Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Shqipëria ka nisur një proces të rëndësishëm parapërgatitor për hapjen e negociatave zyrtarisht në verën e vitit të ardhshëm

Të reja

Shqipëria ka nisur një proces të rëndësishëm parapërgatitor për hapjen e negociatave zyrtarisht në verën e vitit të ardhshëm

21 Aug 2018    
Deklarata e përbashkët për media e Kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla me  deputetin  gjerman të SPD, Jasip Juratovic:
 
Fjala e plotë e deputetit Balla: 
 
Është një kënaqësi e madhe të presim këtu në Kuvendin e Shqipërisë, një delegacion me një numër të madh anëtarësh, të kryesuar nga dy deputetë nga Bundestagu gjerman.
 
Së pari, nga z. Jasip Juratoviç, i cili është Kryetari i Grupit të Miqësisë në Bundestagun gjerman me vendet e Europës Juglindore; anëtar i Komisionit të Politikës së Jashtme prej shumë vitesh dhe një  ekspert i Grupit Parlamentar Social-Demokrat në marrëdhëniet me vendet e Europës Juglindore dhe me Shqipërinë.
 
Po ashtu edhe z. Martin Roseman, i cili është edhe ai deputet i Bundestagut, përfaqësues i Partisë Social-Demokrate dhe zëdhënësi i saj për Çështje të Punës dhe Çështjeve Sociale.
 
Edhe në këtë takim tjetër me përfaqësues të Bundestagut gjerman fokusi i bisedës tonë është rruga tashmë e skicuar nga ana e Këshillit Europian në procesin e bisedimeve për anëtarësim.
 
E informuam delegacionin mbi punën e kryer përgjatë muajit korrik dhe gusht, e cila ka të bëjë pikërisht me procesin “pre-screening ”, i cili është një proces teknik, ku ne jemi duke bërë tashmë inventarin e ligjeve, por edhe të sjelljeve institucionale në përputhje me normat e Bashkimit Europian.
 
Për ne ka një rëndësi të madhe politike që rrezja e influencës së Bashkimit Europian të penetrojë në të gjitha themelet e funksionimit të institucioneve shqiptare.
 
Po ashtu, pjesë e bisedës sonë ishte një informim lidhur me ecurinë e deritanishme të Reformës në Drejtësi, të rezultateve konkrete të procesit të Vettingut, ku së bashku me kolegët gjermanë ndamë bindjen sesa i rëndësishëm paska qenë procesi i Vettingut, po të kemi parasysh se nga 76 përfaqësues të sistemit të Drejtësisë,  të cilët kanë kaluar deri tani në procesin e Vettingut, pothuajse më shumë se gjysma nuk e kanë kaluar atë.
 
Kjo tregon se sa i thellë ka qenë korrupsioni, sa e thellë ka qenë mungesa e përgatitjes profesionale apo edhe problemet  e lidhjeve me botën kriminale brenda sistemit të Drejtësisë. 
 
Kështu që ne jemi duke vazhduar procesin e konsolidimit të reformave dhe për këtë kemi informuar miqtë gjermanë.
 
Një pjesë tjetër ka qenë bashkëpunimi  mes dy grupeve të miqësisë në funksion të rritjes së prezencës së kompanive të mëdha gjermane. Dua të theksoj që dy deputetët gjermanë vijnë nga një prej landeve më të rëndësishme ekonomike gjermane dhe u kam kërkuar dy deputetëve që kompanitë e këtij landi, të shohin ofertën ekonomike, potencialin e rëndësishëm ekonomik që ofron Shqipëria.
 
Në fund, dua t’ju informoj që duke qenë se ka shumë shqiptarë e shqiptare, të cilët janë përfitues të kontratave të punës në Gjermani, të rregullta, të vlerësohet mundësia e ndryshimit të procesit të marrjes së vizave të punës. Po të kemi parasysh që ky proces aktualisht zgjat edhe me muaj.
 
