Artan-Gaci2-1024x773

Qesharake se ku përfundoi ligji i dekriminalizimit

Pas lajmit të pardjeshëm se prokuroria po bëka verifikime edhe për emrin tim, sigurisht që u trondita e fillova të mendoj se ç’mund të jetë, por gjithmonë i sigurt që nuk ka asnjë lidhje me shkeljet e ligjit. Po prapë u shqetësova, duke menduar se çfarë paqartësie mund të jetë.

Fillova në retrospektivë të kaloja nëpër mend gjithë jetën time, që kur u bëra madhor e i përgjegjshëm e deri më sot, dhe kryesisht periudhat e ndryshimeve dhe lëvizjeve të mëdha; dhe të tilla kam pasur shumë, se pavarësisht se si mund të dukem, i rregullt e qytetar, nuk kam qenë ndonjëherë tip konformisti. Përkundrazi, në shumë momente kam zgjedhur rrugën e kundërt me atë që zgjidhte shumica.

Pyesja veten mos vallë ka të bëjë me vitet ’89-’90, kur mbase kam shkelur ligjet e asaj kohe duke iu kundërvënë atij sistemi në janar, shkurt e mars,  jo mbas 1 viti, në dhjetorin e famshëm kur u bënë të gjithë të guximshëm. Bëhet fjalë për një vit më parë, ku bashkë me shumë studentë të tjerë të Akademisë së Arteve iu kundërvumë të parët atij sistemi që ishte akoma shumë i fortë e shumë i frikshëm.

Mos vallë ka të bëjë me persekutimin që pasoi nga sigurimi i shtetit, nga i cili shpëtova vetëm pse më morën në mbrojtje ambasadat e huaja të asaj kohe; duke qenë bashkë me Adnanin e Ilirin, 3 studentët e parë në republikë që iu pranua azili politik në ambasadat e asaj kohe (të gjithë ata që kishin hyrë përpara ishin njerëz të konsideruar si të persekutuar).

Bëhet fjalë për disa muaj para 2 korrikut të 1990-ës.

Nuk besoj se dyshimet e prokurorisë kanë të bëjnë me ato shkelje, se mbase për ta do kishin qenë arsye mjaftueshëm për t’u mburrur pa u lodhur.

3 vitet e para kam qenë me statusin e azilantit politik në Itali. Ishim shumë pak e mbaheshim, kontrolloheshim e mbroheshim nga shteti. Status, që mbas ardhjes së pluralizmit në Shqipëri, pavarësisht se të gjithë Shqiptarët tashmë po dyndeshin për t’u larguar nga vendi, unë e dorëzova mbrapsht për t’u kthyer, jetuar e punuar në Shqipëri.

Nuk kujtoj asnjë gabim a shkelje, sado të parëndësishme në atë kohë.

Ruajta vetëm Permeson për të shfrytëzuar mundësinë e lëvizjes, dokument të cilin e dorëzova vullnetarisht sërish, si pakkush në fund të viteve ’90; vite kur shqiptarët mbyteshin në Adriatik e rriheshin kufijve në kërkim të një mundësie për të jetuar jashtë kufijve. E dorëzova vetëm se nuk duroja dot racizmin dhe përbuzjen në ato vite, që ndodhte në masë ndaj atyre që kishin dokumenta emigrantësh.

Në atë periudhë e në vazhdim, kam hyrë e kam dalë i pajisur në mënyrë permanente me vizë të rregullt biznesi, në shumicë 2 vjeçare, një gjë shumë e rrallë në një kohe kur radhët e refuzimeve në ambasada ishin kilometrike.

Që nga viti ’90 e deri më sot, edhe për shkak të 3 dokumentave të mësipërme e të lëvizjeve të përmuajshme në Itali, unë mund të kem qenë një nga njerëzit më të kontrolluar jo vetëm në Itali, por në çdo shtet të BE-së. E përsëris, jo dënim, por dyshimin më të vogël të kishin pasur ndonjë nga këto shtete, refuzimi do ishte më e pakta, jo më të merrje viza në mënyrë konstante e gjithmonë shumë vjeçare.

Por edhe këtu jam i bindur që nuk ka asnjë lloj shkeljeje, se filtrat e vendeve të BE-së janë shumë herë më të mirë e më të saktë se filtrat e prokurorisë sonë. Dhe po të kishin dështuar ato, nuk do kishin dështuar filtrat që duhet të kalosh për të hyrë dhjetëra herë në parlament, në senat, e për të takuar Kryeministrat e Italisë, jo një herë, por e përsëris, me dhjetëra.

A mendoni se nuk skanohet me imtësi se kë takojnë udhëheqësit e një shteti?

Në Shqipëri kalova edhe vitet famëkeqe ’96-’97-’98, ku më është dashur të përballoj vetë si shumë të tjerë bandat, gjobëvëniet, shkatërrimet e djegiet e bizneseve për shkak të inekzistencës së shtetit për të qenë në krah të njerëzve.

Por edhe këtu nuk më rezulton të ketë gjë, se pavarësisht shtetit që nuk ekzistonte kur kishe një hall, kur ishte për të paguar taksat e tatimet, edhe pse e dinin që biznesi kishte 1 vit i djegur e i mbyllur vinin t’i kërkonin njësoj, me fytyra si në faj, por me sebepin se janë në sistem e nuk i heqim dot.

As këtu nuk besoj se ka gjë prokuroria, se unë me ligjin kam qenë korrekt me fanatizëm.

Nuk dua të zgjatem për të folur për veten, se gjithë jeta dhe aktiviteti im nga adoleshenca e deri më sot është zhvilluar vetëm përgjatë bulevardit të Tiranës; dhe ka qenë aq i dukshëm dhe aq i prekshëm, sa çdo banor i vjetër i këtij qyteti mund ta bëjë në çdo moment rezymenë e jetës sime, jo vetëm përsa i përket aktivitetit, por edhe për gjërat personale po të doni.

Teksa hyja për në seancë sot, një nga gazetarët jashtë më tha se prokuroria dyshon se mund të kem marrë një gjobë rreth 200 euro, rreth 20 vjet më parë, dhe kjo është arsyeja e verifikimit.

Qesharake se ku përfundoi ligji i dekriminalizimit.

Megjithatë e deklaroj këtu me përgjegjësinë time më të plotë, se nuk diskutohet që nuk ka asnjë dënim; për çfarë parashikon ligji i dekriminalizimit as që denjoj ta konsideroj për t’i dhënë përgjigje; por po them që nuk ka ndaj Artan Gaçit asnjë gjobë, jo 200 euro, po as 20 euro, në asnjë vend të Bashkimit Europian.

Megjithatë një shpjegim duhet ta ketë e gjitha kjo, se dëmi moral është shumë i madh që kjo të jetë thjesht një lajthitje; këtu ka diçka.

Unë bëj pjesë në atë kategori që e konsideron veten shumë të ndershëm dhe shumë korrekt jo vetëm me ligjin, por mbi të gjitha me moralin tim. Kam hyrë i ndershëm në politikë e me shumë biznese dhe vazhdoj të jem i ndershëm më shumë, shumë më pak biznese, ndërkohë që vazhdoj të kontribuoj për vendin me shpenzimet e mia, për të nxitur e promovuar sa më shumë biznese për të ardhur e investuar në Shqipëri. Lista është e gjatë, por jo për këtë diskutim.

Jam e kundërta e imazhit që njerëzit kanë rëndom për politikanin etalon. Ky nuk është heroizëm, se si unë ka shumë njerëz të tjerë, edhe këtu brenda në sallë, por kryesisht jashtë kësaj salle, që punojnë me ndershmëri e që kanë kaluar të njëjtat situata gjatë këtyre viteve të turbullta ku shtetin nuk e kanë pasur kurrë krah.

Përfshirja ime në këtë listë është më së paku dashakeqe dhe më së shumti ndonjë lojë e shëmtuar politike me aktorë të njohur për të hequr vëmendjen nga Reforma në Drejtësi.

Figura ime nuk mund të ndotet nga ata të cilët i përbuz dhe i neveris, që kanë kaq vite që mbajnë peng drejtësinë por edhe vendin. Ata që na e kthyen në normalitet faktin që kush punon me djersë në këtë vend nuk ngre kurrë kokë, e kush vjedh e shet drejtësi duhet të kapardiset edhe me fodullëk.

Vetëm në Shqipërinë e këtyre 27 viteve ndodh që njerëzit më të pasur nuk janë njerëzit e punës, përfshirë edhe ata të biznesit, por janë gjithë drejtuesit më të lartë të drejtësisë e ekzekutivit. Të jesh gjyqtar a prokuror i rëndësishëm, drejtues i rëndësishëm gjykate a prokurorie, drejtor i lartë a ministër nuk duhet të kesh ndonjë aftësi të veçantë. Mjafton të jesh pak servil, pak i paaftë e shumë hajdut.

Unë nuk kam lidhje me këtë kategori.

Fatmirësisht, si kurrë më parë në historinë e këtij vendi Reforma në Drejtësi po afron. Do fillojë me drejtësinë për të përfunduar me politikën.

Unë jam në proces verifikimi, ata janë në proces Vettingu.

Të jeni të bindur të gjithë që nesër unë do jem po njësoj kryelartë e pa asnjë njollë, ndërkohë që shumë nga ata që stisin të tilla ngjarje, me ç’po duket nuk do arrijnë të shohin as rezultatet e verifikimit tim, se rrjeta e Vettingut jam i bindur që do i kapë më përpara.

Dua ta mbyll me një deklaratë!

Unë mandatin e deputetit nuk e dua as për të bërë lekë si politikan, as për ta shfrytëzuar për favore, as për imunitet për gjëra të dyshimta, as për të marrë një rrogë se nuk di të bëj gjë tjetër.

Përkundrazi, e dini të gjithë që jashtë këtij profesioni di të bëj shumë gjëra të tjera e të jetoj ndoshta më me shumë dinjitet e pa këtë baltosjen kolektive që marrim përditë këtu.

Jo vetëm për këtë arsye, por si qytetar e si patriot i këtij vendi shpresoj shumë që Reforma në Drejtësi të bëhet qoftë edhe duke filluar nga unë i pari. Dhe deklaroj këtu para të gjithëve, se nëse prokuroria ka qoftë edhe një provë të vetme ku të dokumentojë që unë kam jo 200 euro, por 20 euro dënim, qoftë kjo edhe para 20 vitesh, unë e lë mandatin e deputetit pa pasur fare nevojë për kërkesë në KQZ !!!

Do isha shumë i lumtur dhe do ta konsideroja edhe këtë si një kontribut ndaj vendit, që Reforma në Drejtësi të niste me 20 euro-shin tim hipotetik për të përfunduar tek miliardat e atyre që kanë grabitur sistematikisht këtë vend.

Ndaj me këtë qëllim, duke qenë shumë i bindur për rezultatin e për gjithçka më sipër i bëj thirrje prokurorisë të më shkëpusë nga lista e gjatë e pa humbur kohë të nisë verifikimin me mua të parin.

* Fjala në Kuvend e deputetit Artan Gaçi