Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rama: Te ringjallim shpresen ne fshatin shqiptar

Të reja

Rama: Te ringjallim shpresen ne fshatin shqiptar

06 Jun 2008    
Bashkëbisedimi për problemet e fshatit ka vazhduar në fshatrat e Veriut të vendit. Kryetari i socialistëve, Edi Rama ka bashkëbiseduar me banorët e fshatit Paçram të komunës Hajmel. Puna e pakët në bujqësi dhe emigracioni si prioritet i të rinjve kanë qenë temat e bashkëbisedimit ku banorët kanë dashur të sugjerojnë edhe rrugëzgjidhje. Kriza e çmimeve dhe produkteve të domosdoshme për të punuar tokën ka qenë problemi më shqetësues për banorët të cilët ia kanë referuar shefit të selisë rozë në këtë takim.

Kryetari i PS, Rama ka dëgjuar me vëmendje shqetësimet e banorëve të fshatit Pacram, duke u shprehur në këtë takim se është koha për një politikë të re e cila të trajtojë ndryshe fshatin dhe banorët e tij: “Është kënaqësi që jam së bashku me ju këtu. Besoj se e keni ndjekur rrugëtimin e gjatë tonin nëpër Shqipëri, që na ka çuar kudo në veri dhe jug, në qytet dhe në fshat, në zona urbane dhe në zona rurale, në qëndra të ndryshme dhe në periferi të thella, ku qëllimi i këtij udhëtimi, është që të diskutojmë së bashku lidhur me shqetësimet e mëdha të jetës së përditshme, lidhur me vështirësitë që kanë familjet shqiptare, posaçërisht në zona periferike, lidhur me pamundësinë e të rejave dhe të rinjve, të pasur kushte normale, qoftë në shkollim, qoftë në punësim. Lidhur me shumëçka që e bën jetën tonë të vështirë dhe na bën përgjithësisht pesimist për të nesërmen. Po ashtu është e rëndësishme që të diskutojmë, duke kuptuar se e ardhmja është në dorën tonë dhe se së bashku ne mund ta afrojmë të ardhmen duke ofruar ditë më të mira, ashtu si kundër, në rast se nuk do t'i japim jetë një bashkimi të madh, e ardhmja do të na largohet dhe kjo e sotme e vështirë, do të jetë edhe e nesërmja.

Unë kam shumë besim se ne mund të realizojmë shumë nga ato gjëra që i dëshirojmë prej 17 vjetësh dhe që gjatë gjithë kësaj kohe, mbeten vetëm dëshira. Ndërkohë që në këto 17 vjet kemi patur zhgënjime, pasi kemi dëgjuar shumë premtime. Besoj se është koha për t'i dhënë jetë një politike të re, e cila është politika e jetës së përditshme, është politika e komunikimit të drejtpërdrejtë me njerëzit ku ata jetojnë, është politika e diskutimit dhe e vendimmarrjes së përbashkët për rrugëdaljet nga krizat e jetës tonë të përditshme. Është politika e ringjalljes së shpresës në çdo fshat të Shqipërisë, duke ju dhënë mundësi atyre që jetojnë në fshat, që mund të prodhojnë, që të mund të shkollojnë fëmijët e tyre, të kujdesen për të moshuarit, që të jetojnë normalisht dhe jo të mbijetojnë në mes të varfërisë, në mes të papunësisë, në mes të injorancës, që shkon duke zgjatur hijen e saj, për shkak se dija shkon duke u zbrapsur për mungesë kushtesh, për mungesë të shkollave, librash, mësuesish, të mundësive për të lëvizur.

Besoj se gjendja e sotme në këtë zonë, në këtë rajon të Shqipërisë, ku janë 50 % e tokave të punueshme djerrë, nuk është pasqyrë e aftësive dhe vullnetit të njerëzve, por është politika e braktisjes së njerëzve në fatin e tyre. Besoj se fati ynë, duhet të kthehet në dorën tonë, duke e marrë ne në dorë fatin dhe duke i dhënë drejtim punëve dhe duke filluar nga kapërcimi i kufijve që na kanë vendosur partitë, që na ka vendosur politika e vjetër, apo një grusht njerëzish të mbullur në kutinë e televizorit, që flasin në emrin tonë, por që nuk arrijnë dot atë që thonë, duke mos patur ndërmend ta bëjnë, sepse janë të paaftë ta bëjnë edhe kur duan ta bëjnë. Kam ardhur t'ju them të merreni me politikë, jo për t'u bërë politikan, as për t'u bërë ushtar partie, por të diskutojmë së bashku, të ndërtojmë së bashku një korr, në mënyrë që zërat e secilit të kthehen në një zë të përbashkët, në zërin e përbashkët të shpresës, në zërin e përbashkët të ndërtimit të një rruge të re, në zërin e përbashkët të dëshirave, ambicieve, interesave apo halleve të përbashkëta. Për këtë duhet, që të merreni të gjithë me politikë, të merreni si qytetare, qytetarë, si njerëz të angazhuar për jetën e tyre, për jetën në shkollat e tyre, për jetën në fshatin e tyre, për jetën në zonat e tyre, e cila nuk mund të jetë më e mirë nëse ne nuk sillemi më mirë, nëse ne nuk e bëjmë atë më të mirë, duke bashkuar mendjet dhe duart tona, e cila nuk mund të jetë më e mirë, nëse ne arrijmë të kapërcejmë kufijtë që na ka vendosur e keqja, duke na mbajtur të ndarë, të përçarë, të izoluar nga njëri-tjetri.

Njëkohësisht dua t'ju them, se s'kam ardhur këtu për fjalim, por t'ju dëgjoj, për të ndarë disa mendime, shqetësime dhe që t'i japim njëri-tjetrit dorën, për të ecur përpara së bashku, pavarësisht idealet që mund t'i kemi të ndryshme dhe kush mund të ketë ideale të majta apo të djathta. Ajo që na takon sot, është të shkojmë përtej të majtës dhe së djathtës, në kuptimin konkret të fjalës. T'i japim jetë një programi për Shqipërinë, fshatrave, qyteteve, komuniteteve të Shqipërisë, një program i cili duhet të jetë shpresë dhe njëkohësisht rrugë për të gjithë së bashku.

Nga fshati Paçram në një tjetër fshat në veri të vendit në Dajç, të qarkut Shkodër.

Varfëria dhe mungesa e punësimit apo vetëpunësimit në bujqësi e blegtori kanë qenë problemet e hasura edhe në këtë fshat. Gjatë dialogimit me banorët e Dajçit Rama ka folur për kthimin e besimit tek puna në fshat, si një mundësi për të jetuar në mirëqenie e cila sot duket e utopi por që në fakt të gjithë fqinjët tanë e kanë realizuar:

“Një politikë të re, që duhet të jetë politika e halleve, problemeve, shqetësimve, dëshirave, ambicieve të njerëzve, që duhet të jetë politika e nxjerrë nga kutia e televizorit, e zhvilluar aty ku njerëzit jetojnë me problemet e tyre të mëdha, me problemet që vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura prej 17 vjetësh, me problem që kërcënojnë çdo vit, çdo muaj, çdo javë, çdo ditë, të ardhmen e fëmijëve tanë.

Dua t'ju them që, unë besoj se këto janë probleme që ne duhet t'i zgjidhim, këto janë probleme që i kanë hasur edhe të tjerët dikur në historinë e tyre dhe i kanë zgjidhur. Këto janë probleme që zgjidhjet nuk na mungojnë, por janë mundësitë e brendshme të secilit, që duhet të bëhen pjesë e përpjekjes tonë të përbashkët për të zgjidhur këto probleme, sepse për shumë kohë ia kemi deleguar zgjidhjen e tyre një grushti njerëzish. Për shumë kohë ia kemi lënë fatin tonë në dorë një grushti njerëzish. Për shumë kohë kemi menduar gabimisht se politika është ekskluzivet i atij grushti njerëzish dhe detyra fillon dhe mbaron te vota. Por në fakt, sepse kemi menduar kështu, jemi në këtë gjendje dhe pikërisht sepse mund të mendojmë ndryshme, mund ta ndryshojmë gjendjen.

Sigurisht, e spostojnë vëmendjen tonë me shfaqjen që politikanët e japin prej 17 vjetësh, duke dalë nga kutia e televizorit vetëm kur është fjalë për të mbledhur vota, për të zhvilluar shfaqjen në prani të njerëzve dhe për të premtuar gjithçka që mund të premtohet. Pastaj, për t'u mbyllur në kutinë e televiziorit dhe për t'u shfaqur sërish pas 4 vjetësh. Besoj se ne mund ta ndryshojmë këtë tendencë, sepse vetëm kështu ne mund të shkojmë aty ku kanë shkuar të tjerët para nesh. Për këtë na duhet që të bashkohemi përtej kufijve të partive, përtej të majtës dhe së djathtës, përtej paragjykimeve historike, për t'i dhënë jetë një programi të ri dhe për të mbështetur një ndryshim të ri.

Duke bërë apel për një pjesëmarrje të të gjithëve në vendimmarrjen politike, duke shtuar presionin ndaj politikës, për të bërë të mundur ndryshimin e pritur prej 17 vjetësh, Kryetari i socialistëve është larguar nga fshati Dajç për në një tjetër fshat në Veri të vendit.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm