Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Protesta e 27 Janarit për pallatin e Vjerrit të Lulit, fletë-thirrjen e Zenit në Prokurori, për drejtorët e LSI-së dhe vrasësit e 21 janarit

Të reja

Protesta e 27 Janarit për pallatin e Vjerrit të Lulit, fletë-thirrjen e Zenit në Prokurori, për drejtorët e LSI-së dhe vrasësit e 21 janarit

25 Jan 2018    

Fjala në seancën e sotme parlamentare, në emër të Grupit Parlamentar Socialist, e kryetarit Taulant Balla:

Të nderuar kolegë, 
Në pikën e parë të rendit të ditës kishim një çështje shumë të rëndësishme, atë të vendosjes në ligj të ditës së shenjtërimit të Nënë Terezës, e cila thoshte se disa njerëz vijnë në jetë si bekim, disa të tjerë vijnë në jetë si mësim. 

Shkoni, shkoni të gjithë pas atij që e ka katandisur këtë parti në pronë personale, e që kryetari i radhës i partisë është thjesht dhe vetëm drejtori i radhës së ndërtesës. Pse po dalin në protestë këto, ose pse po i thirrni në protestë? Jam shumë i sigurt që në atë ditë do të duhet t’i përgjigjeni protestuesve për disa pyetje. Disa prej tyre janë të njëjtët, ata që erdhën në 18 shkurt. Çfarë fituan protestuesit e Partisë Demokratike në 18 shkurt? Fituan vetëm Avokaten e Popullit! Protestuan për 3 muaj me radhë në çadër, që Lulzim Basha të merrte Avokaten e Popullit për të shpërblyer avokaten e pallatit të vjehrrit të vet.

Pika më e turpshme është sjellja juaj. Kur në 22 maj, për shkak të marrëveshjes për t’ju futur ju në zgjedhje ne votonim Avokaten e Popullit, avokatja e Popullit nuk ishte këtu për të bërë betimin, se një ditë më pas ishte në Strasburg. 
Kishin protestuar 3 muaj me radhë protestuesit e Partisë Demokratike, që do vijnë përsëri më 27 janar për të kapur Avokaten e Popullit, e cila shkonte, për turp të Partisë Demokratike por dhe personalisht Lulzim Bashës, shkonte në një gjyq: Xhafer Isufi kundër Shqipërisë. Xhaferi kishte Avokaten e Popullit kundër Shqipërisë. Këtë fitoi Lulzim Basha nga protesta e 18 shkurtit! 
Në 27 janar, jam shumë i sigurt, ndoshta do të ndërtoni marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë, që Xhaferi të marrë lekët nga Ministria e Financave.

Ju të dashur protestues, që do vini më 27 janar: arsyeja e protestës së 27 janarit janë paratë e pallatit; se Lulzim Basha kërkon paratë e pallatit, sepse ka një radhë në respektimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, dhe Luli do paratë.

Do vini në protestë për çfarë? Për zgjedhjet e 25 qershorit? Kundër kujt do protestoni? Kundër 20 mijë komisionerëve dhe numëruesve të Partisë Demokratike, që kanë votuar dhe kanë miratuar çdo procesverbal në çdo qendër votimi e çdo qendër numërimi të Shqipërisë?! 20 mijë numërues e komisionerë të Partisë Demokratike! 
Në 27 vjet, kurrë më parë trupa e komisionerëve dhe e numëruesve nuk kishin qenë kaq dakord. Të 7 anëtarët e KQZ, ku 4 i kishit ju, kanë votuar pro shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pa asnjë shënim. 
Dilni në protestë! Jam shumë i sigurt që ka një arsye të fortë Sali Berisha të dalë në protestë në 27 janar; dhe retorika, gjuha e përdorur tregoi edhe tensionin e tij familjar. Mediat njoftojnë që Shkëlzen Berisha së bashku me Nue Kalajn janë sot të thirrur nga Prokuroria e vendit tonë për një vepër penale të rëndë: atë të shpërdorimit të detyrës nga ana e babait, por edhe shndërrimit të të birit në një ryshfetxhi. 
414 milionë euro është fatura që shteti shqiptar e populli shqiptar paguan vetëm për një çështje të vetme, atë të CEZ. Sot, kur Prokuroria njofton thirrjen dhe marrjen në pyetje të Shkëlzen Berishës, babai i tij i bën thirrje shqiptarëve që “o burra, të rrëzojmë këtë qeveri e këtë shtet ligjor”.

Dilni në protestë, edhe për drejtorët e LSI, patjetër duhet të dilni edhe për ata në protestë.

Dilni edhe ju demokratë të thjeshtë e të ndershëm për drejtorët e LSI. Mos qeshni ju deputetët e PD-së!

Dilni në protestë bashkë edhe me të akuzuarit e vrasjeve të 21 Janarit!

Keni një arsye të fortë për të dalë, të nderuar shqiptarë, të djathtë por të ndershëm! Si mund të shkojë një njeri në protestë kur ende nuk është hetuar plotësisht krimi shtetëror i 21 janarit? Kur të dy, babë e bir, bir politik, Saliu me Lulin janë dy prej të akuzuarve kryesorë të krimit shtetëror të 21 janarit. Për çfarë duhet të vijë një protestues të jetë krah për krah me Sali Berishën dhe me Lulzim Bashën?

I dëgjova të dy!

Saliut nuk i ngjit më përbetimi i tij për varfërinë kur facebook, instagrami gëlon nga luksi i shfrenuar i familjarëve të tij. Por nuk qëndron më keq as Luli. Si ka mundësi që një demokrat i thjeshtë të besoj, kryetarin e Partisë Demokratike që betohej se janari do të ishte muaji i protestës, në fund të dhjetorit e kishte në Shqipëri vetëm dy ditë?! Iku nga Shqipëria në 20 dhjetor; u kthye në Shqipëri në 26 dhjetor; ndenji dy ditë në Shqipëri deri në Shqipëri deri në 28 dhjetor dhe pastaj u kthye nga Hollanda në 5 janar. Verifikojeni, pyeteni Lulëzimin. Po të kishte Lulzimi dhembshurinë për të gjithë ato familje që jetojnë në varfëri, minimalisht në shenjë solidariteti, Krishtlindjen apo Vitin e Ri, njërën prej tyre mund ta kishte bërë në një prej jetimoreve të shumta të Tiranës apo të gjithë Shqipërisë. Por Lulzimi zgjodhi, si çdo vit, Vitin e Ri ta bënte te shtëpia në Amsterdam.

Ky zemërmadhi Lulzim tani përbetohet për luftë kundër një qeverie, që sigurisht nuk ka të krahasuar fare me mënyrën se si keni qeverisur ju. Kemi ende shumë punë për të bërë, dhe nuk kemi thënë kurrë që kemi realizuar gjithçka jemi angazhuar përpara shqiptarëve; por të krahasohemi me ju, zoti na ruajt.

Jeni shembulli më i keq se si mund të jetë qeverisur një vend!

Foli Sali Berisha; po si mund të flasë Sali Berisha kur 13 vite, në këto 26 vjet, e ka qeverisur ai vendin?! Ky nuk paska asnjë faj për situatën në të cilën është sot Shqipëria, e marrë peng 13 vjet nga Sali Berisha?!

Por ne e kemi çliruar Shqipërinë në 2013-ën nga keqqeverisja. Kemi ende shumë punë për të bërë.

Dilni në protestë kundër Reformës në Drejtësi, sepse në Shqipëri është ngjizur një aleancë e re, një aleancë që në fakt e ka bërthamën që në 2014-ën kur mori rrugë Reforma në Drejtësi. Shumë prej jush në 22 korrik,- edhe pse votonim, ju me pahir,- përsëri thoshit: “Bëni ç’të doni, por kjo Reforma në Drejtësi nuk ka për t’u zbatuar asnjëherë sepse ka ca probleme dhe nuk zbatohet.”
Por ja që Reforma në Drejtësi po zbatohet; ja që rezultatet e para të Vettingut dalin javën e ardhshme apo ditët në vijim. Ata njerëz që ju i mbrojtët me shumë luftë për t’i mbajtur në ato pozicione, do dalin që na paskan qenë pa arsimin përkatës dhe na paskan qenë të zhytur në pasuri e në prona pafund, do të dalin. Arsyeja është e thjeshtë: sepse ju ishit kundër Vettingut.

Dilni e protestoni edhe kundër Reformës në Arsim! Jemi mësuar tashmë se një nga gjërat që ju dhemb më shumë është se nuk është më “Kristali”, nuk është më “Vitrina”, s’janë më ato; kur i shfrytëzonit edhe për fushatë elektorale. Lulzim Basha në 2009-ën shpërndante diploma universitetesh private për vota. Ja, këtë bënte Lulzimi!

Dilni, të dashur shqiptarë, në protestë përkrah Lulit dhe Saliut, por mbani mend që këta janë një e keqe e madhe e këtij vendi. Shqipëria nuk e meriton të ketë një opozitë si kjo! Për ne jeni një e mirë, për Shqipërinë jeni një e keqe!

 

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm