Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Qëndrimi në anën e duhur të historisë është padiskutim një shprehje e natyrshme e asaj që ka qenë, është dhe duhet të jetë Partia Socialiste

Të reja

Qëndrimi në anën e duhur të historisë është padiskutim një shprehje e natyrshme e asaj që ka qenë, është dhe duhet të jetë Partia Socialiste

23 Jul 2019    

Fjala e Kryeministrit dhe njëkohësisht Kryetarit te Partisë Socialiste Edi Rama në asamblenë e Partisë Socialiste: 

Faleminderit!

Së pari ju kërkoj ndjesë, ju e dini që nuk është në natyrën time që të vonohem, por isha i detyruar nga një bisedë e gjatë telefonike me presidentin e Francës!

Sot jemi mbledhur për një moment që mbyll vitin politik dhe që në të njëjtën kohë për ne është i nevojshëm në funksion të vitit të ri politik pas pushimeve që për të gjithë fillojnë së shpejti.

Do ta nis nga 30 qershori si fundi i një akti të radhës në historinë e politikës së përçarjes, një akti frymëzuar dhe organizuar për të marrë peng Shqipërinë në kuptimin më të plotë të fjalës, duke marrë peng zgjedhjet dhe përmes zgjedhjeve reformën në drejtësi.

Prandaj edhe ato zgjedhje u kthyen në një kulm të një përplasjeje që herë pas here në të gjitha vitet dhe zhvillimet demokratike është shfaqur mes antishtetit dhe shtetit, por këtë herë me një dimension më shumë, me dimensionin e përpjekjes për të mbrojtur pandëshkueshmërinë në raport me një Shqipëri të drejtë për të cilën ne luftojmë patjetër me plot pengesa, gabime, dështime dhe jo vetëm me arritje dhe në rrugën drejt të cilës jemi siç i takon PS në vijueshmërinë historike të saj në përputhje me interesin kombëtar dhe njëkohësisht në përputhje të plotë edhe me miqtë dhe partnerët tanë strategjikë.

Në 30 qershor fitoi shteti, fitoi qytetaria, fitoi shpresa, humbi antishteti, humbi rrëmuja humbi dhe balta.

30 qershori, që deri para pak kohe dukej sikur nuk do vinte kurrë, iku paqësisht, por plaga është ende e hapur dhe më e hapur se asnjëherë është dhe sfida jonë, sepse që të jemi të qartë 30 qershorin e fituan qytetarët edhe për ne, ndërsa gjithçka vjen pas 30 qershorit duhet ta fitojmë ne për qytetarët.

Është me vend këtu ta përsëris se Shqipëria u shfaq në të gjithë brishtësinë e saj dhe u kërcënua, u godit, u lëkund, por, nëse nuk u rrëzua, kjo patjetër që erdhi edhe falë qëndrimit të SHBA dhe BE në krah të shqiptarëve, në mbrojtje të parimeve më themelore të demokracisë, në mbështetje të lirisë së zgjedhjeve dhe të së drejtës së çdo qytetari për të zgjedhur. Kështu që, mendoj se, asnjëherë kur të flitet për këtë moment kompleks në jetën tonë politike e shoqërore nuk do të harrohet roli i aleatëve tanë për të cilët nuk do të jetë kurrë mjaft falënderimi për gjithçka bën.

Shqipëria sot është çliruar nga makthi i të gjithë gjysmës së parë të vitit, por mbetet me një plagë të hapur dhe mbetet në nevojë për shumë kujdes politik dhe për shumë pasion patriotik në qeverisjen e saj në të gjitha nivelet.

Barra e sfidës shumë të madhe të kurimit të plagës që hapi e gjithë gjysma e parë e vitit është e gjitha e jona për momentin.

Qytetarët shqiptarë e bënë të tyren dhe e  bënë më së miri, qoftë ata që votuan në numra që kaluan dhe pritshmëritë më optimiste për mënyrën se si u zhvillua i gjithë procesi deri në 30 qershor dhe në një numër votash për kandidatet tanë që është një bazë shumë domethënëse për të vijuar më tutje, por tani është radha jonë që të bëjmë tonën duke e ndjerë forcën e vullnetit të rishprehur të shqiptarëve, jo si një arsye për tu ndjerë ne më të fortë, por si një arsye për tu përulur shumë më tepër sesa jemi mësuar të përulemi ndaj tyre, për të reflektuar shumë më tepër sesa e kemi bërë deri më sot dhe për tu investuar shumë më shumë, në mish e në shpirt, në shërbim të tyre, qoftë më nivelin vendor, qoftë në nivelin qendror.

Besoj që ky është vendi për të përsëritur atë që thashë që në mbrëmjen e 30 qershorit: Ne nuk është se fituam një betejë zgjedhore të radhës për mandatin e ardhshëm të bashkive, por Shqipëria, qytetaria shqiptare fitoi besoj përgjithmonë luftën për zgjedhjet e të gjithë radhëve, sepse Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, nuk do të shohë më parti molotovësh, nuk do të shohë më bojkot zgjedhjesh dhe as fronte armiqësore politike kundër të drejtës së qoftë edhe një qytetari të vetëm për të zgjedhur në ditën e përcaktuar si dita e zgjedhjeve.

Ata që e guxuan dhe e ndërmorën këtë aventurë e pësuan, jo vetëm për vete, por edhe për të gjithë ata të tjerë që vijnë pas, për të gjitha partitë politike shqiptare dhe besoj përgjithmonë. Por, ne, nga ana jonë, është shumë e rëndësishme që ta besojmë deri në fund dhe ta ngulisim thellë në mendjen tonë dhe në mendjen e gjithë kësaj familjeje politike se ne nuk i fituam ngaqë kemi bërë vetëm punë shumë të mira, nuk fituam as sepse kemi bërë aq sa mjafton, se ne nuk kemi bërë vetëm punë shumë të mira, apo të mira, kemi bërë edhe punë që më mirë të mos i kishim bërë fare, sepse i kemi bërë gabim, madje ndonjë e kemi bërë edhe keq.  

Sidoqoftë, punët e bëra deri këtu nuk mjaftojnë fare pas 30 qershorit. Energjitë që kemi investuar deri këtu nuk mjaftojnë më pas 30 qershorit. Rendimenti ynë qeverisës, në çdo nivel, nuk mjafton aspak pas 30 qershorit. Sidomos niveli i shërbimit të njerëzve të zakonshëm në këtë shtet, jo vetëm nuk mjafton, por nuk na nderon fare dhe duhet të na shqetësojë shumë të gjithëve.

Kjo është ajo që ne duhet të kuptojmë thellësisht dhe me të cilën duhet të jetojmë çdo ditë, sepse nëse nuk e kuptojmë këtë sa më parë, aq më shpejt njerëzit pas 30 qershorit do humbasin durimin me ne, do jenë shumë më pak të prirur të mirëkuptojnë edhe gabimet tona dhe nuk do kenë asnjë gatishmëri për të na falur kusure që na i kanë falur, për hir të të vërtetës deri në 30 qershor.

Ne kemi vetëm një meritë në fitoren historike të shtetit dhe të qytetarëve në 30 qershor:

Kemi meritën që qëndruam në anën e duhur të historisë dhe që bëmë zgjedhjen më të vështirë për të udhëhequr në shtegun më të ngushtë dhe kjo meritë është padiskutim një shprehje e natyrshme, sipas meje, e asaj që ka qenë, është dhe duhet të jetë PS qysh në ditën e parë të krijimit të saj me ndryshimin që këtë herë PS nuk iu shmang mundësisë së përplasjes sy për sy e dhëmb për dhëmb.

30 qershori është histori ndërsa 2 vitet e mbetura të mandatit tonë qeverisës dhe 4 vitet e mandatit të ri që fillon për qeverisjen vendore janë një borxh më i madh sesa c’ishte për ne si qeveri dhe seç do të ishte për qeverisjen vendore nëse do të kishim fituar në zgjedhje të zakonshme, janë një borxh i shumëfishuar ndaj të gjithë atyre që i dhanë Shqipërisë fitoren e 30 qershorit, fitoren e dinjitetit të njeriut të zakonshëm dhe të urtësisë por dhe vendosmërisë së një populli miliona herë më të mençur dhe më largpamës sesa të gjithë ne këtu, se të gjithë politikanët bashkë e padiskutim se dhe të gjithë opinionistët e mbledhur bashkë në një studio imagjinare ku mund të mblidheshin të gjithë.  

Partia Socialiste do të hyjë në zgjedhjet e veta të brendshme nga shtatori në çdo organizatë dhe deri në janarin e ardhshëm në Kongres. Unë dua të ndaj me ju bindjen se objektivi ynë për këto zgjedhje të brendshme duhet të jetë realizimi i procesit më të thellë të komunikimit të organizimit dhe të hapjes së PS që kemi realizuar ndonjëherë në periudhat e mëparshme  ne zgjedhjet tona të brendshme.

Kjo kërkon që i gjithë lidershipi i partisë, nga unë i pari, kryesia dhe grupi i deputetëve, por edhe e gjithë skuadra e qeverisë, ministra e zv/ministra, së bashku me kryetarët e bashkive dhe anëtarët e kësaj asambleje si dhe të gjithë të zgjedhurit në këshillat bashkiakë të zbresin në tokë në kuptimin e plotë të fjalës në mënyrë që çdo organizatë socialiste ndër 5500 që janë në të gjithë territorin të ketë mundësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me ne, në mënyrë që në çdonjërën nga 300 njësitë administrative të vendit të krijohet mundësia e komunikimit të drejtpërdrejtë të njerëzve me ne.

Debat në çdo organizatë me anëtarët e partisë. Debat me simpatizantët dhe me çdo qytetar që dëshiron të marrë pjesë në bashkëbisedim, pavarësisht bindjeve të veta dhe përkatësisë së vet, debat në çdo lagje, në çdo fshat në çdo njësi administrative dhe bashki.

Zgjedhjet tona të brendshme nuk mund t’i ngjajnë zgjedhjeve të brendshme të mëparshme në asnjë aspekt, por duhet të jenë një proces debati kombëtar, jo vetëm partiak, po se po, padiskutim, për të folur dhe për të dëgjuar, për të kuptuar dhe për të adresuar korrigjimet e nevojshme në qeverisjen qendrore dhe vendore, për të pasur një pasqyrë të plotë të situatës në çdo organizatë socialiste dhe patjetër edhe të kontributeve të çdokujt që me mbështetjen e PS ka marrë një detyrë pak më të qartë sesa një anëtar i zakonshëm, apo një qytetar i zakonshëm, qoftë në parti, qoftë në qeverisje apo në administrimin shtetëror.

Është koha që secili dhe secila në këtë sallë të bëjë kilometrat e veta.

Dua ta them që sot, nuk mund të ketë më deputetë që marrin malet për të takuar njerëz, deputetë që marrin njerëzit në krahë për t’iu zgjidhur një hall, deputetë që rrinë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit dhe nga ana tjetër deputetë që edhe në fushatën e 30 qershorit kanë shkuar te njerëzit vetëm javën e fundit!

Nuk mund të ketë më!

Nuk mund të ketë më anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS që kujtohen për PS vetëm nga ftesa për mbledhjen e Asamblesë apo që pavarësisht se mund të jenë të rregullt nëpër mbledhje nuk shfaqen te njerëzit!

Kush nuk do t’i përgjigjet ritmit që kërkon 30 qershori, nuk do jetë më në projektin tonë politik të vitit 2021!

Kush nuk do bëjë kilometrat e veta që i imponon 30 qershori, do dalë nga projekti ynë politik i vitit 2021!

Ashtu sikundër, dua ta them që sot, sepse është gjëja e fundit që dëshiroj që të ndodhë, do të dalë jashtë nga kjo familje e madhe politike çdo kryebashkiak që do bëjë gabimin të mendojë se tani që ka marrë mandatin mund të bëjë pa njerëzit dhe mund të bëjë dhe pa ne.

Revolucioni imagjinar i administratave bashkiake, e patë, ishte një turp, u kthye në një disfatë shembullore për udhëheqësit, organizatorët dhe për ata më të verbrit, janë jo pak ata që kaluan vijën e kuqe të ligjit dhe sot që flasim nuk flenë në shtëpi.

Patjetër që për të gjithë ligji duhet të veprojë sipas shkeljes që kanë bërë, por dua ta them shumë qartë, që, kush ka qenë thjesht një viktimë e presionit për të ardhur në bulevard nuk duhet të preket dhe nuk ka pse të preket për këtë arsye në të drejtën e tij që të vazhdojë punën në administratat, apo në ndërmarrjet bashkiake të bashkive që nuk i fituam me kundërshtarë, por që 30 qershori na i ka lënë si barrë për të treguar kush jemi.

E kam thënë shumë herë në fushatë dhe do dëshiroja ta dëgjonin shumë mirë në radhë të parë kryetarët e bashkive që janë këtu: asnjë grua, asnjë vajzë, në radhë të parë, nuk do të largohet nga puna në asnjë nga bashkitë e djathta që nuk janë më në duart e kryebashkiakëve të djathtë. E thashë edhe më parë, larg qoftë, mund të dalë dikush dhe të bëjë të kundërtën, por, për sa na takon, ne do bëjmë çmos që asnjë revansh politik në administratë të mos tolerohet dhe asnjë lloj hyrjeje triumfaliste e stilit feudal me të cilën politika shqiptare ka bashkudhëtuar për shumë kohë, hyrje prej ushtrie fitimtare partiake në kërkim të zbrazjes së vendeve të punës nga ata që janë aty dhe të mbushjes së vendeve të punës me ata që vijnë pa asnjë kriter dhe karar, nuk do të lejohet. Nuk diskutohet që çdo vend i zënë me kushërillëk, me dallavere të çdo natyre apo çdo vend i zënë nga njerëz që nuk kanë lidhje fare me punën për të cilën paguhen, as me meritën që duhet të ketë dikush për atë pozicion, nuk ka se si të justifikohet dhe as se si të mos lirohet por gjithçka do të zhvillohet në mënyrë të strukturuar me një sistem që besoj do të marri dhe aprovimin e asamblesë kombëtare sot, këshillash drejtues të tre rajoneve, rajonit verior, rajonit të mesëm dhe rajonit jugor ku do të marrin pjesë të gjithë, deputetë, kryetarë bashkishë, kryetar partie dhe ku do të zhvillohen analiza të mirëfillta dhe ku vendimmarrja do të jetë e argumentuar dhe transparente. Padiskutim që janë kryetarët e bashkisë ata që kanë të drejtën të bëjnë të gjitha propozimet patjetër por absolutisht nuk do t’jua njohim të drejtën që ta kthejnë bashkinë nga një klientelë e djathtë në një klientelë gjoja të majtë. Nga një klientelë njerëzish të keqpërdorur për ti sjellë nëpër mitingje në një klientelë njerëzish për qoka dhe arsye vetjake. Nuk duhet ta harrojmë për asnjë moment se Shqipëria në 30 qershor nuk ka fituar për të majtën por ka fituar për të drejtën dhe ne duhet të bëjmë një përpjekje maksimale, të bëjmë një sforco të posatshme që të bëhemi më të drejtë e të jemi më të drejtë edhe kur gjykojmë njerëzit, që do të thotë administratat e bashkive deri dje të djathta nuk duhet të gjykohen në asnjë mënyrë nga këndi majtas por vetëm nga këndvështrimi i të drejtës. Nuk mund të shkelim asnjë të drejtë, të askujt edhe sikur të mos na ketë votuar e të mos na votojë gjithë jetën nëse është në vendin e punës që i takon.

Nga ana tjetër, pa diskutim që e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe me institucionet qendrore në territor. Flas për gjithë institucionet që nuk janë pjesë e shërbimit civil që aty ku ka shumë për të pastruar dhe ka shumë për të dëgjuar e për të reflektuar nga njerëzit. Në fund të ditës, ata që e bënë 30 qershorin një ditë fitoreje historike për demokracinë nuk ishin drejtorët. Nuk ishin as shpërdoruesit apo indiferentët në raport me njerëzit në zyrat e administratës, ishin njerëzit. Ju e dini të gjithë siç e di dhe unë, mbase e dini edhe më mirë se unë aty ku keni mbuluar zonat që sa larg të vërtetës është ajo që thuhet se u nxor administrata me zor. E dini shumë mirë këtë gjë, apo jo? Ashtu sikundër edhe njerëz që janë vendosur drejtues në emër të Partisë Socialiste, janë në të drejtën e tyre që në 30 qershor të ishin në plazh, pa diskutim por nuk janë në të drejtën e tyre që ditët e javës kur duhet t’i shërbejnë njerëzve t’i kenë si ditë plazhi ndërkohë që njerëzit presin në diell dhe në shi që të vijë dhe të hapet institucioni.

Na duhet realisht një reflektim dhe një reagim për domosdoshmërinë e një përqafimi të madh. E një përqafimi të ri. E një përqafimi të sinqertë të të gjithë njerëzve që meritojnë më shumë dhe nuk kërkojnë nga ne asgjë tjetër përveç se asaj që meritojnë e që më shpesh se rrallë nuk e marrin. Është realisht koha që n të bëhemi bartës e promotorë të një politike të re në raport me kampet politike. Me kampet politike të njerëzve të zakonshëm jo me kampin tjetër politik që është aty ku është e me të cilin për momentin nuk kemi asnjë kontakt por me kampet politike të njerëzve të zakonshëm. Ne nuk mundet dot të pranojmë në asnjë organizatë socialiste, në fshatin më të largët që njerëzit të ndahen, të trajtohen të ndarë në kampe, pastaj ata që ndahen në kampe e që duan të rrinë në kampe, janë në të drejtën e tyre por jo të trajtohen të ndarë në kampe që ky është ai që andej e këtej prandaj për këtë nuk ka. Nuk ka diell. Në këtë kuptim.

Këtu duhet të reflektojmë për një hapje të re shumë serioze, shumë reale të Partisë Socialiste në të gjitha nivelet tona të organizimit e në të gjitha nivelet e administrimit të punëve të këtij vendi ndaj njerëzve të zotë por jo të zhurmshëm, të ditur por jo të dukshëm. Të gatshëm për të shërbyer për shtetin, për vendin por jo të gatshëm për tu përkulur e për tu servilosur. Duhet të shkojmë ne tek ata, se ata tek ne, një numër i konsiderueshëm i tyre erdhën në 30 qershor. Ia kam thënë disave dhe i kam treguar edhe provën, nuk kam për ta harruar kurrë një mesazh nga Australia. Një person, shqiptar, që shkruante: kam 21 vjet pa ardhur në Shqipëri dhe do vij bashkë me gruan e me dy fëmijët në moshë votimi, prandaj dua të di a do ketë apo nuk do ketë zgjedhje në 30 qershor? Dhe më kishte çuar në whatsapp biletat, nga Australia. Një person që vjen nga Australia, që bën gjithë atë shpenzim për të votuar në 30 qershor e për tu kthyer në Australi, që nuk ka asnjë interes dhe si ai, jo nga Australia por nga vende të tjera ka pasur jo pak dhe edhe ata që nuk kanë ardhur nga jashtë por që kanë qenë këtu e që kanë dalë në votim në 30 qershor kur jo të gjithë, as këtu në këtë sallë e dinin se çfarë do ndodhte e çfarë mund të ndodhte e të gjithë kishin tension dhe ankth, janë njerëz që ne nuk mund ti harrojmë. Jo për ti gjetur e për ti marrë përdore e për ti thënë a do akullore? Se nuk kanë dalë për akullore por në të përditshmen tonë, sepse gjithsekush nga ata që ne nuk e njohim si të kampit, mund të jetë një nga ata. Gjithkush nga ta që mund të trokasë e kërkon atë që i takon dhe i përplaset dera në fytyrë, mund të jetë një nga ata e kështu me radhë e mbi të gjitha, sfida e këtij mandati të qeverisjes vendore është një sfidë shumë më e madhe dhe shumë më e rëndë se sa do të ishte sikur të ishin bërë zgjedhje të zakonshme.

Sigurisht që janë shumë elementët konkretë dhe unë nuk dua të zgjatem në elementët konkret të gjithave që lidhen me gjërat që duhen bërë por dua të them në fund edhe diçka për kampin tjetër. Patjetër që ne duam paqe politike por një paqe politike për Shqipërinë që duhet të nisë me Shqipërinë, jo me karriget e duhet të bitiset për Shqipërinë, jo për karriget kështu që dora ime mbetet e shtrirë, gati për të shkruar prap kur të vijë momenti. Reforma zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE / ODIHR dhe porosisë së Këshillit Europian mbetet një sfidë e përbashkët, patjetër, me opozitën parlamentare dhe me opozitën jo parlamentare e cila ka dhe një vend të lirë bosh që e pret në komisionin e reformës, është e mirëpritur të ulet madje ka dhe veto. Ky është ndryshimi midis nesh dhe tyre. Ata me molotov, ne u japim edhe veton që të na vënë veton ne dhe jemi shumë krenar që ndryshojmë në këtë pikë. Ndërsa reforma në drejtësi, as nuk negociohet, as nuk diskutohet, vetëm mbështetet dhe duhet të jetë shumë e qartë që unë personalisht e di që ka shkolla të ndryshme mendimi në lidershipin e Partisë Socialiste, nuk kam disponim minimal për asnjë lloj marrëveshjeje politike për të ndenjurat e politikanëve dhe për asnjë lloj marrëveshjeje politike që rrezikon ose mund të rrezikojë potencialisht, të pengojë drejtësinë të merret me këdo që mund të jetë subjekt i drejtësisë, qoftë djathtas, qoftë majtas, qoftë në mes, qoftë lartë, qoftë poshtë, qoftë këtu brenda, qoftë jashtë kësaj salle.

Borxhi që na ka futur, ku na ka futur populli në 30 qershor nuk shlyhet dot por duhet të jetë shumë i qartë dhe duhet të jetë pjesë e qëndrimit dhe e qasjes sonë të përditshme, me vera dhe jo thjesht me fjalë mesazhi që qoftë ata që përfunduan aty ku e meritojnë dhe ranë në gropën që i hapën vendit për ta djegur e për të hedhur në erë çdo perspektivë europiane të vendit, qoftë kushdo nën çatinë e kësaj shtëpie të madh socialistët dhe progresistësh që mund të ketë hesape me drejtësinë, hesapet i ka individuale dhe duhet ti trajtojë individualisht. Ne e kemi treguar por besoj që është mirë ta ri përsërisim që partia jonë nuk ka gatishmëri të mbrojë, të justifikojë, të tolerojë askënd që mund të ketë hesape me drejtësinë.

Nëse e kemi thënë vazhdimisht dhe kemi bërë aq sa kemi ditur, mbase jo aq sa kemi mundur, jo e jo aq sa kemi dashur që kjo parti duhet t’ju takojë njerëzve, sot është e rëndësishme që të jemi të vetëdijshëm, do tu takojë njerëzve shumë më shumë se ç’u ka takuar sepse njerëzit i dhanë kësaj partie mundësinë që të shënojë një tjetër moment për të qenë krenar në historinë e saj, 30 qershorin. Po ndalem këtu duke shtuar se sigurisht, procesi zgjedhor nis me organizatat, pastaj vazhdon me kryetaret e njësive administrative, pastaj me forumet, kongresin, asamblenë kombëtare, kryesinë e re e të tjera. Kështu që deri atëherë, secili ka një detyrë dhe secili do të vlerësohet nga vetë procesi por dëshiroj që që tani, që sot të propozoj disa ndryshime. Së pari në udhëheqjen e qarqeve, duke ndjerë nevojën për të përmirësuar drejtimin politik në qarkun e Shkodrës, qarkun do ta drejtojë kryetari i ri i bashkisë së Shkodrës. Duke ndjerë nevojën që në qarkun e Tiranës të ketë më shumë rezultat, qarkun propozoj që ta drejtojnë bashkërisht, të ndarë sipas territoreve, Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati ndërsa duke qenë se për arsye të disa ndryshimeve që do i shpjegoj pak më poshtë, në sekretariat, Lindita Nikollës do t’i propozoj t’i ngarkojmë një detyrë tjetër, qarkun e Lezhës ta drejtojë Sandër Lleshi. Ndërsa në qarqet e tjera qëndrojmë siç jemi e pastaj shohim më tutje rezultatet e punës. Për sa i përket sekretariatit, kemi diskutuar gjerë e gjatë me sekretarin e përgjithshëm dhe kemi rënë dakord që të bëjmë disa axhustime të rëndësishme, të nevojshme. Së pari duke qenë se kemi krijuar bazën për një format të ri organizimi me tre këshillat drejtues të tre rajoneve dhe duke qenë se puna e këtyre këshillave parashihet të jetë goxha e rëndësishme dhe jo thjesht mbledhje për të diskutuar për emërime apo largime politike por për të diskutuar për qeverisjen në nivel qendror dhe vendor në territor, atëherë kemi menduar që të kemi një sekretar që do të koordinojë punën e këtyre këshillave për të pasur ndjekje të detyrave e të nevojave të dala nga mbledhjet e këshillit. Nëse një këshill drejtues do mblidhet një herë në muaj, midis dy mbledhjeve gjërat që dalin si nevoja për tu adresuar, qoftë nga qeveria, qoftë nga bashkia, qoftë nga njësia administrative, qoftë nga grupi i deputetëve e kështu me radhë, kanë nevojë për një ndjekje kështu që për këtë kemi rënë dakord me Taulantin që të ngarkojmë Ilir Beqajn që të bëjë këtë punë.

Së dyti, e dinë të tërë, të paktën anëtaret e kryesisë e kanë shumë të qartë që ka qenë një çështje e përsëritur me shqetësim çështja e mangësive në regjistrin e burimeve njerëzore dhe prapambetja e thellë e jona në këtë drejtim, në kushtet e një bote që ka ndryshuar jo thjesht për botën por edhe për shqiptarët, ne vazhdojmë me regjistra të vdekur që mirë që janë në boshllëqe por nuk i duhen askujt, janë thjesht inventar emrash por nuk janë burime njerëzore të shfrytëzueshme në kohë reale dhe këtë detyrë propozoj që t’ia ngarkojmë Linditës, i bindur që do bëjë më të mirën. Nga ana tjetër, po një çështje paralele dhe shqetësuese ka qenë dhe mbetet çështja e partisë online. Duke qenë i pari politikan që kam bërë ciu – ciu, ju kujtohet besoj, më takon që të ndihem i shqetësuar që jemi shumë larg asaj që duhet të bëjmë e prandaj për këtë besoj që Blerina është njeriu i duhur që gjithë eksperiencën e koordinimit ta transformojmë bashkërisht në një organizim komplet të ri dixhital të partisë. Në kushtet kur Elisa do të marrë drejtimin e qarkut të Tiranës bashkë me Ervin Bushatin, propozoj që t’ia besojmë drejtimin e rinisë Gent Cakës dhe nëse nuk kam harruar ndonjë, pjesa tjetër e sekretariatit mbetet siç është me ndryshimin që organizimi bashkohet me koordinimin nën një dorë, nga ana e Arbenit. Faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi    Artikulli i mëparshëm