund ta themi fare thjesht edhe për sistemin shëndetësor dhe ku gjëja që pritet, është të ndryshojë përsëri pushteti.

Çështja kthehet përsëri në bazën e nisjes dhe ka të bëj sipas meje, fund e krye, me nevojën që të kemi në dispozicion një program, i cili të jetë instrument në dorën e atyre që nesër do të qeverisin. Një instrument, i cili do të vërë në lëvizje projektet e administrimit dhe të menaxhimit të të gjitha fushave, që prezumohen se mbulon veprimtaria e qeverisë.

Edhe dëshira më e mirë, nuk ka mjaftuar dot, për t'i vënë në jetë këto gjëra të shkruara në programet qeverisëse. Në rast se bëjmë një analizë të gjithçkaje që është shkruar në raport me realitetin konkret, mendoj, se ka ardhur koha që ne ta ndryshojmë këtë prirje dhe të marrim një kthesë, që sipas meje është një kthesë konceptuale dhe historike në këtë aspekt. Duke i kthyer partitë politike, nga çeta për marrjen e pushtetit, në hapësira të diskutimit dhe përfundimit të mendimeve të të gjitha atyre njerëzve që janë të interesuar të ndikojnë në jetën e sistemit ku punojnë, apo në jetën e vendit në tërësi. Kthimi i këtyre çetave për pushtet, në hapësira funksionale, që me një fjalë ndoshta pak të madhe për momentin, do t'i quaja laburator të alternativave të qeverisjes, është një përpjekje, e cila kërkon me patjetër një komunikim konstant dhe shumë serioz e të sinqertë me të gjithë shoqërinë. Sepse, unë besoj se në rast se njerëzit që përfaqësojnë sistemet e organizimit tonë shtetëror dhe shoqëror, do të pyeteshin, jo në muajt e fushatës elektorale, në tryeza, por në dy vjet përpara se sa fushata elektorale të fillonte, për mënyrën se si ata dhe ato e perceptojnë gjendjen në sistemin ku punojnë dhe për rrugët që mendojnë se duhen ndjekur për të dalë nga kjo gjendje, pa asnjë dyshim, që partitë do të kishin programe më realiste dhe pa dyshim më të përshtatshme.

Konkretisht ne e kemi filluar këtë proçes, me këtë vetëdije, që të dëgjojmë sa më shumë njerëz, që të mundemi. Të kuptojmë sa më shumë nga jeta reale dhe sa më shumë jetë reale të futim në jetën politike. Pa dyshim që kjo nuk është e lehtë dhe që kjo është hera e parë që një parti politike merr përsipër të hyj në jetën reale dhe të merret me të.

Do të na duhet të bëjmë një punë të thelluar analitike mbi këtë bazë të gjerë të dhënash, sugjerimesh, idesh me grupe ekspertësh të kombinuar edhe me ekspertët ndërkombëtarë. Unë besoj që ky trekëndësh midis njerëzve të një sistemi, ekspertëve që dëgjojnë analizojnë dhe nxjerrin konkluzione, si edhe ekspertëve ndërkombëtarë që sjellin eksperiencat e tyre dhe sugjerimet e tyre edhe mbi bazë eksperiencash të tjera më të përparuara është një trekëndësh që do të na japë megjasë mundësinë që të themi se kemi një program siç e kërkojmë, që do të ketë disa prioritete shumë të qarta. Do të ketë një shtjellim shumë të hollësishëm në mënyrë që çdo ministër të ketë në tavolinë qysh ditën e parë një projekt edhe një plan, në mënyrë që çdo ministër të jetë ekzekutuesi i një vullneti shumë më të gjerë dhe në mënyrë që raporti me zgjedhësit, si edhe me të gjithë njerëzit e sistemeve që ne do të prekim të jetë një raport i qartë kontraktual që të mos bazohet tek subjektivizmi, improvizimi, arroganca e një ministri.

Këto gjëra kanë ndodhur dhe këto gjëra kanë prodhuar plagë dhe pasoja shumë të rënda gjatë këtyre 17 vjetëve. Është vërtetë fatkeqësi që ne sot të lexojmë këtë dokument pas 17 vjet, përpjekjesh për të kaluar nga një sistem shëndetësor komunist në një sistem shëndetësor brenda një kapitalizmi funksional dhe ajo që vëmë re edhe në këtë sistem si edhe në sistemet e tjera, është fakti se nuk janë bërë reforma të thella dhe njëkohësisht reforma të bazuara në një vizion të shoqërisë dhe të funksionimit të shtetit, por janë bërë operacione shumë sporadike, ku të thella e ku të sipërfaqshme, ku në vendin e duhur dhe ku në vendin e gabuar, të cilat na kanë dhënë si rezultat një sistem krejt të çoroditur.

Unë jam i bindur se ne jemi në gjendje ta bëjmë kthesën e madhe në drejtimin e duhur duke kthyer timonin e qeverisjes nga shprehja dhe mishërimi i pushtetit si qëllim, në shprehjen dhe mishërimin e pushtetit si mjet për realizimin e qëllimeve.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm