gramoz_ruci

Riorganizimi i partisë, rruga drejt fitores së 2017

Të nderuar delegate dhe delegatë, të nderuar miq e të ftuar në Kongresin tonë.

Siç u tha edhe nga kryetari i Partisë,  ky Kongresi jonë zgjedhor që zhvillon sot punimet e tij, mblidhet tre muaj përpara kremtimit të 25-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Andaj unë do ta nisja fjalën time me një përshëndetje të posaçme për të gjithë ato mijëra gra e burra, vajza e djem që aderuan në forcën tonë politike në këto 25 vjet, që dhanë gjithçka për mbijetesën tonë, për rritjen tonë, për reformimin dhe për arritjet tona 25 vjeçare. Do ta nisja fjalën time për të përshëndetur ato qindra e mijëra kryetarë organizatash, ish drejtues të partisë në komunat e ish bashkitë dhe rrethet, në ish komitetet e kongreset socialiste, duke i përshëndetur për gjithçka që ata kanë dhënë në forcimin dhe konsolidimin tonë.

Do ta nisja fjalën time duke përshëndetur të gjithë ata që kanë përfaqësuar forcën tonë politike si kryetarë bashkish apo komunash, apo që kanë përfaqësuar forcën tonë politike si deputetë në Parlamentin shqiptar. Faleminderit të gjithë atyre për gjithçka kanë bërë duke merituar kështu besimin e elektoratit dhe të subjektit tonë politik. Një falenderim i veçantë shkon për ato gra dhe ata burra që për vite të tëra kanë drejtuar PS-në si anëtarë kryesie apo detyrat e nënkryetarit apo sekretarë të PS-së. Faleminderit pa fund profesorit Servet Pëllumbi, Ismail Lleshi, Spiro Dede, si nënkryetarë të parë të kësaj partie. Faleminderit të gjithë atyre intelektualëve që megjithë ato tituj e grada shkencore si intelektualë të shquar të vendit, lanë auditoret dhe laboratorët dhe u afruan e u zgjodhën në krye të Partisë Socialiste duke dhënë një kontribut të vyer. Faleminderit Xhevat Lloshit, Zabit Brokës, Mojkom Zeqos, Ermelinda Meksit, Et’hem Rukës, Rexhep Mejdanit, Magbule Çeços, Luan Hajdaragës, Maqo Lakrorit, Fatmir Kumbaros, Fatri Sinanit, Luan Shahollarit, Arben Malajt, Sajmira Pinos dhe Edlira Haxhiymerit. Sigurisht ata që duhen falenderuar janë të shumtë që nga Shaqir Vuka e Lil Lalaj, Ylli Bufi e Bardhyl Agasi, Bashkim Zeneli e Ilir Zela, Spartak Poçi e Eduard Alushi, Kadri Rrapi e deri te Kostaq Duka që sot ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por sigurisht dy persona nuk mund të harrohen. Së pari, si njeriu jonë shpirtëror që me mençurinë e tij, me maturinë e tij, me urtësinë dhe me fjalën e tij të pakontestushme që me mendje dhe zemër ka qenë e do vazhdojë të jetë gjithnjë midis nesh le ti urojmë të gjithë bashkërisht jetë të gjatë të dashurit tonë Dritëro Agolli. Dhe së fundi një falenderim të posaçëm në emër të gjithë socialistëve shqiptarë atij i cili që në themelimin tonë mori drejtimin e Partisë Socialiste dhe e vazhdoi atë për 15 vjet rresht;  Atij që dha gjithçka për rritjen, për forcimin, për përballimin e vështirësive të lindjes dhe atë rritjes, të reformimit tonë programor dhe statutorë;  të atij që bëri katër vjet burg për të vetmin faj që kishte bërë, se ishte kryetari jonë; të atij që edhe me aktin e fundit të dorëheqjes në 2005-ën dha modelin e parë dhe të fundit deri tani si leksion demokracie për të gjithë spektrin politik shqiptar.  Faleminderit pra, në emrin e të gjithëve ju, mikut të të gjithë socialistëve shqiptarë Fatos Nanos.

Unë do t’ju drejtohesha të gjithë këtyre që drejtuan si kryetarë organizatash në vite, do t’ju drejtohesha të gjithë atyre që kanë qenë kryetar bashkie e komunash, të atyre dhjetërave deputetë të Partisë Socialiste në vite të atyre ish drejtuesve të Partisë Socialiste në qendër e në bazë, Partia Socialiste është kontributi juaj, Partia Socialiste është mundi juaj, Partia Socialiste është vepra juaj, Partia Socialiste është shtëpia juaj, ajo ju thërret dhe ju kërkon edhe ta falni kur ajo ka gabuar. Ajo u apelon se përvoja dhe kontributi juaj është jetik në çdo kohë për të përmbushur me sukses ëndrrat dhe shpresat për një Shqipëri më të zhvilluar, për një Shqipëri më të integruar në Bashkimin Europian.

Të nderuar delegatë dhe delegate, Kongresi jonë zhvillon punimet ku sapo ka përfunduar procesi i zgjedhjeve të reja në parti në gjithë territorin e vendit. Ne vijmë në këtë Kongres ku për herë të parë pas 25 vjetësh kemi një regjistër elektronik të anëtarësisë së partisë duke pasur për çdo anëtar partie plot 18 të dhëna. Vijmë në këtë Kongres për të patur një anëtar partie për 36 votues, nga një anëtar partie që kishim për 45 votues në 2013-ën. Vijmë në këtë Kongres me një anëtarësi partie ku mbi 71% e saj janë me arsim të lartë dhe të mesëm. Ne vijmë me një ripërtëritje të partisë ku 28% e efektivit të saj është nën 30 vjeç, ne vijmë në këtë Kongres pas një fushate për pranimet e reja në parti ku vetëm për tetë muaj janë anëtarësuar 33050 anëtarë të rinj, prej të cilëve 30% janë shoqe, 1/3-a nën 30 vjeç dhe me arsim të lartë.

Apeli im për të gjithë të rinjtë shqiptar është: Partia Socialiste është partia e përqindjes së të rinjve ku 28% janë të rinj. Partia Socialiste të rinjve u beson si drejtues organizatash ku mbi 1/4-ta e këtyre organizatave drejtohen nga të rinj. Partia Socialiste të rinjtë i beson duke i zgjedhur delegatë të Kongresit, ku 1/3-a e delegatëve të këtij Kongresi janë nën 30 vjeç. Partia Socialiste nuk është vetëm se në këto 25 vjet është e vetmja forcë politike në Shqipëri që të rinjve i’u ka besuar mandatin e deputetit, portofolin e ministrit e më shumë se kaq, atë të kryeministrit pa mbushur 30-vjeç. Partia Socialiste është forca e së ardhmes dhe e ardhmja jeni ju të rinjtë dhe të rejat shqiptare prandaj dhe unë ju ftoj ejani te Partia Socialiste që të ndërtoni  të ardhmen tuaj, me mendjen tuaj, me energjinë dhe duart tuaja se vetëm kështu zhvillimi do jetë më i shpejtë, vetëm kështu arritjet do jenë më të mëdha, vetëm kështu e ardhmja do jetë më e mirë dhe sigurisht që ju do të dini dhe do ta ruani akoma më shumë këtë të ardhme.

Ne vijmë në këtë Kongres me një rritje të pjesëmarrjes së shoqeve në anëtarësinë e partisë, ¼-ta e anëtarësisë së partisë sot janë gra dhe vajza. Partia Socialiste e Shqipërisë e filloi në vitin 1991 me një grua në kryesi, e vazhdoi në 1992-in me dy gra në kryesi, për të ardhur më pas me katër gra në kryesi, e për të arritur në këtë Kongres ku do kemi 50% të Asamblesë Kombëtare të përbërë me gra dhe vajza. Partia Socialiste është forca politike që me reformat e bëra në 2 vjet e gjysëm për herë të parë mundësoi që 50% e këshilltarëve në 61 bashki të Shqipërisë të jenë gra e vajza. Partia Socialiste e Shqipërisë është forca e parë politike në këto 25 vjet që për herë të parë në kabinetin qeveritar ka tetë ministre. Partia Socialiste vlerëson më shumë përulësinë, korrektësinë, urtësinë, mençurinë, dashurinë dhe vendosmërinë si dhe seriozitetin me të cilat gratë dhe vajzat shqiptare bëjnë si gjithnjë punë të mira dhe punë të paqta. Prandaj apeli im për të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare është: Partia Socialiste është partia që ju vlerëson, Partia Socialiste është partia që ju beson dhe ju respekton sepse ju e meritoni si pjesa më e mirë e shoqërisë shqiptare. Prandaj ejani te Partia Socialiste sepse te ajo do të gjeni jo vetëm një derë të hapur por do të gjeni një zemër të hapur.

Fushata e zgjedhjeve të reja në parti bëri një përmirësim të dukshëm në zgjedhjet e kryetarëve të organizatave. Nga kjo fushatë u zgjodhën 4964  kryetarë organizatash ku 45% e tyre zgjidhen për herë të parë, 25% e tyre janë nën 30-vjeç, mbi 10% e tyre janë shoqe dhe 15% e tyre janë me arsim të lartë. Kjo fushatë ishte një proces mëse demokratik për zgjedhjen e delegatëve të këtij Kongresi. Ne jemi e vetmja forcë politike në vend ku delegatët e Kongresit zgjidhen drejtpërdrejtë nga anëtarësia. Në këtë Kongres marrin pjesë 1500 delegatë ku mbi 46% e tyre janë shoqe, 26% nën moshën 30-vjeç dhe 95% e delegatëve janë me arsim të lartë. Delegatët do të kenë siç dihet 4 vjet mandat, mandati i tyre nuk do të jetë thjesht dhe vetëm sa herë mblidhet Kongresi i partisë por ai do të jetë efektiv në çdo organizatë ku ata militojnë do të jenë bërthama e drejtimit të këshillave socialiste të njësive administrative do të jenë vendimmarrës, drejtues e koordinues në asambletë e 61 bashkive sipas Statutit të ri që do të miratojmë. Unë u shpreh të gjithë delegatëve të Kongresit urimet më të mira për të vlerësuar besimin që na ka dhënë anëtarësia e partisë. Por një urim të posaçëm do ta kisha për disa delegate që në konkurimin e zhvilluar dolën fituese edhe me konkurentët e gjinisë tjetër, veçanërisht në disa zona rurale. Pa përmendur këtu ato që konkuruan dhe fituan në zonat urbane. Do të uroja njëkohësisht katër delegatët që përfaqësojnë komitetin kombëtar të veteranëve të luftës antifashiste nacionalçlirimtare, do të falenderoja dy delegatët që përfaqësojnë familjet e dëshmorëve të atdheut, një delegat që përfaqëson shoqatën e invalidëve të luftës antifashiste nacionalçlirimtare, do të përshëndesja katër delegatët që përfaqësojnë konfederatën e sindikatave.

Të dashur delegatë, Kongresi që po zhvillojmë ka një rëndësi vendimtare pasi ai i paraprin betejës së ardhshme të pranverës së 2017-ës, për të cilën unë jam shumë optimist se ne, elektorati shqiptar, do na besojë një mandat të dytë, do na e besojë atë sepse me ne në pushtet u bënë dhe do të vazhdojnë të bëhen reforma shumë të rëndësishme si: kryereforma administrativo-territoriale, ajo për arsimin dhe shëndetësinë, për policinë dhe energjinë, për diplomacinë e mbi të gjitha për drejtësinë për të cilën ne kemi një vit që po punojmë dhe jemi të vendosur për ta bërë atë realitet sa më shpejt. Jemi ne që me ardhjen në pushtet vendosëm ligjin mbi gjithçka dhe mbi këdo, vendosëm kontrollin mbi territorin, vendosëm luftën ndaj informalitetit ,vendosëm forcën e ligjit dhe të shtetit ndaj krimit dhe kriminelëve. Përgjegjësia e këtij Kongresi është shumë e madhe për përgatitjen e partisë për zgjedhjet e pranverës së 2017-ës. Përgatitja e partisë për këto zgjedhje kërkon shumëçka por për mua tre janë jetike.

E para, fryma brenda nesh, nga mënyra se si do diskutojmë dhe sot, çfarë do diskutojmë, nga mënyra se si do ta dëgjojmë dhe do ta respektojmë njëri-tjetrin. Sa kolegjial do të jemi në vendimet që do të marrim edhe kur ndahemi në mendime ta vendosë vota e fshehtë, pastaj ta pranojmë e ta respektojmë. Frymë për mua do të thotë më shumë anëtarësim dhe elektoratin ta dëgjojmë para se të pretendojmë që të gjithëve ne bashkë ai të na dëgjojë. Më shumë takim pune reale dhe më pak takime publicitare, më shumë zgjidhje të problemeve që na adresohen. Dhe së fundi frymë do të thotë ta ndjesh anëtarësinë që ajo të na ndjejë neve. Prandaj këtu është fjala që para telefonave të mbyllur, zyrave të mbyllura, kontaktet burokratike të delegatit të të zgjedhurit në parti apo pushtetin vendor, të të zgjedhurit në Parlamentin shqiptar apo në qeveri, zyrat duhet të rrisin kontaktet njerëzore dhe të hapin zemrën për të gjithë elektoratin dhe anëtarësinë e Partisë Socialiste.

Së dyti, organizimi i partisë do të varet nga rregullat që do të miratojmë dhe sigurisht nga rregullat e forta për të cilat unë kam qenë, jam dhe do vazhdoj të jem. Unë e kam shprehur edhe një herë tjetër se ashtu sikurse familjen e mban morali, ashtu sikurse shtetin e mban ligji, ashtu partinë e mban rregulli. Unë jam për domosdoshmërinë e zbatimit të këtyre rregullave, ky do të jetë edhe reflektimi më i mirë për çdo mangësi të njohur deri tani për mosfunkisonimin siç duhet të institucioneve dhe të organizmit politik. Unë jam për unifikimin dhe zbatim të unifikuar në të gjithë territorin dhe jo të ashtuquajturave projekteve pilote në emër të ashtuquajturave reforma në parti për të krijuar një çorganizim të organizuar, që dëmton frymën që dëmton organizimin dhe që dëmton veprimin politik. Unë jam për një veprim politik si një element i tretë i domosdoshëm të çdo anëtari të partisë, të çdo kryetari të organizatës, të çdo anëtari të këshillit socialist në njësinë administrative, të çdo anëtari të Asamblesë së bashkisë, të çdo deputeti, të çdo anëtari të Asamblesë Kombëtare dhe të çdo anëtari kryesie. Unë mendoj se me këtë frymë, me këtë organizim dhe me këtë veprim politik të të 100 mijë anëtarëve  të partisë që kemi deri më sot, të gati 5000 kryetarëve të organizatave, të 1500 delegatëve që janë të pranishëm, të mbi 300 anëtarëve të Asamblesë Kombëtare që do të zgjedhim, të 63 deputetëve që kemi aktualisht, suksesi elektoral i 2017-ës është i sigurt. Duke përfunduar, rrofshin socialistët shqiptarë, rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë, rroftë Shqipëria. Faleminderit shumë!

*Fjala në Kongres, e kreut të Grupit Parlamentar Socialise, Gramoz Ruçi