Shqipëria nuk është më një vendburim azili, por është një vend tek i cili Gjermania gjen një partner të rëndësishëm në Rajon.
 
Fakti që djem dhe vajza të reja shqiptare, profesionistë, kërkojnë që të angazhohen në tregun gjerman të punës, kjo do të thotë që procedurat duhet të jenë edhe më të lehta.
 
Fjala e deputetit  gjerman të SPD, Jasip Juratovic:
 
Shumë faleminderit që më pritët.
 
Me z. Kryetar patëm një bisedë shumë të ngrohtë si unë edhe kolegu im Martin Roseman, i cili është anëtar i Grupit për Punësimin dhe Çështjet Sociale, si edhe anëtar i Grupit Parlamentar për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vendeve të Europës Juglindore. Misioni ynë në Shqipëri këtë herë ka një karakter rajonal. Ne jemi duke zhvilluar një tur, të cilin  e filluam me Tiranën, do e vazhdojmë me Podgoricën, do e vazhdojmë me Shkupin dhe do e mbyllim me Prishtinën  në mënyrë që të krijojmë një imazh tonin lidhur me zhvillimet në vend. 
 
Për ne është e rëndësishme që të konstatojmë elemente pozitive, të cilat më vonë do t’i përdorim si argumente pozitiv në kuadrin e procesit të anëtarësimit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk janë ende anëtarë të Bashkimit Europian.
 
Unë vetë përfaqësoj perspektivën, që ky është një proces që duhet të filloj shpejt, çelja duhet të fillojë shpejt në mënyrë që  të vazhdohet me reformat. 
 
Unë konstatova në Shqipëri reforma të kënaqshme, siç është Reforma në Drejtësi. Këto janë argumente të rëndësishme për Gjermaninë që të bindë jo vetëm veten e saj, por edhe 27 vendet e tjera anëtare të Bashkimit Europian për zhvillimet pozitive.
 
Shqipëria është pjesë e Rajonit dhe ne jemi duke vizituar Rajonin për të konstatuar rëndësinë e perspektivave ekonomike dhe sociale.
 
Ne u informuam lidhur me ekzistencën e fuqisë punëtore në Shqipëri. Bizneset e huaja janë të interesuara për tregje të mëdha. Shqipëria me 3.5 milionë banorë është një treg relativisht i vogël, por në këtë këndvështrim bashkëpunimi rajonal i mbështetur fuqishëm nga Procesi i Berlinit merr një rëndësi edhe më të madhe. 
 
Në kuadër të bashkëpunimit rajonal është e rëndësishme ngritja e infrastrukturës, furnizimi me energji, në mënyrë që në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, Rajoni dhe Shqipëria të bëhen interesantë. 
 
Unë do të doja  të përshëndesja mesazhin që përcolli miku im Roth, i cili tha se “Shqipëria dhe Rajoni janë një oborr i brendshëm i Europës, për këtë shkak janë në Europë”. 
 
Prandaj edhe ne si grupe parlamentare edhe në kuadrin e vendimmarrjes pozitive jemi të angazhuar për vendimmarrje pozitive që ky vend të anëtarësohet në BE dhe të jetë pjesë e kësaj familjeje. 
 
Ne kemi filluar vizitën në Rajon dhe do të largohemi me mesazhe shumë pozitive. 
 
Natyrisht që ka edhe gjëra që janë për t’u kritikuar. Me rëndësi është mesazhi që do duhet të përcjellim jashtë, për të bindur qytetarët tanë, se nuk duhen bindur vetëm qytetarët këtu, por edhe qytetarët europianë për pozitivitetin që ekziston dhe rezultatet pozitive që ka arritur vendi, në mënyrë që nga ky mesazh pozitiv të shmangim dhe aspektet negative që janë për t’u kritikuar.  
 
Dje dhe sot kemi kemi patur mundësi që të flasim me të rinjtë shqiptar që kanë një potencial shumë të madh. Është normale që disa të rinj ta kërkojnë fatin e tyre edhe jashtë Shqipërisë, nuk ka asgjë negative në këtë drejtim.
 
Ne përmendëm gjatë takimit edhe çështjen e vizave të punës. Në këtë kuadër u ngrit me të drejtë një kritikë të cilën ne do ta shohim me lehtësimin e procedurës së vizave të punës. Kolegu im me të drejtë përmendi se kjo gjë është edhe në interesin gjerman. 
 
Nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’ju falënderoj për mikpritjen. Ju përgëzoj për të gjithë reformat e ndërmarra për rezultatet pozitive që keni arritur. Ne do t’ju mbështesim. Kam vetëm një lutje: ”Na ndihmoni, që t’ju ndihmojmë”.
 
 
 
Pyetje përgjigje me gazetarët:
 
Z.Balla gjatë ditëve të fundit opozita ka aluduar për lidhje mes jush dhe sipërmarrësit Edmond Bego të arrestuar pak ditë më parë në Greqi për interes të autoriteteve italiane. A mund të na tregoni ju lutem, nga e njihni dhe cilat janë marrëdhëniet me sipërmarrësin në fjalë?
 
Së pari do doja që në ato që diskutuam të shtoja edhe dy elementë të rëndësishëm dhe sigurisht që do ti përgjigjem edhe pyetjes tuaj.
 
Kuvendi i Shqipërisë rifillon punimet në 3 shtator dhe unë do të doja që të ribëja edhe një herë apelin përkundrejt opozitës që në seancën e parë, atë të 3 shtatorit, të kishin mundësinë të votonim menjëherë rivendosjen në afat një dispozite tranzitore që ka të bëjë me Shkollën e Magjistraturës. Shkolla e Magjistraturës është pjesë e një projekti të rëndësishëm bashkëpunimi mes dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Gjermanisë. 
 
Lidhur me 100 akuzat e hedhura nga gojëtarë të ndryshëm të Partisë Demokratike për rastin në fjalë, ndër to unë do ti përgjigjem vetëm njërës, asaj që ka interes për publikun. A ka qenë ligji dhe sundimi i ligjit i njëjtë edhe për këtë person apo ky person ka gëzuar mburojë politike?!
 
Dua t’ju them shumë qartë për secilin prej nesh, dhe për mua personalisht, sundimi i ligjit është dhe duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. 
 
Personin në fjalë e njoh, njoh bashkëshorten e tij dhe dy fëmijët e shkëlqyer, nxënës shembullorë moshatarë me tim bir.
 
Dua t’ju them me garanci të plotë që kurrë nuk i është ofruar një mburojë e tillë dhe përgjigjen më të mirë për këtë çështje e ka dhënë dje Policia e Shtetit Shqiptar. Që shumë shqiptarë nëpër kufij të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Europian vendosen në proces verifikimi të të shkuarës së tyre lidhur me vendime apo dënime penale, ky është një proces normal. 
 
Dua të them që për mua në këtë proces është e rëndësishme që të hiqet dorë nga përdorimi i njerëzve të thjeshtë e të zakonshëm për baltë politike të një krahu në dëm të krahut tjetër.
 
Në fund të kësaj historie, sikurse e kam thënë, do të kemi thjeshtë dhe vetëm një pjesë të serisë së tretë të “Babales”,  sepse tashmë kjo është e qartë që personi në fjalë në Shqipëri nuk ka qenë në kërkim, nuk është në kërkim ndërkombëtar prej asnjë prej shërbimeve. Pas përfundimit të verifikimit pyeteni personin vetë nëse ka pasur ndonjëherë nevojë për mburojë politike.
 
Këtu e konsideroj të mbyllur këtë çështje. 
 
Mua më vjen keq që ne politikanët shqiptarë përdorim jetën personale të kujtdo për qëllime politike.
 
E rëndësishme është se për ne ligji është i njëjtë për këdo.
 
Nëse Partia Demokratike ka dyshime duhet të mësojë që të ofrosh mburojë politike apo të pengosh zbatimin e ligjit përkundrejt një personi është vepër penale dhe në momentin që njihesh me një vepër penale, detyra e gjithësecilit është të shkojë në Prokurori dhe të bëjë kallëzim penal. 
 
Unë e ftoj, madje e sfidoj, Partinë Demokratike të shkojë ti drejtohet Prokurorisë, sikurse ndodh edhe në Gjermani, për dyshimet e tyre për një vepër penale.
 
Z.Balla ka edhe një shqetësim tjetër që ka të bëjë me Partinë Socialiste të publikuar ditët e fundit në media. Bëhet fjalë me një përgjim ku rezulton se  një deputet i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka pasur kontakte me një person pjesëtar të një grupi kriminal. A keni një koment ju si Kryetar i Grupit Parlamentar të PS nga pikëpamja morale? 
 
Faleminderit! Ju jeni një gazetar i vjetër dhe e dini që ky lajm ka qarkulluar dhe një vit më parë. Menjëherë unë si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kam bërë verifikimet, kam marrë informacione nga organet ligjzbatuese dhe rezulton se ndaj deputetit në fjalë nuk ka në ngarkim të tij asnjë hetim apo procedim penal për çështjen në fjalë.
 
Z. Balla, një pyetje për një çështje rajonale që prek shqiptarët. Çfarë mendon Partia Socialiste dhe forcë qeverisëse për një ftesë të presidentit të Kosovës për një korrigjim kufijsh mes Serbisë dhe Kosovës?
 
Pyetjet tuaja ishin aq të ndryshme saqë unë do të shmangia çdo lloj keqinterpretimi që përgjigjen për këtë çështje ta jepja në krah të një delegacioni miqsh gjermanë. Në një moment tjetër sigurisht që do kem dhe unë mundësinë të jap vlerësimin tim.
 
Në tërësi unë do të thoja se Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur dhe Kosova vendimet për çështjet e veta i merr vetë.
 
Dua të theksoj edhe një herë se Shqipëria ka nisur prej korrikut, e theksova pak më lart, një proces të rëndësishëm parapërgatitor për hapjen e negociatave zyrtarisht në fundverën e vitit të ardhshëm dhe roli i opozitës në kontributin e punës parapërgatitore është i pazëvendësueshëm. 
 
Kujtoj këtu se opozita ka dy përgjegjësi të rëndësishme në Kuvendin e Shqipërisë sikurse është drejtimi i Komisionit të Integrimit Europian, por edhe ai i Këshillit të Integrimit. Dy organe këto shumë të rëndësishme, monitoruese dhe konsultative përgjatë rrugës tonë të integrimit europian të Shqipërisë. 
 
Ne duam që në këtë rrugë ne të mos jemi vetëm por të kemi bashkë edhe opozitën.
 
Testi i parë i gadishmërisë së opozitës për të qenë pjesë e këtij procesi është pikërisht vota e tyre në favor të fillimit të vitit shkollor për Shkollën e Magjistraturës, edhe pse ndoshta pak me vonesë, që asistenca e vyer gjermane dhe ajo e Bashkimit Europian përkundrejt Shkollës së Magjistraturës të jetë funksionale, sepse do jetë Shkolla e Magjistraturës që do të mbushë vendet vakante të krijuara në sistemin e Drejtësisë për shkak të largimit nga sistemi të gjyqtarëve apo prokurorëve të cilët nuk kanë kaluar Vettingun.
 
Opozita duhet të kuptojë që sjellja e deritanishme dhe roli i saj duhet të jetë tërësisht i ndryshëm nga ai që ka qenë në dy sesionet e shkuara kuvendore.
 
Faleminderit!
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm