Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Prokuroria të nisë hetimet për aferën Rapiskan, nga e cila Berisha futi në xhepat e tij mbi 100 milionë euro me një firmë të vetme

Të reja

Prokuroria të nisë hetimet për aferën Rapiskan, nga e cila Berisha futi në xhepat e tij mbi 100 milionë euro me një firmë të vetme

08 Dec 2017    

Deklaratë për media e deputetes së Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti:

Partia Socialiste, në mënyrë të përsëritur, ka denoncuar aferën e koncensionit të kontenierëve si një prej aferave më të mëdha të qeverisë Berisha.

Megjithatë, tani nuk jemi të vetëm, pasi përmasat e kësaj afere kanë skandalizuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Një ditë më parë, rrjeti prestigjioz “Bloomberg” publikoi prova të pakundërshtueshme se gjysma e 250 milionë dollarëve të kontratës së lidhur midis shtetit dhe kompanisë amerikane që fitoi tenderin, iu kalua në formë ryshfeti ish kryeministrit Berisha dhe njerëzve të tij më të afërt.

Investigimi ka zbardhur edhe skemën e kësaj afere. Rapiscan Systems, me bazë në Kaliforni, fitoi tenderin për këtë kontratë qindra milionë dollarëshe, por vetëm disa muaj më pas shiti 49% të aksioneve tek një kompani shqiptare e padëgjuar deri më atëherë. Shitja e aksioneve u bë vetëm për 490 lekë. Pra, një gjysmë, që në letër vlen të paktën 125 milionë dollarë, iu kalua kompanisë së ish kryeministrit Berisha për vlerën e një kafeje. 

E gjithë kjo aferë ndodhi vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve të 2013-s, kur qeveria Berisha, e sigurt për humbjen, tentoi të vidhte gjithçka që kishte mbetur ende për t’u vjedhur në vend.

Partia Socialiste kurrë nuk ka heshtur, dhe ne në opozitë kemi denoncuar pothuajse në mënyrë të përditshme atë kontratë të lidhur në dëm të taksapaguesve shqiptarë.

Pas marrjes së pushtetit, ne nisëm një proces të gjatë rinegocimi me kompaninë, duke ulur me sukses vlerën që ajo përfitonte, nga 39 euro për çdo deklaratë doganore të plotësuar, në 5-22 euro për secilën prej tyre.

Anulimi i plotë i marrëveshjes bëhej i pamundur pikërisht nga klauzolat e pamëshirshme në dëm të shtetit shqiptar, që kishte përfshirë qeveria e mëparshme në kontratën midis palëve. 

Megjithatë, tashmë nuk jemi më vetëm ne ata që kemi denoncuar dhe kemi ridenoncuar këtë aferë korruptive. Mediat ndërkombëtare dhe ekspertë ndërkombëtarë japin prova të pakundërshtueshme të faktit që përmes këtij tenderi, ish kryeministri Berisha futi në xhepat e tij mbi 100 milionë euro me një firmë të vetme.

Ndaj është e drejta e çdo qytetari shqiptar të pyesë Prokurorinë se përse nuk ka nisur asnjë hetim ndaj kësaj mega afere.

Provat kanë pothuajse pesë vjet që janë mbi tryezën e Prokurorisë. Tashmë, ato po bëjnë edhe xhiron e botës duke dëmtuar rëndë imazhin ndërkombëtar të vendit. A do të vendosë më në fund, pas këtij denoncimi të ardhur nga SHBA, që Prokuroria të nisë të bëjë detyrën e saj? Apo edhe kjo çështje do të kalojë në heshtje si afera e lobimeve me para të pista, afera e CEZ apo dhe shumë afera të tjera të cilat shqiptarët i njohin shumë mirë.

Faleminderit!

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm