Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Pse Partia Demokratike po mbron kryebashkiakun e dënuar për vjedhje?

Të reja

Pse Partia Demokratike po mbron kryebashkiakun e dënuar për vjedhje?

10 Nov 2017    

*Nga Klotilda Bushka

Po bëhen 6 ditë që Lulzim Basha nuk flet për Agron Kapllanaj.

Si ka mundësi që Partia Demokratike vazhdon të mbrojë një njeri të dënuar për vjedhje makinash, vjedhje banesash?

Si ka mundësi që ky njeri vazhdon të mbajë i pashqetësuar detyrën e kryetarit të Bashkisë Mallakastër; apo vetëm e vetëm sepse është përfaqësues i Partisë Demokratike?

A ndikoi Lulzim Basha, kryetari i Partisë Demokratike, që kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri të arkivonte dosjen e Agron Kapllanaj?

KQZ, në mënyrë flagrante dhe të paprecedentë, shkeli hapur ligjin dhe afatin e parashikuar prej ligjit për marrjen në shqyrtim të çështjes.

Lulzim Basha vazhdon të bëjë hetuesin, prokurorin, gazetarin, dhe të mos i përgjigjet pyetjes pse vazhdon ta mbrojë kryebashkiakun e Mallakastrës duke shkelur ligjin e tij “të dashur” të dekriminalizimit për të dytën herë!

Është hera e dytë që Lulzim Basha merr në mbrojtje njerëzit e tij të kapur me presh në duar dhe është e hera e dytë që refuzon të marrë përgjegjësinë si kryetar në detyrë i PD.

Basha kujton se do të mashtrojë përsëri demokratët, duke u kapur si i mbyturi pas fijes së barit me një histori që i takon drejtësisë, aspak Lulit, që ta zbardhë deri në fund.

Shpifjet e tij për Policinë e Shtetit janë përpjekjet e dëshpëruara të një njeriu të dëshpëruar, ndërkohë që Policia e Shtetit ka bërë detyrën duke dhënë një tjetër shembull të qartë: se për ne e për qeverinë tonë nuk ka dy standarde, siç ka për Lulzimin kur vjen puna për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit!

Deklaratat e Partisë Demokratike se ne socialistët kërkesën për pavlefshmërinë e mandatit të Agron Kapllanajt e kemi për show mediatik janë qesharake dhe janë përpjekje për të hequr vëmendjen e publikut nga kjo çështje.

Kjo sepse ne socialistët, respektimin e ligjit dhe barazinë e të gjithëve para ligjit e kemi treguar me fakte, me veprime dhe jo me fjalë ashtu siç po veprojmë dhe këtë herë me kërkesën që i kemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Agron Kapllanaj.

Kryeministri Edi Rama dhe kjo mazhorancë kanë dhënë shembullin e përjashtimit dhe të nënshtrimit ndaj organeve të drejtësisë të të gjithë individëve të akuzuar për kundërligjshmëri.

Ju kujtoj këtu rastin e ish kryebashkiakut të Kavajës, të cilin kryeministri Rama e shkarkoi nga detyra.

Ndërsa Lulzim Basha jo vetëm që nuk ka marrë asnjë vendim për përjashtimin e Agron Kapllanajt nga forumet partiake, por nuk guxon as të shprehet publikisht për rastin, ashtu siç i takon kryetarit të partisë që e  kandidoi dhe u dha fatin e keq mallakastriotëve të drejtohen nga një person i dënuar për vjedhje.

*Reagimi i deputetes së PS, Klotilda Bushka

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm