Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Reduktim i procedurave, fund burokracive

Të reja

Reduktim i procedurave, fund burokracive

30 Jul 2017    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në dëgjesën publike me qytetarë në Fier:

Besoj se nuk i ezaurojmë dot të gjitha në një takim dhe për më tepër s’është vetëm ky takim, sepse ndërkohë të gjithë deputetët jo vetëm në Fier, por në të gjithë Shqipërinë kanë prej ditësh që organizojmë dëgjesa. Për më tepër, këto që diskutohen, të gjitha mbahen shënim dhe në fund, në çdo qark, ne do të kemi një raport të detajuar të problematikave të ngritura. Por, sidoqoftë, problemet janë pak a shumë po ato kudo, edhe në Kukës, edhe në Fier, edhe në Gjirokastër, edhe në Sarandë.

Ajo që është e para që mua më bën realisht përshtypje është që 90% e probleme nuk lidhen me buxhetin, por janë probleme që lidhen me shtetin në kuptimin e shërbimit. Janë probleme shërbimi, nuk janë probleme buxheti. Natyrisht, një pjesë e tyre janë të thjeshta dhe nuk ka asnjë arsye në botë që të ekzistojnë si probleme për njerëzit, por janë krijuar nga sjellja dhe papërgjegjshmëria e administratës. Një pjesë e tyre nuk janë të lehta, sepse problemi, për shembull, që del kudo, i konflikteve të pronësisë, i marrëdhënieve të pronësisë, i titujve të pronësisë, shpeshherë është shumë i ngatërruar për shkak të gjithë batërdive dhe gjurulldive që janë  bërë me pronën për shumë e shumë vite.

Së dyti, një pjesë e problemeve janë probleme që lidhen me bashkitë, me marrëdhëniet mes bashkive dhe individëve. Edhe në këtë aspekt, ne kemi çfarë mësojmë, në radhë të parë, për të ndryshuar qasjen e njësive administrative, të cilat duhet të jenë fuqimisht njësi shërbimi për zgjidhjen e problemeve të njerëzve dhe ne nuk i kemi të tilla. Kemi kaluar nga komuna tek njësia administrative dhe ajo që ka ndodhur është që jo vetëm nuk e kemi ulur numrin e njerëzve që shërbejnë në pushtetin vendor, përkundrazi na është rritur edhe kostoja financiare, për shkak të një politike shumë të gabuar, në këndvështrimin tim në përgjithësi, punësimesh në shtet, që nuk përkthehen në shërbime për njerëzit.

Njësitë administrative duhet dhe unë besoj se do ta bëjmë  të mundur që të kthehen në pika  shumë të rëndësishme shërbimi për qytetarët. Shumë nga gjërat që qytetarët i kanë probleme që kthehesh në probleme jetike të familjes për vite të tëra, janë probleme që mund të zgjidhen direkt te njësia administrative brenda një dite. Po të llogarisësh gjithë stresin, gjithë energjitë negative dhe gjithë dëshpërimin që prodhohet nga kjo marrëdhënie skandaloze me administratën shtetërore, natyrisht që e kupton sesa shumë potencial për të kundërtën, në të mirë të vendit, në të mirë të njerëzve, ka në zgjidhjen e këtyre problemeve që kanë të bëjnë me administratën.

Nuk do të jetë diçka e lehtë. Ne kemi një sfidë shumë të madhe, në radhë të parë t’i gjejmë punës së shtetit njeriun, jo njerëzve punë shteti. Janë  dy gjëra komplet të ndryshme. Nëse i gjejmë dikujt një punë që ai s’e bën dot, vërtetë mund të rregullojmë dikë, në kuptimin që nga i papunë u bë i punësuar, por shkatërrojmë punën e qindra, nganjëherë mijëra të tjerëve. Unë besoj shumë që, pavarësisht problemeve me burimet njerëzore, çdo bashki i ka kapacitetet e mjaftueshme për aq drejtues, për të pasur një administratë shumë më të përgjegjshme.

Nuk është vetëm çështja e njerëzve. Mund t’i heqim të gjithë drejtorët e hipotekave, siç u hoqën, mund të marrim të rinj dhe mund të bëjnë të njëjtën gjë. Çështja është tek reformimi i gjithë sistemit të punës. Në rastin konkret do ta ndryshojmë krejtësisht sistemin, duke mos pasur edhe komision pronash, edhe ALUIZNI-n, edhe hipotekë, që njerëzit të mos të shkojnë sa në një institucion tek tjetri dhe kur ai ka qenë duke bërë këtë gjë, i del papritur e pa kujtuar dikush që e ka marrë ndërkohë pronën. Një institucion i vetëm, një agjenci kombëtare e titujve të pronësisë që do të marrë përsipër, së pari, regjistrimin përfundimtar të të gjithë titujve të pronësisë në Republikën e Shqipërisë dhe si rezultat dhënien e hipotekës  brenda 30 minutash, maksimumi, siç ndodh në vendet normale. Mjafton të bësh kërkesën dhe del vetë titulli i pronësisë nga kompjuteri, nuk ka nevojë për njerëz. Kjo është një gjë e domosdoshme.

Së dyti, ne duhet dhe do të bëjmë çmos të realizojmë që, nëse qytetarit i duhen 10 dokumente të ndryshme për të marrë një shërbim, së pari do të shikojmë duhen apo s’duhen të gjitha. Ne kemi ngritur një grup pune që po punon dhe nesër kemi një mbledhje tjetër, për të parë të gjithë rezultatet e punës për të zvogëluar numrin e  licencave, të vërtetimeve, dokumenteve, por edhe nëse duhen, t’i marrë shteti dhe jo njerëzit. Për shembull, dikush shkon te ALUIZNI dhe i kërkohen shtatë dokumente. Nëse këto shtatë dokumente janë në zyra të tjera të shtetit, le t’i marrë ALUIZNI vetë. Qytetari paguan shërbimin dhe aq.

E treta, duke vëmë në shfrytëzim të gjithë kapacitetet teknologjike, nuk është e nevojshme që një gjyshe të dijë të përdorë kompjuterin për të paguar dritat, por në njësinë administrative mund të ketë një pikë shërbimi me kompjuter që i shërben. Nëse mbi 300 njësi i kemi të lidhura në rrjet për t’i dhënë qytetarëve shërbimet pa pasur nevojë që të nisen nga fshati e të ikin në qendër, apo edhe deri në Tiranë, atëherë aty nuk është problem që të jenë edhe dy a tre njerëz që e bëjnë atë shërbim.

Paralelisht me këto na duhet një betejë shumë e madhe, në ndërkohë që do duhet t’i ndërtojmë këto sisteme. Nuk mund të jetë zgjidhja e një problemi për një qytetar e varur nga e takova dot Kryeministrin, kryetarin e bashkisë, apo deputetin.

Sot, ne kemi mundësi realisht të ndërtojmë një koalicion të madh me njerëzit e zakonshëm. Koalicion real, jo propagandë, që do të thotë t’i japim mundësi çdo njeriu të zakonshëm të bëhet pjesë e bashkëqeverisjes dhe nëse ka një problem të vetin apo të familjes të mund  ta trajtojë në rrugë zyrtare menjëherë dhe të marrë zgjidhje, nëse problemi zgjidhet. Por çështja është që edhe kur problemi nuk zgjidhet, të lënë varur pa fund, ndërkohë që administrata duhet të thotë brenda afatit “po” ose “jo”. Me teknologjinë e re, me ndërtimin e një platforme bashkëqeverisjeje online, kjo është plotësisht e mundur. Çdo qytetar mund të regjistrohet në këtë platformë, jo si “qytetari dixhital”, me shpifje e gënjeshtra, por me emër e mbiemër,  duke i dalë për zot asaj që thotë. Mbas këtij ekrani, ne po ndërtojmë një armatë të tërë njerëzish që duhet t’i ndjekin të gjitha rastet, pa përjashtim dhe aty ku ka të drejtë qytetari, ka të drejtë qytetari, por ama ai që ia ka ngrënë të drejtën duhet ta paguajë. Kush është në një zyrë dhe është përgjegjës që qytetari nuk e ka marrë të drejtën, ai s’mund të rrijë më në zyrë.

Sa më shumë njerëz të përfshihen në këtë proces dhe këtu s’ka rëndësi fare partia, këtu është thjesht dëshira për të kontribuar në këtë proces, aq më shumë kjo administratë do të vihet nën presion për të bërë gjënë e duhur.

Natyrisht kemi shumë parazitë e grabitqarë në administratë. Drejtorë parazitë dhe grabitqarë, siç kemi dhe të tjerë kudo ku ka kontakt me qytetarin, që janë gati të të bëjnë golin në sekondë. Por kemi edhe plot njerëz të mirë, njerëz të drejtë dhe të ndershëm që punojnë në shtet. Nuk janë të gjithë njësoj. Ne duhet t’i japim maksimumin e vlerësimit atyre që janë pozitivë dhe duhet t’iu bëjmë një luftë pa kompromis atyre që janë negativë.

Unë e kam thënë dhe e përsëris, ne nuk kemi problem me opozitën politike. Opozita politike ka punën e saj. Ne kemi punën tonë. Ne nuk kanë zgjedhur njerëzit për të luftuar me opozitën politike, na kanë zgjedhur për të luftuar me parazitët dhe me grabitqarët në administratën shtetërore, për ta çuar atë tepsinë e famshme për skrap. Na kanë zgjedhur për të rritur ekonominë, për të mbështetur fermerët. Opozitën politike e kanë zgjedhur të merret me ne. Sesi do merret me ne, është puna e saj, nuk është puna jonë. Derisa ta gjejnë si do merren, është puna e tyre. Po e gjetën, është populli që i gjykon.

Edhe këto dëgjesa janë shprehje e një të vërtete shumë të thjeshtë; Ne e kuptojmë shumë mirë çfarë përgjegjësie kemi marrë. Timoni është përgjegjësi shumë e madhe, se nga timoni varet sa shpejt do ecë makina, sa të kënaqur do jenë pasagjerët, a do arrijmë apo jo në kohë. Njerëzit na votuan që ne të bëjmë gjërat që, sipas njerëzve, mund t’i bëjmë shumë më mirë po të kemi timonin vetë. Në këtë drejtim, unë besoj që jemi të qartë.

Sigurisht që s’janë vetëm pronat, megjithëse treçereku apo më shumë i rasteve që unë dëgjoj në të gjithë dëgjesat është çështje pronësish. Por nuk është vetëm pronësia, nuk janë vetëm hipotekat, është edhe bujqësia një problem shumë i madh.

Ka vetëm një shpëtim për fermerët që shesin nën kosto, të bashkohen. Nuk i shpëton dot askush tjetër, përveç interesit të tyre, që të kuptojnë që të bashkuar çmimin e vendosin ata. Të ndarë, çmimin e vendos tregtari. Është shumë e thjeshtë! Këtu s’është puna të bashkohemi me kooperativa, me toka. Nëse janë 7 veta që shesin në një fshat dhe janë të ndarë, tregtari do vijë dhe do t’i fusë në garë kush ia jep më lirë. Nëse janë të bashkuar, do jenë ata që do fusin tregtarët në garë, kush e merr më lirë.

Ne s’duhet të bashkojmë tokat, ne duhet të bashkojmë konceptin, çfarë kulture do mbjellim, çfarë fare do përdorim, çfarë kimikatesh dhe shërbimi do t’i bëjmë. Kështu do ulim edhe koston e prodhimit. Nëse secili prodhon veç, kosto shkon më e lartë. Nëse shesim veç, shkon nën kosto. Unë s’po them diçka që në Shqipëri nuk ndodh. Ka plot realitete në Shqipëri që e kanë kaluar këtë fazë, shesin bashkë.

Bashkitë e reja akoma nuk janë plotësisht të vetëdijshme që ka qytet, ka edhe fshat. Jo në kuptimin e infrastrukturës, sepse për hir të të vërtetës, bashkitë, si Fieri që është model, po bëjnë gjënë e duhur. Nuk mund t’i kërkohet kryetarit të Bashkisë së Fierit, pse s’kam rrugë në “x” fshat, se nuk është përgjegjësia e tij që s’ka rrugë atje. Ajo është përgjegjësia e çerekshekulli. Ama, duke i bërë gjërat me radhë, do vijë edhe rruga atje. Po mbrojnë rrugët në qytet, do fillojë të shtrihen në fshat.

Aty ku bashkitë janë shumë larg, është të jenë afër fermerëve për të ndërtuar strukturat e grumbullimit dhe përpunimit. Fermeri e shet nën kosto edhe për një arsye tjetër, se po nuk e shiti, i prishet. Por, në qoftë se ka frigoriferin aty, i thotë tregtarit do ta shes, kur ky produkt të jetë në maksimumin e çmimit. E që të ndërtohet frigoriferi, duhet të shfrytëzohen financimet alternative. Ne kemi krijuar një Fond Kombëtar të Bujqësisë, që është para e lirë, gati për të gjithë ata që duan të ndërtojnë struktura të tilla. Por duhen marrë nga banka, ndaj kërkon projekt, kërkon organizim, kërkon edhe bashkëpunim me bashkitë. Në momentin që bashkitë do hyjnë në këto, unë besoj që do të kapërcehen shumë nga këto probleme. Por nuk mund të presim, as që ta gjejë shteti tregun, se kjo s’ka si të ndodhë. Duhet të ketë një ndërmjetës dhe këtë ndërmjetës bashkia mund ta bëjë shumë mirë.

Ne do reformojmë komplet, të gjithë sistemin e bujqësisë. Drejtoritë e Bujqësisë nuk do jenë më këto që janë. Drejtori bujqësie shteti, drejtori bujqësie bashkia, agjenci pagesash etj., një çorap i madh. Do t’i ndajmë qartësisht punët. Qeveria do të bëjë politikat dhe të përcaktojë buxhetet. Pjesën tjetër duhet ta ndajmë midis agjencisë së pagesave dhe bashkive. Ajo që fermerët kanë nevojë, nuk është vetëm leku, është edhe informacioni.

Ne kemi marrë në Fier një rezultat që na vendos në një borxh shumë të madh. Faktikisht, nga kjo fushatë ne kemi dalë me borxhe gjithandej. Edhe në Fier kemi një borxh shumë të madh. Nuk mjaftojnë fjalët për të thënë “mirënjohje”, “faleminderit”, etj..

Ajo që u fol për Gjanicën është një problem shumë serioz. Fieri, në këndvështrimin tim, është një nga ato zona që s’është çështje e një qyteti, është më e madhe se kaq, lidhet me ekonominë kombëtare, lidhet me zhvillimin e përgjithshëm, sepse është një nga pjesët më të rëndësishme të motorit të ekonomisë shqiptare.

Gramozi, pasi mbaruan zgjedhjet, më tha “bravo, ti si deputet i Vlorës që bëre aq shumë për Vlorën, po tani, unë si deputet i Fierit, që më kërkove që të vij me 9 dhe të erdha me 10, - unë i thosha hajde ti të paktën, lëre 10-ën, se 10-ta është larg,  - duhet që edhe Fieri të marrë të njëjtën pamje të të ardhmes.

Fieri e ka këtë potencial, sepse, në qoftë se ne do të çlirojmë të gjithë zonën e Gjanicës dhe zhvillohet projekti i qendrës, duke e kthyer lumin në aset të qytetit dhe duke mos e lënë të jetë gangrenë e tij, merr një tjetër pamje. Para dy ditësh kemi diskutuar për disa financime. Një nga punët e para që do fillojmë të bëjmë është rruga e re drejt Semanit, për të dalë në det. Na duhet patjetër një volum i më madh pune dhe investimesh në Fier, për ta hapur dhe atë anë, të themi, të shtëpisë që shikon nga deti dhe që këtu është komplet e pashfrytëzuar. Është një fat i madh, sepse është një mrekulli ku s’ka problematika të trashëguara, siç mund të ketë në vende të tjera dhe do i adoptohesh situatave që ke, por këtu mund të ndërtohet një situatë e re.

Unë ju falënderoj shumë, jo vetëm juve që jeni këtu, por të gjithë atyre që në Fier na e dhënë këtë besim. Edhe ata që s’na e dhanë të mos mërziten, se ne do punojmë dhe për ata,  se nuk ia lëmë dot në dorë as Lulit, as Monikës, punën e tyre.

Ndërkohë, me Bashkinë në Fier, në Roskovec, në Patos, në Ballsh, ne do punojmë intensivisht që të mos ju zhgënjejmë. Do bëjmë gjithçka mundemi, jo gjithçka duam, se nuk e bëjmë dot. Gjithçka mundemi, do e bëjmë me siguri.

Të gjitha ato që u thanë këtu nuk i merr era. Do t’i ndjekim të gjitha. Me sa kuptoj, jo në të gjitha rastet që dëgjova keni të drejtë, por e rëndësishme është që të merrni përgjigje “po”, ose “jo”.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi    Artikulli i mëparshëm