Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Rruga Europiane e Shqipërisë nuk mund të pengohet nga asnjë kapriço personale e kujtdo individi apo politikani

Të reja

Rruga Europiane e Shqipërisë nuk mund të pengohet nga asnjë kapriço personale e kujtdo individi apo politikani

21 Feb 2020    

Deklarata për media e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Sapo zhvillova një takim me euro-deputeten Isabelle Santos, që është edhe reporterja për Shqipërinë në këtë mandat të ri të Parlamentit Europian. E informova mbi ecurinë e përmbushjes së detyrimeve nga ana e Shqipërisë dhe Parlamentit shqiptar në kuadër të procesit të integrimit europian.

Jemi në një moment të rëndësishëm, teksa pas miratimit të metodologjisë së re për zgjerimin nga ana e Kolegjit të Komisionerëve, mendoj se Bashkimi Europian dhe në mënyrë të veçantë vendet anëtare do  të kenë tejkaluar divergjencat që kanë mes tyre lidhur me shpejtësinë e procesit të integrimit apo me agjendën këtij procesi.

Këshilli Europian i 26 marsit do të jetë një moment i rëndësishëm ku besoj, nisur edhe nga pritshmëritë e përbashkëta të kolegëve të Parlamentit Europian, por edhe të Komisionit Europian, se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do marrin dritën jeshile për fillimin e bisedimeve.

Në këtë kontekst të gjithë aktorët politikë në vend duhet të kuptojnë që e ardhmja europiane e Shqipërisë është projekti më i rëndësishëm që kemi. Për këtë projekt duhet të lëmë kapriçot personale dhe të fokusohemi te ky proces.

Së dyti, gjej rastin ta falenderoj edhe një herë Bashkimin Europian dhe në mënyrë të veçantë Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për drejtimin me sukses të plotë  të Konferencës së Donatorëve. Një sukses që në fillim të kësaj jave u përmbush më së miri me një shumë përtej pritshmërive tona, që do u garantojë më shumë se 14 mijë familjeve shqiptare shtëpi të re.  Për ato familje të prekura që janë në zonat rurale brenda dhjetorit të këtij viti, do të jenë në shtëpitë e tyre të reja. Në muajt në vijim ndërtimi i komplekseve të pallateve në zonat e qytetit të prekura nga tërmeti do të fillojë tërësisht për të rivendosur normalitetin në jetët e familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Pyetje: Z.Balla, nga ana tjetër z. Meta ditët e fundit i është drejtuar popullit për një tubim në datën 2 mars. Si i komentoni ju deklaratat e Presidentit?

Përgjigje: Rruga Europiane e Shqipërisë, të cilën e mbështesin më shumë se 97% e shqiptarëve, nuk mund të pengohet nga asnjë kapriço personale e kujtdo individi apo politikani. Pra, rruga europiane e Shqipërisë sot është më e sigurt se kurrë. Kemi ecur në këto vite në momente të rëndësishme të këtij procesi. Gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat për të cilën as që nuk bëhej fjalë para vitit 2013. Edhe pse brenda Bashkimit Europian ka shumë divergjenca që lidhen me ecurinë e procesit, me të ardhmen europiane, ka edhe politikanë apo individë të cilët harrojnë që halli personal nuk mund ti mbivendoset aspiratës së Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian.

Prandaj kërkoj mirëkuptimin tuaj që të mos harxhoni më kohë kot me transmetime pafund të historive idioteske  me grushte shteti.

Në këtë moment vëmendja e të gjithë shqiptarëve duhet të jetë padyshim tek procesi i rindërtimit për t’u fokusuar te njerëzit që sot kanë më shumë nevojë se kurrë për solidaritet.

Pyetje: A i ndikon aksioni i Presidentit negociatat për Reformën Zgjedhore?

Përgjigje: Kjo është një çështje që i takon opozitës. Presidenti aktual është një prej aktorëve të lidershipit të opozitës. Askush nuk e mohon në Shqipëri që Ilir Meta prej kohësh e ka shndërruar Presidencën në një prej selive të opozitës në vend. Opozita lidershipin e saj. Madje Ilir Meta mund të marrë pjesë lirisht, edhe përse Kushtetuta nuk ja lejon, në tryezat që Lulzim Basha organizon me opozitën në selinë e Partisë Demokratike.

Kjo është një çështje e tyre. Unë si Kryetar i Grupit Parlamentar të shumicës nuk dua të komentoj problemet e brendshme të opozitës.

Ne kemi një dakordësi me Partinë Demokratike, me lidershipin e saj zyrtar për të vijuar bisedimet në procesin institucional të draftimit të një teksti përfundimtar të Kodit Zgjedhor në Republikën e Shqipërisë.

Ky proces ka ecur tejet mirë, për të arritur një draft përfundimtar, i cili më pas hyn në procedurën parlamentare të miratimit  sa më të shpejtë të Kodit Zgjedhor.

Kujtoj gjithashtu se me opozitën Parlamentare dhe me këdo aktor tjetër politik, do të vijojmë një diskutim për të vlerësuar një kërkesë legjitime të aktorëve të rinj politikë për çështjen e sistemit zgjedhor.  Unë e kam thënë dhe e ritheksoj gjithmonë se ne kemi një proces zgjedhor tejet të ri. Dy dekada janë të nevojshme për të testuar një model zgjedhor.

Pyetje: Z. Balla, Kuvendi i Shqipërisë i kërkoi opinion Komisionit të Venecias lidhur me mekanizmat zhbllokues në rastet kur institucioni përkatës nuk bën betimin. Përse e miratuat ju ligjin e betimit me shkrim përpara se Komisioni i Venecias të jepte një mendim për këtë çështje?

Përgjigje: Unë mendoj se duhet sqaruar më së miri kjo çështje që të qartësohet edhe trazimi i shpirtrave në Presidencë.

Në draftin e paraqitur nga deputetët propozues ka qenë një propozim për të vendosur rregullime ligjore edhe me fuqi prapavepruese të cilat në seancë plenare nuk janë miratuar.

Pra, në variantin përfundimtar Kuvendi i Shqipërisë, nisur nga modelet e reja të implementuara me paketën e Reformës në Drejtësi, për të krijuar mekanizmat zhbllokues në çdo rast bllokimi nga një institucion, si përfaqësuesi direkt i sovranit është vlerësuar që në çdo rast asnjë prej autoriteteve të mos pengojë ecjen përpara të procesit të zgjedhjes së institucioneve të reja të drejtësisë në vend.

Kjo është shumë e qartë. Në rast se një partner i besueshëm i ekspertizës më të shkëlqyer juridike në botë, sikurse është Komisioni i Venecias, do të sugjerojë modele të tjera të mekanizmave zhbllokues, kjo do të merret në konsideratë. Por ju kujtoj se Komisioni i Venecias ka mjaft opinione ekzistuese ku ka sugjeruar një mekanizëm të tillë. Pra edhe në raste të tjera të kërkesave nga ana e Shqipërisë për krijimin e mekanizmave zhbllokues, Komisioni i Venecias ka certifikuar një zgjidhje të tillë.

Në asnjë rast, qoftë Presidenti i Republikës, qoftë Kuvendi i Shqipërisë, nuk mund të vazhdojnë më me teka për të dekretuar një institucion kushtetues. Me të njëjtin parim zhbllokues Presidenti nuk mund të dekretojë kur ti teket një autoritet që vjen në vijë të plotë të një procesi kushtetues.

Çdo institucion ka një kohë të kufizuar për t’u shprehur. Nëse nuk shprehet patjetër që kjo kompetencë i kalon një institucioni tjetër. Dhjetë ditë janë kohë e mjaftueshme që një institucion të vendosë për të dekretuar ose jo një propozim.

Pyetje: Z. Balla, Shqipëria është në pritje të raportit të Komisionit Europian. Pjesë e këtij raporti do të jetë edhe klima politike në vend. A do të ndikojë kriza politike dhe institucionale mes mazhorancës dhe presidentit për hapjen e negociatave?

Përgjigje: Ne nuk kemi një krizë me Presidentin, por ka Presidenti një krizë me Ilir Metën. Këtë krizë të Presidentit me Ilir Metën, duhet ta zgjidhë Presidenti me Ilir Metën.

Ilir Meta duhet të ndajë përfundimisht nëse do të vazhdojë të jetë një prej liderëve të opozitës apo do të vijojë të jetë President i Republikës. Ne nuk kemi asnjë krizë me Ilir Metën. Ilir Meta është një institucion në hetim parlamentar në një Republikë Parlamentare sipas Kushtetutës për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Ka pasur një kërkesë të më shumë se 55 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët kanë referuar disa akuza të karakterit kushtetues lidhur me shkeljet e Presidentit të Republikës. Është Komisioni Hetimor Parlamentar që ka kërkuar dhe mendimin e Komisionit të Venecias.

Nëse Kuvendi i Shqipërisë voton me 94 vota shkarkimin e Presidentit, ky vendim kalon për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Në aspektin e të drejtës kushtetuese dhe respektimit të paanësisë së institucioneve e gjithë beteja e Presidentit të Republikës në emër të Gjykatës Kushtetuese më duket si përpjekja e një personi të vendosur në akuzë që sulmon gjyqtarin e çështjes. Ka pasur plot raste personash të vendosur para drejtësisë në Republikën e Shqipërisë që sulmojnë apo atakojnë anëtarët e trupës gjykuese.

Kjo është një çështje e tij dhe jo çështje e jona.

Hallet e shqiptarëve janë tërësisht të ndryshme nga halli i Ilir Metës.

Faleminderit!

 

 

 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm