Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Pse skandali i madh “CEZ” nuk mund të mbyllet?!

Të reja

Pse skandali i madh “CEZ” nuk mund të mbyllet?!

10 Nov 2017    

Jemi këtu sot si anëtarë të Komisionit Hetimor për çështjen tashmë të njohur “CEZ” - i vetmi Komision Hetimor i cili i çoi hetimet deri në fund dhe më pas me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dërgoi një dosje të plotë ku provohej në vlerësimin tonë fajësia e personave, ku më pas i kërkuam Prokurorit të Përgjithshëm sipas ligjit për Komisionet Hetimore fillimin e procedimit penal.

Sot jemi në kushtet që jemi njohur nga ana e institucionit të Prokurorisë për dërgimin në gjykatë jo për fajtorët, por për mbylljen e kësaj çështjeje.

Nisur nga kjo, do vazhdojmë në ditët në vijim të kërkojmë:

Pse skandali i madh “CEZ” nuk mund të mbyllet?

Pse prokuroria duhej minimalisht të kishte marrë deklarimet e personave për të cilët Komisioni Hetimor i Kuvendit të Shqipërisë në raportin e tij përfundimtar, të miratuar nga shumica e anëtarëve të Kuvendit, ka vendosur dërgimin e këtij raporti në Prokurori me qëllim fillimin e çështjes penale? Kujtoj që ky është një vendim i Kuvendit me 74 vota pro, që mban numrin 36 për vitin 2017.

Si ka mundësi që ka prokurorë që çojnë ndërmend se në Shqipërinë e vitit 2017 mund të mbyllet një aferë kaq e madhe korruptive, pa bërë qoftë edhe një hetim të vetëm?!

Kush janë këta prokurorë? Kush u ka dhënë këtyre prokurorëve pushtetin që të sillen me drejtësinë si në një pazar?!

Kush janë këta prokurorë që u është dhënë e drejta që të mos marrin fare në konsideratë provat? Ky është një akt tepër i rëndë. Nuk merret fare në konsideratë se çfarë ka hetuar Kuvendi i Shqipërisë: prova rrënqethëse të korrupsionit shtetëror.

Kush janë këta prokurorë që paskan tagrin të falin pa e hetuar aspak:

1.               Sali Berishën, ish-kryeministër dhe deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Mashtrimi”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Refuzimi për të dëshmuar” - vepra penale të parashikuara nga nenet 248, 258, 143, 245/1 dhe 307 të Kodit Penal.

Kush janë këta prokurorë që paskan tagrin të falin pa e hetuar Nue Nik Kalajn  për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për të dëshmuar”, “Mosparaqitja e dëshmitarit, ekspertit, apo përkthyesit” - vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1, 287, 307 dhe 310 të Kodit Penal.

Kush janë këta prokurorë që paskan tagrin të falin pa e hetuar Genc Rulin, ish-Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës/Kryetar i Komitetit të Konsulencës dhe Transparencës, për privatizimin e kompanisë OSSH tek blerësi i paracaktuar CEZ. Gjithashtu për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” - vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1, 248 dhe 258 të Kodit Penal.

Kush janë këta prokurorë që paskan tagrin të falin pa e hetuar aspak Ridvan Boden, ish-Ministër i Financave, për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës” - vepra penale të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248  të Kodit Penal.

Kush janë këta prokurorë që paskan të drejtë të falin pa i hetuar të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për veprat penale  “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” - vepra penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 248 të Kodit Penal.

Për të gjithë anëtarët e Komisionit të Negocimit të Marrëveshjes me CEZ As, për veprat penale  “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” - vepra penale të parashikuara nga nenet 248 dhe 248/1 të Kodit Penal.

Kush janë këta prokurorë që paskan të drejtën ta falin pa e hetuar aspak, pa e thirrur qoftë edhe një herë të vetme Florion Mimën, ish zv. Ministër i Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjisë së asaj kohe.

Enno Bozdon, ish zv. Ministër i Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjisë.

Si ka mundësi që nuk e kanë thirrur dhe e falin pa e hetuar Ledina Mandian, ish Avokate e Shtetit, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Kush janë këta prokurorë që paskan tagrin të falin dhe pa e hetuar aspak  Shkëlzen Sali Berishën, për veprat penale  “Refuzimi për të dëshmuar” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 307 të Kodit Penal.

Kush janë këta prokurorë që paskan të drejtë të falin dhe pa e hetuar aspak Bujar Nepravishtën, ish-Kryetar i Entit Rregullator të Energjisë, apo Sokol Ramadanin, ish-Kryetari tjetër i Entit Rregullator të Energjisë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur që këta persona të hetohen një për një.

Prokurorët, dashurinë për këta persona ta mbajnë; nuk u kërkojmë aspak që të mos i duan këta persona; por prokurorët aty janë për të bërë detyrën e shtetit, jo detyrën e militantit politik.

Pse kalimi në heshtje totale i kësaj dosjeje, pa bërë as hetimin më formal i vë vulën një historie të gjatë korrupsioni, padrejtësie, përdorimit të prokurorisë si pusetë politike për të mbyllur kanalet e llumit të përgjakur të së shkuarës, të pak muajve më parë.

Pse ky standard krejt i dyfishtë i Prokurorisë e kompromenton tërësisht këtë organ si të përdorur në funksion të luftës së dëshpëruar për pushtet të një opozite protagonistësh, që duhet të përgjigjen njëherë e më parë përpara drejtësisë dhe pastaj të shesin dëngla duke hedhur përditë baltë mbi Shqipërinë tonë!

Ne këtu, nga unë i pari, kam qenë kryetar i atij Komisioni Hetimor; zonja Kushi ka qenë anëtare e atij Komisioni Hetimor; z. Ndreu ka qenë anëtar i atij Komisioni Hetimor, kemi pritur që të na thërrasin, mua të parin, institucioni i Prokurorisë për të dëshmuar gjithçka unë di për këtë çështje, po ashtu edhe kolegët.

Sigurisht nuk kemi pritur kurrë që këtë çështje ta shikonim si një pako dhurate që i dërgohet Prokurorisë në Gjykatë. Ky është një favor i fundit që Prokuroria i bën klasës së politikanëve të korruptuar.

Si ka mundësi vallë që ky grup deputetësh dhe një shumice parlamentare me mandat të qartë për zbatimin e Reformës në Drejtësi, nuk vlekan për Prokurorinë Shqiptare për të hapur një çështje, as sa dy kriminelë që flasin në telefon me njëri-tjetrin?! Biseda telefonike e dy kriminelëve vleka më shumë se një raport përfundimtar i një Komisioni Hetimor. Një raport që nuk u mor aspak në konsideratë, qoftë edhe për një hetim formal.

Minimalisht personave që numërova më lart duhej t’u merrej nga një deklaratë.

Si ka mundësi vallë që kjo lëvizje e Prokurorisë në këtë mjegullën e krijuar nga fronti i hakmarrjes për pushtetin e humbur,- ky është fronti ri, fronti i hakmarrjes për pushtetin e humbur në Shqipëri,- ndodh tamam kur sapo ka filluar Vettingu për çuarjen për skrap të prokurorëve e gjykatësve që kanë bërë rojen e pusetës për mbulimin e zullumeve të mëdha: historisë së pluralizmit shqiptar.

Si ka mundësi që Raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar të Kuvendit të Shqipërisë është marrë zyrtarisht nga organet e drejtësisë në Çeki? Atje prokuroria po heton imtësisht kompaninë CEZ, përfshirë edhe transferimin në Shqipëri të 6.854.248 euro. Në Çeki, raportin e Komisionit e kanë marrë institucionet ligjzbatuese dhe po e hetojnë. Në Shqipëri, organi i prokurorisë as nuk e merr fare në konsideratë dhe e çon dosjen për ta mbyllur në gjykatë.

Si ka mundësi që mediat në Çeki shkruajnë dje, sot, nesër, pasnesër; shkruajnë televizionet çeke, flasin për një aferë të madhe ku është përfshirë një kompani kaq e madhe, e cila ka paguar ryshfet; në Shqipëri prokuroria thotë: “S’ka prova. Po e mbyllim”.

Do i kërkoja mediave të lexonin faqe për faqe, fjalë për fjalë atë çfarë i është vënë në dijeni parlamentit nga ana e prokurorisë. Juristët do të qeshin; populli po ashtu do të qeshë, se çfarë prokurorësh kemi sot në detyrë. Për kryerjen e transaksioneve në favor të CEZ të Nue Nik Kalajt, komisioni ka krijuar dyshimin e arsyeshëm se kjo shumë është marrë për të ndikuar paligjshmërisht në ish-funksionarët e lartë të asaj kohe, me qëllim realizimin e blerjes së 76% të aksionit të OSSH nga CEZ. Komisioni ka konstatuar se çfarëdolloj shërbimi na paskërkësh kryer Nue Nik Kalaj në favor të CEZ, edhe në Çeki, institucionet e së drejtës dhe mediat kanë bërë publike faktin që, nuk ka asnjë lloj asistence juridike apo ekonomike që të vleka 7 milionë euro. 7 milionë euro të cilat nga bankat e Shqipërisë kanë dalë me thasë.

E dini çfarë thotë Prokuroria në informacionin që i ka sjellë Kuvendit të Shqipërisë për këtë rast:

"Shuma e mësipërme nuk mund të konsiderohet si përfitim në kuadër të arsyetimit të mësipërm, pasi nuk rezulton që nga kjo shumë të jetë kryer ndonjë transaksion i mëtejshëm në favor të ndonjë përfituesi i cili mund të kryejë ndikim".

Çfarë priste Prokuroria, që Nue Nik Kalaj 7 milionë euro t’ua paguante funksionarëve të shtetit të asaj kohe me rrugë bankare?! Keni dëgjuar në ndonjë vend që ryshfeti na qenka paguar në rrugë bankare? Prokuroria çon çështjen për ta mbyllur në gjykatë, pa thirrur minimalisht Nue Nik Kalajn. Ta kishte thirrur një herë të vetme dhe t’i merrte një deklaratë e t’i thoshte: “Zotëri, si ka mundësi që ke tërhequr brenda ditës 6.8 milionë euro me thasë dhe ti nuk dihet ku i ke çuar?”

Ndërkohë, Kuvendi i Shqipërisë e ka ngarkuar Prokurorinë që për veprën penale të mosdhënies së dëshmisë, ky person minimalisht duhet të kishte një urdhër arresti për t’u shoqëruar. Të paktën si një organ që zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë, minimalisht Prokuroria duhet të kishte zbatuar një prej detyrave të saj: procedimin penal për mosdhënien e dëshmisë. Për Prokurorinë 6.8 milionë euro nuk paskan vlerë; çfarë pret prokuroria?

Kjo është një çështje shumë shqetësuese për ne.

Në informacionin tonë, kjo çështje gjykohet më datë 24 nëntor në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, për mbylljen e këtij procedimi penal. Por të jeni të sigurt që drejtësia e re po vjen, dhe këta prokurorë e këta gjyqtarë që kanë vendosur ta kenë aleat korrupsionin e krimin, këta nuk kanë më vend në Shqipëri.

Doni peshq të mëdhenj? Ja ku i keni!

Deklaratë për media e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm, Taulant Balla:

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm