Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rilindja Urbane dhe Ekonomike e Himarës dhe Bregut do vazhdojë në mandatin e ri

Të reja

Rilindja Urbane dhe Ekonomike e Himarës dhe Bregut do vazhdojë në mandatin e ri

23 Jun 2017    

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, në takimin elektoral në Himarë:

 

Shumë faleminderit!

 

Sot është dita e fundit e fushatës. Për mua është kënaqësi gjithmonë, të zbres në këtë pjesë të Shqipërisë. Nuk po i numëroj të gjitha arsyet, por më vjen shumë mirë që, duke u kujtuar për takimin elektoral të 4 viteve më parë dhe duke u kthyer me sytë e kujtesës tek ai takim, jam vërtet shumë krenar që ngado t’i kthesh sytë, Himara sot, në këtë breg të sajin, nuk ngjan më me Himarën që ishte, por me Himarën që meritojnë ata që e ndërtuan dhe ata që e vizitojnë.

 

Sigurisht që nuk është mjaft. Ka ende shumë për të bërë edhe këtu në Himarë.

Ne do vazhdojmë ta transformojmë rrënjësisht, siç kemi filluar, të gjithë Bashkinë e re të Himarës. Siç kjo vijë bregdetare, sot është shëmbëlltyrë e një vije bregdetare të një qyteti europian mesdhetar, të një vendi tërheqës për turistët, ju siguroj se në 4 vitet e ardhshme, Rilindja Urbane që ka nisur këtu në zemër të Himarës do të shtrihet në çdo pjesë të saj.

 

Himara vetë do të jetë e lidhur edhe më shumë me pjesën më brenda territorit të saj

historik, që, falë reformës administrative territoriale, ne e konsoliduam dhe tani duhet që potencialin e jashtëzakonshëm të gjithë kësaj zone, që nuk është vetëm det, diell dhe bukuri përrallore pranë detit, por është një mrekulli natyrore deri lart, ta kthejmë në një instrument zhvillimi ekonomik dhe social.

 

Kemi diskutuar gjerë dhe gjatë me kryetarët e bashkive të reja, ku kemi parë me sy vetëkritik gjithë çfarë kemi bërë dhe gjithë çfarë mbetet për t’u bërë në funksion të programit tonë të Rilindjes Ekonomike, të Rilindjes Shoqërore, të Rilindjes Urbane të Shqipërisë. E në 4 vitet e ardhshme, në të gjithë këto zona më thellë bashkive të reja dhe fatmirësisht, në të gjithë Shqipërinë, sepse bukurinë përrallore dhe pasuritë natyrore të Shqipërisë nuk mungojnë që nga koka lart në Tropojë, deri poshtë fare në Konispol, të fillojmë të nxisim fort zhvillimin e agrobiznesit dhe të agroturizmit.

 

Jam i bindur që përmes agrobiznesit, agroturizmit dhe futjes më thellë të rrugëve të zhvillimit dhe futjes më thellë të atyre që vijnë për ta vizituar Shqipërinë, ne mund të bëjmë një transformim shumë të rëndësishëm ekonomik për jetën e familjeve që jetojnë në zona më brenda, më thellë bashkive të reja.

 

Ne kemi një mundësi të madhe ende të pashfrytëzuar edhe për vetë Bregun. Kemi filluar transformimet e Rilindjes Urbane në Dhërmi lart, në Vuno lart, në Jalë poshtë, në Dhërmi poshtë, siç bëmë edhe me Qeparoin, do vazhdojmë edhe me Borshin dhe të gjithë këto pika të banuara nga poshtë Llogarasë deri në Sarandë, do i kthejmë në xhevahire të turizmit, të trashëgimisë kulturore dhe të krenarisë tonë për vlerat që kemi dhe për vlerat që do të krijojmë sëbashku.

 

Sigurisht që duhet kohë. Sigurisht që duhet punë. Sigurisht që duhet durim. Nuk bëhen dot në 44 muaj, të gjitha ato që u lanë në harresë, apo që u rrënuan për çerekshekulli. Por ju keni parë që nuk është vetëm Rilindja Urbane në të gjithë bregdetin, por është një transformim i madh i situatës me rrjetin e furnizimin me energji elektrike. Do të vazhdojmë me këmbëngulje që të plotësojmë të gjitha nevojat për ujë të pijshëm në të gjithë territorin e bregdetit.

 

Sigurisht që pjesë e punës për të vazhduar është dhe ajo që kemi nisur me trajtimin, ashtu siç duhet, të mbejtjeve. Do fillojmë në muajt në vijim edhe zgjerimin e rrugës dhe transformimin e saj në një rrugë me standarde europiane, që nga poshtë në Radhimë, Orikum, Llogara dhe deri këtu në Himarë.

 

Ndërkohë ka filluar rruga e Lumit të Vlorës, e cila zbret këtej poshtë dhe po ashtu do të bëjmë edhe lidhjen me rrugë të Kurveleshit lart më Himarën poshtë.

 

Të gjitha këto do t’i japin shumë më tepër zgjedhje dhe mundësi të gjithë hartës turistike, do t’i japin shumë më tepër fuqi zhvillimit të brendshëm rural, zhvillimit bujqësor, zhvillimit blegtoral, agrobiznesit dhe agroturizmit.

 

Por ju e dini më mirë se unë, që Himara asnjëherë nuk ka menduar thjesht për kokën e saj mbi shpatulla, por ka menduar gjithmonë më shumë sesa kokën e saj mbi shpatulla dhe i ka vënë shpesh Shqipërisë shpatullat, në momente vendimtare.

 

Unë kam shumë besim që këtë herë, Himara do të jetë e bashkuar. Kam shumë besim që këtë herë, himarjotët nuk do ndahen dhe nuk do përçahen nëpër grupe nën flamuj lloj-lloj partish dhe do të bëjnë atë që kanë bërë stërgjyshërit dhe gjyshërit tanë, që shquheshin për kokëfortësi, do të bashkohen dhe kokëfortësisht do të jenë kuqezi, nga i pari tek i fundit.

 

Nuk e di a ka ardhur ky Vangjel Dulja, apo jo, por ajo që dua t’ju them është që Vangjel Dulja e ka fyer rëndom historinë e Himarës. Por këtë herë, Vangjel Dulja ka fyer rënde edhe vetë minoritetin poshtë në zonën e Qarkut të Vlorës. Mua më vjen shumë keq, sepse me të personalisht kam pasur miqësi. Sot jemi pak më ftohtë, se Vangjeli shkoi te Luli dhe kujtoi se unë nuk do takohesha me Lulin, por përtej personales dhe politikës, ka një gjë, të cilën unë dua ta ndaj me gjithë ata banorë që na dëgjojnë atje poshtë, në zonën e minoritetit, në Finiq dhe në Dropull, që Vangjel Dulja nuk meriton asnjë votë nga asnjë minoritar, për faktin e thjeshtë së të gjithë atë retorikë përndezëse, konfliktnxitëse, nacionaliste, e ka përdorur vetëm për ndenjësen e tij. E kur erdhi puna për atë ndenjëse, braktisi të gjithë minoritetin, braktisi të gjithë ata që e kanë krijuar atë parti, që e  kanë mbështetur atë parti, që i kanë dhënë zë asaj partie. Braktisi vetë partinë, e mbylli në garazh si makinë dhe u fut në autobusin e Republikës së Re, në të njëjtën sedilje me Dashin [Dashamir Tahirin].

 

Dashi është shëmbëlltyra  e Vangjelit, por për komunitetin çam, janë njësoj. E nënvizoj këtë për një arsye shumë të thjeshtë. Vangjel Dulen, ne  e bëmë nënkryetar të Kuvendit të Shqipërisë. Është i pari  nënkryetar Kuvendi minoritar në historinë e Shqipërisë pluraliste, për të respektuar minoritetin dhe vetë zotin Vangjel.

 

Zoti Vangjel u tërhoq nga detyra e  nënkryetarit të Kuvendit, sepse u zgjodh nënkryetar tjetër Kuvendi, Shpëtim Idrizi. Unë  e mora vetë në telefon dhe i thashë, pse jep dorëheqjen. Nuk mundem unë, tha, të bashkëjetoj me ata fashistë çamë. I thashë, e para, ata janë shqiptarë si gjithë shqiptarët dhe ti s’ke asnjë të drejtë të vësh në diskutim të drejtën e tyre, edhe si subjekt politik, për t’u përfaqësuar. E dyta, çfarë lidhje ka kjo, ti ke vendin tënd, përfaqëson komunitetin, Shpëtimi  ka vendin e vet, përfaqëson partinë  e tij. Kurrë, tha, nuk bashkëjetoj.

 

E çfarë ndodh tani? Dashi iu thotë çamëve “votoni Vangjel Dulen”, pavarësisht se i ka quajtur çamët fashistë. Vangjeli ju thotë  minoritarëve “votoni  Dashin”. Ndërkohë, qoftë minoritarët, njerëzit e ndershëm, qoftë çamët e ndershëm, komunitetet nuk ia kanë  borxh as Dashit, as Vangjelit dhe as PD-së që e krijoji këtë çift dhe e sjell vërdallë nëpër Vlorë si nusja me dhëndrin. Në minoritet, dhëndri është Vangjeli, tek çamët dhëndri është Dashi. Ndërrojnë fustanin, sipas vendit dhe pretendojnë që pas taksisë së tyre të nisen  votuesit. Shumë janë edhe 50 veta që i shoqërojnë. Edhe nëse janë 50 veta, më vjen shumë keq. Këta 50 veta duhet të kuptojnë që ka plot mënyra të tjera për ta humbur kohën dhe ka plotë mënyra të tjera për t’u turpëruar më me sukses, sesa të shkojë mbrapa këtij çifti.

 

Apeli im për të gjithë çamët dhe të gjithë minoritarët e gjithë Qarkut të Vlorës është, asnjë votë te PD, që këta e përdorin si çarçafin e martesës.

 

Nga ana tjetër dua t’ia bëjë shumë të qartë gjithë atyre, këtu në Himarë e gjithë Qarkun e Vlorës, që janë të djathtë, që janë anëtarë të PD-së, ne nuk kemi asnjë problem me bindjet e tyre dhe me anëtarësinë e tyre në PD. Unë nuk i them të djathtëve bëhuni të majtë, as demokratëve bëhuni socialistë. Unë u flas atyre si shqiptari shqiptarëve dhe u them se 25 qershori është mbi bindjet e secilit, është mbi të djathtën, mbi të majtën, mbi flamujt e partive.

25 qershori është momenti historik, që ne të bashkohemi si shqiptarë, që të gjithë sëbashku të bëjmë të mundur që partitë që valëvisin flamujt në erërat e përçarjeve mes shqiptarëve, që politikanët që zbaviten e zvarriten në batakun e ndasive e që flasin për popullin sa ndizet televizori e sa fiken dritat e skenës së fushatave mendojnë vetëm për vete, vetëm për tarafet e tyre, vetëm për interesat e tyre, ta marrin një mësim të mirë nga shqiptaria.

 

Shqiptaria në 25 qershor duhet t’u thotë këtyre lloj artistëve, këtyre lloj prestigjatorëve, këtyre lloj aktorëve, ndaluni tani, sepse hendeku që keni hapur mes nesh nuk mund të na mbajë më të ndarë. Ne do e mbyllim hendekun në mënyrë që të kemi në 25 qershor një fuqi të bashkuar, jo për të bërë një qeveri të socialistëve kundër demokratëve, por për të bërë një qeveri që ta ketë fuqinë që të qeverisë me ndershmëri, me drejtësi, me dinjitet për të gjithë qytetarët, pavarësisht se janë socialistë, apo janë demokratë.

 

Le të më dalin këtu të gjithë ata që kanë votuar PD-në apo LSI-në e të më thonë çfarë fituan? Përveç disave, kuptohet, që futen nëpër zyrat e shtetit e pastaj i trajtojnë si pronë private dhe e ke votuar, apo nuk e ke votuar atë parti, ata nuk duan t’ia dinë fare. Kur është puna për t’ju qethur si dele, nuk keni as parti, as bindje, asnjë gjë, por keni vetëm kuletën e do ta ndani me partitë e tepsisë së pushtetit, përndryshe nuk merrni hipotekën, nuk merrni licencën, nuk merrni shërbimin. Doni të vazhdoni kështu?!

 

Duan këta demokratët me çdo kusht t’i japin Lulit, një punë që Luli nuk di ta bëjë? Duan ata të tjerët me çdo kusht, të hedhin votën në lumë për të bërë Vasilin Kryeministër? E të tjerë akoma që gënjehen nga ca histori të tjera, me Ben Blushin e me të tjerë, që thonë bëni nga një fëmijë e t’ju jap 1000 euro. Ka gjetur front pune për shqiptarët, edhe me pagesën më të lartë, 1000 euro.

 

Prandaj këta janë të gjithë artistë.

 

Këtu ka plot burra e burrat e kësaj zone mbajnë shënime, kujtohuni, që nga viti 1992, të gjithë vinë në çdo fushatë dhe thonë të njëjtën gjë; do t’i ulim taksat përtokë, do t’ua ngremë shpenzimet në qiell. Kush mund ta hajë që Luli do ushqejë falas të gjithë fëmijët e Shqipërisë, nga çerdhja deri në shkollë të mesme! Më jepni votën thotë dhe ju mos u merrni fare, jua ushqej unë fëmijët. Dje më tha një burrë, edhe kompanitë ajrore po e heqin ushqimin, Luli do na e japë falas. Erdha nga Amerika për të votuar dhe një shihe ujë e pagova.

 

Këta janë për t’i parë e për t’u argëtuar, por votë këta nuk meritojnë. Vota është detyrim patriotik, në 25 qershor.

Të gjithë atyre që kanë zhgënjime, mërzira, siklete i them kaq: Si individë, mund të keni të gjitha arsyet, që po të niseni thjesht nga fakti që për ju vetë nuk ka pasur ndonjë ndryshim, apo ju vetë keni ndonjë mërzi apo ndonjë mëri, në 25 qershor duhet të vendoni në peshore minusin, që mund të jetë edhe për fajin tonë, për dikë, me pluset që i kemi dhënë Shqipërisë, në këto 44 muaj, duke hedhur themelet për të bërë shtet. E secili të shkojë të votojë si patriot, për të dhënë mendimin e vet, kë do marrim në punë për të drejtuar punët e për të bërë më shumë punë për Shqipërinë në 4 vitet e ardhshme. Nëse ia bëni vetes këtë pyetje, merrini me radhë dhe gjykoni, kë duhet me marr në punë?

 

Miqtë e mi,

 

kur kemi ardhur këtu ju kam thënë na jepni besimin të bëjmë për Himarën, çfarë nuk është bërë në çerekshekulli. Besoj që flasin vetë faktet. Tani po ju them, mos na lini peng të njërit e të tjetrit. Mos na ulni më në prehër parti që duan dorën në timon, se pastaj vetëm vonohemi. Gjëja më e rëndësishme që dua t’ju them, nëse doni të shpëtoni nga torturat nëpër prona e nëpër hipotekë, dokumente e licenca dhe me ata policët gri që ju dalin në rrugë si zogj nate, atëherë ka vetëm një mënyrë; Mbyllni sytë, mos shikoni asnjë flamur partie dhe shkoni me sytë flakë, kuqezi, në votim në 25 qershor.

Shumë faleminderit!

 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm