Elbasan PS

PS, shtëpia e hapur për të gjithë gratë dhe vajzat

Mirëmbrëma të gjithave!

Faleminderit për atë parullë që s’e kisha ëndërruar ndonjëherë!

Shumë faleminderit për praninë tuaj të jashtëzakonshme këtu!

E vërteta është që nuk është e herë e parë që unë vij këtu në këtë amfiteatër. Kemi bërë shumë takime të tjera. I kemi bërë edhe në kulmin e fushatës, por nuk e ekzagjeroj që si këtë herë, asnjëherë nuk e kam parë të mbushur, por aq më tepër s’e kam parë ndonjëherë më të bukur këtë mjedis.

Më vjen shumë mirë që këtë tur me gratë, paralel me gjithë rrugëtimin tonë drejt zgjedhjeve të qershorit, e hapim këtu në Elbasan, ku realisht ne kemi parë një rritje të konsiderueshme të fuqisë së grave dhe të vajzave në mbështetje të Partisë Socialiste dhe një prani shumë më të gjerë në PS, për t’u përpjekur sëbashku e për të vazhduar përpara këtë rrugë që filloi 3 vjet e gjysmë më parë, kur ne morëm qeverinë, por që u bë e mundur falë zgjedhjeve të 23 qershorit të 4 viteve më parë.

Ashtu si në çdo fushë tjetër, ne nuk mund të themi se kemi bërë ndonjë mrekulli për të fuqizuar rolin e grave dhe të vajzave në vendimmarrje, për të rritur aksesin e tyre në jetën publike, për të arritur në atë barazi që duam në të gjithë nivelet, duke përfshirë edhe trajtimin e grave dhe të vajzave në punë. Por besoj se deri 4 vite më parë, nëse do thoshim që brenda mandatit tonë të parë, ne do kishim një qeveri ku 50% janë gra dhe vetëm 50% janë burra, s’do na besonte njeri.

Sot kemi një qeveri ku gratë janë 50% dhe jam shumë krenar t’ju them që kjo qeveri rankohet ndër të parat në Europë për barazinë gjinore mes grave dhe burrave. E natyrisht, nëse do ishte një element i veçuar, mund të konsiderohej dhe një element i rastësishëm, por ju e dini shumë mirë që falë përpjekjes sonë dhe një angazhimi të marrë më parë, ne arritëm që të imponojmë me ligj përfshirjen e plotë, në ekuilibër të plotë gjinor, në këshillat e bashkive të reja të Shqipërisë. Sot, ne kemi këshilla bashkiakë që janë 50% gra e vajza, 50% burra e djem. Kjo është një tjetër arritje shumë e rëndësishme, nëse nisemi nga ku ishim.

Patjetër që nëse shohim ku duam të shkojmë, as kjo nuk mjafton. Mund t’ju them se po të shikojmë nivelin më poshtë në administratën publike, e këtu jo për ndonjë meritë të veçantë tonën, në fakt, por për meritë të vajzave dhe grave, konkurset në administratën publike fitohen më shumë nga gra e vajza, sesa bura dhe djem. Po të shikojmë pak më poshtë, aty marrim një përgjigje shumë të qartë se kush e ka penguar Shqipërinë të bëhet zonjë, – e kanë penguar burrat. Burrat janë problemi, ju e dini më mirë se unë. Në gjithë listën e studentëve apo të nxënësve të ekselencës është një raport i përmbysur komplet, ku djemtë numërohen me gishta, ndërkohë që vajzat janë me grupe.

Kjo tregon që ne jemi jo vetëm në rrugën e duhur nga pikëpamja morale, nga pikëpamja etike, shoqërore dhe politike, kur themi që sa më shumë gra e vajza të përfshihen në jetën politike, në jetën publike, në vendimmarrje në të gjithë nivelet, qoftë në shërbimin publik, qoftë në sipërmarrjen privat, aq më e mirë është Shqipëria. Në fakt, kjo ka një bazë dhe besoj se rritja e pjesëmarrjes së grave, gjë që e kemi shumë më tepër në Parlamentin aktual dhe do e kemi ende më shumë në Parlamentin e ri, është drejtpërdrejtë e lidhur me mirëqenien, me ekonominë dhe harmoninë shoqërore.

Nuk është e rastësishme që po të bëjmë një krahasim, në njërën anë, klasifikimit të vendeve sipas zhvillimit të tyre ekonomik dhe në anën tjetër, klasifikimit të vendeve sipas të drejtave që kanë gratë, sa më shumë të drejta kanë gratë, aq më të zhvilluara ekonomikisht janë vendet.

Patjetër që prapambetja jonë lidhet edhe me mungesën e aksesit të grave dhe të vajzave në jetën publike, në jetën sociale, në gjithë liritë dhe të drejtat, si të barabarta me burrat dhe me djemtë. Gjë që na ka penguar e do jetë vazhdimisht një pengesë, deri kur ne me vullnet dhe me shumë këmbëngulje, hap pas hapi të shkojmë drejt garantimit të një ekuilibri sa më të arsyeshëm.

Sigurisht që ju jeni gra dhe vajza si gjithë të tjerat, por keni diçka ndryshe nga gjithë të tjerat, sepse jeni gra dhe vajza të angazhuara si qytetare në jetën politike. Nuk jeni këtu për t’u bërë deputete, politikane, ministre, por jeni këtu si qytetare për të kontribuuar që politika të bëhet më e mirë dhe ju e keni bërë PS më të mirë ndërkohë.

Këtë dhe vetë Qazimi [Sejdini] nuk e mohon dot, që PS e Elbasanit është shumë më e mirë seç ishte. Jam i bindur që Qazimi është shumë falënderues dhe shumë i vetëdijshëm për këtë dhe është një nga ata që kanë punuar shumë fort për të krijuar hapësira për gratë dhe për vajzat në të gjitha nivelet.

Si qytetare të angazhuara në politikë, sigurisht që sot ju me të drejtë prisni që unë t’i kaloj këto pjesët që kanë të bëjnë me politikën tonë gjinore dhe me çfarë ne kemi arritur e të them dy fjalë për situatën ku jemi.

Me shumë të drejtë ju mund të pyesni çfarë do ndodhë. Unë ju përgjigjem, do ndodhi që nesër Partia Socialiste do fillojë fushatën zyrtare për zgjedhjet e 18 qershorit.

Jemi mësuar në shumë vite që të shikojmë sherr, të shikojmë konflikt, të shikojmë ndasi, të shikojmë përplasje e të shikojmë kriza që në mos të gjitha, në të shumtën e herës janë krijuar nga vetë politikanët, nga vetë partitë, nga vetë elitat e partive, të cilat flasin për popullin gjithë ditën, por, në fakt, shumë pak mendojnë për të dhe shumë më pak përpiqen që të bëjnë për të.

Sot, ne jemi në fazën përmbyllëse të një krize të krijuar komplet artificialisht. Kriza e një partie, e cila është një parti e madhe shqiptare, është një alternativë pushteti, që zgjodhi të mbyllet në një çadër në mes të bulevardit dhe krizën e saj ta eksportojë jashtë çadrës e ta kthejë në një krizë të Shqipërisë, duke mos ngurruar që t’i hapë luftë gjithë miqve e gjithë partnerëve të Shqipërisë, që me të drejtë bënin thirrje të vazhdueshëm për t’u kthyer në rrugën e arsyes.

Ndërkohë që ju jeni të gjithë dëshmitarë që ne bëmë çdo përpjekje dhe që përpjekjet tona për të adresuar çështjet që objektivisht kanë nevojë të adresohen për të rritur maksimalisht garancitë e opozitës, PD-së në këtë rast, në zgjedhje, janë përpjekje që nuk i ka bërë asnjë qeveri më parë.

Ju e mbani mend që PS, grupi parlamentar i PS sëbashku me aktivistë të tjerë kanë bërë një grevë urie dhe për çfarë? Thjeshtë për ngritjen e një komisioni hetimor për të bërë transparencë për një proces zgjedhor shumë të kontestuar që përfundoi me një diferencë shumë të ngushtë dhe për të cilin raporti i OSBE/ODIHR-it shkruajti që 1/3 e numërimit u bë keq dhe shumë keq.

E megjithatë, ju  e mbani mend që ai komision parlamentar nuk u ngrit kurrë dhe pse ne kurrë nuk e imagjinuam që të kërkojmë largimin e kryeministrit, të kërkojmë qeveri teknike, të kërkojmë këtë e atë, por ne kërkuam thjeshtë një të drejtë kushtetuese të opozitës në parlament. E gjithë ajo betejë përfundoi thjeshtë e vetëm me shkrimin e një neni në ligjin zgjedhor që tanimë sanksionoi hapjen e kutive për të gjitha subjektet që kanë pretendime për transparencë etj..

Ishte një fitore e rëndësishme, por një fitore shumë minimale në raport me gjithë atë përpjekje. Ndërkohë nuk kemi parë ndonjëherë ndonjë qeveri që t’i thotë opozitës “shkruaj çfarë të duash ti e ne jemi gati ta bëjmë pjesë të ligjit të zgjedhjeve”. Nuk kemi parë ndonjëherë ndonjë qeveri, ndonjë kryeministër t’i lutet opozitës, t’i lutet kryetarit të partisë së madhe të opozitës “hajde takohemi”, t’i lutet aq shumë sa as Romeo, Zhuljetës nuk i lutet në dramën e Shekspirit dhe të mos ia dalë e të marrë vazhdimisht përgjigjen “takohem me ty, kur ti të sjellësh dorëheqjen”. Domethënë, më sill dorëheqjen, të dalësh në fotografi me mua, i thonë kësaj. Se për çfarë do takohemi, nëse unë të sjell dorëheqjen!

Megjithatë, prapëseprapë të gjithë atyre që me të drejtë më thoshin, më shkruanin që po të ishin ata, do kishin bërë kështu, do kishin bërë ashtu, ngele duke iu lutur, pse i lutesh, unë i thosha atë që realisht besoj, por pikërisht pse ne nuk jemi si ata, jemi ata që jemi.

Për ne nuk është as dobësi, nuk është as ulje, nuk është as humbje kohe që kur je në qeveri t’i shtrish dorën atyre që janë në opozitë e t’i tregosh një gatishmëri që të jetë përtej dhe kufijve normal të durimit. Erdhi puna deri në pikën që ne u tërhoqëm nga zgjedhjet në Kavajë. Për çfarë u tërhoqëm nga zgjedhjet në Kavajë ne? U tërhoqëm nga zgjedhjet në Kavajë se donim t’i jepnim një shans real një mundësie për t’i hapur PD-së rrugën e arsyes e për ta bërë të kthehet nga drejtimi i paditur ku është nisur. Ama e thamë shumë qartë që tërheqja nga Kavaja nuk ishte prova se ne kemi frikë. Ishte prova se ne na dhimbset realisht shumë më tepër sesa u dhimbset atyre edhe vendi, edhe qetësia e njerëzve,  por dhe mbarëvajtja e procesit demokratik.

Tani vjen dita, jemi në orët e fundit. Ndërkohë që ata vazhdojnë lojën, duke thënë se tani janë dakord për gjithçka nuk ishin dakord atëherë kur duhet të binin dakord dhe kishin kohën e nevojshme që t’i bënim gjërat si duhet.

Por çfarë është Shqipëria? Një oborr kopshti, që të gjithë duhet t’i gjëmojnë nga mbrapa një fëmije grindavec!

Çfarë kuptimi ka gjithë përpjekja jonë për të bërë shtet, për të vazhduar në një rrugë ku askush nuk është mbi ligjin, nëse përsëri politikanët, partitë do dalin mbi ligjin, nëse përsëri politikanët, partitë do t’u japin njerëzve shembullin se janë mbi njerëzit; nëse politikanëve dhe partive do t’u lejohet çka një qytetari të zakonshëm nuk i lejohet kurrë.

A ka ndonjë prind këtu që mund ta imagjinojë se, nëse fëmija nuk shkon në provim ditën kur është provimi, të shkojë të zërë derën e shkollës pas dy muajsh e të thotë, tani e dua provimin për fëmijën tim, se tani mu mbush mendja që fëmija duhet të hyjë në provim. Nuk ka!

Shembuj të tillë mund të përmendim pa fund, sepse zgjedhjet nuk janë lojë. Zgjedhjet nuk janë as një e drejtë e partive. Zgjedhjet janë e drejta sovrane e popullit për të gjykuar partitë.

Kush jemi ne që i themi popullit, ne nuk paraqitemi në provim, ne nuk vijmë në gjykim, se ne kemi ca punë. Çfarë punësh kemi ne, në fakt?! Ku është problemi? Po ja, dikush midis nesh është çmendur dhe tani i erdhën mendtë. Por tani që i erdhën mendtë, ne duhet tani të kthehemi nga e para. Ndërkohë që ju siguroj që nuk i kanë ardhur mendtë, se po t’i kishin ardhur, do ta bënim zemrën gur.

Kështu që ajo që pretendon Partia Demokratike është një lojë që vazhdon. Ndërkohë që ne jemi këtu, në një rrugë që vazhdon. Është rruga për të bërë shtet.  Që të bëjmë shtet duhet të jemi jo shembulli i forcës mbi ligjin, por forca e shembullit të respektit të ligjit dhe të njerëzve si të barabartë, pavarësisht se janë me pushtet, pa pushtet, politikanë apo qytetarë, në qytet apo në fshat, të pasur apo të varfër e me radhë.

Nuk dua të flas më gjatë sot për këtë çështje, pasi ajo që është zhvilluar nuk është një negociatë midis nesh dhe Partisë Demokratike, as midis meje dhe Lulëzimit. Unë e kam thënë, kur kam dalë në takimin e fundit nga zyra e Presidentit, se, për mua, çështja është mbyllur. Mbasi në orët që fituan dhe iu dhamë mundësi të fitojnë, nuk patën asnjë lloj përgjigje tjetër, përveç urra-ve të fitores në Bulevard, s’kemi çfarë negociojmë.

Të gjithë e kanë parë që Bashkimi Europian, miqtë, partnerët europianë të Shqipërisë dhe miqtë e partnerët e Partisë Demokratike, janë dorëzuar. Letra e komisionarit Hahn është letra e Europës si e tërë dhe e gjithë miqve e partnerëve për popullin shqiptar, ku i thotë shumë qartë se pse nuk patëm një marrëveshje dhe pse populli duhet të votojë në 18 qershor.

Nëse do thoni s’është negociatë, po çfarë është, ju them se kjo është një përpjekje e miqve tanë shumë të çmuar, partnerëve tanë strategjikë amerikanë. Kanë ardhur dhe kanë thënë dëshirojmë të provojmë. Ok, provoni, ju kemi thënë.

Unë nuk flas në emër të Amerikës. Ata e bëjnë dhe po e turbullojnë, apo përpiqen ta turbullojnë opinionin publik, duke folur në emër të Amerikës. Amerika flet vetë. Nuk ka nevojë për zëdhënës, as në çadër, as në qeveri. Unë këtu dua ta ndërpres këtë pjesë, po duke qenë se kam parë dhe shumë abuzime për media dhe mediat nuk kanë faj, se kur kriteri minimal elementar i seriozitetit të një komunikimi është që gjithçka që këmbehet mes palëve është konfidenciale dhe njëra palë i nxjerr në publik dhe të shtrembëruara, atëherë, edhe mediat kanë të drejtë të bëjnë spekulimet e tyre.

Ajo që them unë është që ka dhe shumë pak orë. Lulzim Basha ka në tryezë një ofertë që mbështetet plotësisht nga miqtë tanë, SHBA dhe është i ftuar që ta konsiderojë dhe në këndvështrimin tim, për sa unë mund t’i them, është ta pranojë. Pastaj, sigurisht, kjo është një vendimmarrje sovrane e tij dhe e PD-së. Por një gjë është e sigurt, që ne nuk luajmë me Shqipërinë, nuk luajmë me njerëzit e këtij vendi dhe nuk luajmë, siç janë mësuar politikanët të luajnë me vite e vite të tëra, me rregullat që i kemi përcaktuar dhe jua kemi bërë njerëzve me dije që këto janë rregullat. Nuk ka një vend normal, nuk ka një shtet serioz, nuk ka një popull që ka respekt për veten, ku të pranohet se mund të bëjmë çfarë duam ne që merremi me politikë, për zgjedhjet.

Mund ta imagjinoni një parti politike që shkon ngre një çadër përballë kancelarisë gjermane e të thotë, ik Angela se ne s’të duam, ikni ju, se ne duam ca të tjerë. Apo përballë kujt qeveri doni.

Këto janë çudira që askush nuk arrin dot më t’i kuptojë. Por, nëse këto lloj çudirash kanë ndodhur në forma të ndryshme dhe nëse kjo formë çudie, sot ndodh kaq e paparë në 27 vite, atëherë është shumë e qartë, ose i japim fund njëherë e mirë këtyre çudirave, ose këto çudira do kemi dhe për 27 vite të tjera. Ose i japim fund një historie ku kultura politike ka bërë batërdinë, herë me forcë, herë me flakë, herë me tym, herë me të ashtuquajturin konsensus në kurriz të këtij populli e të këtij vendi, ose këtë kulturë, ne nuk e çrrënjosim dot kurrë.

Është momenti për të thënë: Stop! Sovran në këtë vend është populli.

Sigurisht që ofertat nuk janë autobusë unaze, që ti rri aty dhe thua nuk po hipi, po pres se do vijë prapë. Jeta vazhdon. Koha ikën.

Ndërkohë Partia Socialiste, që është partia më e madhe në Shqipëri dhe që ka përgjegjësinë të udhëheqë reforma që nuk janë bërë kurrë në këtë vend, nuk mund t’i lejojë vetes që të ndalojë punët e vendit, se disa kujtohen që prit, se më duket se gabova unë atëherë, po tani mu mbush mendja dhe tani hajde ulemi.

Për më shumë, ditët janë përpara dhe ne do flasim. Unë nuk dua të flas më gjatë për këtë çështje, sepse mendoj që duhet respektuar deri në sekondën e fundit përpjekja e miqve tanë dhe pastaj, secili do thotë të vetat dhe populli do dëgjojë dhe do gjykojë se kush ka të drejtë.

Por një gjë po ju them, e gjithë kjo histori e ka rrënjën tek frika e tyre nga drejtësia. E gjithë kjo përpjekje për të thënë sot, se, papritur e pakujtuar, atyre u lindi në zemër që ta votojnë Vetting-un, nuk është asgjë tjetër, përveçse një lojë, një justifikim.

Mbi të gjitha nuk jemi ne, nuk është populli që iu ka borxh atyre këto tre muaj rrumpallë në Bulevard, por janë ata që i kanë borxh popullit Vetting-un. Kështu që nuk po na bëjnë ndonjë dhuratë, as po na bëjnë ndonjë sevap, thjesht dhe vetëm, nëse do ishin seriozë, do bënin detyrën që kanë një vit që nuk e bëjnë, që kur erdhën dhe votuan reformën në drejtësi, ndryshimet kushtetuese.

Mesazhi im për ju dhe për të gjithë është, në 18 qershor do marrim nga njerëzit gjykimin mbi çfarë kemi bërë dhe mbi sa shumë akoma duhet të bëjmë. Në 18 qershor, me votën për Partinë Socialiste, njerëzit do ta mbyllin njëherë e mirë kapitullin e këtyre lojërave pa mbarim.

Nëse ata nuk do të kthjellohen deri në fund të ditës së sotme, – se në orën 12:00 mbaron çdo gjë, – e nuk do vijnë ta votojnë Vetting-un, duke pranuar gjithë ofertën që kanë dhe duke hyrë në zgjedhje, 18 qershori do jetë dita kur Vetting-u nuk do jetë më një mundësi, por do jetë fakt i kryer. Parlamenti i ri, sapo të votojë qeverinë e re, vendimi i parë që do marrë do jetë zhbllokimi i Vetting-ut.

Sigurisht, nëse do ndodhte sot, por jo si lojë dhe as si një arsye që ne ta marrim zvarrë popullin e t’i themi tani t’i bëjmë zgjedhjet, kur ju teket këtyre, do ishte një kohë e fituar. Por ma ha mendja që me mbarimin e qershorit dhe me kalimin e dy muajve pushim, në shtator nuk kemi humbur absolutisht asgjë, me çfarë do kishim humbur, nëse do binim pre e këtyre shantazheve, e këtyre kërcënimeve, e këtyre lodrave dhe e atyre lloj përfundimesh që e kanë lënë Shqipërinë mbrapa për kaq shumë vite.

Ka shumë politikanë që krenohen për arritje të përbashkëta në vite. Unë po ju them që, nëse do më thoshin, numëro në këto arritje të përbashkëta, sa prej tyre i kanë bërë mirë vendit, do ta kisha shumë të vështirë të gjeja një të vetme. Mund të ketë një, mund të ketë dy, por shumica e atyre arritjeve janë vetëm mbulim i plagëve me pudër dhe jo operacion për të shëruar plagët. Infeksionet vetëm janë zhvilluar më tepër brenda organizmit tonë e më pas shpërthejnë në formë çibanësh, siç është ajo çadra atje në mes të Bulevardit. Një çiban që ka shpërthyer mbi trupin e Shqipërisë për shkak të infeksioneve të viteve e viteve të tëra, ku politika ka bërë sikur ka bërë reforma, por ku asnjëherë nuk është marrë me elementin më themelor, që të lidhë fjalën dhe veprën, të paktën kur vjen puna tek respektimi i Kushtetutës, i ligjit dhe i rregullave që iu kërkon qytetarëve të tjerë të zbatojnë.

Ne jemi Partia Socialiste dhe nuk mund të vazhdojmë ta përsërisim sikur s’ka ndodhur asgjë, sepse e gjithë përpjekja jonë, e gjithë beteja jonë për reforma që bëjnë shtet, mbetet pa themelin moral të saj. Themeli moral i saj është që ne që jemi këtu para jush, që ju na jepni mundësinë e na bënin nderin të na çoni në Parlament si përfaqësuesit tuaj, të parët duhet të jemi shembull në zbatimin e rregullave dhe në moslejimin e kthimit të rregullave në lodra, në emër të marrëveshjeve, konsensuseve.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm që ka plot njerëz sot që na kanë votuar ne 4 vjet më parë dhe që me të drejtë mund të thonë se unë skam parë asgjë. Jetoj në një lagje ku s’ka ndryshuar asgjë, jetoj në një fshat ku s’ka ndodhur asgjë, jetoj në një familje ku për fat të keq isha i papunë dhe jam i papunë. Atëherë, pse unë duhet të votoj prapë për ju?

Përgjigja ime është, sepse ne jemi të vetëdijshëm për dhimbjen tënde, që do të thotë se ne jemi të vetëdijshëm se kemi bërë sa kemi mundur. Nuk kemi bërë sa kemi dashur, por secili që arsyeton, besoj e kupton se në 44 muaj nuk mund të bëhet gjithçka u la pa bërë në çerekshekulli. Në 44 muaj nuk mund të rindërtohet çfarë u shkatërrua në çerekshekulli. Ama një gjë vlen për të gjithë, si për ata që e kanë prekur ndryshimin vetë, si për ata që nuk e kanë prekur ndryshimin vetë, vlen fakti që ne dhamë provën në 3 vjet e gjysmë që Shqipëria mund të bëhet një shtet serioz.

Ne dhamë provën, në 3 vjet e gjysmë, që në këtë vend ligjet nuk mbeten copa letrash dhe në këtë vend nuk mund të fitojë ai që i shkel ligjet e të ndjehet i dhunuar ai që i respekton ligjet.

Në këtë vend nuk mundet që të urtët, të arsyeshmit, të mirët të paguajnë një më një dritat dhe të fortët, të paarsyeshmit, të këqijtë të vjedhin dritat dhe t’ua faturojnë të mirëve çmimin.

Në këtë vend nuk mundet që ca fëmijë t’i kenë dyert e arsimit të lartë të hapura në katër kanatet, se jua hap partia, jua hap leku i prindërve, jua hap gjaku i kushërinjve dhe ca të tjerë t’i kenë të mbyllura se nuk kanë një teserë, nuk kanë një kushëri të fortë dhe nuk kanë lekë. Jo, ne dhamë provën që të gjithë fëmijët që meritojnë të hyjnë në universitet, jo vetëm mund të hyjnë në universitet, por nuk ka një fëmijë, sado të madh ta ketë mbiemrin, sado plot ta ketë xhepin e babës e sado të forta t’i ketë lidhjet me një parti apo një tjetër, që mund të kalojë përpara dikujt që ka më shumë pikë në një konkurs që zhvillohet tërësisht sipas meritës.

Patjetër ka shumë e shumë akoma për të bërë. Por ajo që thuhet shpesh dhe që është, për mua, edhe komplimenti më i madh, por edhe përgjegjësia më e madhe, është që po nuk e bëmë ne, nuk e bën dot askush tjetër.

Me shumë respekt, me shumë mirënjohje ju falënderoj!

Falënderoj Taulantin, i cili po bën një punë të jashtëzakonshme për të çuar mesazhin tonë derë më derë dhe për ta hapur këtë shtëpi, që është Partia Socialiste, për sa më shumë njerëz.

Dua të falënderoj Evisin që i është marrë goja, njësoj si kandidates tjetër që ka ardhur nga Amerika, kur doli për herë të parë, megjithëse Evisi kishte folur vite me radhë në auditor, por që sot jo vetëm nuk i merret goja, por ka krijuar një personalitet të respektueshëm, që i përfaqëson me dinjitet jo vetëm elbasanasit e kalasë, por gjithë gratë dhe vajzat e qarkut.

Patjetër edhe gjithë koleget e saj më të reja, që e kanë sprovën e parë, por që jam i bindur që me kalimin e ditëve do të bilbilojnë dhe me kalimin e viteve do ta konkurrojnë Evisin shumë seriozisht.

Sigurisht, një falenderim për Qazimin, i cili është i vetmi politikan i tranzicionit për të cilin janë bërë romane. Kjo do të thotë që ka një vlerë që ne të tjerët nuk e kemi.

Shumë faleminderit!

 

*Fjala e Kryeministrit dhe njëkohësisht Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në takimin me gra dhe vajza socialiste të Elbasanit