Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Prokuroria "varrosi" dosjen e CEZ, afera ku u përfshinë peshqit e mëdhenj. Nuk u morën parasysh provat e siguruara nga Komisioni Hetimor i Kuvendit

Të reja

Prokuroria "varrosi" dosjen e CEZ, afera ku u përfshinë peshqit e mëdhenj. Nuk u morën parasysh provat e siguruara nga Komisioni Hetimor i Kuvendit

07 Nov 2017    

*Nga Ulsi Manja 

Mirëdita!

Ju kërkoj ndjesë për këtë komunikim në kohë dreke, pas një dite të lodhshme pune në komisionet e Kuvendit ku tashmë po diskutohet projektbuxheti për vitin 2018. Jam këtu për të komunikuar me ju dhe me publikun, me opinionin publik, një çështje të rëndësishme. Kuvendi ka marrë një fletëthirrje nga Gjykata e rrethit gjyqësor Tiranë, e cila njofton Kuvendin e Shqipërisë, bazuar në nenin 329, b, të Kodit të Procedurës Penale, në cilësinë e kallëzuesit, të marrë pjesë në shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për pushimin e çështjes penale nr. 73/40, datë 19.9.2017, për të paraqitur dhe parashtrimet në lidhje me këtë kërkesë. Deri këtu, gjithçka është normale, si Gjykata edhe Prokuroria janë në ushtrimin e kompetencave dhe funksioneve që u jep Kodi i Procedurës Penale. Cila është çështja për të cilën prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë i ka bërë kërkesë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për ta pushuar çështjen? Besoj ju mediat dhe opinioni publik e mbani mend komisionin hetimor të ngritur nga mazhoranca për çështjen e CEZ-it, ku pasi raporti i komisionit hetimor në të cilin u parashtruan gjetje dhe fakte për një aferë të madhe korrupsioni në radhët e zyrtarëve të lartë të shtetit të kohës, pasi u votua në Kuvend iu përcollën Prokurorisë për të zhvilluar hetimin e mëtejshëm të çështjes, për të zbardhur plotësisht të vërtetën dhe për të çuar përpara drejtësisë autorët e kësaj afere korrupsioni, qofshin ata të veshur me pushtet, ose jo. Prokuroria po përpiqet të mbyllë një prej dosjeve më të qarta të korrupsionit në këto 27 vjet: skandalit të privatizimit të kompanisë CEZ, pa kryer asnjë hetim minimal, pa marrë në pyetje asnjë person të akuzuar, asnjë dëshmitar, asnjë person që ka dijeni për rrethanat e hetimit, pa marrë në konsideratë asnjë prej gjetjeve të raportit përfundimtar të komisionit hetimor parlamentar. Prokuroria, që çoi urdhrin brenda ditës për të arrestuar një deputet mbi bazën e një materiali të botuar në media dhe me përgjimet e dy-tre banditëve, i cili gjithsesi, falë përgjegjshmërisë sonë si shumicë është sot në duart e drejtësisë dhe po kryen hetime, jo vetëm nuk e vë ujin në zjarr për një material të shkruar me fakte kompromentuese, e me emra peshqish të mëdhenj e të vegjël të dyshuar për krim ekonomik e korrupsion me përmasa tronditëse, por e paska dërguar dosjen në Gjykatë duke kërkuar mbylljen e saj. Kush janë këta prokurorë? Kush ua ka dhënë këtyre prokurorëve pushtetin, që të sillen me drejtësinë si tregtarë pazari? Kush është pas këtyre kukullave, këtij teatri të neveritshëm me drejtësinë si mjet për të sulmuar dhe për të mbrojtur në emër të interesave politike, korruptive, që fyejnë Shqipërinë, popullin dhe drejtësinë.

Prokuroria në këtë çështje po bën pazare që vijnë erë të keqe me kilometra larg. Madje e di e gjithë Tiranë.

Prokuroria po shfaqet hapur si vegël e politikët dhe padrejtësisë. Prokuroria po provon me veprimet dhe mosveprimet e saj një kalbëzim të tmerrshëm të sistemit.

Por prokuroria nuk ka për ta ndalur dot orën e drejtësisë së re që po vjen dhe që ka tmerruar politikanë, prokuror dhe gjykatës të korruptuar.

Kurrë nuk do ta ndalojë dot edhe sikur të gjej në gjykatë njerëz të tredhur e të korruptuar njësoj si ata që e kanë çuar dosjen e CEZ për ta varrosur pa asnjë lloj procesi minimal hetimor.

Gjej rastin t’u bëj thirrje pjesës së ndershme të prokurorëve. Të presin me qetësi Vetting-un sepse ora për t’u ndarë i njomi nga i thati brenda sistemit të prokurorisë ka filluar dhe nuk e ndalon më askush.

Si edhe të distancohen prerë nga praktikat e vjetra të deridjeshme ku prokurori më i lartë kishte fuqi mbi hetimin e prokurorëve më të ulët e të kthehen në hullitë e ligjit të ri kushtetues dhe Kodit të ri të Procedurës Penale dhe të mos vazhdojnë më të marrin urdhra dhe as të mos përdoren për llogari të segmenteve të kalbura të sistemit t vjetër të Prokurorisë të veshur me kostum politik dhe që janë të lidhur nyje me pjesën e politikës që deri dje ka penguar drejtësinë e re që po lind.

Reforma në Drejtësi, e kemi thënë që në krye të herës, është reformë për pjesën e ndershme të sistemit që deri sot ka ngrënë baltën e panevojshme të kësaj pjese të kalbur.

Z. Manja a po i bëni ju presion Adriatik Llallës? Ju lexuar akuzat që Taulant Balla i mban prej disa ditësh në facebook. A po i bëni preson tani në fund të mandatit?

Në respekt të pyetjes tuaj, dhe për sqarim të opinionit publik por edhe të Prokurorëve të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë, në datën 1 gusht të vitit 2017, ka hyrë në fuqi Kodi i ri i Procedurës Penale i cili reflekton ndryshimet e reja kushtetuese ku roli i prokurorisë është definuar krejtësisht ndryshe nga misioni që ka patur deri më sot. Sot zoti i çështjes dhe hetimit është prokurori i thjeshtë. Roli i Prokurorit të Përgjithshëm dhe i drejtuesve të Prokurorisë aktuale mbi prokurorët e hetimit është inegzistent në kuptimin e futjes së duarve tek hetimi. Pra sot po flasim për të inkurajuar prokurorët e ndershëm të sistemit që pas datës 1 gusht të këtij viti kanë marrë në dorë me Kushtetutë, me ligjin për Prokurorinë dhe me kodin e ri të Procedurës Penale fatet e hetimit në këtë vend.

I ftoj të jenë të përgjegjshëm dhe të ngrihen në nivelin e lartësisë mbi detyrën sepse vendi ka nevojë për drejtësi, vendi ka nevojë për prokuror të ndershëm sepse ora që peshqit e mëdhenj të korrupsionit në këto 27 vite të shkojnë përpara drejtësisë.

Por kjo duhet të jetë një drejtësi e pavarur dhe e barabartë për të gjithë larg ndikimeve politike.

Z. Manja kush do të jetë kryeprokuror në 4 dhjetor?

Përgjigjen u jep Kushtetuta, ligji për Prokurorinë dhe rregullorja e Kuvendit. Në ditët në vazhdim edhe kjo çështje, në zbatim të dispozitave kushtetuese dhe ligjore do të gjej zgjidhje. ​

*Deklaratë për media e deputetit z. Ulsi Manja

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm