Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Shqipëria është në një moment historik!

Të reja

Shqipëria është në një moment historik!

16 Jun 2019    

Fjala e kryeministrit dhe Kryetarit te Partisë Socialiste Edi Rama, në Pustec:

 

Shumë faleminderit për praninë tuaj këtu!

Dje pata një komunikim me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe i thashë që isha në Korçë dhe sot do isha në Pustec dhe më kërkoi që t’ju lexoj një mesazh të shkurtër që më çoi në telefon, enkas për këtë takim kështu që unë po e lexoj, duke e përkthyer direkt nga anglishtja në mesazh. “Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë dy partnerë të ngushtë. Ne punojmë sëbashku për të mirën e qytetarëve tanë. Shumë shpejtë do të jemi aleatë në NATO dhe e ardhmja jonë e përbashkët është në Bashkimin Europian. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë vendet e kombeve dhe njerëzve shumë të afërt me njëri – tjetrin, Maqedonasit dhe Shqiptarët. Ne jetojmë sëbashku, krah për krah, respektojmë njëri-tjetrin dhe dallimet tona dhe rrisim sëbashku mirëqenien, pikërisht sepse qëndrojmë krah më krah, në të mirë dhe në të keq. Unë besoj se shoku im, (do me thënë, Edi Rama), është i angazhuar për të respektuar dhe për të mbrojtur identitetin kulturor dhe identitetin e maqedonasve në Shqipëri, ashtu sikundër dihet se unë jam, (Zorani në këtë rast), i angazhuar të respektoj dhe të mbroj trashëgiminë kulturore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Unë besoj se ai, (do me thënë unë), do të punojë sëbashku me ju për të përmirësuar edukimin, shërbimin shëndetësor, infrastrukturën dhe për të sjellë rritje dhe progres për secilin, në të njëjtën mënyrë që dhe unë nga ana ime po bëj çmos për të përmirësuar jetën për secilin në Maqedoninë e Veriut. Të fala, Zoran Zaev.

E vërteta është që jemi dy popuj absolutisht miq dhe vëllezër.

E vërteta është që mes nesh nuk ka asnjë problem, nuk ka asnjë çështje të hapur dhe e vërteta është që falë kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, populli shqiptar në Maqedoninë e Veriut që është dhe një popull shtet formues për Maqedoninë e Veriut, sëbashku me popullin maqedonas ka parë që të avancohen pozitivisht çështje delikate dhe çështje të rëndësishme të axhendës së barazisë së plotë mes të dy popujve, në shtetin mik dhe fqinj.

Këtu, ne kemi një minoritet të vogël në numër, por nuk ka rëndësi numri, kur vjen fjala për minoritetet. Ka rëndësi prania e tyre dhe nuk është numri sa i madh apo sa i vogël është një minoritet, por është pikërisht pasuria kulturore, pasuria identitare që minoriteti përbën për një shtet, për një vend, për një popull dhe parë në këtë këndvështrim, mua më vjen mirë që ne kemi bërë diçka, nuk kemi bërë shumë, kemi bërë diçka dhe kemi mbështetur këtë projekt ku jemi këtu, për këtë qendër të vogël të Pustecit, si një bashki që siç e tha dhe Pali, ka një potencial të jashtëzakonshëm natyror, ka një komunitet fantastik njerëzish të mirë, njerëzish punëtorë, njerëzish që respektojnë ligjin, respektojnë shtetin dhe respektojnë njëri-tjetrin, por e vërteta është siç e tha Niko, që nuk është se kemi pasur edhe mundësinë të them të drejtën që të bëjmë më shumë sepse e kemi pasur shumë të vështirë me bashkinë tuaj.

Ne kemi qenë respektues, kemi parë të arsyeshme që të mbështesim një proces brenda këtu që të mos bëjmë dallime partiake, të mos bëjmë beteja politike këtu brenda në komunitet, duke qenë të prirur gjithmonë ta shikojmë këtë, si një komunitet të unifikuar rreth identitetit të vet, por mesa duket nuk na ka dhënë kjo ndonjë rezultat për të qenë si të thuash të kënaqur. Kështu që, këtë herë, ne vendosëm që të mbështesim një kandidat që përsëri del nga radhët tuaja, del si një njeri i komunitetit, jo si një kuadër partie po themi dhe e konfirmoj dhe unë atë që tha Nikua në prezantimin që bëri për Palin, që jo vetëm që nuk kemi dëgjuar askund asnjë fjalë të keqe, por përkundrazi kemi dëgjuar vetëm mirë dhe jam i bindur që kjo është zgjedhja e duhur, kjo është zgjedhja më e mirë, kjo është zgjedhja për të cilën ka nevojë komuniteti, që i bashkuar, në 30 qershor duhet të votojë për Palin dhe unë ju siguroj se ne do të bëjmë çmos që të mbështesim.

Unë e di shumë mirë që këtu ka probleme absurde, mungon uji, mungonin kanalizimet.

Një projekt me bankën gjermane për zhvillim është duke u diskutuar.

Është një projekt 4.6 milionë euro që vjen si rezultat i një interesimi real për potencialet që ka zona, por patjetër që nuk mjafton. Ne kemi dhe Zaroshkën që e kemi përfshirë në 100 fshatrat dhe kemi shumë besim se, duke krijuar disa mundësi, me siguri zgjedhja e Palit do të jetë një fillim i mbarë dhe pastaj në katër vite, me siguri ne do të mund të krijojmë një ndryshim të prekshëm, siç e kemi krijuar për hir të vërtetës, në çdo bashki ku kemi drejtuar me kandidat të zgjedhur prej nesh.

Nuk dua të marr kohë shumë dhe të bëj shumë fjalë lidhur me situatën. Ju e ndiqni, e shikoni situatën, e shikoni se si Shqipëria është në një moment historik, ashtu si dhe Maqedonia e Veriut, presim të dyja vendet çeljen e negociatave, por për fat të keq, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria është në një përpjekje të brendshme për t’i shpëtuar një kurthi të ngritur nga brenda prej njerëzish që synojnë pikërisht pengimin dhe refuzimin e negociatave për anëtarësim nga bashkimi Europian. Kjo është një fatkeqësi. Unë dje bëra një prononcim për një tjetër mik të mirë, që është presidenti i Maqedonisë së Veriut, lidhur me një deklaratë të bërë prej tij, ku lexova në një mënyrë të nënkuptuar që problemet në Shqipëri, nuk duhet të jenë pengesë për Maqedoninë e Veriut dhe se nënkuptimi shkonte që mund të ndahen në trajtimin e tyre. Në fakt, Presidenti më shkruajti edhe u sqaruam lidhur me këtë deklaratë, por e vërteta është që ka një dallim të rëndë, një dallim për të ardhur keq për ne.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut është pjesë e përpjekjes së popullit, të shtetit, të qeverisë së tij për të bindur vendet anëtare, për të bindur Këshillin Europian se duhen çelur negociatat. Presidenti i Shqipërisë është pjesë e përpjekjes për të kundërtën. Është pjesë e përpjekjes për të krijuar deri në fund, një dyshim që të kthehet në bindje tek disa nga vendet apo tek ata që ne duhet t’i bindim sëbashku se Shqipëria nuk meriton çeljen e negociatave.

Me sjelljen e tij, me qasjen e tij, me brutalitetin dhe me papërgjegjshmërinë me të cilën ai trajton Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me ndërhyrjen skandaloze në procesin zgjedhor, në funksion të plotë të një plani, ku ai është koka sëbashku me Sali Berishën dhe ku Lulzimi dhe fallxhorja janë thjeshtë dhe vetëm marionetat e tyre, Presidenti na bën të gjithëve të na vijë zor, na bën të gjithëve të ndihemi të sëkëlldisur dhe pse jo edhe të turpëruar, pasi është diçka e pa ndodhur më parë dhe diçka që Shqipëria nuk ia ka borxh Ilir Metës, i cili sot duhet të ishte avokat kryesor për meritën e Shqipërisë për të çelur negociatat. I cili sot nuk duhej të merrej me filxhanin e fallxhores, por duhej të merrej me përpjekjet për të takuar homologë, për të udhëtuar në kryeqytetet europiane, për të folur për rëndësinë e çeljes së negociatave dhe nga ana tjetër duhej të merrej me qetësimin e fallxhores dhe të ndalonte kafen turke në shtëpi, deri në ditën 30 qershor dhe me qetësimin e doktorit, për të cilin nuk lë rast pa thënë se është shumë krenar që e ka mik të vjetër dhe t’i thoshte doktorit, “mbylle Lulin në shtëpi, deri në 30 qershor Luli të rrijë brenda”. E ju e dini shumë mirë që doktori e mbyll Lulin brenda. Çfarë i kushtonte Ilir Metës ta ndalonte kafen turke deri në 30 qershor? Mjafton të ndalonte Ilir Meta kafen turke dhe nuk kishte më situatë sa qesharake, aq dhe të rrezikshme me një grusht njerëzish që dalin pa pikën e turpit nëpër televizor dhe kërkojnë të tmerrojnë shqiptarët që do bëhet nami, do vijë ’97 e të tjera e të tjera dhe me një opozitë që drejtohet nga njerëz që kërcënojnë gjithë ditën, që gjithë ditën merren me llafe, me britma, me klithma dhe me mallkime. Kanë filluar dhe mallkimet kthehen në kategori politike, mallkon fallxhorja, del mallkon dhe Neritan Ceka. E patë Neritan Cekën apo jo? Kishte thënë që jam gati të bëj një garë me Edi Ramën kush ngjitet më shpejt në kat të parë, meqë kisha thënë që është 70 e ca vjeç. Unë nuk e kisha në kuptimin që ai nuk ngjitet dot deri në kat të parë, unë e kisha që si i bëhet që të zbresë nga kati i dytë me këmbë në tokë.

Mallkojnë popullin, për çfarë? Për hallin e tyre dhe ju e dini shumë mirë çfarë halli kanë ata. Jo Neritanin, se Neritanin e ka zënë tartakuti thjesht, nuk ka ndonjë hall, por e ka pickuar gjarpri, që ka dalë në filxhan dhe kishte dalë Neritani nga filxhani që dukej sikur kishte dalë xhindi nga shishja dhe thoshte “haram qumështi kush shkon të votojë” dhe histori të çuditshme. E kanë kthyer luftën politike, nga një luftë idesh në një udhëtim psikiatrik, sa në një televizor në një tjetër, sa në një portal në një tjetër. Megjithatë, nuk është se çështja është e thjeshtë, por e sigurt është që këtu nuk ka asnjë rrezik, nuk ka asnjë kërcënim real. Kjo është e gjitha një furtunë në filxhan dhe si e tillë edhe do të tretet, bashkë me ata që duan të mbjellin frikë dhe nga frika e tyre do të treten.

Ne kemi shumë punë për të bërë. Ne nuk i kemi bërë të gjitha punët shumë mirë. Ne kemi bërë gabime pa diskutim, kemi dobësi dhe të meta, por një gjë është e sigurt, besoj që mund të thuhen me plot gojën që, në mos nuk jemi dot më të mirët që mund të imagjinohen, më të mirë se ne nuk ka.

Kështu që edhe një herë shumë faleminderit dhe shumë faleminderit dhe për këtë moment freskie në këtë fushatë, që mundëm të marrim pak frymë pas gjithë atyre udhëtimeve nën saçin e nxehtë mbi kokë. Ju siguroj që do të rikthehem përsëri bashkë me Nikon për të folur, jo më për fallxhoren, as për 30 qershorin, por për të folur me Palin, me komunitetin këtu për projektet që do të bëjmë pas 30 qershorit.

Ne nuk ju premtojmë asnjë mrekulli, nuk premtojmë dot asnjë magji se magjitë i bëjnë ata që shohin filxhan.

Ne ju premtojmë vetëm një gjë me siguri, që do të jemi me ju, do të jemi pranë jush dhe sëbashku me Palin do të punojmë për ju të gjithë pa bërë asnjë dallim. Ju jeni këtu në shtëpinë tuaj dhe Zoti ka qenë me thënë të drejtën shumë bujar me ju, ju ka dhënë një copë natyrë të qëndisur me merak.

Duket sikur e ka qëndisur ditën e diele, që ka qenë pushim dhe nuk ka lënë asgjë mangët, por nga ana tjetër, dora e njeriut ka munguar dhe ne do bëjmë çmos që të shtojmë këtu punën e dorës së njeriut, të gjithë sëbashku.

Shumë faleminderit, shumë respekte dhe me një falenderim të posaçëm për disa zonja të moshuara që kanë marrë mundimin që të vijnë e të më dëgjojnë dhe duke shpresuar që gjithë të rinjtë e të rejat e zonës do të bashkohen për të votuar Palin, unë ju uroj një fund dite të mbarë dhe mbarësi e shëndet në familjet tuaja!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm