Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › PSSH i ben thirrje faktoreve politike te reflektojne per daljen nga kriza politike e kushtetuese

Të reja

PSSH i ben thirrje faktoreve politike te reflektojne per daljen nga kriza politike e kushtetuese

19 Jun 2008    
Partia Socialiste shpreh shqetësimin e thellë për krizën e rëndë politike, kushtetuese e institucionale të krijuar si rrjedhojë e votimit parlamentar të së hënës për dekretet e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Ne vlerësojmë me shqetësim të thellë se kjo situatë e krijuar, e karakterizuar nga rikthimi i praktikave të vjetra autoritariste që shkallmojnë thelbin e kontroll balancimit të pushteteve, përbëjnë cënim të rëndë të demokracisë dhe vetë themeleve të shtetit të së drejtës.

Partia Socialiste konsideron se bllokimi i veprimtarisë normale të Gjykatës së Lartë me mosplotësimin e 7 vendeve vakantë të saj, ka krijuar tronditje të rëndë në institucionin më të lartë në hierarkinë vendimmarrëse të pushtetit gjyqsor. Sot që po flasim qytetarët shqiptar janë të cënuar në të drejtën e tyre kushtetuese për t'ju drejtuar shkallës më të lartë të gjykimit në kërkim të së drejtës së pretenduar. Një Gjykatë e Lartë e bllokuar do të thotë më shumë liri për krimin, më shumë hapësirë në cënimin e lirive dhe të drejtave të shtetasve, më shumë çoroditje lidhur me cështjet e mprehta të pronësisë, më shumë konflikte civile të pazgjidhura, më pak drejtësi të dhënë dhe më shumë drejtësi të cunguar.

Votimi kundër në bllok i realizuar nga maxhoranca me të ashtuquajturin “votim në princip është një tentativë e qartë për të vendosur nën kontroll dhe diktat politik këtë institucion të lartë të pushtetit gjyqsor.

Partia Socialiste nxit Presidentin e Republikës që në respekt të detyrimeve të tij kushtetuese e ligjore të hedhë hapat e duhur për të zgjidhur këtë krizë të rradhës me pasoja të konsiderueshme.

Partia Socialiste vlerëson se konsultimi me Kryetarët e partive politike parlamentare është e drejtë që cmohet e realizohet nga Presidenti në ushtrimin e rolit dhe përgjegjësive të tij në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, ndërsa përcaktimi i emrave konkretë që do t'i propozohen Kuvendit mbetet kompetencë kushtetuese eskluzive e vetë Presidentit të Republikës.

Ne vlerësojmë se është momenti për të realizuar një proces sa më transparent konsultimesh me partitë politike parlamentare, shoqërinë civile, komunitetin e gjyqtarëve dhe avokatëve, konstitucionalistë e juristë të shquar në funksion të transparencës së procesit përzgjedhës, kritereve përkatëse dhe informimit të opinionit publik në respektim të kushtetutës dhe domosdoshmirësë për konsolidimin e pavarësisë së pushtetit gjyqsor.

Ne çmojmë se maxhoranca parlamentare në Kuvend, duhet të njohë e të kërkojë respektimin e kufijve të saj kushtetues në këtë proces duke hequr dorë nga paragjykimi dhe presioni politik dhe duke i hapur rrugë një procesi shqyrtimi e votimi sa më transparent, në realizim të përgjëgjësive kushtetuese të Kuvendit dhe vet deputetëve dhe në respektim të pavarësisë së institucioneve kushtetuese.

Pavarësisht nga mund të krijohen, vonesat në proces, mungesa e transparencës në të, përpjekjet për denatyrimin e tij dhe vënien nën kontroll të politik të këtij procesi, fatkeqësisht, në vlerësimin tonë, do të shkaktojnë një krizë edhe më të thellë e cila do të kalojë kufijtë e vendit.

Kjo krizë po kompromenton rëndë të gjitha përpjekjet e shoqërisë shqiptare në realizimin e objektivit strategjik për anëtarësim të plotë në NATO e më gjerë, gjithë rrjedhën e proceve integruese të vendit.

Në këto kushte, Partia Socialiste ju bënë thirrje të gjithë faktorëve politikë e kushtetues të përfshirë në këtë proces të reflektojnë seriozisht për të kontribuar në daljen sa më shpejt nga kjo situatë krize politike, kushtetuese dhe institucionale.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm