Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Që në 30 qershor populli do t’u japë një mësim historik të gjithë xhagajdurëve të politikës!

Të reja

Që në 30 qershor populli do t’u japë një mësim historik të gjithë xhagajdurëve të politikës!

12 Jun 2019    

Fjala e Kryeministrit, njëkohësisht kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama në Divjakë:

Shumë faleminderit të gjithëve!

Sot në mëngjes më thanë që kishin organizuar një takim të madh në Tiranë për ditëlindjen e Partisë Socialiste dhe më kërkuan që të isha aty. Unë iu thashë që nuk ka vend më të mirë për ta festuar ditëlindjen e Partisë Socialiste sesa me Erjon Braçen në Divjakë. Natyrisht, për shkak të Erjonit që është një simbol i socialistëve, por edhe për shkak të një fakti tjetër shumë domethënës, që falë Erjonit, falë Fredit dhe falë punës së bërë me të gjithë drejtuesit dhe anëtarët e familjes socialiste, e vërteta është që kjo zonë është bërë një zonë shembullore përsa i takon organizimit, sa i takon gjithëpërfshirjes dhe sa iu takon rezultateve fantastike të Partisë Socialiste. Ndoshta edhe për faktin se Erjoni nuk është vetëm tifoz i Juventusit, por është edhe i Partizanit, kështu që i ka bashkuar të dyja në një dhe ka krijuar një skuadër model për të gjithë ne dhe për të gjitha njësitë vendore në të gjithë Shqipërinë, ku Partia Socialiste është prezente dhe ku ka akoma shumë e shumë për të bërë, për t’ju arritur juve.

Sigurisht është kënaqësi të vish këtu për të kërkuar një mandat të ri për bashkinë dhe për të kërkuar mbështetje edhe më të madhe se 4 vjet më parë për kryetarin e Bashkisë, sepse flet puna. Nuk ka nevojë të flasim shumë, madje s’ka nevojë të flasim fare për çfarë është bërë. Mjafton të kthehemi me mendje 4 vjet më parë, kur jemi mbledhur këtu në këtë hapësirë dhe të shikojmë sot, që jo vetëm qendra e Divjakës, por edhe gjithë ky kompleks shkollor dhe sportiv, edhe të gjitha rrugët që të sjellin këtu, por edhe më tutje akoma, deri në zonat më të largëta nga qendra e bashkisë ndjehet era e rilindjes urbane dhe e një ndryshimi që do të vazhdojë.

Katër vjet më parë, unë ju kam thënë që falë bashkërendimit të punëve mes qeverisë dhe bashkisë, ne do bëjmë për Divjakën sa nuk është bërë në të gjitha vitet e tjera, të marra së bashku. Tani po ju them që në 4 vitet e ardhshme do bëjmë shumë më tepër se në këto 4 vite që po mbyllen.

Natyrisht që do kishim dëshiruar shumë që këtë fushatë ta kishim pasur garë me kundërshtarët tanë, një betejë konkurruese për të parë se kush ka vizionin më bindës, kush ka idetë më të mira, kush ka kandidatët më të besueshëm.

Fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu, sepse kundërshtarët tanë kanë kapitulluar përpara sesa të fillojë ndeshja dhe e kanë braktisur fushën e lojës. Kanë pranuar, pa e thënë, por duke e bërë, se nuk përballen dot me ne në zgjedhje. Kanë frikë nga gjykimi i njerëzve. Kanë frikë të dalin përpara njerëzve dhe të maten me ne, duke bërë atë që politika duhet të bëjë dhe jo duke sharë, duke shpifur, duke kërcënuar e kështu me radhë.

Frika nga zgjedhjet, por, akoma më keq, tmerri nga Reforma në Drejtësi dhe paniku nga përshkallëzimi i Reformës në Drejtësi me çeljen e negociatave, kanë bërë që ata të kthehen në një front kundër çeljes së negociatave.

Nesër do kemi kohë të flasim më shumë në Kuvendin e Shqipërisë, por akti i fundit i Ilir Metës e ka zbardhur plotësisht të gjithë planin dhe na ka dhënë të kuptojmë se ku fle tamam lepuri.

Ne kemi bërë shumë, por në asnjë mënyrë aq shumë sa do kishim dashur të bënim. Kemi bërë sa kemi mundur dhe e vërteta është, e pranojmë, që jo gjithçka kemi bërë, e kemi bërë shumë mirë, madhe ka dhe gjëra që nuk i kemi bërë mirë. Kemi bërë me siguri edhe gabime. Kemi pasur një ecuri të qeverisjes jo gjithmonë me ritmin e duhur. Kemi pasur momente të vështira. Kemi pasur momente që realisht nuk kanë qenë të këndshme për ne.

Ne nuk jemi të rënë nga qielli, nuk jemi më e mira e imagjinueshme, por padiskutim më të mirë se ne nuk ka pasur, nuk ka dhe me sa duket nuk ka për të pasur akoma për shumë kohë, me çfarë po shohim rreth e rrotull.

Ne, sot duhet ta kuptojmë të gjithë si shqiptarë, jo thjesht si socialistë, por edhe si demokratë, edhe si njerëz që mund të jenë të painteresuar për politikën, se në 30 qershor nuk do shkojmë në votime thjesht për të zgjedhur kryetarët e bashkive. Në 30 qershor nuk do mbarojë thjesht një proces nga ku do të dalin drejtuesit e rinj dhe këshillat e rinj bashkiakë për 4 vitet e ardhshme, por në 30 qershor, për shkak të asaj që po zhvillohet në sfondin e kësaj fushate, për shkak të atij plani destruktiv në dëm të Shqipërisë dhe në dëm të të ardhmes sonë, populli duhet të vendosë përfundimisht ndarjen e 30 viteve të shkuara me 30 vitet e ardhshme, populli duhet të vendosë përfundimisht se asnjë parti politike, asnjë grusht politikanësh, asnjë politikan i vetëm nuk mund të marrë përsipër të zhbëjë atë që është themeli i bashkëjetesës demokratike, e drejta e popullit për të zgjedhur dhe detyrimi i kujtdo që do të zgjidhet, për të dalë para popullit dhe për t’u gjykuar nga populli.

Ne, këtë nuk mund ta ndryshojmë dhe në 30 qershor, populli duhet t’i japë një mësim përfundimtar atyre që janë mësuar keq, atij plaku të marrë që i ka mbledhur kokat boshe të udhëheqjes së opozitës si kokrrat e tespiheve të plakut Mere dhe kërkon t’i kthejë tespihet në lak në qafën e Shqipërisë, për të përsëritur atë që ka bërë gjithmonë në këto 30 vjet.

30 vjet janë boll!

Ato tepsie duhet të shpërbëhen dhe përfundimit, ne duhet të vendosim që pas 30 qershorit, kush kërkon të qeverisë duhet të fitojë zgjedhjet dhe kush humbet zgjedhjet duhet të rrijë në Parlament dhe të bëjë opozitën, për aq kohë sa e ka mandati dhe për aq kohë sa e kanë caktuar në atë detyrë.

Ikja nga Parlamenti, djegia e mandateve, marrja e molotovëve, kërcitja e kapsollave, kërcënimet se do bëhen nami e të tjera e të tjera duhet të mbarojnë njëherë e mirë, ose kush do i përsërisë në të ardhmen duhet ta dijë se është e kotë, nuk çojnë asgjëkund, përveçse në atë që është në zhvillim e sipër, vetëvrasjen politike të atyre që ndërmarrin atë rrugë.

Ata kanë të drejtë, është e drejta e tyre të vrasin veten. Ne nuk i ndalojmë dot. Por Shqipërinë me vete ata kurrën e kurrës nuk mund ta marrin.

Ilir Meta ka kryer një akt të panjohur në historinë e jo vetëm republikave parlamentare, por të panjohur në historinë e qeverisjes së botës, firmos dhe çfirmos. Sikur bota të hynte në logjikën e Ilir Metës, që firma e çdo autoriteti të ishte e mundur të zhbëhej, nuk do kishte më shtet, nuk do kishte më rregull, nuk do kishte më drejtim, por do bëhej mbarë bota një rrumpallë e madhe.  

Prandaj kjo do mbetet vetëm një vepër e shëmtuar, një vepër papërgjegjshmërie dhe një vepër që nuk mund as të pranohet dhe as të tolerohet.

Ilir Meta e ka humbur të drejtën të qëndrojë në zyrën e Presidentit të Republikës, për sa kohë që fuqia e popullit sovran është te Parlamenti dhe për sa kohë që Parlamenti ka jo vetëm të drejtën, por ka detyrën të reagojë në emër të sovranit, nëse Presidenti çmendet.

Një gjë dua të them këtu, - nesër do kemi kohë të mjaftueshme për të diskutuar për këtë, - por një gjë që përsëritet dhe përsëritet. Përsëritet nga ata që e kanë organizuar gjithë këtë plan kundër Shqipërisë, kundër njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, jo thjesht kundër qeverisë apo kundër meje. Nuk jam unë problemi i tyre, unë jam thjesht pengesa që ata nuk kapërcejnë dot, për të arritur të varrosin Reformën në Drejtësi, por edhe nga të tjerë, i keni parë.

Kam vendosur të bëj paqe e të mos flas më për atë që e quaja kazani. Kazan ishte, kazan mbetet, kazan do jetë, por tani e dini të gjithë, kështu që nuk ka nevojë t’jua them më, që çdo natë përpiqen t’i tmerrojnë njerëzit që do na ndodhi një ’97-të  e dytë. Pse do ndodhi ’97-ta?

Kujt, cilit popull i janë djegur të gjitha kursimet e jetës, pasi është mashtruar me piramida, kush është sot në rrugë, në protesta popullore për të kërkuar gjakun dhe djersën e vjedhur dhe të mohuar. E kundërta është e vërtetë.

Ata që e shkaktuan ’97-ën, sot janë kaq të dëshpëruar, sa i gënjen mendja se mund të tundin përpara popullit fantazmën e ’97-ës dhe mund të tmerrojnë dynjanë me ’97-ën dhe madje arrijnë deri aty, siç në fakt Saliu e ka treguar, - më falni që e përmenda këtë emër në ditëlindjen e Partisë Socialiste, - që është i gatshëm ta çojë deri në zjarrvënie politikën, në fakt, dëshpërimi i tyre dhe gjithë kjo fantazmë frike që sjellin vërdallë nëpër studio televizive, nëpër kanale, nëpër portale, tregon se janë të mbaruar.

Në 30 qershor, shqiptarët do të votojnë se nuk ka se si të ketë ’97-të dhe për sa i takon shqetësimit shumë të madh të Ilir Metës, unë do përsërisja një këshillë që i dha Elisa Spiropali, Mamica, kur i tha, ke hall të shpëtosh Shqipërinë? Shumë e thjeshtë, bind Monikën që të mos hakërrehet, thuaj Saliut të mos ndërsejë Lulin rrugëve dhe ka mbaruar, nuk ka asnjë problem në Shqipëri. Nuk janë qindra, mijëra njerëz që janë ngritur si në ’97-ën. Janë 4 veta, dy kryesorët, Ilir dhe Saliu, më fal, Iliri dhe ai tjetri dhe Monika fallxhorja me artistin.

E keni dëgjuar fjalën “furtunë në gotë”? Kjo nuk është furtunë në gotë. E gjitha kjo është një llum në filxhanin e fallxhores dhe një përpjekje e dëshpëruar për të penguar atë që ata nuk e pengojnë dot më. Nuk e kanë dashur që në sekondën e parë Reformën në Drejtësi. Kanë bërë çmos për ta penguar, por tani që reforma në drejtësi ka dalë nga duart dhe me çeljen e negociatave fillon një faqe e re, se negociatat janë kapituj të ndryshëm dhe dy kapitujt e parë që vihen në tavolinë janë kapitulli 23 dhe 24 që janë për drejtësinë dhe kur hap ato kapitujt një vend, nuk është më thjesht çfarë ke të shkruar aty, por është edhe si funksionon sistemi i drejtësisë, sa nga këta kanë vajtur të japin përgjigje, sa nga këta janë ndëshkuar e kështu me radhë dhe procesi është i pandalshëm.

Përpiqen kot ta ndalojnë, janë kapur pas 30 qershorit për të krijuar një situatë paqartësie dhe kaosi aq sa ka njerëz dashamirës që me naivitet thonë “po mirë çfarë problemi ka, pse do rrimë tani në gjithë këtë tension, hajde se po e shtymë” dhe në fakt, unë çfarë problemi kam. Unë personalisht? Ne që kemi ardhur këtu, çfarë problemi kemi?

Po të ishte puna për mua personalisht, po të ishte puna për ne, ne qeverinë e kemi. Ne shumicën në parlament e kemi. Ne 75% të territorit i qeverisim në nivelin vendor. Shumicën e bashkive e kemi. Thuajse të gjitha bashkitë kryesore i kemi, pse këmbëngulim? Për çfarë arsye? Pse nuk i biem shkurt? Sepse të dashur miq, ajo që duket rrugë e shkurtër është një rrugë që na kthen mbrapa në vite, duke ligjëruar që Kushtetuta është një libër që lexohet vetëm për pushime, që ligjet janë letra që mund të përdoren për nevojat personale të atyre që kanë detyrën t’i zbatojnë dhe që zgjedhjet nuk janë më një çështje detyrimi, por janë çështje tekash. Po të ishte puna për mua dhe për ne, edhe ne mund të thonim, si? Nuk doni zgjedhje? Nuk ka problem. Vjen 2021, as ne nuk duam zgjedhje, rrimë aty dhe atëherë e shikojnë këta çdomethënë të bëhem unë mbret e të bëhet këtu një sistem që një parti që është në pushtet nuk ikën kurrë nga pushteti se kemi ca halle të tjera, janë ca probleme të tjera. Kam informacion - thotë Iliri - nga agjencitë serioze ligj zbatuese. Do me thënë nga filxhani i Monikës, ka ardhur informacioni që në fund të filxhanit duket një 30 kokëposhtë madje që në datë 8 ishte një si në formë, 8 ishte bërë si gjarpër që do t’i hante kokën ndonjërit dhe doli ky dhe tha ndaloni. Këto janë agjencitë ligj zbatuese të presidentit.

E fundit për ta mbyllur. Kam një thirrje shumë seriozje për ata që mund të shkojnë pas berihait. Tani, se pse i duhet këtyre të katërve sistemi i komiteteve të shpëtimit që po ndërtojmë dhe i asaj aleancës për të mbrojtur demokracinë, unë e di, ne e dimë dhe do ta sqarojmë në vazhdimësi. Nuk i duhet për të mbrojtur demokracinë, i duhet për të mbrojtur veten nga drejtësia, duke krijuar këtu kaos, duke krijuar këtu paqartësi të plotë institucionale dhe duke krijuar këtu kushtet që më në fund të ulemi me ata e t’i themi, “aman mos vrisni veten se hajde se do jemi bashkë, ta bëjmë bashkë, të fillojmë nga e para, t’i rishikojmë gjërat e të tjera”. Por, njerëzit që u shkojnë pas, çfarë kanë? Kanë frikë nga drejtësia? Jo, fare. Demokratet që u shkojnë pas, janë me të drejtën e tyre të mos e duan qeverinë, janë me të drejtën e tyre që të mos më shikojnë dot mua me sy fare, janë me të drejtën e tyre që të ndryshojë kjo punë sot, por duhet ta dinë që, edhe për ta çuar përpara këtë të drejtë, duhet të shpëtojnë nga këta të katërt.

Sa të jenë këta të katërt nuk ka hajër Partia Demokratike, se ajo partia tjetër për fat të keq.. Dhe ligji është shume i qartë, por përtej asaj që thotë ligji, përtej faktit që kush merr përsipër të shkojë t’i bjeri me kokë murit të lartë të ligjit për zgjedhjet dhe të përfundojë burgjeve, duhet ta mendojë që a ia vlen që pasi të dalë nga burgu, të mos dalë dot nga Shqipëria më? Mos shkelë dot në Itali? Të mos shkelë dot në Greqi? Se në Amerikë nuk shkel jo ti, por as gjithë fisi yt dhe këtë e di shumë mirë ai i tespiheve. Pyeteni, është e vërtetë kjo? Ndodh? Por nuk ka nevojë ta pyesni sepse e dëgjuat vetë nga goja e miqve dhe partnerëve tanë që thanë, me emër dhe me mbiemër, kujdes se po shkelni vijën. Vijën, që ndan miqtë dhe partnerët e Shteteve të Bashkuara, nga kundërshtarët që futen në listat e zeza të Shteteve të Bashkuara.

Dje, unë isha në Bruksel dhe ju e dëgjuat nga goja e Presidentit të Komisionit, që nuk është ajo që thotë presidenti ynë, është e kundërta. Mos bërja e zgjedhjeve e dëmton rrugën e integrimit të Shqipërisë dhe që zgjedhjet do bëhen në 30 qershor, kjo nuk diskutohet.

Që në 30 qershor populli do t’u japë një mësim historik të gjithë xhagajdurëve të politikës, kjo nuk diskutohet.

Që në 30 qershor ai plaku do ta mësojë një herë e përgjithmonë që çfarë është mësuar të bëjë në të shkuarën me socialistët është kohë e shkuar për t’u harruar.

As kjo nuk diskutohet, por më e rëndësishmja nga të gjitha këto është se pas 30 qershorit do të jemi në një Shqipëri tjetër, në një Shqipëri, ku përfundimisht ose politikanët do t’i nënshtrohen ligjit dhe rregullave, njësoj si të gjithë qytetarët ose për ta nuk do ketë më vend, pasi askush nuk do të vejë më nga mbrapa dhe molotovët e mbetur mund t’i përdorin për të hedhur në erë veten e tyre. Kërkojnë të mbjellin frikë. Mbajeni mend, nga frika e tyre do treten. Kur bërtasin, nuk e bëjnë se janë trima, por i bërtasin frikës së tyre se e kanë frikën brenda sa, jo lepuri, por sa ato dhelprat e Divjakës, të cilëve ne ju kthyem dhe lirinë se këta kur ishin në qeveri, i vrisnin pa mëshirë. Ne, nga ana jonë, kemi të drejtën me vete. E drejta do të na shpërblejë sepse kemi bërë gabime, jo gjithmonë kemi qenë në lartësinë e pritshmërive dhe të besimit tuaj, por ama asnjëherë nuk kemi bërë gabime të qëllimshme dhe kurrën e kurrës, as ju kemi tradhtuar dhe as do t’ju tradhtojmë, duke përdorur pushtetin në kurrizin tuaj dhe në dëm të fëmijëve të këtij vendi, të cilëve duam t’u lëmë një Divjakë dhe një Shqipëri të denjë.

Faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm