Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Prokuroria të fillojë menjëherë hetimet për dhunën ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit!

Të reja

Prokuroria të fillojë menjëherë hetimet për dhunën ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit!

22 Nov 2018    

Reagimi i Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit:

Z.Kryetar, kërkova fjalën për të bërë një ndërhyrje në punimet normale të Kuvendit të Shqipërisë ku shqyrtohet buxheti. Thjesht për detyrimin moral të deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, për të shprehur të gjithë solidaritetin dhe urimet për shërim sa më të shpejtë të disa punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët në ushtrimin korrekt të detyrës së tyre janë plagosur nga dhuna e pashoq, “në emër të ligjshmërisë”, e disa personave për të cilët Forca e Ligjit duhet të jetëndëshkuese, për të mos lënë më asnjë hapësirë ri-përsëritje të këtij fenomeni të turpshëm, ku një vajzë e re 24-vjeç, punonjëse e Policisë së Shetit, ka humbur katër gishtat e njërës dorë dhe po merr trajtimin adekuat në Spitalin e Traumës.

Kjo pjesë e sallës jo vetëm që është bosh, por ka përdorur deputetë mercenarë për të frymëzuar dhunën kundër punonjësve të Policisë së Shtetit. Ky është një turp i radhës për Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, që në vend që të ishin këtu për të diskutuar Buxhetin e Shtetit, në vend që të mbështesin një buxhet, i cili rrit pagat, rrit pensionet, heq taksat për imputet bujqësore, ndërton një sërë rrugësh, kanalizime të ujërave të zeza, ujësjellës, në pjesën më të mirë të territorit të vendit, bëhet bashkë me një grup zaptuesish emrat e të cilëve tashmë janë bërë publik nga Kryeministri para pak orësh këtu në këtë foltore, të cilët në emër të zbatimit e të paligjshmërisë guxojnë të ngrenë dorën kundër ligjit, sikurse nuk e respektuan ligjin ditën që “i zunë frymën” rrugës së Unazës së Tiranës.

Më lejoni që në emër të Grupit Parlamentar tu uroj shërim të shpejtë atyre punonjësve të Policisë së Shtetit që u lënduan. Shërim të shpejtë çdo qytetari të zakonshëm të gjendur rastësisht dhe shpërdoruar politikisht nga një opozitë, e cila është bërë si kukuvajkë që kudo që ka zhurmë shkon të bëhet pjesë e zhurmës, pa ditur pse është aty.

Personalisht, do t’i thoja Lulzim Bashës se: Ti Lulzim je i pari që nuk të takon të protestosh për dëmshpërblim, sepse atyre qytetarëve të thjeshtë duhet t’u tregosh se ti ke interesat e tua kur bëhet fjalë për dëmshpërblim, sepse ti dhe vjehrri yt, jeni ata persona që doni ti bëni presion qeverisë për t’u dëmshpërblyer për ndërtimet pa leje.

Nuk mund të jesh ti ai që del në krahun e atyre që duhen dëmshpërblyer. Për ne sot është e rëndësishme që t’u gjendemi pranë punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët meritojnë gjithë respektin për punën e nderuar që bëjnë çdo ditë për të garantuar sigurinë publike.

Thirrja ime sot është ndaj Prokurorisë së Tiranës. Prokuroria e Tiranës duhet të fillojë menjëherë hetimet.

Jeta e çdo punonjësi policie, shëndeti i çdo punonjësi policie është preokupimi ynë madhor.

Faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm