Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Programi i PS, INSTAT në varësi të Kuvendit

Të reja

Programi i PS, INSTAT në varësi të Kuvendit

01 Mar 2012    

Më poshtë mund të lexoni fjalën në Kuvend të deputetit Taulant Balla:


 


Projekt-ligji për statistikat zyrtare, por edhe për prokurimet publike, konfirmojnë qartë disa nga sëmundjet e pashërueshme të kësaj qeverie.

Kush janë këto sëmundje?
· Pushtet i përqendruar në duart e njëshit Kryeministër.
· Reduktim deri në shfarosje të pavarësisë institucionale dhe profesionale.
· Refuzim i detyrimeve dhe rekomandimeve që vijnë nga Komisioni Europian.

Projektligji, me një nen të vetëm, për statistikat zyrtare, që vjen sot për miratim në Kuvend,
· transferon INSTAT në zyrën e Saliut,
· shfaros pavarësinë institucionale dhe profesionale të INSTAT,
· shkon në kah të kundërt me rekomandimet e Bashkimet Europian.

Çfarë na ka kërkuar BE për të adresuar në lidhje me statistikat zyrtare?  

Në Progres Raportin e vitit 2011, në nënkapitullin e veçantë për statistikat, thuhet se: “Dispozitat e Ligjit për statistikat në lidhje me rolin e INSTAT-it si koordinator kombëtar i sistemit statistikor janë të pamjaftueshme. Ligji gjithashtu nuk arrin të sigurojë një përfaqësim të gjerë të të gjithë ofruesve dhe përdoruesve të statistikave zyrtare në këshillin statistikor”.

Vazhdon Progres-Raporti më poshtë: “Kuadri ligjor që rregullon rekrutimin dhe shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të saj nuk garanton sa duhet pavarësinë profesionale të INSTAT. Pavarësia profesionale e INSTAT-it nuk është adresuar sa duhet në ligj dhe nevojiten përpjekje për të siguruar burime njerëzore dhe financiare të mjaftueshme.”

Është shumë e qartë.
Bashkimi Europian na i ka përcaktuar detyrat edhe në këtë sektor:
· duhet të plotësojmë kuadrin ligjor sepse është i pamjaftueshëm,
· duhet të amendojmë ligjin sepse nuk garanton pavarësinë profesionale të INSTAT.

Më thoni zotërinj qeveritarë, cilën prej kërkesave të BE përmbushni përmes këtij projekt-ligji. Sigurisht asnjërën. Më keq akoma. BE na thotë se varësia nga Këshilli i Ministrave nuk garanton sa duhet pavarësinë profesionale të INSTAT, ndërsa ju e çoni nga shiu në breshër, në zyrën e Saliut. Për të pestin vit radhazi Bashkimi Europian na kritikon për cilësi të dobët legjislacioni. Dhe kanë të drejtë. Merret një ligj për tu amenduar dhe ndryshojnë vetëm tre fjalë.

Ndërkohë që eksperienca komunitare në këtë sektor është shumë e plotë. Shqipëria ka nevojë për legjislacion të cilësisë europiane. Nuk është legjislacion dhe model europian, ky model i vjetër varësie. Doni të që Shqipëria të ketë një ligj të standardeve europiane për statistikat? Urdhëroni: KODI I PRAKTIKËS SË STATISTIKAVE EUROPIANE (për autoritetet nacionale dhe komunitare të statistikave. Ta marrim këtë dokument standardizues dhe të përmbushim deficiencat ligjore që kemi në këtë sektor. Ky dokument buron nga Rregullorja Nr.223/2009 e Parlamentit Europian dhe e Këshillit për Statistikat, dokument që përbën acquis bazë për këtë sektor. Përse nuk kemi sot një projekt-ligj të plotë që të përafrojë kuadrin tonë ligjor për statistikat me acquis communautaire, i cili të adresonte pavarësinë profesionale, shëndoshjen e burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare, për të patur më në fund statistika zyrtare të besueshme.

Përse duhet të miratojmë sot një projekt-ligj, me një fjali të vetme, që transferon varësinë e INSTAT nga korridori i Pollos tek zyra e Saliut? Ndërkohë që BE na kërkon krejtësisht të kundërtën. Për të bërë një ligj të mirë për statistikat, është shumë e plotë edhe eksperienca e vendeve anëtare.
Kam këtu një dokument konsultues të Qeverisë britanike për statistikat në të cilin thuhet:
Statistikat kanë një kontribuar vendimtar për një qeverisje të mirë në një demokraci moderne duke ndihmuar:
· në formulimin dhe vlerësimin e politikave,
· në menaxhimin e shërbimeve për të cilat Qeveria është përgjegjëse;
· në inkurajimin e debatit informues,
· sikurse u mundëson njerëzve që të gjykojnë nëse Qeveria i mban premtimet e saj.

Në mënyrë që statistikat të përmbushin këto katër nevoja, ekspertët britanikë sugjerojnë që autoritetit të statistikave ti garantohet:
• mbrojtja e pavarësisë (institucionale dhe profesionale) përmes ligjit,
• vendosja e raportimit të drejtpërdrejtë dhe llogaridhënies në parlament, në vend të llogaridhënies qeveritare;
• vendosja e përgjegjësisë ligjore në një bord drejtues të pavarur,
• emërimet e drejtuesit dhe të bordit të bëhen përmes konkursit të hapur dhe të ndershëm;
• heqja e statistikave nga kontrolli i Ministrave, për ta trajtuar atë si një departament jo-qeveritar.

Ja pra edhe eksperienca e vendeve anëtare. Ka një prirje për transferimin e varësisë larg ekzekutivit. Ndërsa në Shqipëri, Saliu i do të gjitha këto institucione në zyrën e vet. Sali Berisha nuk do që statistikat të shërbejnë si epikriza të ekonomisë së sëmurë rëndë, por si receta të krizave mendore. Sali Berisha kërkon që përrallat e tipit: jemi të dytët në botë pas Kinës për rritjen ekonomike, apo konkurrojmë Gjermaninë, t’i ilustrojë edhe me tabela statistikash të pavërteta. Prandaj kërkon ta ketë edhe INSTAT-in në zyrën e vet. Më lejoni të sjell në vëmendje faktin se kriza greke pati në themelin e saj pikërisht mungesën e vërtetësisë së statistikave zyrtare. Fshehja për vite me radhë e vlerës reale të deficitit, çoi vendin fqinj, anëtar të BE, në prag falimenti. Madje prokuror ekonomik Grigoris Peponis kërkoi përgjegjësi penale të qeveritarëve, për manipulim të të dhënave statistikore.

Dikush tha këtu se transferimi i varësisë nga Këshilli i Ministrave tek Kryeministri nuk ndryshon asgjë. E vërtetë, nëse kjo nuk do të ishte edhe një lojë kuka-fshehti me aleatët e pangopur, të cilët kërkojnë çdo ditë e më shumë drejtorë të përgjithshëm në varësi të Këshillit të Ministrave. Fshehja në zyrën e Kryeministrit e INSTAT dhe e Prokurimeve Publike, na qenka pra edhe një lojë fshehje pushteti, nga pazari me aleatët, e theksoj të pangopur. Në programin tonë për një Rilindje Shqiptare ne e kemi thënë qartë: “Që sipërmarrja të jetë e suksesshme, i nevojitet edhe informacion ekonomik i bollshëm, i saktë dhe transparent për vendimmarrjen. Aktualisht informacioni statistikor zyrtar është i mangët, i vonuar dhe i manipuluar. Operatorët ekonomikë dhe publiku i gjerë kanë humbur plotësisht besimin tek Instituti i Statistikave, i cili është kthyer në një instrument në dispozicion të propagandimit të gënjeshtrave të pushtetit. Ne e konsiderojmë informacionin statistikor një të mirë publike në shërbim të qytetarëve dhe faktorëve ekonomikë. Do të kthejmë seriozitetin dhe pavarësinë e Institutit të Statistikave, duke e vënë drejtimin e tij nën kontrollin e Kuvendit të Shqipërisë.”

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm