Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Shembulli i harmonisë fetare në Shqipëri është modeli më i vyer që ne jo vetëm duhet ta mbrojmë, por edhe të mund ta eksportojmë në një Europë të bashkuar

Të reja

Shembulli i harmonisë fetare në Shqipëri është modeli më i vyer që ne jo vetëm duhet ta mbrojmë, por edhe të mund ta eksportojmë në një Europë të bashkuar

16 Nov 2018    

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla në Sesionin e II të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe:

38 vite më parë, më 17 tetor 1989, humanistja e madhe shqiptare Nënë Tereza u nderua me çmimin Nobel për Paqen. Shqiptarja Gonxhe Bojaxhi u ngjit në tribunën, ku janë ngjitur njerëzit më të shquar të botës nga të gjitha fushat. Veshur me sarin e grave indiane e pranoi çmimin vetëm sepse një pranim i tillë do t’u vlente të varfërve, të cilëve ajo u dedikoi jetën e vet.

Siç kujtonte vetë Nënë Tereza: “Ishim mbledhur në një sallë për dorëzimin e çmimit dhe sapo m’u dha mundësia të flas thashë - meqë jemi mbledhur të gjithë për të falenderuar Zotin për Çmimin Nobel për Paqen mendoj se do të ishte vërtet e bukur të luteshim për paqen. Të gjithë së bashku me lutjen e Shën Françeskut:  Zot më bëj lajmëtar të paqes tënde, filluan të gjithë të luten.  Ishte diçka vërtet tronditëse, prekëse, e mrekullueshme, luteshin të gjithë ndonëse siç dihet numri i katolikëve në Norvegji ishte shumë i vogël”, - mbyllte kujtimin e vet shenjtorja jonë Nënë Tereza.

Të nderuar zotërinj,

Kryetarë të parlamenteve të Shqipërisë, të Maltës, të Parlamentit Pan-Afrikan të Lidhjes Arabe,

I nderuar President i Këshillit Global për Paqen dhe Tolerancën, të nderuar senatorë, deputetë nga katër kontinente të globit, anëtarë të Parlamentit Ndërkombëtar për Tolerancë dhe Paqe,

Zonja dhe zotërinj ambasadorë,

Të nderuar pjesëmarrës,

Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në atdheun e Nënë Terezës në këtë sesion të dytë të Parlamentit Ndërkombëtarë për Tolerancë dhe Paqe!

Sot më 16 nëntor, në Ditën Botërore të Tolerancës, Shqipëria ka nderin të ketë kryesimin e këtij Parlamenti global, qëllimi i të cilit është veçse të na bëjë bashkë të gjithëve përfaqësues të popujve dhe besimeve të ndryshme, në përpjekjen tonë të përbashkët për më shumë tolerancë dhe për më shumë paqe në botë.

Me shumë përulësi unë dua që t’i shpreh mirënjohjen krerëve të komuniteteve fetare shqiptarë që janë sot këtu të pranishëm, sepse në fund të ditës, ne politikanët shqiptarë krenohemi me bashkëjetesën fetare, por janë këta njerëz që sot i kemi në sallë, ata të cilët i japin kësaj bashkëjetese frymën e përditshme. Shumë faleminderit!

Shqipëria ka një të ardhme të projektuar qysh prej të parëve tanë në gjirin e kombeve të qytetëruar të Europës dhe që sot është në një moment kyç në rrugëtimin drejt Europës. Të gjithë ne ndodhemi përpara një sfide të re, pavarësisht dallimeve tona, pavarësisht ndarjeve natyrale mes besimtarëve të feve të ndryshme.

Shembulli i devotshmërisë ndaj vëllazërisë ndër-fetare dhe i bashkekzistencës së të gjitha komuniteteve në paqe, tolerancë dhe harmoni është modeli më i vyer që ne jo vetëm duhet ta mbrojmë, por edhe të mund ta eksportojmë në një Europë të bashkuar, e cila edhe vetë duhet të prevalojë mbi diferencat fetare.

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria është një vend i rëndësishëm në rajonin e trazuar të Ballkanit e ku Shqipëria eksporton veçse paqe, tolerancë dhe stabilitet.

Ne besojmë se rruga jonë europiane dhe e Rajonit kalon pikërisht përmes normalizimit të marrëdhënieve këtu në Ballkanin Perëndimor si një proces dinamik ku dialogu i vazhdueshëm, pa tabu, aspak me komplekse, rimëkëmbë besimin te vetja dhe te fqinjët.

Këtë qasje parimore realiste dhe pa tabu ne shqiptarët do të vijojmë të kemi përkundrejt të gjitha mosmarrëveshjeve që kemi apo kemi pasur me fqinjët tanë të mbartura nga e kaluara.

Sot dhe këtu në këtë Parlament Global kemi përfaqësues nga vende të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën. Unë do të doja që secili prej jush të bëhej ambasador i procesit të njohjeve të mëtejshme të Kosovës, sepse ky është një kontribut shumë i vyer në dobi të paqes, stabilitetit dhe progresit të rajonit tonë.

Shumë faleminderit përfaqësueses së Parlamentit Pan-Afrikan që u vetëshpreh për t’u vënë në dobi të këtij procesi.

Objektivat për paqen dhe tolerancë në kohën që jetojmë përfshijnë, përveç kuptimit të tyre primar, më shumë respekt për të drejtat e njeriut, forcim të legjislacionit kundër çdo forme diskriminimi, racizmi, sektarizmi dhe dhune.

Ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë për t’i dhënë më shumë mbështetje grave dhe të rinjve për të qenë aktivë dhe efektivë në shoqëritë tona si një nga mënyrat më të mira për të kontribuuar në përballjen me sfidat ekonomike, sociale dhe kulturore.

“Agjenda 2013” dhe 17 objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të lidhura me të, të cilat u miratuan në Samitin e Kombeve të Bashkuara të zhvilluar në New York më 25 shtator 2015 nga 193 shtete anëtare të OKB-së përfshirë edhe Shqipërinë, synojnë zhdukjen e varfërisë ekstreme duke luftuar pabarazinë, fuqizimin e rolit të grave dhe vajzave, mbrojtjen e burimeve natyrore, përmirësimin e qeverisjes, inkurajimin e një rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, si edhe përqendrimin e përpjekjeve kolektive për të siguruar që ata që kanë më së shumti nevojë të mund të kenë një shans të barabartë në jetë.

Objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm nuk janë tërësisht të reja, jetët e miliona njerëzve janë përmirësuar falë punës së përbashkët për të arritur objektivat e zhvillimit të mijëvjeçarit.

Arritjet e këtyre objektivave janë të fuqishme dhe inkurajuese sikurse edhe në Shqipëri.

Ka pasur progres domethënës në pakësimin e varfërisë, kontrollin e sëmundjeve dhe aksesin në rritje në zhvillimin në infrastrukturë në plotësim në arritjen e objektivave në zhvillim të mijëvjeçarit.

Por çfarë sjell “Agjenda 2030” si risi?

Është një pikënisje e cila inkurajon të gjitha vendet në botë, qoftë të zhvilluara ose jo, të punojnë për të përmbushur 17 objektivat globalë për të nxitur prosperitet dhe mirëqenie për të gjithë dhe pa asnjë dallim në 15 vitet në vijim.

Motoja e kësaj agjende është: Mos lër askënd pas! Kjo moto tingëllon aq realiste në kontekstin e secilit prej vendeve tona edhe këtu në Shqipëri, në vazhdën e përpjekjeve tona dhe reformave që kemi marrë përsipër.

Ne sot do të miratojmë deklaratën e Tiranës, e cila do t’u shkojë jo vetëm parlamenteve të vendeve që sot kanë përfaqësues këtu, por të gjitha vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Punë të mbarë punimeve të Parlamentit Ndërkombëtar për Paqe dhe Tolerancë!

Faleminderit që jeni të gjithë sot në Shqipëri.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm