Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Sot Dibra fillon pjesën e fundit të një rrugëtimi prej dekadash për t’u bërë një copë kraharor që rreh jetë dhe zhvillim në Shqipëri

Të reja

Sot Dibra fillon pjesën e fundit të një rrugëtimi prej dekadash për t’u bërë një copë kraharor që rreh jetë dhe zhvillim në Shqipëri

17 Jun 2018    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me banorët e Peshkopisë dhe mbarë Dibrës për fillimin e Rrugës së Arbrit:

 

Motra dhe vëllezër dibranë,

Duke ju parë këtu sot të mbledhur në këtë krahinë të Shqipërisë, që Shqipërisë i ka qenë djep dhe mburojë dhe shqiptarizmës oxhak dhe orakull, vetvetiu më vjen si jehonë një ngashërim në ngazëllim. Më vjen si jehonë, përjetimi i përflakur në mall e mallëngjim i një tosku të pavdekshëm të cilin Dibra zemërbardhë dhe zemërmadhe e birësoi si djalë dhe si shehid të bëmave të saj kombëtare.

“Ndodhesha në Dibër, - kujton Abdyl Frashëri, sipas dëshmisë së sjellë prej arbëreshit Anselmo Lorecchio, - përpara një mizërie njerëzish që më dëgjonin. U tregoja atyre se e ardhmja jonë varej nga bashkimi ynë si shqiptarë. Ja, ju keni ardhur këtu që të vendosni për diçka me rëndësi të madhe dhe keni ardhur këtu të armatosur deri në dhëmbë, kurse armët i mbani në krahë fisnikërisht që t’i përdorni për të ngrënë kokat e vëllezërve tuaj! Vëllezër, vetëm po të vëllazëroheni ngushtë me njëri-tjetrin, ju mund të shpëtoni jetën e nënës tuaj të përbashkët, Shqipërisë”.

“Nuk kisha mbaruar akoma së shqiptuari fjalën e fundit, – vazhdon Abdyl beu – kur u ngrit një uturimë e madhe që më bëri të dridhem, por një çast më pas u ngashëreva derisa më shkuan lot në sy kur pashë tërë atë mizëri që me një lëvizje prej vetëtime hodhën në tokë armët dhe po shtrëngonin me njëri-tjetrin duart e djathta, si miq të vërtetë!”

“Në këtë tokë të bekuar, dëshmitare dhe dëshmidhënëse të një përkushtimi kaq të madh Frashërlliu qau si fëmijë, - kujton shkruesi i këtyre kujtimeve, - tek pa malësorët gegë të fortë si malet të përqafoheshin si vëllezër”. Këtu janë përlotur brenga dhe bëma nga më domethënëset e shqiptarisë, ashtu sikundër edhe janë buzëqeshur.

Nga lufta e Gjoricës te kuvendi i Qernanicës, për të drejtën e të qenurit zot në vend të vet, te kongreset e panumërta për të shpallur se Shqipëria është një me myslimanë e të krishterë, me vegjëli e shehlerë, nga mësonjëtoret e Said Najdenit dhe bibliotekat e Hoxhë Moglicës, Maliq Tanushës dhe Kurt Ballës te vizioni i një Iljaz pashë Çoku, një Vehbi Agolli, një Haki Stërmilli, një Sherif Langu e një Dom Nikoll Kaçorri, e nga trimëritë e Cen Lekës, Sheh Zerqanit, Haxhi Vildan Dibrës, Sheh Halim Reçit, tek vetëmohimi i Elez Isufit e Dali Ndreut, Dibra e zemrës së madhe dhe e sofrës së përbashkimit dëshmon si dje, si mu këtu sot, se është vatra gjithmonë e ndezur e nëntë maleve të trimërisë e të vëllazërisë shqiptare.

Kjo kokore natyrore dhe dokësore me nëntë dyer të gurta e të blerta të një urtësie që nuk e rrudhin as koha dhe as sprovat janë kurora që naltëson sot e kurdoherë yllin e mëngjesit të mbarë kombit shqiptar, birin e kësaj treve, Gjergj Kastriotin Skënderbeun.

Është privilegj i madh për mua të jem në Dibër në muajin e 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, e cila konakun e vet e pat më së shumti këtu, në Dibër dhe ku prej koritjes e shantazheve e patën mbrojtur me gjak dibranët trima Sul Zerqani e Iljaz Dibra, Isuf Doda e Karahasanët, Llan Kaloci e Hoxhë Moglica, Azis Sadiku, Seid Daci, Ymer Lutfiu e shumë e shumë të tjerë, por edhe në këtë Vit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit, dibranit dhe shqiptarit pa asnjë të sharë.

Nuk janë lajka dhe as konjuktura. Nuk është ky moment asfare një rrethanë e lumtur datash. Por është një takim i shumëpritur. Një takim për një zotim. Një zotim i lidhur me besë si arbrit dikur motit. Si pleqni e djelmni për të lidh sho-shoqin prej nji shtegu përbashkimi e përparimi, siç e deshën të parët tanë, e në radhë të parë këtu të parët tuaj.

Skënderbeun dhe besëlidhjen 140-vjeçare ne nuk deshëm dhe nuk duam t’i shohim dhe t’i kremtojmë me daulle ceremonish.

I deshëm për vendin, i dëshiruam fort për Dibrën. I deshëm fort me përparësi, aq sa pa ngurrim i identifikuam me ëndërr e përpjekje, me durim e me pune, për t’ia lidhur më në fund edhe më shumë brezit të kombit, një vizion që do të jetë tanimë një realitet duan, s’duan ata që sot e gjithë ditën vazhdojnë të tallen dhe të përqeshin dhe nuk do të jetë më një iluzion, Rruga e Arbrit.

Sapo e fitova bastin me Oltën. I thashë, kur të flas unë do fillojë shiu, sepse pa bereqet nuk mbaron ky takim.

Kjo krahinë fisnike që aq shumë dha për atdhe, fe e flamur, me përçapje, me stërmundime, me vendime të rëndësisë kombëtare, për të cilat Abdyl Frashëri shkruan se, deri në Berat e thellë në Toskëri lidhën në një trup të vetëm myslimanë e të krishterë, rresht sot e përgjithmonë së qënuri skaj e gërxh, fatkeqësisht qoshe e harruar dhe periferi. Prej sot, vëllezër e motra dibrane, Dibra fillon rrugën, pjesën e fundit të një rrugëtimi prej dekadash e dekadash për t’u bërë një cope kraharor që rreh jetë dhe zhvillim në Shqipëri dhe për Shqipërinë!

Po përse vallë, një copë rrugë, mund të thoshte dikush, ka ngritur kaq tallaze e kaq pikëpyetje, kur rrugë ndërtohen, kur rrugë me rëndësi nga ana tjetër akoma mungojnë në vendin tonë, në pika të rëndësishme për zhvillimin e Shqipërisë?

Pse rruga e Arbrit na qenka një çështje më vete dhe pse është në fakt një çështje kombëtare, duhet më mirë me thënë?

Sepse, për të gjithë ata që na dëgjojnë, se këtë ju e dini, për çdo shqiptar e bashkëkombës, kudo që është, Rruga e Arbrit është një çështje drejtësie! Drejtësi e historisë, po aq sa drejtësi njerëzore ndaj një populli të tërë të kyçur këtu brenda në izolim prej kaq shumë e shumë dekadash. Drejtësi që shteti shqiptar ka detyrën absolute dhe shtrëngim moral ta vërë dhe ta garantojë një herë e përgjithmonë!

Kush pak e njeh Dibrën, e di fort mirë që sado kjo krahinë është e rrethuar nga të katër anët me male, ajo nuk është, siç kanë pretenduar, ose siç kanë dashur ta shohin zuzarët dhe dallkaukët e çdo kohe, në izolim gjeografik nga pjesa tjetër e Shqipërisë apo nga viset shqiptare jashtë kufijve të Republikës.

Vetë natyra e ka pajisur këtë zone në 6 pika me gryka të ngushta që e lejojnë komunikimin mes trevave. Rruga e re e Arbrit do të rigjallërojë këto shtigje me të cilat Dibrën e bekoi Zoti, por të cilat Dibrës ia mbylli robi. Rruga e Arbrit do të ndjekë vijën e karvaneve që ka lidhur historikisht Dibrën me kryeqytetin.

 

Prej qafës së Murrës e asaj të Buallit që lidh me bregdetin, grykës së Setës që të hedh në Shkodër, asaj të Radikës dhe të Drinit që hap Maqedoninë, Dibra gjithkahera ka patur vokacionin e një rrjeti komunikimesh mes bashkëkombësve dhe fqinjëve, gjithkahera, fatkeqësisht, të penguar e të vonuar, që nga pushtimet më të hershme e deri tek paudhësitë më të mbrame.

Nuk është rastësi që ultësirës dibrane banorët i vunë emrin Topallti, vendi i pesë topave. Sa herë që merrnin rrugën e kryengritjes çlirimtare, parsi dhe vegjëli e kësaj krahine shihnin se si drejt malësisë gjylet e topave të pushtuesit, vendosur aty si një shpatë Demokleu, ishin gati të gjëmonin, për ta shfarosur popullsinë. Në shekullin XIX kronikanë të huaj shkruanin se Gegëria, e më veçanërisht krahina e Dibrës me krerët e saj ishin gati t’i vinin zjarrin barutit të kryengritjes sa herë që pushteti i imponuar qendror tentonte që të çante rrugën.

A ishin dibranët kaq të prapambetur e dritëshkurtër që të luftonin me gudronin dhe me asfaltin dhe të refuzonin përparimin?

Jo. Atëbotë, sikundër në çdo kohë dallaverexhinjsh, dibranët refuzonin në fakt mashtrimin. Mashtrimin e xhenierëve dhe jo punën e inxhinierëve. Mashtrimin e përvijëzimit të pushtimit ushtarak dhe një superstrukturë rrugore të konceptuar për të qarkulluar ata topa, që prej ultësirës nuk kërcënonin vetëm 9 malet dhe fiset, por edhe më tej kosovarët vëllezër e të panënshtruar. Infrastruktura që sillnin vdekje, robëri dhe skamje.

Për çudi, për kujë më mirë me thënë, një qeveri shqiptare e dalë prej një partie që krenohej e fryhej si kacek si gjoja mbrojtësja dhe kumbara e malësive tona fisnike deri vonë nuk i dhuroi perspektivës së zhvillimit të Dibrës, të Dibër-Shqipërisë, asgjë gjë veç çorbës bajate te premtim-zhgënjimit, një ves i politikes së keqe, që plus kusureve të kohëve të hershme, skamjes e vdekjes pruri edhe një dozë topitëse dhe paralizuese korrupsioni dhe imoraliteti të paprovuar më parë.

E gjithë kakofonia që ka mbështjellë si një napë nën rrogoz shpërdorimet e qeverive paraardhëse ka qenë dhe kjo duket sheshit, mjafton të hysh në Dibër, një premtim-zhgënjim.

Fatkeqësisht i vetmi realitet deri më sot kanë qenë shpërdorimet që lanë pas rrugë të lëna rrugëve e një mal borxhesh bashkë me përçapjet tona rraskapitëse për t’i shlyer borxhet dhe për të riparuar pasojat e rëndomta të planeve grandioze, por me projekte qorre pa asnjë plan!

Rruga e Arbrit dhe sorollatjet e një krahine të tërë kanë qenë veç korija që fshehu për shumë kohë pyllin e makutërisë me tymnaja premtimesh e tam-tame inaugurimesh në tym.

Dhe meqë jemi këtu në mes të Peshkopisë, në zemër të Dibrës, si në një kuvend le t’i bëjmë ca hesape, ca hesape që duhet t’i dëgjojnë edhe të gjithë ata që pyesin pse zgjati kaq shumë, nga zotimi tek realizimi ky projekt strategjik për Dibrën dhe për të gjithë Shqipërinë.

Kur morëm mandatin ne na u desh t’i paguanim një më një 5 kontrata me vlerë 2.9 miliardë lekë për ta hapur rrugën e Dibrës si skenë për daulle e për shirita, edhe pse Rruga e Arbrit nuk dukej gjëkundi. Kështu ishin kontratat e nënshkruara nga ata që vazhdojnë sot e gjithë ditën t’u bien daulleve, kontrata për rrugë daullesh e shiritash pa buxhet, pas të cilave nuk u bënë rrugë, por vetëm copa rrugësh me gropa borxhesh.

E njëjta situatë ishte në gjithë Shqipërinë. Rrugë të lëna rrugëve sepse kur binin daullet e priteshin shiritat, shteti zhdukej duke shkelur me të katër këmbët e veta kontratën dhe nuk paguante për ndërtuesit.

E dini ju sa ishin detyrimet e programit “transport rrugor”, në fund të vitit 2013? 43 miliardë lekë të reja, që ne u detyruam 4 vjet ti shlyejmë një për një. 30 miliardë lekë brenda kësaj shume, të kontraktuara për daulle, për shirita, për tym syve, por pa asnjë financë në arkën e shtetit.  

Nga këto ne kemi paguar 37 miliardë lekë deri në fund të 2017, pa i cënuar investimet bazë.

Nga 2013, na u desh të paguanim përveç kontratave për daulle e për shirita për Rrugën e Arbrit, 4 kontrata për Unazën e Tiranës, 9 kontrata për rrugën Plepa-Rrogozhinë, 2 kontrata për Kukës-Krumë, e me radhë te gjitha të tjerat që mos ju lodh tani me numërim.

Gjithsej, ishin 67 kontrata rrugësh në proces ndërtimi të palikuiduara, me kompanitë e ndërtimit, në falimentin, të bllokuara nga bankat, për një total prej 344 kilometrash. Se është kollaj të bësh tendera e të numërosh kilometra, por është ndryshe që kilometrat t’i numërosh aty ku është rruga, jo nëpër foltore me daulle e me tam-tame për t’i hedhur hi syve një populli të tërë.  

46 kontrata të tjera rrugësh, të pakolauduara me gjatësi 208 kilometra.

Gjatë mandatit tonë të parë, e keni dëgjuar, “nuk kanë bërë asnjë kilometër rrugë”,  -thonë.  Ata e thonë, qorrat që i kanë sytë, por nuk duan të shikojnë, shurdhët që i kanë veshët, por nuk duan të dëgjojnë e përsërisin, por e vërteta është që ne, jo vetëm i paguam një më një të gjitha ato kilometra që ishin ndërtuar pa lekë, duke u vënë firmave lakun në fyt, por përfunduam dhe kolauduam 320 kilometra shtesë.  

Buxheti i këtij viti për infrastrukturën, për vitin e Skënderbeut, është 42% më i lartë se buxheti i vitit paraardhës dhe janë 9 akse madhore që do të përfundojnë në këto 3 vite e gjysmë që kemi përpara.

Tani, jo juve, por të gjithë atyre që na dëgjojnë po ju sjell këtu një copë fjalimi nga ai që thoshte, “rrugë, rrugë, rrugë” dhe sot vazhdon thotë kam bërë 10.000 kilometra, ndërkohë që sipas tij ne nuk kemi bërë asnjë metër. Në vitin 2009 shikoni çfarë thotë:

“Ky katërvjeçar do të jetë, katërvjeçari i përfundimit të rrjetit modern rrugor, që do të përgjysmojë distancën me Tiranën nga të gjitha skajet e vendit, Vermoshi e Konispoli, Saranda, Gjirokastra e Tropoja, Dibra e Korça”. I thotë Sali Hajgarja këto.

E më tej, me radhë: “Brenda dy viteve”, d.m.th., deri në 2011, “do përfundojmë rrugën e Arbrit”, ku e kanë?

“Tiranë – Elbasan”, ku është?

“Qafë Plloçë – Qukës”, ku është?

“Boshti i Jugut në trajektoren Elbasan-Belsh-Kuçovë-Berat-Kardhiq- Delvinë-Konispol-Sarandë”, po këtë ku e ka?

“Autostrada Fushë-Krujë- Ura e Limuthit”, ku është kjo?

Shndërrimi në katër korsi i autostradës Shkodër-Vlorë”, po këtë ku e ka?

ZERO! As për dy dhe as për katër vjet! Shiritat i preu të gjitha për këto. Daullet ranë për të gjitha këto, por asnjëra nga këto nuk u bë realitet. E dini pse? Sepse i gjithë ky program ishte një piramidë elektorale pa lekë në arkën e shtetit.

Por ka edhe më keq, për të qeshur e për të qarë dhe për pak sa nuk e qamë edhe rrugën e Arbrit. Edhe dëgjojeni për rrugën e Arbrit e ta dëgjojnë të gjithë, që na ka rokanisur kokën “pse nuk fillon, pse nuk fillon. Pse u vonua? Po gënjeni!”

Kishte lënë një projekt, 300 e kusur milionë euro, një aventurë shqiptaro-kineze me rrugën e Arbrit. Pa buxhet, por peshqesh në formë vrimash në xhepat e gjithë shqiptarëve, premtim – zhgënjim pas premtim – zhgënjimi.

Na u desh ta negocionim atë marrëveshje me shpresë se do ta ulnim atë çmim deri sa humbëm kohë, por bëmë gjënë e duhur, e anuluam, jo vetëm për shkak të kostos, por dhe të produktit.

Sot, rruga që ndërtojmë, kushton me gjithë mirëmbajtjen 10 vjet, me gjithë operimin e tunelit, vetëm 250 milionë euro.

Dhe mirë që kushton më pak, por çudia është që standardi i parashikuar prej inxhinierëve të Saliut ishte C3, më i ulëti.

Ndërsa ai i sot është C2. E dini çfarë do me thënë? Me projektin e Saliut, do hynit në tunel rrugor, - le që nuk do bëhej ndonjëherë, - por do hynit në tunel rrugor pa tub emergjence. A e imagjinoni dot 3 kilometra tunel pa tub emergjence dhe jashtë të gjitha normave europiane?

Rruga ishte tamam si gjarpër që rrotullohej e rrotullohej në pjerrësi ekstreme dhe zona malore me lartësi të pastudiuar, aty ku janë ngricat gjithë kohës, në mëshirë të rrebesheve dhe pa mbrojtje skarpatesh, njësoj si rruga e kombit.

Rruga e kombit që sot diskutojmë, ka 37 pika rreziku për jetën, ku mund të bjeri nga sekonda në sekondë masivi i dheut sepse nuk u ndërtua me masa mbrojtëse. Kështu ishte dhe projekti i rrugës së Arbrit. Rruga do ishte pa kokë, sepse nuk kishte segmentin 1.1 kilometër që e lidh me Tiranën. Do arrinit deri atje dhe pastaj duhet të linit makinat e të merrnit kuajt e Saliut për t’u futur në Tiranë. Por rruga nuk kishte as bisht sepse 9.1 kilometra që e lidhin sot me doganën e Bllatës nuk ishin.

Me fjalë të tjera, 300 milionë euro borxhe për ta bërë këtë arterie jetike një shteg në mes të dy anëve që do ngeleshin siç janë sot. Si në kohën e rrugës së karvanëve. Por do ta pësonte edhe Klosi ku sot ne do të shkojmë për punimet, njësoj si Tirana, si segmenti Maqellarë - Bllatë, ishte jashtë projektit edhe Klosi. 300 milionë euro për ta lënë rrugën e Arbrit pa Tiranë, pa Maqellarë, pa Klos dhe pa doganë. Kjo është e vërteta.

Sot rruga do të ketë tunele më të gjatë me standarde rigoroze, me tunel emergjence, do të plotësohet me tw gjithë segmentet, do të ndërtojë degëzimin e Klosit dhe Maqellarë-Bllatë dhe do të mirëmbajë gjithë veprën dhe tunelin për 10 vjet.

Monopati i torturës 118 kilometra, sot është 69 kilometra.

Nuk dua t’ju marr më shumë kohë me detaje se ka plot sa të duash, por di t’ju them se rruga e Arbrit që ne do të ndërtojmë dhe këtu do jemi, do vijmë siç tha ai djali, nga Rruga e Arbrit përpara se sa të vijmë përsëri për të kërkuar votën tuaj.

Nuk kam ardhur këtu të laj hesapet me Saliun, se me Saliun dhe me partinë e Babales i lau hesapet vetë gjithë Shqipëria, nga Dibra këtu e kudo tjetër, por kam ardhur për t’ju thënë, motra e vëllezër, e për t’i thënë gjithë shqiptarëve, që ky mandatat do të jetë mandati i shumë kantiereve të shumëpritura për dekada të tëra.

Unë e di që Shqipëria ka nevojë për shumë e shumë më tepër akoma, por Shqipëria është si një shtëpi. Si shtëpia e gjithësecilit prej jush dhe nëse shtëpia ka fatkeqësinë që një kryefamiljar i papërgjegjshëm i ka lënë të gjithë paratë në bixhoz dhe e ka zhytur familjen në borxhe, familja në fillim lan borxhet për të shpëtuar shtëpinë dhe pastaj krijon mundësitë për ta zgjeruar shtëpinë.

Mandatin e parë ne i lamë borxhet dhe e shpëtuam shtëpinë, këtë mandat ne do ta zgjerojmë shtëpinë.

Në mbyllje, puna le të ndahet. Qeverisë llogaridhënien, dibranëve dhe gjithë shqiptarëve mbështetjen tonë deri në fund, duke reflektuar gjatë gjithë procesit apelin e një dibrani të madh, Hoxhë Vokrrit në veprën e tij rilindase “Ferrëfenjësja e myslimanëve”:

“Para Zotit dhe popullit do të jenë përgjegjës të gjithë ulematë-hoxhallarët dhe intelektualët e kohës, pse në kohën e tyre ndër shqiptarët ka pasur ndarje dhe përçarje”.

Vaftë kjo fjalë në vesh të Perëndisë e në çdo zemër të shqiptarisë dhe në çdo mendje në Peshkopi e në të gjithë Dibrën.

Sa më shumë të jemi të bashkuar, aq më shumë ne mund të bëjmë për Shqipërinë, por jo vetëm kaq.

Aq më pak borxhe në shpirt e plagë në zemër do t’i lëmë fëmijëve tanë.  

Rrofshi ju! Rroftë Dibra, Rroftë Shqipëria!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm