18558885_10154769884881523_1275685010376722897_o

Shqipëria sot ka bërë hapin e parë drejt Shqipërisë më të drejtë

Fjala e Sekretares për Rininë, Elisa Spiropali:

Falenderoj të gjitha gratë e nderuara që janë këtu nga Korça, Pogradeci, Devolli, Pusteci, Maliqi dhe veçanërisht nga Kolonja e Leskoviku. Përshëndetje të gjithave!

Pesha e përgjegjësisë për të folur përpara jush është mjaft e madhe. Unë kam folur shpesh para të rinjve të FRESSH apo dhe votuesve për herë të parë në organizimet që ne kemi bërë, por të flasësh para grave duhet ta masësh mirë fjalën sepse ato dinë, sepse ato ndiejnë, sepse mbajnë peshën e përgjegjësisë jo vetëm të vetes së tyre, por edhe të familjeve të tyre, fëmijëve të tyre. Është me këtë peshë përgjegjësie që ne ju flasim. Kemi guximin t’ju shohim sy më sy, të gjithave, individualisht por edhe në grup, e ato që po na shohin.  Për t’ju thënë se: Në qoftë se Partia Socialiste dhe kryeministri ynë Edi Rama ka bërë diçka, ajo është që nuk ka sakrifikuar interesat e brezit të ardhshëm për interesat imediate elektorale dhe për interesat e tanishme. Ka parë gjithmonë larg; ka parë gjithmonë se si do të jetë e ardhmja jonë, si do të jetë Shqipëria që duam.

Shqipëria që kemi është shumë më e mirë se Shqipëria që kishim në 2013. Është një Shqipëri me më shumë ligj, me më shumë rend, me më shumë shtet, me më shumë drejtësi, me arsim më të mirë padiskutim. Është bërë një përpjekje e madhe për t’i bërë të gjitha këto. Sigurisht që ne e dimë dhe jemi të vetëdijshëm që kjo nuk mjafton. Nuk mjafton sepse ka ende shumë gra të papuna, sidomos në zona të largëta; dhe këto gra të Kolonjës apo të Leskovikut, apo të tjera e dinë shumë mirë. Gra që kanë potencial dhe duan të punojnë, apo fëmijët e tyre.

Ka ende shumë për të bërë për drejtësinë. Ka ende shumë për të bërë që të kemi më shumë mirëqenie në familjet tona, një shtet më të drejtë. Ne ju japim fjalën solemne që së bashku me Edi Ramën do të luftojmë me të njëjtin pasion dhe me të njëjtën force. Të sigurohemi që çdo grua mund të ketë një të ardhme më të mirë dhe që fëmijët e saj të jetojnë në një vend më të denjë. Ashtu siç luftuam me pasion për të vendosur rendin dhe për të bërë drejtësi në Shqipëri, do të luftojmë për më shumë vende pune, për më shumë mirëqenie, për më shumë shtet, për Shqipërinë që duam.

Kemi këtu në Korçë ndryshime të jashtëzakonshme, që ju i shihni përditë. Ndryshimet që po ndodhin nuk janë fasadë ashtu siç thonë dritëshkurtrit, janë një ndryshim i vërtetë. Ka më shumë turizëm, më shumë njerëz që vijnë në të gjithë krahinën e në të gjithë zonën, më shumë të rinj që besojnë që mund të ndërtojnë një jetë më të mirë në qarkun e Korçës. Kjo është bërë falë vizionit dhe ndryshimeve që kanë ndodhur këtu. Falë Niko Peleshit dhe Edi Ramës, që kanë punuar me një pasion të jashtëzakonshëm për ta ndryshuar gjendjen këtu. Me të njëjtin pasion të madh do të punojnë për të gjitha zonat, derisa fshati më i largët i Leskovikut ta ndiejë ndryshimin që vjen nga Rilindja për Shqipërinë që duam.

Ne kemi një amanet: Amanetin që të punojmë fort dhe të themi që kjo bëhet e kjo nuk bëhet. Premtimet që bëhen, ne do t’i çojmë deri në fund. Atë që kemi thënë, do ta bëjmë sepse ne e mbajmë fjalë. Në këto tre vite e gjysmë kemi treguar që ne dimë të punojmë dhe dimë të bëjmë shtet, dhe do të bëjmë mirëqenie e punë për të gjithë shqiptarët.

 

 

Fjala e drejtuesit politik për qarkun e Korçës, njëherësh zv. Kryeministri Niko Peleshi:

Përshëndetje!

Dua të përshëndes të gjitha vajzat dhe gratë nga Kolonja, Maliqi, Devolli, Pogradeci, Pusteci dhe Korça jonë e bukur!

Është një emocion i veçantë sot, për cdo shqiptar në fakt. Jo vetëm për mua, jo vetëm për ju, jo vetëm për gratë socialiste, jo vetëm për socialistët por edhe për demokratët; edhe për ata pa parti, edhe për indiferentët, edhe për gjithë shqiptarët.

Sot që flasim, PS ka fituar një betejë për gjeneratën tjetër. Shqipëria ka fituar betejën e gjeneratës tjetër. Shqipëria sot ka bërë hapin e parë drejt Shqipërisë më të drejtë. Një Shqipëri ku drejtësia bën drejtësi. PS me Edi Ramën, me guxim, vendosmëri, pa u ndalur dhe pa u kthyer pas ka arritur të kthejë gjithë kursin e politikës shqiptare drejt një Shqipërie të vërtetë, drejt Shqipërisë së drejtë dhe drejtësisë, asaj që e mbante këtë vend në kthetrat e një tranzicioni i cili ishte bërë një justifikim i çdo partie politike dhe i çdo qeverie për të gjitha dështimet dhe mosarritjet.
Shqipëria lëngonte në tranzicion sepse ishte e padrejtë. Sot, gjithë politika shqiptare, për shkak të këmbënguljes së Edi Ramës, të lidershipit të PS-së, ka hyrë në kursin e Shqipërisë dhe politikës të së nesërmes. Politika ka fituar sot të drejtën e qytetarisë shqiptare. Sot politika shqiptare është më e emancipuar dhe kjo është arsyeja se pse sot po zgjedhim të fillojmë një valë të re takimesh me atë forcë që mund të emancipojë gjithë Shqipërinë, që është gruaja edhe vazja shqiptare.

Nuk është rastësi gjithashtu që jemi këtu. Jemi në qarkun e Korçës sepse Korca ka rrezatuar emancipim, ka rrezatuar qytetërim, qytetari për vite e vite me radhë. Le ta fillojmë sot këtu duke parë njëri-tjetrin në sy dhe duke ftuar gjithë Korçën, gjithë qarkun, në aleancë të natyrshme dhe të pathyeshme të PS-së me gruan shqiptare.

Zamira, një mësuese e mirë nga Kolonja, drejtoresha e gjimnazit “Petro Nini” të Kolonjës, tha se atje në Kolonjë,- e është e vërtetë, sepse kam punuar shumë pranë kolonjarëve në fushatën e fundit por dhe më parë,- është gruaja që vendos, është gruaja që krijon diferencën e madhe që PS ka me gjithë forcat e tjera politike në vite. Në fakt nuk është vetëm në Kolonjë: është dhe në Korçë, në Pogradec, në Pustec, në Devoll, në Maliq dhe në gjithë Shqipërinë. Gruaja është ajo që jep shkëputjen dhe diferencën ePS-së nga gjithë forcat e tjera të politikës shqiptare.

Sot nuk jemi vetëm për të folur për një arrtije të madhe të Shqipërisë dhe politikës. Sot, siç e thashë, jemi për t’ju ftuar që të ftoni gjithë të tjerët t’i bashkohen një rruge të re që Shqipëria ka filluar. Një rrugë që nuk ka për qëllim vetëm t’i japë Partisë Socialiste pushtetin, por t’i japë Shqipërisë të ardhmen. Këtë rrugë të re të filluar mund t’ia dalim mbanë vetëm përmes një aleance të fortë me gratë dhe vajzat në gjithë Shqipërinë; dhe natyrisht pas jush do të vijnë dhe burrat, se nuk kanë ku të shkojnë. Partia Socialiste dhe Edi Rama kanë bërë një gjest së fundi – një marrëveshje politike të arritur, që tregon se kur ne themi që pushteti nuk është një qëllim në vetvete për PS-së, nuk është një demagogji, nuk është një slogan elektoral, por është e vërtetë. Pushteti nuk ka kuptim në qoftë se ai nuk u kthehet njerëzve dhe të ardhmes së shqiptarëve. Prandaj kushdo që mund të ndihet pak i hidhëruar apo i paqartë për lëshimet e bëra ndaj opozitës në raport me pushtetin, ne i themi se nuk është pushteti ai që na intereson më tepër, por është e nesërmja, është qetësia, është qytetaria dhe hapja e një faqeje të re në historinë e Shqipërisë.

Në këtë faqe të re të historisë së Shqipërisë, ku rreshtat e parë ka nisur t’i shkruajë Edi Rama me Partinë Socialiste, do të flitet ndryshe. Nuk do të flitet me gjuhën e urrejtjes. Nuk duam më një parlament ku konsumohen shpifje dhe akuza; ne duam një parlament ku ndahen alternativa zhvillimi. Ne nuk duam më një fushatë e cila gjithmonë përfundon me një fitues të papranuar, të kontestuar; ne duam një fushatë elektorale me qytetari, me vendosmëri, me forcë, ku në fund të së cilës fituesi nuk kontestohet. Ne natyrisht, në fund të qershorit, fituesi i padiskutuar Partia Socialiste dhe vetëm Partia Socialiste do të jetë tashmë e pakontestuar, sepse ne kemi dhënë gjithçka. Kemi dhënë pushtet, kemi dhënë çdo gjë, vetëm e vetëm që në rekordet e Europës, të organizatave ndërkombëtare, të partnerëve ndërkombëtarë me të cilët punojmë, Shqipëria mos të figurojë më vendi problematik që një çerek-shekulli nuk ka regjistruar një palë zgjedhje të pakontestuara. Qeveria e Partisë Socialiste do t’i japë Shqipërisë për herë të parë në demokraci zgjedhjet e para të lira, të ndershme dhe të pakontestuara nga gjithë segmentet e politikës shqiptare. Natyrisht që mund të ketë shqiptarë, socialistë kryesisht, që siç e thashë mund të ndihen pak të paqartë apo të hidhëruar në një farë mënyre se një pjesë e pushtetit i ka kaluar opozitës.

Kur ishim me ministrin në Pogradec inspektuam një investim shumë të rëndësishëm atje, që është unaza e qytetit – një investim prej rreth 10 milionë dollarë, një investim që e bën qytetin e Pogradecit një qytet me të vërtetë turistik. E mbron nga makinat e rënda, e mbron nga mjetet e transportit dhe ua jep atë turistëve, qytetarëve të mirë të Pogradecit, vizitorëve nga Korça dhe nga gjithë Shqipëria, që të vizitojnë këtë perlë që shumë shpejt edhe me punët këmbëngulëse të Eduart Shalsit dhe Ilir Xhakollit, edhe Erjon Thëngjillit që punon atje, do të bëhet pjesë, do të bëhet pasuri botërore e UNESCO-s.

Nuk mund të harroj, për shumë e shumë kohë, e shumë e shumë vite, emocionin që na dhuroi një burrë i moshuar, i cili doli përpara kryeministrit duke u dridhur. Mendova se kishte një hall, kishte një shqetësim. Po e dëgjonim me vëmendje. Tha: “Unë kam qenë delegat. Kam qenë anëtar themelues i PS-së. Delegat në Kongresin themelues të Partisë Socialiste. Nuk i jam ndarë asnjëherë PS-së në të gjitha eventet e saj”, – ishte pra një socialist i thekur, siç themi ne. “I njoh të gjitha arritjet e qeverive socialiste, të kësaj partie në këtë qeveri, reformat e mëdha. Por ajo çka më ka prekur dhe më ka bërë të ndihem krenar një çerek-shekulli nga jeta ime, që ia kam dhënë PS-së, është marrëveshja që Edi Rama me guximin dhe iniciativën e tij ka finalizuar dje.” Ai gjest që nuk është i shkëputur, por jam i bindur që përfaqëson shpirtin e shumë socialistëve, progresistëve, shqiptarëve që duan të ardhmen, që duan Shqipërinë e gjeneratës tjetër. Është motivi im, motivi ynë, motivi juaj për të punuar jo thjesht dhe vetëm për të fituar më thellë se çdo herë tjetër se në 27 vjet, në fund të qershorit; por për të filluar pas zgjedhjeve një rrugë shumë të vështirë por shumë të bukur. Një rrugë që është e mbushur me kënaqësitë që na dhuron puna për të tjerët, transformimi i jetës së tjetrit. Një punë të cilën do ta fillojmë në çdo fshat, në çdo qytet, sepse punët e këtij vendi, me reformën në drejtësi, kanë marrë shpejtësinë e duhur.

Nuk ka më pengesa. Përpara rruga jonë! Kemi të gjithë së bashku një detyrë: të shkojmë në çdo derë, në çdo fshat, në çdo rrugicë, t’i nxjerrim të gjithë në votim. Të bëhen të gjithë pjesë e historisë sonë, të historisë së re të Korçës, të historisë së re të Shqipërisë! Për një të ardhme më të mirë, për Shqipërinë që duam, për Shqipërinë e gjeneratës tjetër!