Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rama vizitë në Akademinë Verore të FRESSH, bashkëbisedim me të rinjtë!

Të reja

Rama vizitë në Akademinë Verore të FRESSH, bashkëbisedim me të rinjtë!

01 Aug 2018    

Eljo Hyska: Dita e fundit e Akademisë Verore të FRESSH-it dhe nuk mund ta mbyllnim me të ftuar tjetër përveçse kryetarit të Partisë Socialiste, kryeministrit të vendit, zotit Edi Rama. Në fakt është i ftuar për një bashkëbisedim me të rinjtë e Akademisë Verore të FRESSH-it.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Besoj që çka më tha Eljo gjatë rrugës kur po vinim është e vërtetë, domethënë, që ju jeni të kënaqur për ditët që keni kaluar këtu dhe uroj që të kenë të vlefshme, të mirë organizuara dhe që pas këtyre ditëve të jeni më të freskët dhe më të pasur në eksperiencë dhe në dije, si rezultat i këtyre ditëve në komunitetit e FRESSH-it. Kush dëshiron që të marrë fjalën për të thënë çfarë të dojë, ose për të bërë pyetje është i mirëpritur.

Përshëndetje! Unë jam Geldi, aktivist i FRESSH-it, gjithashtu me disa shokë të mi kemi një kompani të vogël udhëtimesh. Kam marrë pjesë në disa konkurse dhe kam aplikuar duke shkruajtur projekte në këto konkurse. Në disa raste kam dalë dhe fitues. Propozimi im në këtë rast ka të bëjë me, pse të mos krijojmë disa zyra specifike nëpër bashki të ndryshme të Shqipërisë, si në Tiranë, ku të ndihmojmë të rinjtë e këtyre zonave të aplikojnë nëpër projekte të huaja apo projekte që qeveria shqiptare ka, sepse besoj se pjesa më e madhe e tyre nuk kanë informacion për këto projekte.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për angazhimin tim me këto pyetje sepse janë pyetje që në thelb kanë një nevojë, por nëse ka një projekt të besueshëm dhe bindës ka gjithmonë mundësi financimi, gjithmonë. Duhet ta besoni këtë dhe të besoni që nuk janë lekët problemi i parë për këdo që do të hyjë në rrugën e një iniciative të lirë të çfarëdo lloji. Problemi i parë është ideja dhe është projekti. Nëse ka një ide fituese dhe ka një projekt bindës, gjithmonë ka një mundësi financimi që mund të jetë në rastin konkret për pyetjen që u bë shteti, qoftë qeveria, qoftë bashkia, mund të jenë dhe privatët. Duhen gjetur këndet e shikimit dhe të shpjegimit të idesë që të ngjallin interes tek financuesit e mundshëm. Ne kemi sot një sfidë konkrete tani për si të mund të vëmë në dispozicion të njerëzve që jetojnë në fshat, apo që duan të shfrytëzojnë potencialet e fshatit një fond që është më i madhi që kemi pasur ndonjëherë në dispozicion që vjen nga Komisioni Europian. Bëhet fjalë për 90 milionë euro. Por 90 milionë euro janë shumë duke pasur parasysh kushtet tona, por mund të jenë edhe zero në qoftë se ne nuk jemi të aftë që të kemi projektet e duhura dhe me projektet e duhura të mund t’i thithim këto fonde. Kemi parasysh që po të shikoni historinë e financimeve të Komisionit Europian, vendet më pak të zhvilluara janë vendet që marrin më pak nga fondet që iu takojnë dhe jo sepse vendet e zhvilluara ua marrin, por sepse vendet më pak të zhvilluara janë vendet që kanë më pak dije.

Përshëndetej! Në fakt pyetja ime konsiston te risitë që po ndodhin. Së paku në Tiranë. Një nga risitë në Tiranë do të jetë Tuma Center. Tuma Center do të jetë një qendër ku të rinjtë në fakt që në vegjëli do të mësojnë për programimin, dizenjimin, gjithçka që ka të bëjë me programet kompjuterike. A do mund Shqipëria të shndërrohet një vend outsource, që jo vetëm me call center, xhanëm edhe pse call center-at po punësojnë me mijëra e mijëra të rinj, kështu që faleminderit Call Center-it, por gjithsesi a do jetë Shqipëria një destinacion outsource në mënyrë që të punësohen këta programues, dizenjues, ata momentalë, por dhe ata që do të vijnë me kalimin e kohës nga Tuma Center.

Përshëndetje zoti Kryeministër! Atëherë pyetje ima konsiston mbi turizmin. Ju po i jepni shumë prioritet turizmit dhe agroturizmit, por shërbimi ka ende vend për përmirësim. Një shprehje amerikane thotë që, vendosni paranë aty ku keni fjalën dhe ne donim të dinim nëse në vitet në vijim ju do keni investime për trajnime, apo shkolla profesionale dhe mbi të gjitha mbi infrastrukturën.

Kryeministri Edi Rama: Besoj që kush ka qenë këtu vitin e kaluar e shikon vetë që është një ndryshim i konsiderueshëm edhe pse është një punë në proces dhe ndryshimi duhet dhe do të vazhdojë, por faktikisht deri vjet këtu ishte një kaos i paparë, një rrëmujë e madhe me makina dhe një situatë jashtëzakonisht e degraduar që nuk i bënte asnjë nder le të themi kësaj natyre të mrekullueshme, ndërsa sot ju e shikoni që është një situatë krejt tjetër nga pikëpamja e të paktën infrastrukturës së bregdetit dhe është një hapësirë krejt tjetër që është rezultat i një pune që po zhvillohet në të gjithë territorin, në të gjitha zonat turistike, ku më shumë e ku më pak, sepse mundësitë nuk janë të pakufizuara ndërkohë që nevojat janë të pakufizuara dhe patjetër që duhet shumë më tepër akoma, por kini parasysh një gjë që çka u degradua dhe u bë mbrapsht në 20 e kusur vite nuk mund dot të rindërtohet ashtu siç duhet në një kohë shumë të shkurtër. Nga ana tjetër, besoj që turizmi në Shqipëri sot ka hyrë në një fazë të re që na jep mundësi të kemi më shumë të ardhura, më shumë arsye për të investuar në turizëm edhe patjetër edhe më shumë optimizëm për të nesërmen, sepse nga një mundësi e shfrytëzuar shumë keq në të shkuarën turizmi duket qartësisht që është kthyer në një potencial të madh zhvillimi ekonomik, punësimi dhe integrimi po ashtu. Patjetër që të bësh transformimet e infrastrukturës nuk është e lehtë, por të ngresh të gjithë sistemin e profesionistëve për shërbimin është shumë e vështirë akoma. Ju e dini që arsimi profesional në Shqipëri u braktis për 20 e ca vjet. Shqipëria u kthye në vendin që prodhonte juristë me diplomë pa vlerë ndërkohë që humbi 20 e ca vjet, pra humbi një brez njerëzish me zanate. Në Shqipëri është shumë më e lehtë të gjesh një avokat, sesa të gjesh një hidraulik, është shumë më e lehtë të gjesh një avokat sesa të gjesh një marangoz, e kështu me radhë që të mos numëroj se sa shumë profesione duhen për të pasur një ekonomi më të fortë, për të pasur investime më komplekse dhe për të pasur një larmi shumë më të madhe të të gjithë spektrit të punësimit. Ne kemi investuar në arsimin profesional. Do vazhdojmë të investojmë. Ka filluar të thyhet goxha mendësia e krijuar për shumë vite që arsimi profesional është thjesht një vend për një fole për humbësit e humbësve dhe të kuptohet që shanset për tu punësuar përmes arsimit profesional janë reale. Kjo thyerje e një mendësie të krijuar së mbrapshti për aq shumë vite ka nisur edhe po materializohet goxha dukshëm. Nevoja për të pasur shumë më tepër njerëz të kualifikuar është e jashtëzakonshme, por edhe kërkesa ka filluar të rritet shumë që na imponon që dhe ne të bëjmë investime më shumë në arsimin profesional jo të mjaftueshme për hir të të vërtetës. Do të duhet të ishin shumë më tepër akoma. Ashtu sikundër duke dëgjuar pyetjen lidhur me të gjithë këtë sferën e teknologjisë dhe të ICT-së më erdhi parasysh, dua t’jua them, që sot në Shqipëri problemi kryesor që do fillojë të materializohet gjithmonë e më shumë nuk është mungesa e vendeve të punës, sepse në Shqipëri nuk mungojnë vendet e punës sot, ka mijëra e dhjetëra mijëra vende pune sot, problemi është që në Shqipëri ne kemi nevojë të kemi vende pune më cilësore dhe më të paguara. Më cilësore do të thotë pikërisht ajo që tha djali, në atë sektor, apo në zona të tjera të zhvillimit ekonomik dhe të zhvillimit të industrisë së lehtë që kërkojnë më shumë sofistikim në dije. Kush ka dijen ka të gjitha mundësitë që të ketë qielli kufi kur i thonë. Është sfidë shumë e madhe, por unë besoj që jemi në rrugën e duhur dhe besoj që edhe iniciativa për transformimin e piramidës në Tiranë shkon në drejtimin e duhur. Duket e vogël në pamje të parë por është një iniciativë shumë e madhe dhe shumë e rëndësishme sepse na jep mundësinë që të krijojmë një pikë referimi për shumë vajza dhe djem që në moshë të vogël që të kenë një rritje të dijes lidhur me botën e teknologjisë dhe me shumë kategori brenda asaj bote, jashtë dijes që merr në shkollë dhe jashtë kornizës s punësimit. Është një skemë që nuk bëhet për herë të parë në Shqipëri, është bërë dhe në vende të tjera. Po përhapet me shumë sukses edhe do të jetë një nga vendet e para Shqipëria që do ta ketë atë pikë referimi atë institucion atë qendër.

Përshëndetje! Unë quhem Fjoralba. Duke marrë shkas nga zhvillimi urban i viteve të fundit në Shqipëri dhe sidomos në Tiranë, janë krijuar nëpër qytete të mëdha zona të cilat janë shtrirë horizontalisht shumë, pa një plan urbanistik specifik apo një lloj kontrolli që ka krijuar zona pa infrastrukturë, me trotuare, pa trotuare, me godina shumë afër rrugës, pa qendra hapësira sportive, kulturore apo sociale mjaftueshëm. A ka një plan për organizmin e këtyre zonave?  

Mirë se vjen në kampin e kampionëve! Unë jam Adi Qosja, jam sekretar i përgjithshëm i FRESSH-it dhe në opinionin tim por dhe të figurave kryesore të PS, FRESH-i po kalon ditët e tij më të mira. Ne sot kemi një plan veprimi i cili është implementuar në bashkitë kryesore të vendit, por nga shtatori do të evidentohet në çdo bashki tjetër i cili synon të krijojë një platformë ku të rinjtë nuk përcjellin vetëm mesazhe politike por janë ato të cilët ndërmarrin aksione dhe kauza të ndryshme. Unë besoj që FRESSH-i sot i ka dhe burimet njerëzore dhe aftësitë për ta bërë këtë gjë. Duke qenë se jemi përpara vitit 2019 i cili është vit i zgjedhjeve lokale, një vit shumë i rëndësishëm për PS por edhe për FRESSH-in, pyetja ime është, si një person i cili nuk besoj te kuotat me përqindje, ju si kryetar i PS por në bashkëpunim dhe me Elion si kryetar i FRESSH-it dhe figura të tera të PS do të ngrini një instrument i cili do të evidentojë këta të rinj si kandidatë potencialë për këshillat bashkiakë të vitit 2019?

Kryeministri Edi Rama: Për sa i përket pjesës që ka të bëjë me angazhimet e të rinjve në fushatën e ardhshme në këshillat etj., etj., ka qenë gjithmonë, nuk është se do të bëhet ndonjë gjë që nuk është bërë ndonjëherë më përpara, që të përfshihen edhe të rinj, fare të rinj në këshillat bashkiakë. Nuk është diçka që mund të bëhet me kuota, besoj unë të paktën, por është diçka që ne e kemi në traditën tonë edhe e bëjmë çdo vit dhe me siguri do ta bëjmë edhe vitin e ardhshëm. Kurse, mua personalisht s’më ka shqetësuar asnjëherë raporti të rinj-të vjetër, sepse vendoset në mënyrë të natyrshme. Më ka shqetësuar gjithmonë që në PS të ketë një raport të drejtë midis djemve dhe vajzave, burrave dhe grave. Më kujtohet që për herë të parë kemi pasur një këshill bashkiak në barazi të plotë gjinore në Tiranë shumë vite përpara që ishte një risi e fortë edhe që fillimisht u duk sikur çfarë ndodhi e në fakt u pa që jo vetëm s’ndodhi asgjë, por doli për mirë dhe pastaj ne e vendosëm si rregull në Partinë Socialiste këtë gjë. Vitin e ardhshëm të gjithë këshillat do ti kemi 50 me 50 djem me vajza, gra me burra. Kurse për urbanizmin ajo është një sfidë në vazhdim. Janë bërë dëme të jashtëzakonshme në vite të tëra. Nuk është e lehtë. Megjithatë, besoj që Tirana është në rrugën e duhur. Në Tiranë po bëhet maksimumi. Edhe në disa bashki të tjera që e kanë këtë plagë shumë të madhe unë besoj që po bëhet një punë shumë e madhe. Sigurisht që janë probleme pafund që nuk mbarojnë asnjëherë, por besoj që po bëhet një punë goxha sistematike dhe ajo që është më e rëndësishmja është që po bëhen punët me radhë. Çka e karakterizoi qeverisjen e vendit tonë për 20 e ca vite ishte që s’kishte radhë puna. Një këtu, një atje, një atje, një këtu edhe faktikisht shteti, Shqipëria, si shtet, si institucione u bë së Bathorja, një kioskë këtu, një kioskë atje, një ndërtim këtu, një ndërtim atje, një garazh këtu, një lavazh atje. Kështu u bënë Ministrisë. Kështu u bënë Agjencitë. Kështu u bënë dhe sot e gjithë ditën ne kemi akoma shumë punë për të pastruar këtë trashëgimi, me institucione të futura nëpër shtëpi, me shtëpi të kthyera në institucione, me historira të paimagjinueshme, pra është proces dhe duhet durim. Duhet shumë durim. Njerëzit janë absolutisht në të drejtën e tyre të mos kenë durim, se kanë pritur gjatë, por rrugë tjetër nuk ka. E vetmja rrugë është që të merren punët me radhë dhe nëse gjërat që ne po bëjmë sot, ose që kemi bërë në këto 4 vite e 9 muaj do shin bërë 24 vite përpara me këtë radhë ne sot do ishim komplet diku tjetër. Nëse reforma në drejtësi do ishte bërë me kohë e me vakt dhe nuk do ishte krijuar pushteti më i pavarur nga ligji dhe më i korruptuar, pushteti i drejtësisë, me gjykatës të kapur për fyti nga politikanët për interesat imediate të drejtpërdrejta të politikanëve dhe pastaj të lirë që të kapnin për fyti çdo njeri të zakonshëm sot ne do ishim një vend tjetër, sepse do kishim një sistem drejtësie të formuar dhe funksional dhe me ato standarde që do ta bënin Shqipërinë një vend normal. Po kështu për arsimin, për rrugët, janë një trashëgimi shumë e rëndë financiare për shkak të ngarkesave të mëdha që krijohen në buxhet, për shkak të borxheve të mëdha që u akumuluan por edhe një trashëgimi e rëndë nga pikëpamja e asaj që kemi përfituar, sepse të gjitha duhen futur në standarde. Të gjitha. Kjo është ajo që po përpiqemi të bëjmë. Është një gjeneratë që pagoi dhe po paguan sot që po bën 30 vjeç dhe përbën koston e madhe të një rrugëtimi kuturu pa vënë bazat e shtetit dhe pa ndërtuar rrugën me radhë dhe hap pas hapi.

Faleminderit për këtë durim heroik! Sinqerisht e vlerësoj!

 
 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm