Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rregullorja aktuale bie ndesh me Kushtetutën. Përafrimi i saj me Kushtetutën i detyrueshëm

Të reja

Rregullorja aktuale bie ndesh me Kushtetutën. Përafrimi i saj me Kushtetutën i detyrueshëm

19 Jan 2017    

Deklaratë për media e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla:

Më vjen shumë keq që deputeti i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Lulzim Basha, nuk di të bëjë ndryshimin ndërmjet Rregullores së Kuvendit dhe ligjit. Rregullorja e Kuvendit është vendim i Kuvendit që, për fat të mirë 139 deputetët e tjerë e dinë, rregullon punën dhe funksionimin e institucioneve brenda Kuvendit të Shqipërisë dhe funksionimin e punës së përditshme të Kuvendit. Ndryshimet e propozuara në Rregullore janë njoftuar prej shumë kohësh; ato kanë të bëjnë me domosdoshmërinë e momentit për të reflektuar në Rregullore ndryshime kushtetuese të bëra prej disa vitesh.

Në propozimet e sjella, janë sjellë dhe janë transpozuar ndryshimet kushtetuese të vitit 2012, ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, ndryshimet në kodin e procedurës penale,-  dhe sikurse pjesa më e madhe e gjithë mediave këtu prezent e dinë,- edhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Për këtë ka qenë një kërkesë e kahershme. Në rastet kur Kuvendi i Shqipërisë është gjetur në situatën që cilën prej akteve të respektonte, Kushtetutën apo Rregulloren e Kuvendit, është respektuar thjesht dhe vetëm kushtetuta.

Para pak muajsh, në rastin e shqyrtimit në Këshillin e Mandatave të kërkesës së Prokurorisë në rastin e deputetit Saimir Tahiri: nëse Këshilli i Mandateve do t’i ishte referuar Rregullores, do të kishte qenë një gabim; dhe i është referuar Kushtetutës. Të gjendur para kësaj situate, është bërë një përmbledhje tërësore e të gjitha ndryshimeve kushtetuese, e të gjitha vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, edhe të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale me qëllim që institucionet e Kuvendit, Këshilli i Mandateve dhe i Rregullores, Këshilli i Legjislacionit, madje dhe çështje që lidhen me rendin e ditës së Kuvendit të rregullohen, me qëllim që detyrimi ynë për ta pasur Rregulloren e Kuvendit në reflektim të plotë dhe me transpozim të plotë të ndryshimeve kushtetuese në librin e rregullave të Kuvendit të jetë vijuese. 
Ajo që më vjen keq është që personi që ka folur sot, që quhet Lulzim Basha, nuk ditka që ne kemi votuar me 140 vota ndryshimet kushtetuese të një viti më parë, të cilat do t’jua citoj më poshtë: janë fjalë për fjalë siç janë në ndryshimet kushtetuese të vitit të kaluar dhe në ndryshimet kushtetuese të vitit 2012.

Atëherë, mbani mend, kemi bërë ndryshime kushtetuese për kufizimin e imunitetit të deputetit.
Po i marr me radhë për transparencë të opinionit publik, në projektvendimin e propozuar që do të shqyrtohet nesër në Këshillin e Rregullores së Mandatave dhe më pas të jetë gati për shqyrtim në seancë plenare të Kuvendit të Shqipërisë. 
Në nenin 1 të propozimit tonë, i cili ndryshon nenin 13 të Rregullores së Kuvendit, janë reflektuar këto ndryshime kushtetuese:
Neni 69 i Kushtetutës për pikën 5 të ndryshuar, që ka të bëjë me faktin dhe me domosdoshmërinë që nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë pa hequr dorë nga detyra, një sërë funksionesh. 
Reflektimi i pikës 2, që mandati i fituar në kundërshtim me paragrafin 1 të këtij neni, është i pavlefshëm. 

Është transpozuar neni 70, që ka të bëjë me papajtueshmërinë. “Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse.”
Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të Kryetarit të Kuvendit ose të 1/10 të anëtarëve të këtij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatë Kushtetuese.
Është transpozuar neni 71, që ka të bëjë me vlefshmërinë e mandatit të deputetit. Ky është neni i parë i projektvendimit.

Për nenin 2, ka të bëjë me funksionimin e Këshillit të Legjislacionit. Pra, nëse i pari ishte me funksionimin e Këshillit të Mandateve, ky ka të bëjë me funksionimin e Këshillit të Legjislacionit, i cili ndryshon nenin 14 të Rregullores, fjalë për fjalë referimi i nenit 131 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, siç e kemi miratuar me 140 vota në 22 korrik të vitit 2016. Ku është ligji këtu që po ndryshojmë? E kemi në Kushtetutë dhe s’po ndryshojmë ligj, Lulzim, po sjellim thjesht e vetëm Rregulloren, i cili është një vendim i Kuvendit në një linjë me Kushtetutën. Neni 134 i Kushtetutës, përsëri, tek neni 2 i propozimit. 

Shkojmë tek neni 3 i propozimit, që ka të bëjë me rendin e ditës. Për fat të keq kemi pasur deri më sot një Rregullore në Kuvendin e Shqipërisë, që nga viti 2004, se si përcaktohet, çfarë përmban dhe kush e miraton rendin e ditës të seancës plenare. Kemi ecur në mënyrë kutumjare për efekt të traditës, por nuk kishim në Rregullore një nen që rregullonte rendin e ditës. 

Neni 4 i propozimit ka të bëjë me kuorumin. Ka një nen të Kushtetutës, që është neni 78, i cili duhej transpozuar tërësisht në formë dhe përmbajtje. “Kuvendi vendos me shumicën e votave, në prani të shumicës e gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon shumicën e cilësuar.”

Por është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili ishte marrë në vitin 2009; është vendimi 29 i vitit 2009, i cili nuk ishte transpozuar në Rregulloren e Kuvendit. Pra, Gjykata Kushtetuese ishte shprehur për këtë çështje dhe ne ende, nga 2009 deri në 2018, nuk e kishim reflektuar këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese. Nuk po e lexoj para jush, por kush është i interesuar, i vë në dispozicion edhe arsyetimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë. 

Për nenin 5 të propozimit: ka të bëjë me votimin nominal të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët janë të vetmit që kanë mbetur në juridiksionin vendimmarrës të Kuvendit krahasuar me ç’ka pasur më përpara. Të gjithë e dini që Kuvendi më përpara zgjidhte gjithë trupat, edhe anëtarët e Gjykatës së Lartë; nuk i ka më këto Kuvendi. Ndryshimet kushtetuese, neni 125 sipas ndryshimeve të vitit 2016, duhej transpozuar tërësisht në përmbajtje të Rregullores së Kuvendit. Siç e dini, në Gjykatë Kushtetuese 3 anëtarë të saj zgjidhen përsëri nga Kuvendi i Shqipërisë. 

Neni 136 me ndryshimet e vitit 2016, të tjerët nuk i zgjedh më Kuvendi. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar pa të drejtë riemërimi. Më përpara ishte që Presidenti sillte dekretin në parlament, parlamenti shprehej. Kjo është hequr, dhe Rregullorja e Kuvendit nuk mund të kishte më një nen të tillë për diçka që nuk e ka më në kompetencë, ia ka hequr Kushtetuta. 

Neni 6 ka të bëjë me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Me të drejtë, një pjesë e medias ka ngritur shqetësim se Kuvendi i Shqipërisë ka vonuar thoshte një pjesë, s’ka vonuar thoshte pjesa tjetër, zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë nuk kishim një nen që rregullon tërësisht zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Po të duash të bësh opozitë me gjithçka, mund të bësh opozitë me gjithçka. Por nuk mund të bësh opozitë me domosdoshmërinë e reflektimit të Rregullores me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. 

Sipas nenit 2 të propozuar, është synuar përqasje me nenin 131 dhe 134 të kushtetutës dhe është detajuar neni 14 i Rregullores për punën e Këshillit të Legjislacionit, në rastin kur do të analizojë efektin në legjislacion të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Rasti më i parë i mirëfunksionimit të Kuvendit të Shqipërisë, më në fund, pas kaq shumë viteve është nesër, kur do mblidhet edhe Këshilli i Legjislacionit për herë të parë për të bërë një punë vendimesh të Gjykatës Kushtetuese që nga 2009.

Kishim vendim të Gjykatës Kushtetuese për Rregulloren e Kuvendit dhe nuk ishte bërë kjo punë nga Kuvendi!

Neni 7 i propozimit, që ka zgjuar shumë e shumë interesa interpretative; njëri nga ato shkaktoi gjithë këtë zallamahi; që ndryshon nenin 118 të Rregullores. Referimi në Kushtetutë, neni 73, ndryshimi i viti 2012. Kryetare Kuvendi ka qenë znj. Topalli. Merreni nenin e Kushtetutës, nenin 73, dhe shikojeni me nenin 118 të Rregullores, i cili thotë në fund, pika 4: “Për çështjet e parashikuara në paragrafët  2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi merr në shqyrtim çështjen.” Vendimi, thotë Kushtetuta, merret me votim të hapur. E thotë Kushtetuta këtë Lulzim, ja ku është!  Rasti i fundit i Kuvendit të Shqipërisë, Rregullorja e vjetër e Kuvendit thotë se vendimi merret me votim të fshehtë, Kushtetuta thotë se merret me votim të hapur. Tani, nenin në Rregulloren e Kuvendit do ta linim siç ishte i vjetër, apo siç e kemi votuar të gjithë 140 deputetët para një viti në 22 korrik? Sigurisht që do t’i bindemi Kushtetutës, ky është akti themelor dhe në hierarkinë juridike të Shqipërisë është ligji më i rëndësishëm.

Rregullorja nuk është ligj, është një vendim i cili rregullon dhe është detyrimi i Kuvendit të Shqipërisë që në mënyrë periodike të transpozojë të gjitha ndryshimet kushtetuese, të gjitha rregullimet që imponon Gjykata Kushtetuese dhe Kushtetuta t’i vërë në funksionimin e vet.

Do ishte e papranueshme që në një Republikë Parlamentare si e jona, organi më i lartë, Kuvendi

të mos reflektonte ndryshimet kushtetuese në librin e vet të rregullave.

Neni 73 i Kushtetutës, përsëri ndryshim i vitit 2016: "Deputeti mund të ndalohet ose arrestohet kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë. Prokurori i Përgjithshëm ose prokurori i posaçëm njofton menjëherë Kuvendin, i cili kur konstaton se nuk ka vend për procedim, vendos për heqjen e masës". Në Rregulloren e vjetër komunikimin mund ta bënte vetëm Prokurori i Përgjithshëm, në Kushtetutë komunikimin mund ta bëjë drejtuesi i prokurorisë së posaçme që merret me çështjen në fjalë; duhej ndryshuar sepse prevalon Kushtetuta.

Kemi bërë referim në Kodin e Procedurës Penale, është neni 288, amendim i vitit 2017, reflektim i ndryshimeve kushtetuese. Siç është në Kodin e Procedurës të miratuar me shumicë të votave, e kemi futur në Rregullore. Është detyrim! Po e lexoj fjalë për fjalë, neni 288 i Kodit të Procedurës Penale thotë: “Kur ndaj një deputeti duhet të caktohet masa e arrestit me burg ose arrest shtëpie, heqja e lirisë dhe e çfarëdo lloj kontrolli personal ose banese, prokurori kërkon autorizim nga Kuvendi. Kërkesa për autorizim paraqitet kur plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në këtë kod, për kryerjen e veprimeve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni; ajo shoqërohet me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat që mbështesin  kërkesën e tij.”

Ku janë propozimet e Partisë Socialiste për të ndryshuar procedurën?! Kush janë? Ka ndonjë ndryshim të procedurës të përcaktuar nga Kushtetuta dhe nga Kodi i Procedurës Penale këtu?!

Mbetet në vlerësimin e atyre që kanë veshë të dëgjojnë, kanë sy të lexojnë mbi diçka që ishte detyrim i Kuvendit të Shqipërisë. Hapi i rëndësishëm që bëhet përmes këtyre ndryshimeve në Rregullore është që më në fund Kuvendi i Shqipërisë do të ketë një procedurë normale të reflektimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, që është hapi i ri! 

Kuvendi i Shqipërisë qenka vonuar me transpozimin e ndryshimeve të Kushtetutës?

Sigurisht që po. Do të ishte dashur që ndryshimet në Rregullore të ishin bërë menjëherë sapo u bënë edhe ndryshimet kushtetuese. Në këtë kontekst, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste unë dua të vlerësoj, përveç këtyre që përmenda më lart, që tashmë kanë marrë formë dhe janë futur në procedurën normale në Këshillin e Rregullores së Mandateve. Unë mendoj dhe besoj që duhet të ndaj me ju nevojën për një shikim të Rregullores së Kuvendit. E kam ndarë edhe me kolegun Spaho këtë shqetësim prej disa muajsh: për të ndryshuar funksionimin e Kuvendit të Shqipërisë në disa dimensione. Në dimensionin e një agjende të rregullt parlamentare; që do të thotë se nuk mund të jetë në të drejtën e vetme të kryetarit të komisionit për të thirrur mbledhjen e Komisionit, por duhet përcaktuar përmes një agjende javore për të krijuar më shumë kohë në dispozicion të deputetëve për të komunikuar me zgjedhësit e tyre. Jemi i vetmi vend në botë që koha e vetme e vënë në dispozicion të zgjedhësve është vetëm e premtja dhe e shtuna.

Deputeti duhet të ketë minimalisht një javë në muaj kohë për t’iu kushtuar zgjedhësve, nga e hëna deri të dielën; për të qenë një javë në muaj në komunikim me zgjedhësit dhe në detyrën që na ka ngarkuar sovrani për t’i përfaqësuar. Si të përfaqësohen zgjedhësit kur një agjendë normale parlamentare fillon të hënën dhe mbaron të premten. Kemi komisione që funksionojnë edhe të premten. Kjo shkon e gjitha në kurriz të zgjedhësve, për të cilët koha në dispozicion për të komunikuar me ta është e pamundur.

Në këtë kontekst, modelet parlamentare të parlamenteve më të mira në funksionalitet dhe në marrëdhënie me zgjedhësit është në disfavorin e rregullores aktuale. E dini që nuk përcaktohet në Rregullore zhvillimi i seancës që mbahet ditën e enjte? Më gjeni një nen në Rregullore që thotë se seanca zhvillohet ditën e enjte? Ka mbetur traditë që seanca zhvillohet ditën e enjte, por nuk thuhet në asnjë nen të Rregullores që seanca zhvillohet të enjten në orën 10:00.

Janë pra një sërë ndryshimesh, për të cilat kemi nevojë të ulemi.

Mund të thotë dikush se përse Partia Socialiste mori këto ndryshime të njëanshme të Rregullores? Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, anëtarët e Këshillit të Mandateve të Rregullores janë gjendur para situatës që Rregullorja e Kuvendit nuk e përcaktonte se si funksionon procedura brenda Këshillit, kush ka të drejtë të flasë, kush ka të drejtë të bëjë pyetje, etj.

Kjo është një përpjekje e mirë për të rregulluar “gropat” jo funksionale në Rregulloren e Kuvendit. Kushdo është i mirëpritur.

Unë e mirëkuptoj z. Basha, e ritheksoj, deputet i ri. Edhe në seancën më të fundit të Kuvendit të Shqipërisë e tregoi qartë që nuk e njeh Rregulloren e Kuvendit. Ia mirëkuptoj edhe lapsusin e sotëm që doli me të madhe dhe tha se Edi Rama, Partia Socialiste dhe grupi i saj po bëjnë një ligj e të tjera me radhë. Nuk ka asnjë ligj, s’ka se si të ketë ligj, është Rregullorja e Kuvendit që është domosdoshmëri për t’u vendosur në shinat e Kushtetutës dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Neni 73 nuk përmend në asnjë rast fjalën "prova" si detyrim ndaj prokurorisë për të sjellë prova në Këshillin e Mandateve kur kërkon arrestimin e një deputeti. A ju ka nxitur rasti “Tahiri” për të kërkuar këto ndryshime?

Më vjen keq që nuk e kishit mendjen kur unë ju bëra me dije që në këtë procedurë, Këshilli i Mandateve respekton procedurën e përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale neni 288, amendim i vitit 2017. Për transparencë po e rilexoj edhe një herë: “Kërkesa për autorizim paraqitet kur plotësohen kushtet ligjore të parashikuara në këtë kod për kryerjen e veprimeve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni. Ajo shoqërohet me një relacion të arsyetuar, të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën e tij.”

Kodi i Procedurës Penale, ligj që miratohet me shumicë të cilësuar, prevalon.

Rregullorja e Kuvendit në peshë juridike është shumë poshtë krahasuar me Kodin e Procedurës Penale; që do të thotë, prevalon Kodi i Procedurës Penale mbi Rregulloren e Kuvendit. Në rast se nuk do t’i miratojmë fare këto ndryshime, dhe në rastin më të parë që në Këshillin e Mandateve dhe të Rregullores do të paraqitet një rast i ngjashëm, të jeni të sigurt që deputetët anëtarë të këtij këshilli do t’i referohen Kodit të Procedurës Penale, jo situatës inekzistente të kodit të Rregullores së Kuvendit.

Për transparencë të publikut do ju lutesha që të merrni procesverbalin e mbledhjes së fundit të Këshillit të Mandateve, ose të merrni të gjithë procesverbalet e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve për të gjitha rastet që ka pasur Kuvendi i Shqipërisë. Për fat të mirë është bërë një punë e shkëlqyer në kuadër të Reformës në Drejtësi, dhe Kodi i Procedurës Penale e ka rregulluar këtë marrëveshje.

Kushtetuta ia ka lënë Kodit të Procedurës Penale, dhe detyrimi i Kuvendit është që Rregullorja e Kuvendit të sillet në linjë me këto dy dokumente.

Po të drejtën që parashikon se deputeti mund të pyesë prokurorët e çështjes, në cilin nen e keni mbështetur?

Kjo ndodhi dhe u bë. Këtu hyjmë tek rregullimi i marrëdhënies së zhvillimit të një mbledhjeje të caktuar të një institucioni të caktuar të Kuvendit: në rastin e caktuar, Këshilli i Rregullores dhe Mandateve.

Në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë përcaktohet qartë që një deputet, pavarësisht se nuk është anëtar në Komision, ka të drejtë të marrë fjalën por nuk ka të drejtë të votojë. I njëjti parim është ndjekur. Nuk ka asnjë parlament në botë, në një procedurë të ngjashme, që deputetit nuk i jepet e drejta e fjalës; dhe çdo të drejtë që e kanë të gjithë deputetët e tjerë, sigurisht që mund ta ketë dhe deputeti në fjalë. Por ka një gjë të rëndësishme: deputeti në fjalë nuk mund të votojë.

Në fund të fundit vendimmarrja është e pesë apo dhjetë anëtarëve, siç është në rastin tonë. Ndërkohë që disa parlamente të vendeve fqinj, Rumani, Kroaci, etj, kanë një numër më të madh të deputetëve në Këshillin e Mandateve. Ne kemi zgjedhur një formulë që është ndër më të mirat, sepse është një ndarje e barabartë mazhorancë-opozitë. Pra, në Këshillin e Mandateve dhe të Rregullores është barazi; dhe sigurisht që është vendimi përfundimtar i seancës plenare ai që vendos.

Pra e drejta e fjalës dhe e personit të akuzuar ekziston në të gjithë të drejtat themelore të njeriut kudo në botë.

Por për të qëndruar strikt te pyetja juaj, edhe Këshilli i Mandateve të Rregullores ndjek parimin e funksionimit të komisioneve të Kuvendit, ku edhe deputeti në fjalë ka të drejtë të bëjë pyetje dhe të mbajë një fjalë. Siç ju thashë më lart për zhvillimin e seancave të enjteve, që vazhdon si traditë, në fund të fundit duhet që edhe kjo traditë parlamentare e krijuar në këto 27 vite,- ne kemi plot vendimmarrje në punën e Kuvendit të Shqipërisë që vazhdohet për shkak të traditës jo për shkak të rregullores,- duhet ta përkthejmë në nen të caktuar të Rregullores.

Kjo e drejtë që i është dhënë personit për të bërë pyetje, nuk ka asnjë lloj ndikimi në nevojën që Kuvendi i Shqipërisë të shprehet sa më shpejt për rastet e kërkesave që vijnë nga Prokuroria.

Zoti Basha thotë se SPAK do ta ketë të vështirë arrestimin, pasi çdo mazhorancë mund të mos lëshojë deputetin e tij me pretendimin se nuk ka prova.

I fundit në këtë vend që mund të flasë për parime për drejtësinë është z. Basha. T’i themi gjërat troç e të shohim njëri-tjetrin në sy: është një njeri që i është shmangur llogaridhënies pranë prokurorit me raport mjekësor pranë Qendrave Shëndetësore dhe nuk shkonte në Prokurori të jepte shpjegime për shkak se sa herë Prokuroria e kërkonte, ky njeri rezultonte i sëmurë me grip apo ishte jashtë Shqipërisë. Unë nuk merrem me llogjet e Lulzim Bashës. Sot jam para jush për të hedhur poshtë dhe për të sqaruar opinionin publik që e gjithë kjo tymnajë që u ngrit s’paska qenë aspak e vërtetë, sepse edhe në rastin në fjalë ne kemi transpozuar nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale.

Do opozita ta heqim fare nenin 118 të Rregullores? E heqim që nesër.

Në fund të fundit, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, anëtarët e Këshillit të Mandateve do t’i referohen përsëri Kodit të Procedurës. Prokurori i çështjes, që shkon të përfaqësojë institucionin, do t’i referohet nenit 288 të Kodit të Procedurës. Ju thashë, merrni seancën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë, shikoni si e njeh Lulzim Basha Rregulloren e Kuvendit.

Ju mendoni që me këto ndryshime është më e lehtë të veprojë drejtësia mbi deputetët që dyshon apo më e vështirë?

Sot është më e lehtë. Mund të bëheshin një ditë bashkë të gjithë anëtarët e Këshillit të Mandateve për të rregulluar një situatë e cila ishte e parregulluar nga Rregullorja e Kuvendit. Ua kemi hequr këtë të drejtë deputetëve, që të jenë ata që ta ndajnë këtë punë, kërkohet apo nuk kërkohet. Është siç e ka vendosur Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës. Pra, Rregullorja e Kuvendit nuk e kishte të rregulluar, ne nuk do ta shpiknim, do ta merrnim siç e kanë ato, fjalë për fjalë. Besoj që është në respektim të transparencës së publikut që nenet e sipërcituara nga ana ime, qoftë në Kushtetutë qoftë në Kodin e Procedurës Penale, të shikohen dhe të fotografohen me ndryshimet e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit.

Jeni të gatshëm ta kaloni këtë ndryshim në Rregullore edhe pa opozitën?

Procedura e nisur ishte e domosdoshme. Për transparencën tuaj, ju informova më lart që komunikimi me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike për domosdoshmërinë e ndryshimeve të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë ka filluar më datë 22 shtator të vitit 2017. Mbani mend, me kërkesë të Lulzim Bashës në thyerje të të gjithë procedurave parlamentare, në muajin shtator kemi ndryshuar Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë për shkak të një nevoje të brendshme të Grupit Parlamentar të PD-së për të shtuar nënkryetarët e Komisionit. Rregullorja kërkonte paraqitje brenda 10 ditëve, vullneti politik nga ana jonë për të pasur komunikim normal dhe serioz me opozitën ishte, dhe e ndryshuam Rregulloren brenda 2 orësh. Nga momenti i paraqitjes së kërkesës së z. Basha ndaj meje si kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e ndryshuam rregulloren brenda 2 orësh.

Tani pyetja është: A është sot gati Partia Demokratike që ndryshimet në Kushtetutë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale të transpozohen në Rregulloren e Kuvendit? Këtë nuk e di. Besoj se vendimmarrja e tyre duhet të prevalojë mbi nevojat e ditës që ata kanë. Sot ndoshta nuk u intereson që të njohin as Kushtetutën, as vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nevojat e funksionimit normal të Kuvendit të Shqipërisë. Jo pa qëllim Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi, në hapje të sesionit të dytë të kësaj legjislature e theksoi me të drejtë domosdoshmërinë që Kuvendi i Shqipërisë të fokusohet në këtë sesion të dytë në ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, ndryshimet në Kodin e Etikës së Kuvendit të cilat janë detyra për t’u bërë gjatë këtij sesioni parlamentar!

Faleminderit të gjithëve!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm