Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Shqipëria ndodhet në mënyrë të padrejtë, për shkak të një akti anti-kushtetues të Presidentit, përballë një krize që synon të deligjitimojë Gjykatën Kushtetuese

Të reja

Shqipëria ndodhet në mënyrë të padrejtë, për shkak të një akti anti-kushtetues të Presidentit, përballë një krize që synon të deligjitimojë Gjykatën Kushtetuese

15 Nov 2019    

Fjala në Parlament e Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla:

Të nderuar kolegë deputetë,

Të nderuar qytetarë shqiptarë,

Shqipëria ndodhet në mënyrë të padrejtë, për shkak të një akti anti-kushtetues të Presidentit, përballë një krize që synon të deligjitimojë Gjykatën Kushtetuese.

Ne, si një Repulikë e pastër parlamentare, përfaqësuesit e saj në Kuvend, kemi detyrimin për të gjetur zgjidhje.

Për fat të mirë baballarët e Kushtetës ishin të bindur mbi rreziqet që mund të vinin nga një president me pushtet të madh dhe për këtë qëllim i atribuuan Presidentit kompetenca kryesisht honorifike. Por ajo që nuk mundën të parashikonin ishte fakti se edhe me kompetenca të tilla, edhe me pushtet honorifik, dukshëm ka tentativa për të bllokuar dhe nxitur një krizë kushtetuese.

Të nderuar kolegë,

Ky President do të mbahet mend gjatë për shkak se doli dhe u vetëtregua si kundërshtari më i madh i Gjykatës Kushtetuese.

Në thelb duke stimuluar një krizë kushtetuese, Presidenti po pengon plotësimin e vakancave në Gjykatë, e cila duhet domosdoshmërisht të luajë rolin e saj kushtetues si mbrojtëse e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Ekspertët që kanë punuar me ndryshimet kushtetuese, të cilat u miratuan në këtë sallë me 140 vota të anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë kanë parashikuar mekanizma zhbllokues për situata të tilla.

Afati kushtetues 30-ditor është vetëm njëri nga mekanizmat zhbllokues. Nëse i referohemi opinioneve të Komisionit të Venecias qasja e saj është e qartë: Gjykata Kushtetuese mbetet e një rëndësie të veçantë.

Në një nga opinionet e këtij Komisioni, i cili përsëritet në të gjitha opinionet që në thelb kanë kriza të ngjashme kushtetuese, përmendim rastin e Polonisë, Ukrainës apo Sllovakisë, Komisioni i Venecias shprehet: si fillim Komisioni i Venecias këmbëngul se funksionimi i vazhdueshëm i Gjykatës Kushtetuese si arbitri i fundit në çështjet kushtetuese është parësore për demokracinë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.

Gjykata Kushtetuese është një çështje me shqetësim të lartë.

Duke u konsideruar një çështje me rëndësi të veçantë për demokracinë, Komisioni i Venecias ka sugjeruar edhe mekanizma në funksion të zhbllokimit të një krize të mundshme kushtetuese.

Në rastin e Ukrainës ku anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në fakt e bëjnë betimin para Parlamentit, jo para Presidentit, fakti i refuzimit nga Parlamenti i betimit të dy anëtarëve çoi në një ngërç Kushtetues. Komisioni i Venecias sugjeroi një mekanizëm të paracaktuar për betimin e tyre. Ukraina zgjodhi atë të betimit të anëtarëve të zgjedhur pranë vetë Gjykatës Kushtetuese. Jo më para Parlamentit, por para vetë Gjykatës Kushtetuese.

Shqiptarët e kanë të qartë se Presidenti ynë i Republikës po bën ç'është e mundur për të frenuar Reformën në Drejtësi. Rasti i Gjykatës Kushtetuese është tentativa e radhës, e cila sigurisht do të rezultojë e dështuar sepse kjo reformë nuk është e mazhorancës sonë, por është e shumicës së qytetarëve shqiptarë.

Dua ti bëj sot një apel Presidenit të Republikës është e papranueshme që në cilësinë e Kryetarit të Shtetit të përgojojë me pa të drejtë drejtues të institucioneve të tjera të vendit.

Kushtetuta jonë e ka vendosur në majën e piramidës institucionale, por nuk ndodh asgjëkundi që Presidenti i Republikës të marrë nëpër gojë Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi edhe pse në rastin në fjalë, atë të z.Dvorani, Presidenti i Republikës duhet të jetë i fundit në këtë vend për t'u marrë me z. Dvorani, sa kohë që ky i fundit ka qenë një prej pesë gjyqtarëve të dosjes penale në ngarkim të Ilir Metës e që në atë dosje penale, të paktën z. Dvorani, ka pasur mendim të kundërt me katër anëtarët e tjerë të gjykatës.

 

Kjo do të jetë pjesë e një kodi etik të çdo personi të dënuar ose padënuar kur bëhet fjalë për një çështje gjyqësore në drejtim të tij.

Është e padrejtë për këdo, por më së shumti për ne që kemi mandate përfaqësuese, ne deputetët apo më së shumti Presidenti, që të përdorë insitucionin e Presidentit për të atakuar një gjyqtar që ka gjykuar një çështje në ngarkim të tij.

 

Zonja dhe zotërinj,

Bëra këtë parantezë për të kaluar te Projekt-rezoluta.

Projekt-rezoluta mban një emërtesë disi të veçantë "Shmangia e krizës Kushtetuese".

Synim është legjitimiteti i Gjykatës Kushtetuese, e cila është dhe duhet të jetë detyra e vetme imperative e çdo institucioni të shtetit, qoftë ky Presidenti, Parlamenti dhe çdo institucion tjetër që buron prej nesh, sepse jemi republikë parlamentare dhe të gjitha institucionet e tjera zgjidhen prej nesh.

Duke vlerësuar se Gjykata Kushtetuese është një organ kushtetues që ka për mision ruajtjen e kushtetueshmërisë dhe mbrojtjen e të drejtave e lirive themelore të njeriut dhe se kjo gjykatë garanton zbatimin e parimeve themelore kushtetuese nga të gjitha institucionet e tjera të kushtetutës sonë, duke vlerësuar se fillimi i funksionimit të Gjykatës Kushtetuese është një etikë ndër të tjera për zbatimin e objektivave kushtetues të kontrollit dhe balancave midis pushteteve të shtetit dhe garantimit të drejtave themelore të njeriut, duke vlerësuar se ndryshimet kushtetuese ato të vitit 2016 në kuadër të reformës në drejtësi që rivendosën ekulibrat kushtetues për të garantuar funksionimin e sistemit të drejtësisë sipas parimeve të shtetit të së drejtës dhe në respektim të parimit themelor të kontrollit dhe ekuilibrimit reciprok të pushteteve, kanë përcaktuar qartë rregullat për procesin e emërimit dhe zgjedhjes së gjyqtarëve të kushtetueses, duke përfshirë kriteret dhe procedurën përkatëse për përzgjedhjen e kandidaturave në respektimin e pavarësisë të paanshmërisë dhe parimit të luajitetin kushtetues.

Duke vlerësuar mekanizmin zhbllokues në procesin e emërimit në organin e sistemit të drejtësisë, si një nga elementët thelbësor të Reformës në Drejtësi i orientuar, por edhe i mbështetur edhe në opinionet e Komisionit të Venecias, që kanë përcaktuar rëndësinë dhe nevojën e mekanizmit zhbllokues me qëllim funksionimin dhe mospengimin e organeve kushtetuese.

Duke mbështetur fuqimisht zbatimin e reformës në drejtësi si kriter kyç për sundimin e ligjit dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri si edhe për të ardhmen europiane, reformë kjo që vlerësohet me nota shumë pozitive në progres-raportet e Komisionit Europian, ku Shqipëria vlerësohet në fakt si një shembull për t'u ndjekur edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë bashkë me ne në rrugën europiane.

Duke vlerësuar ecurinë e zbatimit të deritanishëm të reformës në drejtësi e reflektuar në ngritjen dhe funksionimin e organeve të reja qeverisëse të sistemit të drejtësisë si KED, ne përmes reformës në drejtësi i kemi hequr të drejtën politikanëve për të zgjedhur gjyqtarët siç duan ata. Nuk mund të jenë më pas 2016-ës politikanët vendimmarrësit kryesorë për të zgjedhur prokurorë e gjyqtarë.

Janë këto institucione tërësisht të pavarura, të cilat BE me të drejtë i vlerëson si institucione që kanë bërë punën që duhet deri tani e që duhet ta çojnë këtë mision deri në fund, si edhe hapat e ndërmarrë për plotësimin sa më të shpejtë të vendeve në Gjykatën e Lartë për ngritjen e SPAK dhe zgjedhur sa më shpejt Prokurorin e Përgjithshëm.

Duke vlerësuar punën e deritanishme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi në rezolutën që është propozuar për t'u miratuar ne duhet të respektojmë procedurën e përcaktuar në Kushtetutë mbi renditjen e kandidatëve sipas meritës profesionale e morale në funksion të plotësimit të vakancave të krijuara në Gjykatën Kushtetuese.

Ne padyshim e kemi përshëndetur dhe mbështesim emërimin e gjyqtarëve kushtetues konkretisht z. Besnik Muçi, emërimi i znj. Arta Vorpsi, përzgjedhjen e znj.Elsa Toska dhe znj. Fiona Papajorgji nga Kuvendi si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, me plot 105 vota në seancën e ditës së hënë.

 

Zonja dhe zotërinj,

 

Janë të plota të gjitha argumentet që ne kemi renditur për të qenë të gjithë në të njëjtën linjë me atë që na sanksionon Kushtetuta.

Kuvendi i Shqipërisë u informua se Presidenti i Republikës kishte nxjerrë një dekret nr. 11350 datë 13.11.2019 për emërimin e znj. Marsida Xhaferllari si anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Duke e konsideruar nxjerrjen e këtij akti në kundërshtim të hapur me parashikimet kushtetuese mbi kompetenca e Presidentit të Republikës, veprim i cili ka deligjitimuar që në fillim funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kushtetuta e përcakton qartë se në vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese emërohen apo zgjidhen gjyqtarët nga Presidenti, Kuvendi dhe Gjykata e Lartë. Këto organe ushtrojnë në mënyrë krejt të pavarur kompetencën kushtetuese pa asnjë lloj ndërvarësie mes tyre.

Të tre këto organe kufizohen të emërojnë apo zgjedhin midis tre emrave të kandidatëve të listuar të parët nga KED. Për Kuvendin dhe Presidentin përveç kufizimit të emërimit apo zgjedhjes së gjyqtarëve kushtetues nga kandidatët e listës që të sjell Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka edhe një kufizim kohor, qoftë Parlamenti, qoftë Presidenti janë të barabartë në këtë kufizim kohor, vetëm 30 ditë.

Mosushtrimi i kompetencës brenda këtij afati nga Presidenti dhe Kuvendi sjell emërimin si gjyqtar kushtetues të kandidatit të renditur i pari në listën e miratuar me vendim të KED.

KED në datë 08.10.2019 i kishte dërguar Presidentit të Republikës vendimet e tij në lidhje me dy vakanca të krijuara në Gjykatën Kushtetuese duke vënë në dispozicion dy lista me kandidatë për secilin vend vakant me qëllim ushtrimin e kompetencës së tij për të emëruar dy gjyqtarë kushtetues. Ka emëruar z. Bujar Muçi më datë 18.10.2019 dhe me kalimin e afatit 30-ditor në datë 07.11.2019 znj. Arta Vorpsi është renditur e para në listën e miratuar me vendim të KED dhe konsiderohet anëtare e emëruar e Gjykatës Kushtetuese.

Shumë e qartë për çdo qytetar që lexon shqip Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Me nxjerrjen e dekretit 11350 datë 13.11.2019, Presidenti i Republikës duke emëruar kandidat tjetër jashtë afatit 30-ditor të përcaktuar në Kushtetutën e vendit, ka shkelur jo vetëm afatin por ka emëruar si gjyqtar një anëtar që është listuar në vendin e katërt, pra që nuk bën pjesë në listën e cituar nga Gjykata Kushtetuese.

Duke emëruar kandidatin e listuar në vend të katërt me vendimin numër 132 datë 21.09.2019 të KED me justifikimin se zgjedhja e dy prej kandidatëve në të njëjtën listë si anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të ditës së hënë e rendit kandidatin e zgjedhur si gjyqtar kushtetues nga Presidenti në tre vendet e para të listës. Ky është një arsyetim që mund ta bëjë vetëm dikush që ka pasur një qëllim paraprak për të shkuar te emri i personit.

KED është organi i vetëm kushtetues që përcakton renditjen e tre të parëve si kandidatë ndërmjet të cilëve duhet të zgjedhë Presidenti.

Kjo rezolutë e sotme është një apel për të gjithë anëtarët e Kuvendit për të vijuar misionin që kemi përpara atë të implementimit të plotë të reformës në drejtësi.

Të gjitha këto argumente që rendita më sipër dhe të tjera që gjenden në këtë projekt-rezolutë, besoj se janë të mjaftueshme që kjo projekt-rezolutë të marrë mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit për të çuar përpara reformën në drejtësi.

Kam propozuar në projekt-rezolutë që Kuvendi i Shqipërisë ti bëjë thirrje Gjykatës Kushtetuese të marrë përgjegjësinë e autoritetit që i nënshtrohet vetëm Kushtetutës për të mos lejuar deligjitimimin insititucional që me fillimin e veprimtarisë së re pas ndryshimeve kushtetutese të vitit 2016, por të zbatojë vetëm urdhërimin kushtetues të renditjes së përcaktuar nga vendimi i KED që përcakton znj. Arta Vorpsi si gjyqtare të emëruar të Gjykatës Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë duhet ti kërkojë Gjykatës Kushtetuese dhe organeve të tjera të zbatojnë me përgjegjësi detyrat pa krijuar asnjë pengesë për fillimin e ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, znj. Arta Vorpsi, znj. Elsa Toska, znj. Fiona Papajorgji.

Kuvendi i Shqipërisë duhet ti kërkojë Presidentit të Republikës të heqë dorë nga çdo lloj tentative dhe akti që bllokon zbatimin e reformës në drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmëve është Gjykata Kushtetuese.

Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke e rikthyer insititucionin e Presidentit të Republikës në kufijtë e kompetenca të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë më asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të shmangies së çdo tentative për bllokimin e reformës në drejtësi duhet dhe domosdoshmërisht të angazhohet të rishikojë legjislacionin për të shmangur në të ardhmen krijimin e situatave që pengojnë në mënyrë abuzive funksionimin e organeve kushtetuese të vendit.

Duke ju falenderuar shpresoj që ky Kuvend sot, me të gjithë deputetët e pranishëm në sallë, ta mbështesë këtë projekt-rezolutë.

Shumë faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm