Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rama në Durrës: Në 10 vitet e ardhshme numri i të punësuarve në sektorin e turizmit do shkojë në 250 mijë

Të reja

Rama në Durrës: Në 10 vitet e ardhshme numri i të punësuarve në sektorin e turizmit do shkojë në 250 mijë

11 Jun 2018    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Durrës, në një bashkëbisedim me të rinj të punësuar në sektorin e turizmit:

Në radhë të parë, shumë respekt për të gjitha vajzat dhe djemtë që janë këtu për të punuar për sezonin dhe për të gjithë të tjerët si këta, në të gjithë strukturat e hotelerisë dhe turizmit, që në vend se të rrinë kot dhe të harxhojnë kohën duke u tallur dhe duke sharë në Facebook me lekët e prindërve, punojnë për të garantuar disa të ardhura nga puna e tyre. Nga ana tjetër është dhe një eksperiencë shumë e vlefshme për më tutje, qoftë për shkollën, qoftë për jetën nesër.​

Kështu që, shumë respekt edhe bravo!

Jeni vërtet krenari për prindërit tuaj dhe jeni një shembull domethënës edhe për ne, që na ra goja duke thënë që puna është e mundur, punë mund të gjendet dhe duhet po ashtu edhe zanat dhe zanati fitohet edhe me eksperiencë.

Ne ishim përpara pak ditësh, në kantierin e kompresorëve të gazsjellësit Trans-Adriatik. Imagjinojeni vetë, saldatorë nga Tajlanda, nga Pakistani, nga Turqia. Në stadiumin e ri kombëtar që po ndërtohet në Tiranë, saldatorët, shumica dërrmuese janë të huaj, që lënë shtëpitë e tyre në vende të largëta, vijnë dhe punojnë në Shqipëri. Nga njëra anë, sepse ata vetë duan të punojnë, nga ana tjetër, Shqipëria është ende peng i një prapambetjeje disa dekadash, ku u hap një boshllëk i madh në pikëpamje të profesioneve, të zanateve, që i duhen tregut të punës.

Ata që mbarojnë arsimin profesional kanë shumë më tepër mundësi që në një kohë shumë më të shpejtë se të terët të fillojnë punë, si në raport me ata që mbarojnë gjimnazin, por dhe në raport me ata që mbarojnë universitetin, sepse në tregun tonë të punës ka shumë vende të lira pune. Pavarësisht se çfarë thonë e çfarë stërthonë e si e sorollatin fjalën ata që nuk e kanë haberin se për çfarë flasin, çdo kompani në Shqipëri, e madhe apo e mesme, ka vende të lira pune.

Është absolutisht e pavërtetë ajo që thuhet se ka vende të lira pune për rroga 150 mijë lekë. Rrogë 150 mijë lekë nuk ka në Shqipëri. Sigurisht që rroga më e ulët është e ulët. E tillë është dhe në vendet e rajonit. Ne nuk mundet dot të rrisim rrogat sa e kemi dëshirën, se është njësoj si një familje që të rrisë shpenzimet sa e ka dëshirën, por një familje dhe një vend që jeton jashtë mundësive të veta, përvëlohet pastaj. Kështu që duhet të jetojë brenda mundësive të veta dhe mundësitë duhet t’i zhvillojë më tutje, çka do të thotë, duhet të rrisim më tutje ekonominë dhe patjetër kjo do të sjellë rritje të mëtejshme të rrogave. Por e vërteta është që vende të lira pune ka për të gjitha profesionet, për inxhinierë ndërtimi, inxhinierë mekanikë, inxhinierë ushqimorë. Vende pune ka për teknologë në fusha të ndryshme. Vende pune ka për financierë. Vende pune ka për ekonomistë në sektorin privat.

Puna nuk vjen tek shtëpia të të zgjojë e të thotë ta pimë një kafe njëherë dhe pastaj flasim. Punë kërkohet dhe për ta gjetur, është një mundim më vete. Një vajzë apo një djalë në moshën 25 vjeç, për të filluar një punë në vendet e BE-së, bën mesatarisht 120-130 aplikime dhe 35 intervista për ta gjetur punën. Ndërkohë, këtu, në sektorin e turizmit kemi një potencial të jashtëzakonshëm. Këtë e tregon prania juaj dhe fakti që numri juaj shtohet gjatë sezonit, ku merrni eksperiencë, fitoni disa të ardhura, siç bëjnë të gjithë vajzat dhe djemtë që respektojnë këshillat e prindërve që të vegjël në gjithë botën, edhe në Francë, Gjermani dhe Angli etj..

Turizmi, vitin e kaluar ka pasur 42 mijë të punësuar të regjistruar më shumë, nëse marrim të paregjistruarit. Projeksioni i studimeve, të bëra nga organizatat ndërkombëtarë dhe nga ne, është që në 10 vitet e ardhshme mund të shkojë në 250 mijë. Ashtu sikundër këtë vit, vetëm në 3 mujorin e parë kemi 12-13% rritje të numrit të turistëve dhe do të arrijmë mbi 15% rritje. Brenda 5 viteve mund të shkojmë në 10 milionë turistë, por natyrisht na duhen investime, sepse na duhen shtretër. Kemi një numër të kufizuar shtretërish në raport me kërkesën. E dinë shumë mirë edhe ata që kanë investuar dhe investojnë në turizëm, se kur bëjnë kontratat, i bëjnë me një pjesë të asaj që kërkohet, sepse numri që kërkohet është shumë më i lartë.

Fluksi i ri turistëve nga vendet nordike, nga Suedia, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Islanda tregon se Shqipëria është krejt e kundërta që shpeshherë, rëndom, një pjesë e jona e pikturojnë. Është një vend i bukur, një vend që ka çfarë ofron dhe një vend ku jo vetëm vijnë, por dhe rikthehen, që është një gjë shumë e rëndësishme. Ama ne duhet të bëjmë shumë më tepër. Për këtë arsye po bëjmë stimulimin maksimal të fuqizimit të industrisë së turizmit, sepse nëpërmjet industrisë së turizmit do të garantojmë një punësim të vazhdueshëm real. 6 kuzhinierë ka këtu, të 6 janë turq, sepse 20 e kusur vite nuk mendoi njeri që të krijonte kushtet për të formuar kuzhinierë në Shqipëri, që të jenë të gatshëm për tregun e punës në Shqipëri. Patjetër që ka kuzhinierë shqiptar fantastik, janë ata që janë rritur nëpër kuzhinat e Italisë apo të Greqisë dhe që një pjesë e tyre kthehen por ama, janë shumë pak në raport me nevojat dhe urdhëro, 6 kuzhinierë turq sepse 20 e ca vite u menduar vetëm si të krijojmë juristë dhe arritëm të kemi numrin më të madh të juristëve për metër katror në botë dhe kemi sistemin e drejtësisë më mizerabël në botë.

Kjo është një histori që ndërtohet hap pas hapi. Është rritur numri i atyre që shkojnë në shkolla profesionale, duhet të rritet shumë më tepër, duhet ti fuqizojmë shumë më tepër, do bëjmë shumë më tepër për shkollat profesionale dhe ndërkohë kemi lehtësuar maksimalisht turizmin nga taksat. 6% e kanë vetëm TVSH. Nëse TVSH-ja do ishte 20% nuk do kishte mbaruar kjo strukturë që e shikojmë të përfunduar sot dhe shumë të tjera psesë do të ishte një poçes komplet tjetër nga pikëpamja e nxitjes për të filluar sa më shumë operimin pavarësisht se në ndërtim TVSH-ja është 20%.

Po ashtu, një tjetër stimul i fortë është stimuli për të ndërtuar zinxhirin e hoteleve me 4 dhe me 5 yje që ne e kemi praktikisht të munguar, ndërkohë që Mali i Zi, të mos flasim pastaj për Kroacinë dhe Slloveninë e lëre pastaj Greqinë apo vende të tjera e kanë të ngritur.

E po të shikojë ekonominë e Malit të zi, që është një vend shumë i vogël se i joni, në raport me shifrat është shumë më përpara nesh sepse ka bërë shumë më shpejtë dhe shumë përpara nesh gjërat e duhura në raport me turizmin që këtu jo vetëm nuk u bënë por u penguan, sepse u lejua kaosi dhe tmerri në gjithë vijën bregdetare. Aty ku u ndërtua u ndërtua gabim. U ndërtua keq. U ndërtua pa sistem. Tani jemi filluar me Vangjushin një projekt rehabilitimi të një blloku të tërë në zonën e plazhit që mbërrin deri këtu afër, nga konvaleshenca deri këtu afër, me ë gjitha rrugët e brendshme, me të gjitha kanalizimet e të gjitha sistemet e ndriçimit. Po të gjitha këto kërkojnë durim sepse nuk bëhen dot të gjitha përnjëherë. Ndërkohë që po të kishim mundësinë do ti kishim bërë më përpara nëse nuk do të na duhej të lanim borxhe pa fund.

Ajo që dua të theksoj sot me forcë është që e para, kemi një kapacitet të madh të pashfrytëzuar investimesh të brendshëm në turizëm. Kemi njerëz, kemi kompani që janë të gatshme të investojnë e të ndërtojnë struktura spektakolare e ne do ti mbështesim fuqimisht. Nga ana tjetër, kemi një rritje të vazhdueshme të interesit për të ndërtuar turizëm në Shqipëri nga kompani të mëdha të huaja dhe me to po diskutojmë intensivisht rast pas rasti sepse turizmi rrit ekonominë dhe rrit punësimin e qëndrueshëm në mënyrë të ndjeshme dhe rrit kapacitetet profesionale dhe dijet e zanateve në një vend, si i ynë që turizmin e ka një nga motorët, në mos do të jetë motori kryesor i zhvillimit në vitet e ardhshme dhe nga na tjetër, dua të nënvizoj rëndësinë e madhe të përkushtimit ndaj arsimit profesional. Është një zonë që u la tërësisht e shkretë dhe shikohej si zona e diskriminimit të atyre që nuk kishin asnjë lloj fuqie dhe mundësie të bënin shkollën e lartë por nuk është kështu. Vendet e zhvilluara janë vende që kanë arsim profesional të super zhvilluar dhe pjesa dërrmuese e atyre që janë sipërmarrës në gjermani të krijuar nga vetja, vijnë nga arsimi profesional sepse kush mbaron arsimin profesional për tu bërë kuzhinier, për tu bërë saldator, për tu bërë mekanik, për tu bërë elektricist, natyrisht që mund të gjejë një punë e mund të shërbejë diku por me kalimin e kohës mund të hapi një biznes të vetit dhe kjo është rruga e shumëkujt që bën arsimin profesional dhe fiton shumë më tepër se sa do të fitonte me një punë fikse, qoftë në sektorin shtetëror, qoftë në sektorin privat, që nuk i krijon perspektivën që të krijon dija që buron nga arsimi profesional.

Edhe paralelisht ngritja e sistemit të agroturizmit që është i munguar në Shqipëri, është një objektiv që ne do ta ndjekim me shumë vendosmëri për të krijuar në zonën më brenda po themi Durrësit këtu apo Vlorës apo Shkodrës apo Lezhës por edhe në zonë shumë më të thella të Shqipërisë, struktura mikpritjeje për turistët që sa janë të interesuar për plazhin dhe për diellin janë të interesuar edhe për fshatin edhe për prodhimet e fshatit edhe për traditën e mikpritjes në fshat edhe për të qëndruar qoftë për një ditë apo dhe një natë, qoftë edhe për një javë në zona më pak të zhurmshme dhe më pak të populluara se sa zonat ku zhvillohet turizmi intensiv kështu që duke i shprehur gjithë respektin dhe vlerësimin atyre që kanë investuar në këtë strukturë dhe mikut tonë Fatosit, d.m.th., pardje e takova për herë të parë, se mos kujtoni se shkova tek hoteli i mikut. Tani prite kur të të dalë emri dhe në parlament për ndonjë gjë. Dhe duke i shprehur respektin dhe vlerësimin gjithë vajzave dhe djemve që janë këtu të pranishëm dhe që kanë zgjedhur rrugën e punës si boshtin kryesor të rrugës së tyre, ju falenderoj shumë dhe jam i bindur që nuk do të pendohen për asnjë sekond që kanë zgjedhur arsimin profesional dhe që i jeni drejtuar turizmit ashtu sikundër ata që janë thjesht për punën sezonale do ta shohin vetë që kjo eksperiencë do të jetë një vlerë e shtuar në eksperiencën e tyre edhe përgjatë shkollës, si një eksperiencë jete, si një eksperiencë komunikimi, si një eksperiencë nga realiteti i përditshëm i atyre që jetojnë me punë, që fitojnë me punë dhe që pasurohen me punë.

Shumë faleminderit!

* * *

Disa nga të rinjtë sollën përvojat e tyre në kërkimin e gjetjen e punës. E përbashkëta e shumë prej tyre është se kanë mbaruar arsimin profesional. Ata dëshmojnë se kualifikimi i duhur në përputhje me tregun e punës ua bëri më të lehtë gjetjen e punës. Edhe vetë kompleksi FAFA, ku 60% e të punësuarve vijnë nga shkollat e arsimit profesional, është një dëshmi e faktit se arsimi profesional rrit mundësitë për punësim.     

“Turizmi është një pjesë e bukur. Tani jam pjesë e kompleksit Fafa. Unë kam dy javë që kam filluar punë. Kemi  shumë përparësi, kemi mësuar si të kemi një punë. Kemi mësuar një zanat,” shprehet një e re e sapopunësuar në këtë kompleks.

“Përshëndetje. Kam ardhur nga një institut profesional dhe është hera e parë në një punë dhe ndihem mirë, ndihem e kënaqur,” shprehet një tjetër.

“Studioj në shkollën profesionale “Hysen Çela”. Jam tepër i kënaqur që jam pjesë e stafit të FAFA-s,” është dëshmia e një tjetër të riu.    

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm