Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Reforma Zgjedhore, Gjiknuri: Tryeza ka për qëllim gjetjen e konsensusit për gjërat që janë të pranueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare!

Të reja

Reforma Zgjedhore, Gjiknuri: Tryeza ka për qëllim gjetjen e konsensusit për gjërat që janë të pranueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare!

27 Jan 2020    

Prononcimi për media i bashkëkryetarit të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri:
 
Është diskutuar një numër çështjesh që kanë qenë objekt i punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, disa prej tyre reflektojnë edhe shqetësimet e opozitës. Praktikisht, janë të gjitha çështjet që janë objekt i punës së komisionit, që nga përmirësimi i administratës zgjedhore, financimi i fushatës zgjedhore, çështjet që kanë të bëjnë me kuotat gjinore, çështje që kanë të bëjnë me parandalimin e krimeve zgjedhore. Gjithashtu për përmirësime të aspektit të llogaridhënies së administratës shtetërore në fushata zgjedhore. Praktikisht, janë të gjitha këto çështje, përfshirë pse jo edhe disa shqetësimëe të ngritura nga opozita, një pjesë e të cilave janë pjesë e raporteve të ODIHR-it. Ne ja kemi bërë të qartë opozitës dhe kjo u diskutua edhe në grupin e punës, që për këto çështje që ata i mendojnë shumë specifike le të vijnë me propozimet e tyre. Pra, nëse opozita ka pretendime për forcimin legjislacionit penal, ka çështje të tjera të aspektit organizativ apo propozon skema që mund të jenë më efikase në parandalimin e shkeljeve zgjedhore, le të vijnë me propozime konkrete. Ne do ti shqyrtojmë dhe patjetër nëse janë në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it do të bëhen pjesë e legjislacionit zgjedhor. Pra, këtu kemi një dakordësi. U vendosën afate konkrete dhe idea është që brenda 15 Marsit kjo punë të përfundojë. Do të fillohet nga gjërat më të thjeshta për tu arritur dhe që është bërë një punë e mirë edhe nga Komisioni. Do avancojmë me draftet teknike që pjesë-pjesë ti dërgojmë për opinion paraprak tek ODIHR-i.
 
 Pyetje: Z.Gjiknuri, a pati çështje konkrete të propozuara nga ana e opozitës?
 
Jo. Sot ishte një takim për të dakordësuar axhendën e punës dhe afatet. Pra, të gjitha temat të cilat janë pjesë e punës së reformës zgjedhore u saktësuan me afatet përkatëse. Opozita mori përsipër që për një pjesë të temave të sjellë propozimet e saj përmes ekspertëve, pasi siç e kanë deklaruar edhe publikisht kanë përgatitur draftet dhe propozimet. Ne jemi këtu që të gjejmë konsensus për gjërat që janë të pranueshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
 
 Pyetje: 15 Marsi është i arritshëm apo ambicioz?
 
Është një afat ambicioz por unë mendoj se nëse ka vullnet, ne deri në 15 Mars mund ti kemi zgjidhur problemet kryesore për të cilat aktualisht palët mund të duken të ndara.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm