Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Shtyrja e periudhës së vlerësimit të vlefshmërisë së titujve të pronësisë një mundësi për t'i dhënë zgjidhje të drejtë problemit

Të reja

Shtyrja e periudhës së vlerësimit të vlefshmërisë së titujve të pronësisë një mundësi për t'i dhënë zgjidhje të drejtë problemit

10 Nov 2017    

Fjala e deputetes Vasilika Hysi:

Të nderuar kolegë dhe kolege,

Projektligji që diskutohet sot në Kuvend paraqet një ndryshim të vogël në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar”: shtyrja e afatit të përfundimit të këtij procesi.

Sipas ligjit në fuqi, verifikimi i titujve të pronësisë duhej të përfundonte në 31 dhjetor 2017. Projektligji propozon përfundimin e këtij procesi në 31 korrik 2017. Bazuar në numrin e kërkesave të paraqitura për shqyrtim pas vitit 2016, jam e mendimit se kjo periudhë shtyrjeje nuk është e mjaftueshme, dhe pajtohem me propozimin e relatorit për të shtyrë afatin deri më 31 Dhjetor 2018.

Por, kjo shtyrje kohore mendoj se duhet të vlerësohet jo si proces rutinë i bërë nga Kuvendi jo pak herë, por 6 herë, por si një afat përfundimtar për mbylljen e këtij procesi dhe dhënien garanci se prona dhe pronari njihen; dhe më pas mund të investohet pa shqetësim.
Të gjithë jemi dëshmitarë të vështirësive të hasura lidhur me shqyrtimin e vlefshmërisë së titujve të pronësisë, por edhe me abuzimet e kryera lidhur me shpërdarjen e tyre. Si deputete, unë, por besoj edhe ju keni marrë ankesa për zvarritje dhe abuzime me tokat bujqësore, në zonat tuaja ose në zonat nga kanë ardhur votuesit tanë. Këto abuzime duhet të marrin fund; dhe nëse kanë ndodhur, duhet të ndëshkohen rëndë.
Një nga institucionet me rëndësi në verifikimin e vlefshmërisë së titujve të pronësisë është Komisioni Vendor i Vlerësimit të Titujve të Pronësisë (KV), që është krijuar pranë prefektit të çdo qarku.


Duke ju uruar suksese në punën e tyre, 12 prefektëve të emëruar së fundi, do të dëshiroja t’i inkurajoja ata që kompetencat e dhëna nga ky ligj të përmbushen me sukses, dhe të përfundojnë sa më shpejt këtë proces. Dhe kur flas për kompetencat që këto komisione kanë, kam parasysh: 
Së pari, shqyrtimin dhe verifikimin e ankesave, kërkesave, informacioneve që i paraqiten atyre nga shtetasit dhe strukturat shtetërore, veprimtaria e të cilave lidhet me pronësinë mbi tokën bujqësore. Jo të pakta janë abuzimet me pronësinë mbi tokën bujqësore. Veprimtaria efektive, e shpejtë dhe profesionale e këtyre struktura jo vetëm do të shmangë rastet korruptive dhe të shpërdorimit të detyrës, por edhe do të rekuperojë dëmet e shkaktuara në këtë proces.


Së dyti, ushtrimin e kontrolleve të drejtpërdrejta me nismën e vet, mbi veprimtarinë dhe veprimet e kryera nga ish-komisionet e tokës të të gjitha niveleve në procesin e ndarjes së tokës. Këto kontrolle kryhen të plota në sipërfaqen e tokave të ish-NB-ve dhe të zonës së zhvillimit me përparësi të turizmit, të përcaktuara sipas ligjit nr. 7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave, që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
Ky proces administrativ, i shoqëruar edhe me forcimin e sistemit të drejtësisë dhe krijimin e strukturave antikorrupsion, do të mundësojë edhe ndëshkimin e abuzimeve me pronën, përfshirë tokat bujqësore dhe gllabërimet e tyre në zonat e zhvillimit me përparësi të turizmit.
Të nderuar kolegë dhe kolege,


Shtyrja e periudhës së vlerësimit të vlefshmërisë së titujve të pronësisë duhet të vlerësohet si një mundësi për të sqaruar dhe për të dhënë zgjidhje të drejtë e në kohë të mosmarrëveshjeve që ekzistojnë mes palëve, përfshirë edhe mes shtetasve, lidhur me kufijtë e pronës ose mes tyre dhe institucioneve, etj. Jo të pakta janë rastet e krimeve në familje për shkak të kufijve të pronësisë dhe vendimeve të dhëna nga ish -komisionet e tokës.


Reforma Territoriale shmangu ndarjet e vogla administrative që ishin krijuar për t'u shëruar plagët dhe zgjidhur problemet banorëve të komunës, por që në shumë raste u kthyen në abuzues dhe gllabërues të aseteve publike dhe pasurive kombëtare dhe pronës, në veçanti tokat bujqësore. Kjo periudhë le të shërbejë për verifikimin e gjithë dokumenteve të prodhuara dhe rivendosjen në vend të të drejtave të shkelura të pronarëve të ligjshëm dhe atyre që me ligj u është shpërndarë toka bujqësore.


Ligji që po ndryshojmë parashikon kompetenca edhe për organet e qeverisjes vendore. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore raporton çdo muaj për ecurinë e kryerjes së këtij procesi, si dhe në përfundim të tij te prefekti i qarkut. Nëse njësitë e qeverisjes vendore nuk përfundojnë procedurat për pajisjen e subjekteve me akte të marrjes së tokës bujqësore në pronësi, brenda këtij afati dhe në përputhje me kriteret e parashikuara në këtë ligj, përfituesve, sipas këtij ligji, u lind e drejta t’i drejtohen gjykatës. Në rastet kur subjekti kërkon dhe gjykata konstaton se organet e njësive të qeverisjes vendore nuk janë pajisur me aktin e marrjes së tokës në pronësi subjektin përkatës, si rezultat i shkeljes me faj të dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, gjykata vendos dënimin administrativ me gjobë të këtyre organeve.
Por problem i pronarëve nuk është zgjidhur ende. Ndaj si deputetë të zgjedhur për të përfaqësuar zgjedhësit, qofshim në mazhorancë ose në opozitë, ne duhet të nxisim kryetarët e njësive vendore të ofrojnë gjithë burimet njerëzore dhe financiare në ndihmë të shtetasve që kanë probleme me përmbylljen e procesit dhe plotësimin e dokumentacionit, jo si nder, por në përmbushje të detyrimeve ligjore.
Si juriste, anëtare e Komisionit të Ligjeve, i kërkoj Kuvendit të miratojë nënkomisionin për qeverisjen vendore dhe inkurakojë këtë të fundit, që në respekt të pavarësisë së organeve të qeverisjes vendore, të monitorojë zbatimin e këtij ligji. 


Parafolësi im, kolegu i opozitës dhe kolegë të tjerë të opozitës që nuk flasin për çështjen në rendin e ditës, por për çështje të tjera po me rëndësi, por jo në këtë moment diskutimi, foli për kultimivimin e kanabisit. Por është çështje që duhet të adresohet. Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe kanabisit, procesi i kontrollit dhe vlefshmërisë së titujve të pronësisë le të shërbejë për një kontroll më të mirë të territorit dhe përdorimit të tij. Tokat bujqësore të dhëna janë dhënë për t'u punuar dhe prodhuar, por jo për të kultivuar lëndë narkotike. Në kushte të tilla do të ishte i nevojshëm verifikimi dhe kontrolli në zonat me përparësi për turizmin dhe në zonat e tjera. 


Duke qenë se kemi miratuar një ligj për integritetin e funksionarëve të lartë, përfshirë edhe të zgjedhurve vendorë, mendoj se nuk është etike dhe e moralshme që ju mbështesni dhe nuk distancoheni nga kryetarë bashkie që janë dënuar pse kanë futur duart në xhepat dhe shtëpitë e të tjerëve, dhe që nuk e ka për gjë të shpërdorojnë pronën dhe të abuzojnë me tokat bujqësore. Ndaj ju ftoj të distancoheni nga kryetarë bashkie të propozuar nga ju, që nuk kanë integritet për të bërë detyrën dhe nuk janë të besueshëm për të zgjidhur problemet me tokat bujqësore.
Të nderuar kolegë dhe kolege,


Ky ligj ka ndryshuar 6 herë deri më sot. Ky është ndryshimi i shtatë. Uroj dhe shpresoj që ky ligj të mos vijë më në parlament dhe ky proces të përfundojë me sukses duke krijuar mundësinë e zhvillimit dhe investimeve në bujqësi, përdorimin me efikasitet të mbështetjes financiare që kjo qeveri ka parashikuar në programin e saj, të paraqitur dhe miratuar në Kuvend para dy muajsh dhe që ne e kemi miratuar, për të mundësuar investimet në ujitje dhe kullim, për të konsoliduar fermat bujqësore, promovuar ekonominë, zhvilluar agroturizmin dhe forcuar zhvillimin rural.
Gjithashtu, në kuadër edhe të krijimit të strukturave të specializuara në luftës kundër krimit të organizuar, përfshirë edhe atë ekonomik, do të inkurajoja Ministrin e Brendshëm, gjithë institucionet dhe policinë e Shtetit në veçanti për të bashkëpunuar dhe dhënë fund veprimtarive abuzive dhe kriminale me tokën dhe për të dërguar çdo abuzues, qofshin edhe ish zyrtarë ose zyrtarë të lartë, para drejtësisë.


Faleminderit!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm