Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rama ne Koplik e Rrethine: Varferia, papunesia dhe korrupsioni, jane ulur kembekryq

Të reja

Rama ne Koplik e Rrethine: Varferia, papunesia dhe korrupsioni, jane ulur kembekryq

09 Jun 2008    
Fjalët janë të tepërta sot, sepse çdo fjalë nuk e përcakton dot thikën e papunësisë, plagën e varfërisë, por fjalët janë të tepërta, sepse është koha që varfëria, papunësia, injoranca, fryma e korrupsionit, të zmbrapsen dhe ato mund t'i zmbraps një politikë e re, për njerëzit që bashkon dhe nuk ndan, që është politika e socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë, që njësoj i vuajnë plagët e thella të keq qeverisjes së 17 viteve.

Gjatë rrugëtimit disa ditor në fshatrat e komuna të qarkut Shkodër, Edi Rama ka bashkëbiseduar edhe me banorë të Koplikut dhe Komunës Rrethinë. Në këto zona, ku varfëria është e dukshme dhe papunësia po ashtu, Rama gjatë bisedave me banorë, kërkoi të dëgjojë prej tyre se si ata mendojnë që mund të dilet nga kjo gjendje, e cila vjen duke u rënduar prej 17 vitesh dhe që duket si një cikël pafund dëshpërimi social.

Pjesë nga fjalimi

Rama në Koplik: Varfëria, papunësia dhe korrupsioni, janë ulur këmbëkryq mbi Shqipërinë

Varfëria, papunësia, korrupsioni janë ulur këmbëkryq mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Këto janë fenomene që i jetoni çdo ditë në shtëpitë tuaja, ku tryeza është më e varfër. Jetoni me shqetësimet për fëmijët tuaj, që sot nuk kanë mundësi edukohet në shkollë. Gjithashtu, të moshuarit nuk kanë mundësi të kurohen siç duhet në qëndrat shëndetësore. Kemi një pamundësi për të jetuar me punë të ndershme, ashtu siç do duhet të ishte jeta e burrave dhe grave që punojnë, sakrifikojnë dhe që ndershmërisht fitojnë bukën e gojës. Por pa dyshim kjo nuk është një jetë që meriton të quhet jetë, por është mbijetesë. Mbijetojnë shqiptaret dhe shqiptarët në të gjitha zonat e fshatit, në të gjitha qytetet e vogla, mbijetojnë përmes pamundësisë për të blerë ushqimet, që shtrenjtohen dita ditës dhe pamundësisë për të nxjerrë nga toka prodhime që dikur toka e të parëve tanë i nxirrte dhe i eksportonte në Itali. Sot, gjysma e tokave është djerrë. Por çdo të thotë të mos punohet toka? Çdo të thotë të mos ketë ujë për të nxjerrë nga toka prodhimin? Do të thotë që të kemi një fshat të varfër, por edhe një qytet të varfër. Do të thotë që të kemi familje në fshat, të cilat nuk jetojnë dot, ndërkohë që familje në qytet, nuk kanë mundësi t'i blejnë ushqimet, çmimi i të cilave rritet për shkak se të gjitha importohen, duke mos u prodhuar këtu, ashtu siç do ta meritonin njerëzit e lindur në një vend si ky i yni, ku Zoti na ka dhënë ata që duhen, për të patur një popull të mirëqenë. Por fjalët janë të tepërta, sepse varfëria flet vet. Sepse papunësia flet vet, sepse injoranca flet vet me aktet e saj të dhunës dhe korrupsionit. Fjalët janë të tepërta, sepse është koha e bashkimit, koha e lidhjes mes njerëzve, jo përmes rrugëve të partive, por në rrugën e përbashkët të transformimit dhe ndryshimit rrënjësor të kësaj gjendjeje. Fjalët janë të tepërta sot, sepse çdo fjalë nuk e përcakton dot thikën e papunësisë, plagën e varfërisë, por fjalët janë të tepërta, sepse është koha që varfëria, papunësia, injoranca, fryma e korrupsionit, të zmbrapsen dhe ato mund t'i zmbraps një politikë e re, për njerëzit që bashkon dhe nuk ndan, që është politika e socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë, që njësoj i vuajnë plagët e thella të keq qeverisjes së 17 viteve. Që në vitet e fundit, ka marrë përmasa jashtëzakonisht kërcënuese për të ardhmen e shoqërisë tonë. Është koha e bashkimit të socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë, në emër të fëmijëve, familjeve të tyre, në emër të tokave të papunuara, në emër të etjes dhe urisë, në emër të domosdoshmërisë për të ndërtuar një të ardhme në atdheun tonë, fshatin, qytetin dhe familjen tonë. Për këtë jam këtu, për të folur me ju dhe për t'ju kërkuar, që të çoni kudo fjalën e bashkimit, fjalën e energjive të përbashkëta pozitive, për ta lënë pas politikën e vjetër të energjive negative, për t'i lënë pas politikanët e sherreve, konflikteve, dasive, akuzave, shpifjeve e të luftës për pushtet. Për t'i lënë pas plagët që ka hapur në trupin e Shqipërisë, në trupin e qyteteve dhe fshatrave, familjeve tona, një politikë e cila e ka infektuar shoqërinë shqiptare, duke rrëzuar kultin e punës dhe ngritur kultin e gjithçkaje, që nuk është e ndershme, nuk është e drejtë, nuk është e udhës.

Duke folur përpara fermerëve të Malësisë së Mbishkodrës, në komunën Rrethinë

Rama theksoi se ndryshimi i pritur prej shumë vitesh mund të vijë vetëm përmes një politike të re për fshatin.

Pjesë nga fjalimi

Rama në komunën Rrethinë: Të hapim një rrugë të re për fëmijët tanë

Sado fjalë që të thuash këtu, nuk arrin të shprehësh atë që ju jetoni përditë. Sado fjalë të thuash, nuk arrin dot të përshkruaj jetesën tuaj të përditshme, me papunësinë, me varfërinë, me pamundësinë për të pasur një jetë të qetë dhe normale në familje, me çmimet që rriten përditë dhe tokat që vaditen, me arsimin e fëmijëve, që është vështirësuar pa masë dhe me kujdesin për të moshuarit, që është bërë problem i madh. Sado fjalë të thuash, ato nuk e përshkruajnë dot jetën reale të shqiptarëve, sidomos atyre që jetojnë në fshat, në periferi, në qëndra të vogla urbane, ku problemet shkojnë duke u rënduar dhe zgjidhjet e tyre shkojnë duke u përkeqësuar. Secili prej jush, duhet të besoj te vetja dhe të gjithë bashkë, duhet të besojmë se mund t'ia dalim, në betejën me varfërinë, papunësinë, me injorancën, me korrupsionin, me politikën e vjetër të së shkuarës, që vazhdon të qëndrojë mes nesh dhe së ardhmes, si një mur, që së bashku do ta kapërcejmë, si kufijtë që kanë vendosur mes nesh paritë apo politikanët, për të na ndarë dhe përçarë, duke na sunduar më lehtë. Është koha për t'i kapërcyer kufijtë dhe për të kuptuar të gjithë bashkë, se para se të jemi socialist dhe demokrat, jemi qytetar dhe shqiptar, jemi njerëz që kemi vendosur të jetojmë këtu dhe meritojmë një atdhe të denjë, jemi njerëz që i vuajmë po njësoj problemet, paçka se disa janë socialist dhe disa janë demokrat, sepse as për socialistët e thjeshtë, as për demokratët e thjeshtë, nuk ka ujë për të vaditur tokat, gjithashtu çmimet janë më të papërballueshme dhe ku ka gjithmonë e më pak për socialistët e thjeshtë dhe demokratët e thjeshtë. Ju takon këtyre, të bëhen bashkë, për t'i dhënë jetë një bashkimi të ri, përtej flamujve të partive, përtej interesave dhe klaneve, që për 17 vjet, e kanë mbajtur Shqipërinë peng në emër të socialistëve dhe demokratëve të thjeshtë, përtej dasive, sherreve dhe konflikteve, për të hapur një rrugë të re, një rrugë të përbashkët, një rrugë ku fëmijët e socialistëve dhe demokratëve, do të jenë fëmijët e një Shqipërie të re evropiane, një Shqipërie e punës së ndershme, e mirëqenies, zhvillimit dhe qetësisë.

Me takimin në komunën Rrethinë përfundoi dhe turi në Veri të vendit.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm