Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Raportimi i ministrave në Asamblenë Kombëtare!

Të reja

Raportimi i ministrave në Asamblenë Kombëtare!

28 Apr 2018    

Fjala e Ministrit Arben Ahmetaj në Mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste:

Përshëndetje,

I nderuar Kryeministër,

Të nderuar anëtarë të Asamblesë,

Unë shkurtimisht do të përmend pikat kryesore të zhvillimeve ekonomike, të referuara në bazë të programit të qeverisë.

Viti 2017 u mbyll me një rritje ekonomike 3.84%, rritja më e madhe ekonomike nga 2008, që do të thotë që Shqipëria ka lënë pas skenarin e mundshëm grek, të lënë në këndvështrimin tim, qëllimisht, në vitin 2013.

Ekonomia pritet të ndjekë një trajektore rritëse të qëndrueshme për periudhën në vazhdim, duke konverguar gradualisht drejt potencialit, atë që ne kemi theksuar në programin e qeverisë.

Kontributin kryesor në rritje vijon ta ketë konsumi dhe investimet private, vendase dhe të huaja.

Konsumi në tremujorin e fundit të vitit 2017 u rrit 3.14%, rritja më e madhe në 10 vite, që rrëzon të gjithë atë debat politik për fuqinë blerëse dhe uljen e varfërisë.

Këto arritje pozitive të ekonomisë shqiptare, reflektohen edhe në raportin e fundit të Progresit të Komisionit Europian dhe Bankës Botërore të cilat vlerësojnë se të gjithë komponentet e kërkesës së brendshme kontribuan pozitivisht në rritjen e PBB, do të thotë konsumi dhe investimet siç e thashë më lartë.

Eksportet neto ndihmuan rritjen, veçanërisht exporti i shërbimeve (përfshirë turizmin) dhe eksporti i mallrave. Turizmi solli në ekonomi 1.7 miliardë euro në vitin 2017 dhe pritet këtë vit të afrohet tek 2 miliardë euro.

Rritja ekonomike stimuloi krjimin e vendeve të reja të punës, që është kryefjala e mandatit të dytë të Qeverisë Rama.

Në katër vitet e mandatit tonë të parë u krijuan mbi 200 mijë vende pune dhe i referohem borderosë së Tatimeve, thënë ndryshe rreth 35% e totalit të vendeve të punës që janë sot rreth 660 mijë.

E dyta që është shumë e rëndësishme, për herë të parë në vitin 2017, punësimi në sektorin jo-bujqësor kaloi atë të sektorit bujqësor.

Po sipas raportit të Bankës Botërore, në vitin 2017 Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon ku punësimi i forcës së aftë për punë arriti mbi 50%. Në fund të 2017 pjesëmarrja në forcat e punës arriti 60%.

Papunësia ka arritur nivelin më të ulët historik 13.4%, ndërsa jemi vendi me papunësinë më të ulët tek të rinjtë, prej 26% krahasuar me rajonin. Sigurisht papunësia është akoma e lartë, ka shumë sfida dhe punë për të bërë.  Angazhimi në programin e qeverisë në fund të mandatit, është që papunësia në Shqipëri të zbresë në nivel njëshifror.

Shqipëria gjithashtu, megjithëse ka nisur në një nivel shumë të ulët të pagës, ka pasur rritjen me të madhe të pagave në rajon po sipas raportit të Bankës Botërore. Paga reale u rrit në 2017 veçanërisht në sektorët e ndërtimit, energjisë dhe turizimit duke ndjekur kërkesën në rritje të punëdhënesve. Pra, krijimi i vendeve të punës.

Ka ende shumë për të bërë. Nga janari 2018 deri në 20 Prill, në zyrat e punës në të gjithë vendin janë deklaruar 11,900 vende të lira pune, ndërsa janë ndërmjetësuar me sukses 6,247.

Një fokus të vecantë po i kushtojmë punëkërkuesve të papunë me ndihmën ekonomike me qëllim ri-integrimin e tyre në tregun e punës; Formimi profesional falas, me vendim qeverie, me iniciative të Kryeministrit, sot kushdo që del nga ndihma ekonomike, ose çdo anëtar i një familje që përfiton ndihmë ekonomike, mund të përfitojë arsim profesional, pra formim profesional , duke u paguar për çdo muaj të studimeve të veta nga buxheti i shtetit 55 mijë lekë të vjetra në muaj.

Rritja ekonomike dhe punesimi larguan njerëzit nga varfëria. Sigurisht që Shqipëria është larg asaj që duhet të jetë, por siç e theksova është larg 2013, skenarit grek.

Në 2017 norma mesatare e varfërisë në Shqipëri ra. Dua të bëj një krahasim, mos harrojmë që në vitin 2013 varfëria duke iu referuar teknikisht dhe statistikisht po raportit ishte 37.7%, pra thënë ndryshe në katër vite ka rënë 4.9%, pra afërsisht 5%.

Tregtia e jashtme, ka rritje në importe dhe në eksporte.

Një shifër dua ta sjell, importi makinerive dhe pajisjeve, pra vazhdon fokusi tek importi i makinerive dhe pajisjeve me rritje të lartë, vazhdon trendi pozitiv dhe në tremujorin e parë të 2018. BE vazhdon të mbetet partneri tregtar më i madh i Shqipërisë me 74% të volumit.

Politikat fiskale

Politikat fiskale të qeverisë në mandatin e parë e të dytë, kanë mbështetur rritjen ekonomike, e vërtetuar nga shifra.

Progres Raporti i KE vlerëson kombinimin e duhur të politikave makroekonomike. Në këtë këndvështrim, vazhdimi i konsolidimit fiskal, pra ulja e borxhit; vazhdimi i reformave strukturore dhe e luftës kundër informalitetit mbeten thelbësore.

Sikurse vlerëson dhe Banka Botërore, sistemi fiskal në Shqipëri po redukton pabarazine.

Pabarazia e të ardhurave të tregut, e matur nga koeficienti Gini është ulur me 5 pikë nga efekti i kombinuar i tatimeve dhe kontributeve, përfitimet sociale dhe shpenzimet sociale për shëndetin dhe edukimi.

Borxhi në trajektore rënëse

Borxhi është në trajektore rënëse në 69.9%. Politikat fiskale janë të kujdesshme. Ne kaluam një vit elektoral, e megjithatë reduktuam defiçitin dhe borxhin.

2017, është viti i dytë rradhazi me balancë primare pozitive, për ta thënë thjesht qeveria nuk krijon borxh të ri, përkundrazi kursen dhe shërben borxhin e trashëguar.

Deficiti u përgjysmua në raport me 2015

Pra, defiçiti në 2016 ra në 1.8%. Viti 2015 për shkak të korrektimit që ne bëmë në ekonomi, ishte një vit i vështirë me një deficit të lartë. Ndërsa 2017 u mbyll me 2%.

Për të ilustruar një fakt të efiçencës fiskale që kemi shumë për të bërë, në krahasim me vitin 2013 ne mbledhim në buxhet 1 miliardë dollarë më shumë, dhe krahasuar me janar 2016, ne mbledhim çdo vit 550 milionë dollarë më shumë pa asnjë ndryshim taksash.

Të ardhurat buxhetore po shkojnë në nivelin historik 27.7%, sigurisht që është një sfidë shumë e madh për ta mbajtur dhe rritur për shkak të gjithë proceseve brenda dhe jashtë Shqipërisë, sidomos luhatjet e kursit të këmbimit që dëmtojnë drejtpërsëdrejt të ardhurat, gjithësesi sfidat aty kanë qenë dhe aty do të jenë në vazhdimësi.

Disa nisma të rëndësishme.

Kryeministri ndërmori nismën e deregulimit. Sot është e materializuar dhe institucionalizuar me rezultate.

Në vetëm 4 muajt e pare, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve janë 144,000 vërtetime online, janë zhdukur radhët nga DPT. Janë 14,000 ekstrakte online QKB dhe 800 printime me vulë elektronike që s’ka as dy muaj e gjysëm që ka nisur.

Faza e dytë e reformës:

Vlerësim ne qendër në doganë për importuesit dhe në 1 qershori fillojmë edhe për eskportuesit

13 pagesa elektronike në tatime

Drejtoria e Përgjithshme e Pronësisë Industriale dhe Drejtoria e Akreditimit, tërësisht online brenda këtij viti.

Iniciativa tjetër është Kadastra fiskale në ndihmë të pushtetit vendor.

Më tej kemi uljen e pragut të TVSH për biznesin me xhiro 2 deri në 5 mln lekë:

Nuk ka taksë të re;

Nuk ka kosto për biznesin;

Nuk ka rritje çmimesh për qytetarët;

Nuk ka gjoba për deklarim të gabuar;

Do të vijojmë informimim dhe asistencën për secilin nga 9975 bizneset që përfshihën në skemë. Mbetemi të angazhuar të vazhdojmë të lehtësojmë biznesin.

Dhe këtu, dua të përmend heqjen e TVSH për makineritë, pajisjet në energji (fotovoltaikët). Është iniciativa e fundit për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, që do të kenë trajtim njësoj si fermerët pa prag TVSH-je;

Rishikimi i tavanit për tatim-fitimin që e përmendi Kryeministri dje në takim me biznesin e vogël dhe agroturizmi që në një paketë, shumë shpejt siç e tha dhe Kryeministri dje brenda dy muajve, do të kenë kaluar në Parlament;

E fundit, për të ilustruar një debat të djeshëm në takimin me biznesin e vogël, i cili në këndvështrimin tim ishte shumë efektiv. Në vitin 2013 në fashën e biznesit me xhiro 5 deri në 8 milionë ka pasur 13,600 biznese. Në 2017, janë 17 mijë biznese. Fakti që janë rritur, rrëzon të gjithë atë debat politik që kjo është një taksë e re dhe që do të rrisë koston. E kundërta ndodh, do të ndihmojë në antiinformalitet, në rriitjen e xhiros dhe deklarimin e bizneseve të mëdha.

Faleminderit! 

Fjala e Ministrit Damian Gjiknuri në Mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste:

I nderuar z.Kryeministër,

Të nderuar anëtarë të Asamblesë,

Të nderuar të pranishëm,

Kur flitet për vepra në fushën e infrastrukturës dhe energjisë, 6 muaj janë shumë pak. Ne e kemi shfrytëzuar këtë periudhë maksimalisht për t’i dhenw zgjidhje shumë problematikave të  trashëguara.

Miratuam studimet dhe projektet e shumë veprave të mbetura në mes apo vetëm në letër, duke u dhënë zgjidhje problemeve  teknike e ligjore, e duke i bërë gati për të filluar zbatimin përmes financimeve me Buxhet të Shtetit ose me skemën tashmë të njohur të Partneriteti Publik-Privat.

Premtuam pastrimin e nyjeve dhe akseve kombëtare nga tabelat e objektet në kundërshtim me sinjalistikën rrugore. Ndërhymë në 14 akse duke larguam nga rruga rreth 1500 tabela, 124 kioska, 63 vendgrumbullime inertesh e gomash, dhjetra konstruksione druri e metalike, kontenierë, lavazhe dhe objekte të tjera. Është projektuar tanimë edhe ndërhyrja emergjente në pikat më problematike për aksidentet rrugore të njohura si “black spots”.

Premtuam shkrirjen e “policisë gri” dhe zgjidhjen e problemit të transportit ndërqytetës e rrethqytetës. Pas reformës në Drejtorinë e Transportit Rrugor, drejtuesit e mjeteve sot nuk i shohin me policët që deri dje në shumicën e rasteve abuzonin duke mos realizuar qëllimin për të cilin dilnin në terren. Çështja e transportit ndërqytetës është vënë në rrugën e zgjidhjes, ndërsa kërkohet një ndërhyrje më thelbësore për të trajtuar përfundimisht një problem të trashëguar prej shumë vitesh.

U rinegocua me Bankën Botërore marrëveshja për mirëmbajtjen e 1.679 km rrugë. Mirëmbajtja dimërore tregoi një transformim rrënjësor krahasuar me më parë ndërsa tanimë është në proces edhe aspekti i mirëmbajtjes rutinë dhe rehabilitimit. U arrit që të rritej gati në 3 fish fondi i qeverisë për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale.

Ka filluar tanimë puna për studimin e fizibilitetit për korridorin Adriatiko-Jonian si një ndër prioritetet kyçe në fushën e transportit rrugor.

Ju dha zgjidhje teknike projekteve të mbetura pezull që nga viti 2011 si: ndërtimi i nyjes së Milotit; bypassit perëndimor të Shkodrës, Unazës së madhe të Tiranës, Bypass Plepa-Kavajë-Rrogozhinë.

Janë në proces investime për përfundimin e 33 segmenteve rrugore; ndërtim dhe sistemim rrugësh, rehabilitim dhe hapje kantieresh të reja.

Këtu përfshihen, ndërtim nënkalimi hekurudhor në unazën Librazhd; Rindërtimi i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja; përfundim i punimeve të mbetura dhe plotësimi me rrugë dytësore nyja e Milotit; vendosja e mbikalimeve në aksin rrugor Thumanë – Milot dhe Kukës – Morinë; ndërtim rruga Kardhiq – Delvine 3 lote në 2018 dhe dy lote në vitin 2019; Bypass i Tepelenës; Rikualifikim i akseve rrugore Unaza Lindore Loti 2 dhe Loti 3 dhe përfundimi i aksit Kukës-Morinë.

Është në fazën e fundit të parakualifikimit gara për bypass-et e Fierit dhe Vlorës çka do të hapë më pas dritën jeshile për rifillimin e punës në këto dy vepra. Gjithashtu, u garantua gjetja e financimit të munguar për përfundimin e rrugës Tiranë-Elbasan.

Në kuadër të paketës “1 Miliard për Rindërtim”, është firmosur kontrata dhe brenda pak javësh nis puna për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Perfundoi faza e pare e perzgjedhjes se projektit dhe tashme eshte hapur gara për projektin e rrugës Thumanë-Kashar.  Në fazën e shqyrtimit është kërkesa Projektim-Ndërtim-Financim-Operim dhe Mirëmbajtje të rrugës Milot-Balldren, Orikum- Llogora. Po studiohen edhe mundësitë për aplikimin e Partneriteteve Publike-Private me financim tërësisht privat në disa akse të tjera rrugore me parimin që përdoruesi i rrugës paguan për shfrytëzimin e saj.

Falë punës së kryer deri më tani dhe projekteve të përgatitura, parashikohet që në këtë mandat qeverisës të investohen rreth 970 milion euro nga Buxheti i Shtetit dhe fonde të huaja ndërsa mbi 530 milion euro të tjera nga zbatimi i projekteve të paketës “1Miliard për rindërtim”. Paketa totale e investimeve në transportin rrugor për këtë mandat pritet të jetë së paku 1.5 miliard Euro.

Vumë në punë stacionin e përbashkët hekurudhor të Tuzit me Malin e Zi, si dhe bëmë të mundur fillimin e procedurave për rindërtimin e hekurudhës që lidh Tiranën me Durrësin dhe Rinasin, nje projekt qe kap vleren prej 90.45 milion eurosh. Ka filluar tashmë në kuadër të projektit INTERREG hartimi i pre-fizibilitetit të lidhjes hekurudhore me Greqinë.

Është kryer një punë e mirë për forcimin e kapaciteteve administrative dhe performancës së Autoritetit të Aviacionit Civil, institucion i cili po kthehet tashmë në një garant të interesave të pasagjerëve.

Premtuam angazhim për avancimin e projekteve për ndërtimet infrastrukturore aeroportuale. Jemi duke negocuar tanimë intensivisht për aeroportin e Vlorës ashtu sikurse po punohet për vënien në punë të aeroportit të Kukësit përmes skemes së Partneritetit Publik-Privat.

Paralelisht, po vazhdon puna për krijimin e linjës ajrore “AirAlbania” e cila do të jetë një tjetër element me rëndësi në historinë tonë të transportit ajror, tashmë me flamur shqiptar.

Ndërkohë, në fushën e telekomunikacionit, realizuam disa masa shumë të rëndësishme për konsumatorët siç ishte mundësia për transferimin e numrave brenda 24 orësh nga një kompani tek tjetra dhe faturimin mujor duke adresuar shqetësimin e shumë qytetarëve.

Në fushën e ujësjellës kanalizimeve u angazhuam për vendosjen e një sistemi rigoroz performance për shoqëritë lokale të ujësjellësave. Mbështetja buxhetore për to do të ofrohet vetëm në këmbim të rezultateve konkrete në drejtim të: reduktimit të lidhjeve të paligjshme, humbjeve në rrjet dhe rritjes së të ardhurave.

Qeveria lidhi marrëveshje me të gjitha bashkitë ndërsa nxiti një operacion në terren gjatë të cilit janë mbi 24 mijë abonentë të formalizuar; 51 mijë ujëmatësa të instaluar; 20.400 aktmarrëveshje dhe rreth 7 milion euro më shumë arkëtime.

Vazhdojnë investimet në fushën e ujësjellës-kanalizimeve ku janë 49 projekte në zhvillim e sipër në vlerën 2.13 miliard lek.

Në fushën e trajtimit të mbetjeve, pas vënies në punë të impiantit të djegies së mbetjeve me prodhim energjie në Elbasan, i hapëm rrugën ndërtimit të impiantit tjetër në Fier dhe në Tiranë,  projekte që po zbatohen me intensitet të lartë në terren.

Premtuam në fushën e energjisë elektrike konsolidimin e qëndrueshmërisë financiare, operacionale dhe teknike me synim plotësimin e kërkesës në rritje për energji brenda vendit, duke pasur si prioritet integrimin e tregut vendas të energjisë në tregjet rajonale dhe ato europiane, dhe duke ulur varësinë nga importi.

Miratuam Planin Kombëtar të Eficencës së Energjisë; Strategjinë Kombëtare e Energjisë 2018 -2030; ndarjen legale të shoqwrisw OSHEE; diversifikimi i burimeve të energjisë me një shtim të fuqisë së instaluar nga energjitw alternative. Pregatitëm studimin e fizibilitetit dhe dokumentat e tenderit për gjetjen e partnerit privat për vënien në punë me gaz të TEC Vlorës ashtu sikurse ndërtimin e linjës së furnizimit me gaz nga Semani në Vlorë.

Bëmë efektive  kredinë prej 218 milion euro të BERZH për ristrukturimin e detyrimeve të mbartura të KESH, duke realizuar një qëndrueshmëri e disiplinë financiare më të madhe mes shoqërive emergjitike, dhe kontribuar kështu në uljen e stokut të borxhit publik që ka krijuar ky sektor ndër vite.

Nga 3 kompanitë e sektorit janë realizuar në këto 6 muaj, 11,8 miliard lekë investime në gjenerim, transmetim e shpërndarje duke i garantuar si përfitues 170,569 abonentë.

Në po këtë periudhë janë rreth 300 milion euro investime të kontraktuara në sektorin privat të prodhimit të energjisë elektrike, ku mund të përmend disa vepra si HEC Kalivaçi; Shala, Shushica, Grabov si dhe 20 MW impiante në energji alternative.  

Në fushën e industrisë hidrokarbure, miratuam  planin e zhvillimit sektorial të gazit natyror ndërsa po punohet për krijimin e një shoqërie të përbashkët mes Albgaz dhe gjigandit italian Snam Rete në kuadër të kontratës së mundshme për mirëmbajtjen e tubacionit të gazsjellësit TAP në Shqipëri.

U nënshkrua marrëveshja e re hidrokarbure për Bllokun 4 me SHELL, sipas modelit të ri të kontratës që mundëson të ardhura më të larta për shtetin, duke garantuar vazhdimin e investimeve nga ky gjigand botëror i naftës që deri në këtë moment ka investuar më shumë se 300 milion USD.

Miratuam mbi 1 mijë aplikime të para për Statusin e Naftëtarit ndërsa procesi po vazhdon tanimë me intensitet.

U angazhuam për mbështetjen dhe zhvillimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese në industrinë minerare duke synuar rritjen e eksporteve të produkteve të përpunuara metalore e jometalore.

Përfundoi ndërtimi i fabrikës së pasurimit të bakrit në Spaç me vlerë investimi paraprak prej 11 milion euro dhe pritshmëri për 300 vende pune. U vu në funksion plotësisht Uzina e re e Ferrokromit në Elbasan me vlerë investimi 24 milion USD. U përfundua investimi për dy furrat në fabrikën e pasurimit të kromit në Burrel.

Përmbyllëm  me sukses pas një tenderi të hapur përzgjedhjen e  investitorëve privat për zonën  minerare krombajtëse të Vllanës,  duke bërë të mundur shfrytëzimin e mbi 1 milion ton minerali krom.

Të nderuar Kolege

Hapat të ndërmarra në këto 6 muaj na bëjnë besimplotë se fundi i këtij viti dhe më pas tre vitet pasuese do të jenë kantiere ndërtimi në gjithë territorin e Shqipërisë, duke kontribuar dukshëm në rritje ekonomike dhe punësim. Këto dy të fundit duhët të jenë motivi  që na frymëzon  në cdo ditë të punës sonë. 

Faleminderit,

Fjala e Ministres Lindita Nikolla në Mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste:

Mirënjohjen e plotë dhe të thellë për gjithçka që keni bërë, në mënyrë që skuadra e arsimit të realizojë të gjitha angazhimet e veta. Një falënderim të posaçëm për këtë skemë të re të zhvillimit të përgjegjësive tona përmes dëgjesave publike, ku ajo në grupin parlamentar të partisë socialiste padyshim ka qenë më e vyera për shkak të pyetjeve, të këshillave, fokusit, vërejtjeve dhe kritikave.

Në këto 6 muaj Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka qenë e fokusuar në realizimin e tre prioriteteve, për të cilat ndërmorën 15 angazhime dhe kemi përmbushur në këto 6 muaj 13 prej tyre, pasi me reformën për shkencën dhe përqendrimin e shërbimeve në qendrën e shërbimeve arsimore jemi duke punuar ende.

Besoj që për të gjithë studentët shqiptarë por jo vetëm, pedagogët, prindërit, për shoqërinë tonë jemi në një moment shumë të rëndësishëm pasi 35 universitete tonat, 394 departamente dhe 113 fakultete u përfshinë në sitën e standardeve më të mira cilësore, në kuptimin për të parë se si institucionet tona të arsimit të lartë janë kah këtyre standardeve dhe cili do të jetë fokusi jonë i punës në të ardhmen.

U realizua nga agjencia britanike po ashtu dhe nga sondazhi më i madh i kryer në vendin tonë për

studentët dhe pedagogët duke pasur në dorë 35 raporte analitike që vlerësojnë që sistemi ynë arsimor i

lartë ka 147 praktika të mira të cilat duhet të thellohen. Kemi një situatë të re me 137 dobësitë që janë evidentuar dhe jemi duke punuar për të përmbushur së bashku sigurinë me stafet universitare 143 rekomandime të lëna nga kjo agjenci.

Në këto 6 muaj ndërmorëm 6 nisma në sistemin tonë të arsimit parauniversitar, janë nisma tërësisht të reja, por edhe që ofrojnë një qasje krejt të re për tërë sistemin dhe që dhanë rezultatet e tyre që në 6 muajt e parë duke ndikuar në 400.000 nxënës përmes nismës sonë “3 lëndë në 6 orë”. 400.000 nxënës vijnë me përgjysmim të ngarkesës mësimore. Sigurisht edhe 32 mijë mësues kanë tashmë më shumë kohë të dedikuar nxënësve në klasë edhe më shumë kohë për t’u përgatitur për orët mësimore.

Kemi mundësuar përmes nismës “Bëjmë detyrat e shtëpisë” për 15.457 nxënës në pesë bashkitë e vendit, një mundësi të re në mënyrë që shkollat, mësuesit ofrojnë gjithë asistencën e nevojshme për të dalë jo vetëm nga prapambetja por ajo që është shumë e rëndësishme për të ndarë në hapësirën shkollore gjithë përgatitjen e tyre për mësimet.

Kemi mundësuar dhe realizuar angazhimin tonë për të dyfishuar mësuesit ndihmës në sistem. Ju kujtoj që ka qenë një shërbim i munguar pasi kur erdhëm në vitin 2013 nuk kishte asnjë mësues ndihmës në sistem dhe zero vëmendje për fëmijët me aftësi të kufizuar.

Sot ne kemi 610 mësues ndihmës në sistem, dhe një sistem shumë të mirë për trajnimin në mënyrë që ndihma e tyre të jetë e specializuar dhe të mundësojë një aksessueshmëri dhe një barazi shancesh edhe për këta fëmijë në sistemin tonë arsimor.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, kemi mundësuar për 15.000 gjimnazistët e Tiranës ambiente më të sigurta përmes funksionimit të oficerëve të policisë në shkolla. Kanë dhënë rezultate dhe çdo ditë raportojnë se si këta janë kthyer në një instrument shumë të rëndësishëm, në partner të shkollës, të mësuesve, të komunitetit të prindërve duke zgjidhur raste të ndryshme të konflikteve apo ato të dhunës nëpër shkolla.

Kemi mundësuar në këto 27 vite, besoj për herë të parë matjen e cilësisë në Lexim dhe Gjuhë Shqipe të 26.600 nxënësve të 3 mijë klasave kolektive dhe kemi përpunuar një program të detajuar për të nxjerrë nga problematikat e shfaqura 6.000 prej tyre.

Besoj që skema e re e kualifikimit të mësuesve dhe trajnimit të tyre për të gjithë mësuesit që janë në sistem, pra për 37.000 mësues çdo ditë e më shumë po jep efektet e veta, dhe është jo vetëm një skemë cilësore, por totalisht lart asaj skeme të cilën ne e rrëzuam përtokë që ishte e kapur nga korrupsioni.

Mundësuam sistemin dixhital të testimit për 5.000 mësuesit punëkërkues ashtu sikurse mbajtëm edhe angazhimin tonë për të mësuar po një sistem të tillë edhe procesit të rekrutimit përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, ashtu sikurse 300 mësues më të mirë të dalë nga testimi i promovuam duke i vendosur në krye të shkollave.

Për sa i përket momentit tjetër që lidhet me bashkëqeverisjen me prindërit kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm në këtë vit shkollor duke mundësuar që 200.000 prindër të jenë pjesë e hartimit të planeve shkollore dhe, nga kjo bashkësi prindërish kemi ngritur për herë të parë edhe në rajone, edhe në nivel kombëtar, Këshillin Kombëtar të Prindërve si një instrument shumë i rëndësishëm monitorimi por edhe bashkëqeverisje për gjithçka që ndodh në reformën në sistemin tonë të arsimit parauniversitar, ashtu sikurse mundësuam lehtësimin e barrës për të marrë shërbime në sistemin tonë arsimor duke hequr 168 dokumente ose një lehtësim në masën 66%.

Këto ishin disa prej momenteve shumë të rëndësishme në të cilën ne jemi angazhuar dhe kemi përmbushur dhe po vijojmë të përmbushim, në atë që është programi ynë por edhe karta e perfomancës së Ministres së Arsimit me Kryeministrin, konform e një prioriteti të madh që lidhet me cilësinë e sistemit tonë arsimor.

Kryefjala e këtij mandati do të jetë reforma e mësuesisë. Kemi ndërmarrë dhe do të finalizojmë një reformë tërësore të mësuesisë duke filluar me programet e formimit të mësuesve në universitetet e edukimit, më pas me gjithcka tjetër që lidhet me procesin e rekrutimit, krijimit të karrierës dhe kualifikimit.

Nuk mundet pa mësues cilësor. Le të mundësojmë për fëmijët tanë, për fëmijët e shqiptarëve atë cilësi arsimimi që ata meritojnë.

Faleminderit dhe punë të mbarë.

Fjala e Ministrit  Ditmir Bushati  në Mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste:

Përshëndetje të gjithëve.

Të dashur kolegë, motra dhe vëllezër anëtarë të Partisë Socialiste të Asamblesë Kombëtare.

Me mirëkuptimin tuaj unë kam dëshirë të flas vetëm për një projekt të prioriteteve të qeverisë tonë, të maxhorancës  tonë, që natyrisht shkon shumë përtej rregullave të përshkrimit të punës të ministrisë të cilën drejtoj, në lidhje me procesin e integrimit evropian dhe besoj se të gjithë ndajmë gëzimin dhe një lloj krenarie për një arritje shumë të madhe në këtë drejtim, që u konkretizua me rekomandimin e qartë nga ana e Komisionit Europian për nisjen e bisedimeve për anëtarësim për Shqipërinë në Bashkimin Europian.

Kemi dëgjuar lloj-lloj teorish këto ditë. Për fat të keq duhet ta themi të paktën këtu, në këtë sallë se jo të gjithë kanë ndarë të njëjtën ndjenjë gëzimi dhe krenarie, pavarësisht se që në krye të herës, që nga kryeministri e deri tek personi më i fundit në rradhët tona kemi thënë që çdo hap përpara në këtë drejtim nuk është një çertifikatë për qeverinë, nuk është një çertifikatë për familjen tonë politike, por në fakt është një hap përpara për Shqipërinë, e cila duhet ta pranojmë ka dalë shumë vonë në hartën ndërkombëtare edhe në dalllim me vendet e tjera të rajonit, prandaj nuk është se ka shumë kohë për të humbur.

Nga ana tjetër ja vlen sot të theksojmë e të sqarojmë disa çështje që kanë të bëjnë me punën e madhe që është bërë, një pjesë prej kolegëve këtu raportuan dhe ky lloj procesi të cilin koordinojnë në një mënyrë apo tjetër reflekton apo pasqyron punën që bëjnë të gjithë strukturat qeveritare dhe të gjitha strukturat shtetërore. Prandaj në rradhë të parë dua të falenderoj të gjithë deputetët e grupit parlamentar të partisë socialiste, duke filluar me Kryetarin e Kuvendit, me Kryetarin e Grupit Parlamentar dhe sidomos dy komisionet me të cilat kemi ndërveprim më të madh, Komisionin për Politkë të Jashtme dhe Komisionin për Integrimin Europian, sepse për çdo fazë të këtij procesi ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer, ka patur një mirëkuptim, sikundër ka patur një disiplinë shumë të madhe për të ndërtuar shtet dhe për tu vetëkufizuar nga disa prej viruseve të politikës shqiptare të të gjithë këtyre viteve, që në fakt kanë lënë mbrapa Shqipërinë.

Për shembull marrim reformën në administratën publike, ka qenë një vendimmarrje e fortë, e lidership politik i demostruar nga ana e Kryeministrit, Qeverisë e grupit parlamentar për të ndërtuar një administratë publike e cila në disa raste duhet thënë mund të ketë shkuar përtej interesit të ngushtë të forcës politike që ne kemi.

Së dyti, sot është shumë kolla të thuhet se Komisioni Europian e bërë këtë gjë për Shqipërinë për shkak të gjeopolitikës, se i kishte ardh koha për ta bërë, të gjitha këto teori që i kemi dëgjuar dhe nga përfaqësues të opozitës apo analizë të ndryshëm të medias.  Nuk është aspak e vërtetë sepse partia socialiste në manifestin e saj elektoral të 2013 kishte një zotim përsa i përket ndryshimit rrënjësor të sistemit të drejtësisë. Jo vetëm kaq, por Shqipëria është i vetmi vend jo thjeshtë në rajon, por i vetmi vend sot për sot në Europë që që në nisje të këtij procesi ka kërkuar bashkëautorësinë e institucioneve më të specializuara për ta ndërtuar nga themelet sistemin e drejtesise. Kjo është arsyeja që ato thonë sot që Edi Rama kërkon të marri sistemin e drejtësisë, partia socialiste kërkon të marri sistemin e drejtësisë nuk rezonojnë si argumenta në asnjë prej tryezave tona dhe në asnjë prej tryezave të vendeve partnere dhe mike të Shqipërisë sepse është po Komisioni Europian që e thotë, që është një institucion krejt i pavarur që vlerëson të gjitha vendet me të njëjtin metër, me të njëtën metodologji, jo me metra dhe metodologji të ndryshme që e specifikon shumë qartë që këto që ka bërë Shqipëria në këtë fazë të procesit nuk e kanë bërë në fakt asnjë prej vendeve të tjera.

E njëta gjë mund të thuhet dhe për mbrojtjen dhe promovimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, që nga respekti për pakicat, strategjia që ne kemi sidomos e përfshirjes së komunitetit rom dhe grupeve vurnerabël, aksesi në edukim dhe kështu me rradhë.

Po ashty përsa i përket luftës kundër krimit të organizuar, luftës kundër korrupsionit dhe bashkëpunimit shumë të mirë që ekziston në këtë fushë me shërbimet e vendeve partnere edhe në këtë pikë Shqipëria ka një diferencë në raport me vendet e tjera, që është vullneti politik për të bashkëpunuar, për të ndarë informacion, për të punuar sëbashku në terren, për frenimin apo evitimin e sa më shumë të jetë e mundur e këtyre fenomeneve.

Është shumë e vërtetë që ka një konsensus kombëtar përsa i përket ecurisë së Shqipërisë dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe më gjërë në strukturat Euro-Atlantike përvetë kontributin që ne japim, po është po kaq e vërtetë se vetmja forcë politike që ka një platformë të qartë në këtë drejtim është partia socialiste e Shqipërisë. Ka një platformë të qartë përsa i përket sigurisë, qoftë për reformat që ka ndërmarrë në fushën e sundimit të së drejtës ashtu dhe përsa i përket reformave në fushën e ekonomisë.

Kur ne shohim PD dhe LSI për fat të keq që i kundërvihen këtyre reformave dhe nga ana tjetër thonë që janë në mbështetje të procesit të integrimit europian, në fakt ata janë kundër gjenezës të së gjithë këtij procesi shtetkonsolidimi demokratik. Besoj se të gjithëve na kujtohen 3 apo 4 vite më parë kur filloi reforma e madhe e energjisë rezistencën që hasëm në këtë drejtim, ama sot askush nuk diskuton më për mënyrën a duhet të paguhet energjia apo jo. Sot ne kemi hyrë në një fazë tjetër falë këtij procesi dhe reformaveqë janë ndërmarrë. Kemi hyrë të faza e ndërlidhjes rajonale, te krijimi i tregut të energjisë rajonale, tek krijimi i vendeve të punës falë këtyre reformave që ndërmerren.

Po kështu përsa i përket reformave që janë ndërmarrë në fushën e sigurisë për të krijuar një mjedis sa më të sigurt, jo thjesht për qytetarët e këtij vendi por edhe për çdo investitor dhe për të tërhequr kapitalin në tregun tonë.

Prandaj çdo kundërshtim në fakt që opozita bën në këtë drejtim në një mënyrë apo tjetër e minon procesin e integrimit europian. Edhe periudhën e fundit për fatë të keq po të shohësh, më shumë sesa të citojnë Komisionin Europian, Presidentin Junker, Shefen Politikës së Jashtme e kështu me rradhë, përpiqen për të cituar ndonjë deputet apo ndonjë përfaqësues politik për vende të ndryshme anëtare të BE, të cilët natyrisht mund të kenë qëndrime të ndryshme, por mund të kenë qëndrime edhe për shkak të situatave në vende të cilat ato janë apo përfaqësojnë dhe duket sikur më shumë janë të gëzuar për pengimin me çdo kusht të këtij procesi sesa për ti dhënë një dorë jo qeverisë, jo Edi Ramës, jo partisë socialiste por për ti dhënë një dorë Shqipërisë në këtë drejtim.

Rruga jonë të dashur miq nuk do të jetë një rrugë e lehtë sepse dy janë elementët themelorë që do të jeni kompasi jonë i vepruesit politik në këtë drejtim. E para për të mbajtu cilësinë e reformave dhe e dyta për ti thelluar këto reforma sepse siç e thashë ndoshta një ditë këto gjëra do të bëhen edhe publike dhe do të sqarohen edhe më mirë për opinionin publik, por ka qenë insistimi i kësaj qeverie dhe insistimi i këtij kryeministri dhe insistimi i kësaj force politike për të shkuar në thellësi të disa prej reformave të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë jo për Brukselin, Berlin e Parisin por për jetën e qytetarëve të këtij vendi.  Prandaj një vendimmarrje mbështetëse nga ana e vendeve anëtare të Bashkimit Europian nuk është një vendimmarjje mbështetëse thjesht për punën që ne kemi bërë dhe do të bëjmë, por do të përcaktojë atë që cila do të jetë situata në Shqipëri dhe rajon përtje dekadës që ne kemi hyrë. Do të jetë ajo që do të përcaktojë aksesin e studentëve shqiptar në programet e mobilitetit, do të jetë ajo që do të përcaktojë kompetivitetin e studentëve shqiptar dhe kërkuesve shqiptar sot për sot në hapësirën e kërkimit në Europë, do të jetë ajo që do të përcaktojë aksesin dhe fondet që do të jenë në dispozicion të fermerëve shqiptarë për ta modernizuar më shumë dhe për ta kthyer në një industri të vërtetë bujqësinë, do të jetë ajo që do të përcaktojë cilësinë e jetës demokratike në këtë vend, do të jetë ajo që do të përcaktijë programet e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkufitar, të cilat kanë filluar të zbatohen sidomos në zonat dhe bashkitë ndërkufitare në Shqipëri, do të jetë vërtet ajo që do të përcaktojë atë që do të jetë Shqipëria e gjeneratës së ardhshme, që në fakt përkon me moton e kësaj qeverie dhe kësaj partie.

Faleminderit dhe njëherë tjetër për mbështetjen.          

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm