Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Reforma Zgjedhore, Gjinkuri: Dakordësia për të gjitha çështjet që kemi debate është sukses i arritur

Të reja

Reforma Zgjedhore, Gjinkuri: Dakordësia për të gjitha çështjet që kemi debate është sukses i arritur

03 Mar 2020    

Deklarata për media e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore Z.Damian Gjiknuri:

 Gjiknuri: Që në hapat e parë, Komisioni i Reformës Zgjedhore, edhe me mbështetjen e ekspertizës së huaj, ka bërë disa propozime, të cilat janë mbështetur edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Propozime që kanë të bëjnë me uljen e  tavanit të shpenzimeve të partive politike në fushata zgjedhore. Çështja që diskutohet më shumë është sesa ky kontribut do të jetë nga shteti dhe sa do të jetë nga fonde private. Këtu jemi në një diskutim. Ne jemi të parimit që të jetë një sistem miks, siç ka qenë deri sot, duke shtuar pak peshën që ka shteti, por njëkohësisht duke lënë dhe një tavan të pranueshëm që u lejon partive që të bëjnë fushatë dhe për këtë po marrim edhe mendimet e ekspertizës. Janë zhvilluar edhe një sërë seminaresh, ka pasur vizita studimore në vende të ndryshme të BE për këtë çështje dhe mendoj që gjërat e para mund të adresohen në Kodin Zgjedhor. Ndërkaq, çështja e ligjit të partive politike dhe financimi i tyre mbase do të kërkojë më shumë kohë.
Po të shikoni dhe dokumentet e agjendës së punës, që u ra dakord edhe sot, do të dojë më shumë kohë që ky ligj të adresohet dhe besoj se këtu palët nuk do të kenë ndarje. Do të adresojmë një sërë çështjesh që janë të nevojshme në Kodin Zgjedhor dhe pjesa e ligjit të financimit të partive politike, që është një ligj më tërësor, mund të marrë më shumë kohë. Por parimi është që jemi për financimin miks. Na vjen mirë që edhe PD ka hequr dorë nga financimi 100% publik,  problemi është që të gjejmë një shifër të pranueshme, një balancë midis kontributit shtetëror dhe kontributit privat.


 Pyetje: 66% janë shumë z.Gjiknuri? 


 Gjiknuri: Duket si shumë nisur nga vlerat që jep Buxheti i Shtetit sot, pasi do të kërkojë angazhime më të mëdha financiare. Mbase mund të gjendet një sistem më i pranueshëm, nuk dua ta them se jemi duke e diskutuar por të jetë një sistem i balancuar mes kontributit shtetëror dhe kontributit privat. Çka është e rëndësishme është që janë futur elemente të tjerë garancie që ishin edhe në ligjin e propozuar nga PD, monitorim më i imët,  raportimi nga palët e treta, monitorimi nga palët e treta, futja e tyre në proces, vendosja e  një kufiri jo më shumë sesa 50 mijë lekë që është i detyrueshëm të bëhet nëpërmjet llogarive bankare. Pra shumë element të tjerë garantues që kanë ardhur dhe nga rekomandimet e ODIHR dhe Këshillit të Europës, por dhe nga kërkesat e PD. Kështu që besoj do të gjejmë një zgjidhje të pranueshme.


 Pyetje: Z.Gjiknuri pak më herët z.Bylykbashi ngriti një shqetësim për sa i përket listave të zgjedhësve. Në gjykimin e tij qeveria nuk ka marrë asnjë masë që qytetarët të votojnë aty ku duhet dhe për shumë persona që kanë problem ekonomike nuk do të mund as të shkojnë të votojnë? 

 Gjiknuri: Këto janë për mendimin tim konsiderata politike. Nga përgjigjet që u dhanë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme u tha që kapacitetet aplikuese janë më të mëdhatë që kanë qenë ndonjëherë në territorin e Shqipërisë, në mos gaboj u tha që janë më shumë se 170 qendra për të mirëpritur aplikimet për karta identiteti apo pasaporta sipas rastit. E dyta u kërkua nga PD një shifër, e cila do të vijë zyrtarisht, pra unë nuk e di nga e ka nxjerrë këtë konkluzion PD sesa zgjedhës janë pa asnjë dokument identifikimi. Nëse është një shifër e konsiderueshme, kemi kohë të mjaftueshme për të bërë fushatat e nevojshme të nxitjes, pse jo dhe nxitjen edhe me mënyra të tjera siç ka ndodhur edhe më parë, në mënyrë që njerëzit të pajisen me një dokument identifikimi. Së treti, problemi i listave është një çështje e zgjidhur, nisur nga shqetësimet që kanë pasur dikur partitë. Të mos harrojmë që për herë të parë, është pranuar publikisht nga të gjitha aktorët politikë, që nuk ka më dublime, dhe ky ka qenë problem përpara shumë zgjedhjeve. Ka një sistem më të mirë të adresave dhe u tha që shumë adresa që deri në vitin 2013 kanë qenë një numër prej 500 mijë adresash me kode të papërcaktuara, ky numër tashmë është reduktuar në një numër minimal. A ka pasaktësi? Ne e dimë që në Shqipëri jo të gjithë e deklarojnë adresën se ku është, por ama një gjë është e rëndësishme: asnjë njeri nuk mund të votojë dy herë në Shqipëri. Kushdo e ka mundësinë të votojë në qendrën ku ka emrin dhe ka kohë të mjaftueshme për të korrigjuar, qoftë të dhënat zgjedhore, qoftë adresën, sepse ato janë të lidhura bashkë. Kjo gjë u vërtetua dhe fatmirësisht mësova që është i njëjti personel që ka punuar që përpara 2013-ës me përjashtim të drejtuesit të institucionit, janë po ata njerëz që punojnë edhe sot në Ministrinë e Brendshme dhe që merren me Regjistrin e Gjendjes Civile. Do të thotë që më shumë është një shqetësim i ngritur politikisht sesa një shqetësim real, megjithatë ne po presim disa propozime nga Drejtoria e Gjendjes Civile për disa nga shqetësimet që ngriti opozita për ti adresuar me akte ligjore dhe nënligjore, e nëse ka gjëra që duhen përmirësuar, ne prandaj jemi këtu, për të bërë maksimumin.


 Pyetje: A do të ketë një shtyrje të afatit apo do të arrini ta përfundoni Reformën në 15 Mars? 

 Gjiknuri: Ka ende shumë çështje të pazgjidhura në tavolinë, por çka është e rëndësishme është që të mos shikoni 15 Marsin si një datë që patjetër ne duhet të kemi të gjithë draftin. Mendoj që nëse brenda 15 Marsit të kemi një dakordësi politike për të gjitha çështjet, mund të marrë 2-3 javë, qoftë dhe një muaj procedura e zbardhjes së tekstit, aprovimi në Kuvend. Pra ky është një proces që duhet të marrë kohën e tij, por e rëndësishme është që në 15 Mars ne të kemi dakordësi për çështjet. Pra, kemi rënë dakord për çështjet dhe ekspertët njëkohësisht do të zbardhin draftet përkatëse. Kështu që mendoj se do të ishte shumë mirë që në 15 Mars ti kishim të gjitha gati, por nëse ne kemi dakordësi, kemi një marrëveshje për të gjitha çështjet për të cilat kemi debate, për mua është sukses i arritur. 

 Pyetje: Z.Gjiknuri po sugjeroni se do të ketë një marrëveshje parimore në mënyrë që të arrihet afati i Brukselit? 

 Gjiknuri: Jo, marrëveshja ka shumë rëndësi për çështjet që ne kemi debate, çdo gjë tjetër është zbardhje, punë ekspertësh dhe çështje teknike. Pra, draftet do të kalojnë në filtrin e duhur, do të marrim dhe opinione përfundimtare nga ekspertët e ODIHR, por e rëndësishme është që ne të biem dakord, pra në qoftë se ne themi që do e kompozojmë KQZ në këtë mënyrë, do e formojmë administratën në këtë mënyrë, do të përfshihet  teknologjia deri në këtë cak, do të jenë këto ndryshime që do të bëhen për çështje të tjera, kuotat gjinore, elementët e financimit. Pra kemi një dakordësi për këto pika të shkruara qartë dhe pse jo një pjesë të mirë edhe në tekst, pjesa e mbetur e kohës mund të shfrytëzohet për të aprovuar atë natyrshëm në Kuvend, qoftë edhe në Prill.
Këtu nuk humbet asgjë, ne kemi një vit e ca kohë nga zgjedhjet e radhës, kështu që kemi shumë kohë dhe në qoftë se do të kemi një Kod Zgjedhor një vit e pak muaj përpara zgjedhjeve të radhës, mendoj se jemi në një kohë të mjaftueshëm për ti përgatitur zgjedhjet siç duhet.

Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm