Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rama ne Konferencen rajonale te qarkut Korce: Bujqesia, qender graviteti e programit te ri socialist

Të reja

Rama ne Konferencen rajonale te qarkut Korce: Bujqesia, qender graviteti e programit te ri socialist

13 Jun 2008    
Është zhvilluar në Voskopojë të Korçës Konferenca rajonale e bujqësisë. Specifikat e zhvillimit bujqësor e blegtoral në këtë qark janë të ndryshme nga zona të tjera të vendit. Diskutimet e ekspertëve të bujqësisë që merrnin pjesë në këtë konferencë rajonale janë përqendruar tek mungesa e teknologjive dhe një orientim spontan i produkteve bujqësore, jo i zhvilluar sipas politikave të qarta të shtetit diktuar nga tregu.

Duke marrë fjalën në këtë konferencë rajonale të qarkut të Korçës Kryetari i PSSH është shprehur se Partia Socialiste në programin e saj do ta vendosë bujqësinë si qendrën e gravitetit të zhvillimit të vendit, pasi nuk mund të ketë Shqipëri evropiane pa një fshat të zhvilluar.

Pjesë nga fjala e Kryetarit të PSSH, Edi Rama në konferencën rajonale të Bujqësisë të zhvilluar në Voskopojë:

“Është shumë e rëndësishme të zhvillojmë këtë debat të hapur rajonal për blegtorinë, bujqësinë dhe të fshatit në qarkun e Korçës, në kuadrin e të gjitha debateve rajonale për të gjithë territorin e Shqipërisë. Është shumë e rëndësishme sepse këtu, tek fshati, mund dhe duhet të fillojë rimëkëmbja e madhe e vendit tonë. Nuk mund të ketë Shqipëri evropiane, Shqipëri të zhvilluar, të mirëqenë e të qetë, në një fshat mesjetar, me bujq dhe fermerë, që janë të vetmit në rruzullin tokësor, që jetojnë duke mbajtur frymën gjallë, vetëm me forcat e tyre, pa asnjë mbështetje dhe vëmendjen nga shteti.

Sot, Shqipëria është në një udhëkryq strategjik dhe nuk del dot nga ky udhëkryq nëse nuk transformon fshatin dhe bujqësinë nga një gjendje agonie, ku vetëm mundimet individuale të njerëzve, socialistë e demokratë, pa parti,a çfarëdo qofshin, vuajnë po njësoj në një kaos dhe në një anarki totale. Mungojnë shërbimet më elementare, në një sistem të organizuar me logjikën e një kapitalizmi funksional. Pa bërë këtë kapërcim, nuk kemi dot një Shqipëri të qetë dhe një Shqipëri të mirëqenë. Pa nxjerrë fshatin nga errësira dhe braktisja, si dhe pa e vendosur fshatin në qendër të gravitetit të politikës tonë, si dhe qeverinë tërësisht me sy nga fshati, nuk ka shanse për një Shqipëri evropiane.

Jemi një nga vendet më të pasura në Europë, ndërkohë që nuk vaditim gjysmën e tokave të punueshme. Këtë nuk e ka asnjë vend që jeton sot në shkretëtirë. Këtë e bën Shqipëria, që jeton mbi ujë. Politika e vjetër e arrogancës, indiferencës, injorancës, mungesës së plotë të sensibilitetit ndaj fshatit, e ka katandisur Shqipërinë në një vend që importon sot çdo ushqim. Defiçiti ynë tregtar është njësoj si listat e borxheve të familjeve të varfra shqiptare, që mbahen me bujarinë e dyqaneve. Është e pafalshme, që çdo ushqim është i importuar dhe që produktet bujqësore të vendit, vlejnë vetëm për të mbajtur gjallë frymën e familjeve që jetojnë, ose më saktë, mbijetojnë në fshat, në pamundësi për të nxjerrë prodhimet e tyre në treg. Sepse nuk ka as rrugë, sepse nuk ka sistem grumbullimi, sepse nuk ka infrastrukturë që të mundësojë shitjen, duke bërë edhe reklamimin.

Pra, jemi në kushtet kur duhet administruar pasuritë mjaftueshëm, për të jetuar normalisht. Sot, është koha, që ne të bëhemi zëdhënës të një politike, që shkon përtej kufijve të partive, përtej të majtës dhe të djathtës, që janë shkaku kryesor i kësaj prapambetje.

Ne duhet të bëhemi forca që përçon te njerëzit besimin dhe gjithashtu energjinë për të krijuar një fuqi të re, fuqinë e njerëzve në hallin e përbashkët, që jetojnë në fshat dhe pavarësisht kë votojnë, të cilët njësoj nuk kanë ujë për të vaditur tokat, njësoj nuk kanë mundësi të blejnë karburantin dhe të gjitha ato që duhen për të pasur një prodhim bujqësor, njësoj nuk kanë rrugë për të dal në treg dhe njësoj nuk kanë treg për të shitur ato pak prodhime, duke vuajtur njësoj për bukën e gojës. Të gjitha këto i kam parë me sytë e mi dhe e kam patur të vështirë t'i besoj syve.

Sot është koha, që ne nga ana tjetër të marrim përsipër përgjegjësinë historike, për të ndërtuar një program real, konkret dhe pune, që në 4 vjet ne t'i kthejmë fshatit dinjitetin në radhë të parë, i cili është grabitur nga politika e llogarive të çetave, për të marrë pushtetin dhe për të abuzuar me njerëzit e thjeshtë e të ndershëm të këtij vendi.

Programi i ri, nuk mund të mos lindi, nëse vërtet ne i dëgjojmë njerëzit dhe proçesi i dialogut, është rruga për të garantuar dëgjimin e të gjithë atyre që kanë diçka për të thënë, sepse kanë diçka për të thënë, kur është fjala për problemet e tyre. Bujqërit dhe fermërët, të cilët rropaten, vetëm me mendjen dhe muskujt e tyre, pa mbështetje nga shteti, kanë idetë e mjaftueshme për mënyrën se si mund të dilet nga kjo gjendje. Janë sigurisht në gjendje të na thonë, se çfarë do të bëjmë ne, apo do të bëjnë ata, nëse do të ishte qeveria e tyre, jo e çetës që ka pushtetin. Këtë po bëjmë edhe ne sot. Janë tryezat e bujqësisë, blegtorisë dhe zhvillimit të fshatit, që na kanë sjellë me mijëra faqe materiale të shkruara, duke dëgjuar njerëzit dhe ky është një hap i madh përpara, sepse pas 17 vjetësh, u kemi dhënë njerëzve që të gëzojnë të drejtën për të dëgjuar.

Ne jetojmë në një vend që flet kushdo dhe çfarëdo, po ku shumë pak njerëz kanë të drejtë të dëgjohen.

Duke dëgjuar njerëzit, kemi marrë shumë mendime, shqetësime, sugjerime dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me seriozitet në këtë drejtim, për të sintetizuar dhe për të nxjerrë konkluzionet se cilat janë prioritet në këtë fushë, që pa dyshim bujqësia, blegtoria dhe fshati, do të jenë prioriteti i prioriteteve. Kjo jo me fjalë apo me propagandë, që çdo gjë është prioritet, por me program konkret dhe me punë konkrete, për ta realizuar si prioritet.

Ne nuk duhet t'i ndajmë njerëzit në socialist dhe demokrat, sepse para se të jemi kështu, jemi shqiptar në një hall të përbashkët, kombëtar. Jemi qytetarë që jetojmë në përgjegjësi të përbashkët, ndërkohë që jemi prindër, që u kemi borxh të madh fëmijëve tanë, u kemi borxh atdheun, që në gjendjen që është, nuk mund ta trashëgojmë të qetë, sepse do të jemi të mallkuar prej tyre.

Janë bërë shpenzime të mëdha në 17 vjet, por jemi të gjithë dëshmitarë, që një pjesë shumë e konsiderueshme të tyre, nuk kanë shkuar për infrastrukturën për ruale, por për atë të çetave, të xhepave të njerëzve që është dashur ta administrojnë fondet. Nga ana tjetër, vet plani i infrastrukturës, ka qënë një plan pa plan, i improvizuar në paradhomën e ministrave, ku deputetët mbanin radhë për të marrë nga një copë e për ta çuar në fshat. Pavarësisht se cila rrugë duhet bërë e para, e dyta apo e treta, në mënyrë që të funksionojë sistemi. Kemi një infrastrukturë të dobët rrugore në zonat rurale dhe këtu duhet të bëjmë një plan të qartë për çdo qark.

Sistemi zgjedhor, është një ndihmë shumë e madhe, sepse ekipi i deputetëve, do të mendojë për të gjithë qarkun, do të sugjerojë prioritetet e qarkut, do të niset nga nga një interes shumë më i madh se sa interesi i mbajtjes së lidhur të ca grupeve, për të garantuar mandatin personal.

Nuk kam dyshim që ju jeni të vetëdijshëm për problemet dhe dua t'ju them gjithashtu, që është misioni ynë, të bëjmë kthesën e madhe në Shqipëri. Ky mision është shumë i madh se sa interesat tona individualisht. Ky mision ka të bëj me fëmijët e secilit prej nesh dhe që vlen energjinë, përpjekjen tona, ku mbi të gjitha ne të sillemi si patriotë, si atdhetarë, si qytetarë të përgjegjshëm, jo si partiak meskinë, të mbyllur në bunkerë nga ku jemi kërcënim për komunitetin. Ne duhet të jemi hapësira ku njerëzit duhet të vijnë të flasin për këto probleme, për të shkolluar fëmijët, për të kuruar të moshuarit, për të rritur cilësinë e mësimdhënies dhe sistemit shëndetësor, për të nxitur sipërmarrjen, për të bërë që në Shqipëri të lulëzojë një ekonomi familjare, që sot mungon. Për këtë arsye ekziston partia. Ajo nuk është çetë për të marrë pushtetin dhe për ta kaluar në një çetë te tjetra. Partia është për t'i hapur sytë njerëzve, për t'i ndërgjegjësuar për energjitë e mëdha pozitive që ka, dhe jo energjitë negative me konflikte, duke i lyer ca me të kuqe, e ca me blu, si tifozët në stadium, ku duhet të përleshen. Këtu halli është i përbashkët dhe këtu luhet me fatet e fëmijëve tanë në radhë të parë, e më pas të të gjithëve ne.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm