Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › PS do të jetë më e mirë dhe më e fortë prej këmbënguljes dhe vendosmërisë së grave socialiste!

Të reja

PS do të jetë më e mirë dhe më e fortë prej këmbënguljes dhe vendosmërisë së grave socialiste!

28 Feb 2020    

Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, e njëkohësisht kryeministrit Edi Rama, në çeljen e Kongresit të Partisë Socialiste:

Tani, çfarë t’i bëj unë fjalimit. E dëgjuat zërin e opozitës time më të fortë. Mua më takon ta falënderoj Lindën sepse sidoqoftë ishte shumë më e moderuar këtu se mbrëmë në shtëpi, ku zhvillohet debati i parlamentit tonë familjaro – katunar.

Rrofsh moj grua që më kurseve në sytë e gjithë këtyre shoqeve dhe jam shumë i qartë që sonte kusurin do e marr në Surrel, me pasion, për gjithçka që nuk u tha këtu.

Ju qeshni, por e vërteta është që po të mos e kisha në shtëpi, çdo natë këtë opozitën që dëgjuat përpara meje, por që e dëgjuat në variantin më rozë, me atë opozitë që kemi në rrugë ne, do më dukej vetja më i madhi i krejtve  në botë. Dhe shyqyr Zahon e kemi si Gramozin, nuk ndërhyn në debatet e brendshme të parlamentit tonë se kur vijën ata dy të mëdhenjtë, them me vete “ku je o Lul se vetëm ti ma bën jetën të lehtë”.

Tani, përtej shakasë që në këtë rast është pothuajse e gjithë e vërteta, unë dua ta falënderoj këtu përpara jush Lindën, jo thjeshtë për faktin shumë të rëndësishëm që më ndihmon të rri me këmbë në tokë, por për faktin që ajo është themeli i patundshëm i shtëpisë tonë.

Kemi një shtëpi që falë Lindës, është antisizmike dhe përballon edhe tërmetet e mia me shumë qëndrueshmëri dhe falë saj, fëmijëve nuk u mungon asnjë moment ajo mbrojtja shpirtërore, mbështetja morale, kujdesi prindëror që fatkeqësisht unë e kam kaq të pamundur që tua jap sa duhet e si duhet. Por, falë kësaj, Aneta, e dini kush është Aneta, që më shikon aq rrallë ka gjetur një vajzë që sikur ta kishte bërë vetë, nuk do e bënte dot kaq brenda standardeve dhe kritereve të saj. Se Aneta është më e vështirë se Bashkimi Europian për standarde, për kritere, për prioritete dhe falë Lindës, unë për hir të së vërtetës, nuk kam qenë kurrë vetëm, realisht.

Në asnjë nga jo pak kohët e vështira që ju i dini sepse kemi qenë bashkë, por kemi qenë bashkë në një pjesë të kohës së të përditshmes, ndërkohë që po i thoja përpara pak ditësh një koleges suaj, “mos u mërzit, me ngjitjen vjen dhe era më e fortë”. Sa më lart të ngjitesh, aq më e fortë është era dhe aq më vetëm je. E me thënë të drejtën, më vjen shumë keq që aq padrejtësisht Lindës i është dashur edhe të përballojë baltën e mëhallës të opozitave tona, por ky është çmimi i lartë që duhet të paguhet fatkeqësisht kur vendos të merresh me politikë në këtë vend. E aq më tepër, kur të bie hisja, siç më ka rënë mua, siç na ka rënë ne të gjithëve, që të kesh përballë llojin më të ulët të konkurrentëve që ne kemi pasur për vite e vite të tëra.

Nuk dua të zgjatem, se besoj që fjalimi programatik dhe detyrat dolën nga parafolësja, por tre gjëra dua të them.

E para, atë çështjen e sapohapur të vendosjes së një gruaje, apo një vajze bashkëkryetare në çdo organizatë socialiste mos e lëshoni dhe mos toleroni që burra si ai që Majlinda Bufi, pasi i vuri duart në fyt hëngri dajak ai, jo ajo, por atë pjesë nuk e thotë Majlinda, se ishte pjesa që duhej thënë, që, ne gratë jemi tolerante, atyre burrave bëjani si ia bëri Majlinda atij burrit sepse është themelore që organizatat socialiste të ndryshojnë. E më besoni jeni arma e fundit që imagjinata ime ka pjellë pas shumë e shumë reformash, sistemesh, kthehu kështu, kthehu ashtu, një anëtar-një votë, dy vota-tre anëtarë, dil këndej, ndalo andej, vër kritere, nxirr rregullore, s’lejohen familjarët, nuk lejohet bashkëshorti, nuk lejohet krushku, nuk lejohet halla, të gjitha nuk kanë funksionuar. Arma e fundit është forca, këmbëngulja dhe vendosmëria e grave socialiste që këtyre burrave t’u thonë, “vendin tuaj e keni, por është vetëm gjysma e vendit që keni, jo më shumë se kaq” dhe duke e filluar nga koka e çdo organizate, duke kaluar pastaj poshtë për të pasur mendësinë që nesër Partia Socialiste të jetë shumë më e mirë seç është sot, shumë më e fortë seç është sot dhe shumë më pranë njerëzve seç është sot.

E dyta që dua të them, jam absolutisht i frymëzuar nga ajo që tha Besa për futjen e teksteve të detyruara feministe nëpër shkolla, por, nga e thëna në të bërë nuk është në mes një det i tërë, deti është më kollaj, nga e thëna në të bërë, në mes janë burrat, më të vështirë se deti. E për këtë arsye, besoj që, ajo nismë nuk është një nismë që mjafton si nismë institucionale dhe nuk mund të implementohet me sukses nëse ju të gjitha nuk jeni pas kësaj nisme në të gjitha nivelet ku përfaqësoni vullnetin e Partisë Socialiste. Është kaq e thjeshtë!

E fundit që kam, ka vetëm një gjë që nuk shkon në Kongreset tona, në Konferencat tona, në takimet tona, por sidomos në një Kongres grash që duartrokasin për feminizmin nuk shkon të më thoni më, zoti Rama! Aman ma hiqni këtë “zoti Rama”, se më duket tmerr. Tani, është dhe ky një zhvillim i jetës tonë, sepse njëherë e një kohë unë i thoja Gramozit zoti Gramoz dhe ai më thoshte shoku Edi, tani unë i them shoku Gramoz ai më thotë zoti Edi. Është aftësia e Gramozit për të plotësuar boshllëqet që lë unë, kuptohet, se, në fakt, ai është shoku dhe shoku më i mirë që unë kam në Partinë Socialiste, por hiqeni këtë “zoti Rama”, hiqeni këtë “zonja dhe zotërinj”! Si mund të jetë një forum grash socialiste “zonja dhe zotërinj”? Çfarë zonja dhe zotërinj?! Si do i thoni gjejeni vetë. Ajo, “shoqet” e Besës më pëlqeu. Kështu që, të dashura shoqe, në sy të gruas ju përulem me shumë respekt dhe ju shpreh të gjithë dashurinë time.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm