Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › REZOLUTË PËR QËNDRIMIN E SHQIPËRISË MBI STATUSIN E JERUZALEMIT

Të reja

REZOLUTË PËR QËNDRIMIN E SHQIPËRISË MBI STATUSIN E JERUZALEMIT

08 Feb 2018    

Rezolutë

Nr. ____ 2018

PËR QËNDRIMIN E SHQIPËRISË MBI STATUSIN E JERUZALEMIT

Në mbështetje të neneve …….. të Rregullores së Kuvendit,

Kuvendi i Shqipërisë:

Duke synuar ruajtjen e paqes, sigurisë, stabilitetit, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në rajonin e Lindjes së Mesme;

Duke besuar tek nevoja e kontributit të përbashkët të shteteve dhe popujve në mbrojtje të vlerave, lirisë dhe parimeve universale të mishëruara në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe dokumente të tjerë themelorë;

Duke vlerësuar përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në mënyrë të veçantë Udhërrëfyesin e propozuar nga Kuarteti për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore të konfliktit në Lindjen e Mesme;

Duke rikonfimuar miqësinë dhe partneritetin ndaj Shtetit të Izraelit;

Duke shprehur miqësinë ndaj popullit Palestinez, e duke përkrahur aspiratat e tij për një të ardhme më të mirë dhe njëkohësisht të drejtën për të patur një shtet të qëndrueshëm përmes përpjekjeve diplomatike, në funksion të paqes e sigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme;

Duke iu referuar rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në mënyrë të veçantë, 242 (1967), 476 (1980), 478 (1980), 1397 (2002), 1515 (2003), 1850 (2008) dhe 2334 (2016), si dhe rezolutave përkatëse të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të miratuara ndër vite lidhur me situatën në Lindjen e Mesme, të cilat ritheksojnë nevojën e vijimësisë së përpjekjeve për zgjidhjen e konfliktit përmes bisedimeve;

Duke pasur parasysh pozicionin e qëndrueshëm të Shqipërisë në strukturat e OKB-së në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme, të linjëzuar plotësisht me qëndrimet e Bashkimit Europian që nga vitit 2007;

Duke mbështetur pa rezerva procesin e paqes përmes bisedimeve mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, bazuar në formulën e dy shteteve, në paqe me njeri-tjetrin e me vendet e rajonit;

Duke dënuar demonstrimin e dhunës kundër civilëve, përfshirë nxitjen e urrejtjes mes komuniteteve, shkatërrimit të pronës dhe akteve terroriste;

Kuvendi i Shqipërisë:

I kërkon Qeverisë, që në përputhje me interesin kombëtar, të vijojë të bashkëpunojë për forcimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në tërë rajonin e Lindjes së Mesme, me aleatët dhe partnerët strategjikë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm