18090882_10154957892694473_543702344_o

Takim me votuesit për herë të parë të qarkut Durrës

Fjala e Sekretares për Rininë, Elisa Spiropali:

Përshëndetje të gjithëve!

Kruja, Fushëkruja, Shijaku, përshëndetje gjithë qarku Durrës.

Faleminderit që jeni këtu!

Ju që keni ardhur për herë të parë, ju jemi përulësisht mirënjohës që na u bashkuat dhe ju premtojmë që nuk do ju lëshojmë kurrë. Për të gjithë organizatorët e FRESSH-it, një bravo të madhe. Ky është FRESSH-i më i madh që ka patur ndonjëherë qarku Durrës.

Miq, kur kemi ardhur dhe kemi bërë riorganizimin në takime me ju, nuk ju kemi thënë “ejani me ne se ju japim shkollën” apo “ejani me ne se do merrni lëndën dhe degën që doni”; nuk ju kemi thënë “ejani se do ju fusim prindin në punë”. Ne ju kemi thënë “ejani me ne, sepse ne do të ndërtojmë shtetin modern shqiptar me ju dhe për ju”. Dhe kjo ka funksionuar.

Miq, 18 qershori nuk është një datë e zakonshme zgjedhore, është një datë vendimtare për fatin e Shqipërisë. Një datë që vendoset se si do të jetë fytyra dhe konstitucioni i Shqipërisë për brezat e ardhshëm. Në këtë betejë, ne ju duam me vete dhe kemi plot arsye. Ata që janë mbyllur në çadër, ata rreth çadrës, ata që i japin oksigjen çadrës dhe të tjerë i ka marrë malli për kohën kur bashkitë dhe komunat qeveriseshin si feude dhe si bajraqe. Ajo kohë ka marrë fund. Durrësi ka ndryshuar. Qytetet shqiptare kanë ndryshuar. Shqipëria po ndryshon. Reforma administrative dhe rilindja urbane i ka kthyer qytetet tona nga pazare orientale në qytete të mirëfillta europiane. Më shumë do bëjmë për qytetet tona, duke nisur nga Durrësi. Ata padyshim i ka marrë malli për kohën kur diplomat shiteshin dhe bliheshin nëpër tezga dhe nëpër kioska, lejet e të cilave i jepnin ata. Kjo qeveri dhe ky kryeministër ka ndërmarrë reformën më thelbësore për arsimin, dhe arsimi do të ndryshojë afër meritës dhe afër konkurencës. I ka marrë malli ata, pa dyshim edhe për kohën kur s’kishte shtet, s’kishte ligj; i ka marrë malli për rrumpallën që kishin krijuar.

Po u themi këtu nga Durrësi, se ashtu si luftuam për shtet, për rend, për ligj, ashtu do të vazhdojmë me më shumë vendosmëri për të ndërtuar shtetin modern shqiptar. Në atë kohë faturat e energjisë, ujin i paguanin vetëm ata që s’kishin mbështetje, kurse burracakët me mbështetjen e klanit të partisë e kishin kthyer këtë shtet në një çiban të madh. Por jo më! I ka marrë malli pa dyshim edhe për kohën kur prokurorët, gjyqtarët bënin ligjin. Duan t’i mbajnë ende në punë. Ata do të ikin nga puna, reforma do të bëhet, drejtësi do të bëhet për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Ne duam të ndërtojmë shtetin e meritës dhe të punës për të gjithë ju. Ata, vendet e punës i jepnin me lekë, i jepnin me taraf, i jepnin me fis, i jepnin me parti. Administrata ka filluar të ndryshojë përmes konkurseve dhe konkurencës dhe nuk do të ndalemi derisa çdo i ri të marrë vendin e punës që i takon në Krujë, në Shijak, në Durrës dhe kudo ku ka të rinj dhe shqiptarë.

Në fund, më lejoni të them se ky pasion, kjo vendosmëri, kjo energji e treguar nga kryeministri Edi Rama, nga Partia Socialiste dhe nga qeveria jonë do vazhdojë deri në fund. Për më shumë investime, për më shumë punë, për të gjithë ne dhe për të gjithë ju ka vetëm një Shqipëri dhe ajo do të jetë Shqipëria që duam, Shqipëria europiane me Edi Ramën, me Partinë Socialiste.

Fitore të gjithë bashkë!

 

 

Fjala e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako në takimin me votuesit për herë të parë të këtij qarku:
Përshëndetje të gjithëve!

10 vjet më parë kemi nisur fushatën në këtë pallat sporti dhe me vështirësi të mëdha mbushëm këtë pallat me gjithë simpatizantët dhe miqtë tanë. Sot jam shumë i impresionuar, sepse ky pallat është mbushur vetëm me të rinj, vetëm me votues për herë të parë. 4 vite kaluan dhe sot Durrësi dhe ju jeni dëshmitarë të tij, që ka ndryshuar totalisht, është transformuar, është bërë më i bukur, më i mirë dhe kjo është bërë nën qeverisjen e PS-së, nën qeverisjen e Edi Ramës. Kemi bërë shumë, por kemi ende shumë për të bërë.

Pa dyshim që të gjithë njerëzit e lidhin fjalën shtet me kryeministrin Edi Rama. PS dhe kjo qeveri po vazhdon punën për të bërë shtet, edhe ndoshta duke sakrifikuar diçka nga pushteti. Pra reformat e thella që janë kryer në këtë vend, nuk ishin kryer për 25 vjet. Mundej që njerëzit edhe të mos na kishin mbështetur. Zgjedhjet për kryetarët e bashkive treguan që qytetarët e Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë i duan reformat, i mbështesin ato; dhe PS është e vendosur të vazhdojë këto reforma të thella për të bërë më të mirën për ju dhe për të gjithë shqiptarët.

 

Të dashur votues për herë të parë,

Data 18 qershor është një datë historike për ju e jo vetëm sepse votoni për herë të parë, por jam i bindur që do të ngelet fort, shumë gjatë në memorien tuaj që keni votuar për Edi Ramën, keni votuar për Partinë Socialiste. Në datën 7 maj kemi zgjedhjet në Kavajë. PD kërkon jo vetëm t’i bojkotojë ato, por t’i prishë ato zgjedhje, që do të thotë: të sjellë kaos, të prishë demokracinë dhe të sjellë Shqipërinë e vitit 1997. Por unë jam i sigurt, që çdo qytetar i Shqipërisë nuk mund të pranojë vitin 1997. Nuk ka biznesmen që do të mendojë se do t’i marrin pronën apo do t’i vënë gjobën; nuk ka pensionist që do të shkojë të marrë pensionin dhe të gjejë bankën të vjedhur apo të grabitur; nuk ka familjar i cili punon dhe mezi pret ditën e rrogës dhe të mos jetë në gjendje ta marrë atë për arsye se ka falimentuar. E pra këtë mbështetje, këtë kënaqësi, populli shqiptar nuk ka për t’ia dhënë PD-së.

Më 18 qershor ne do të votojmë të gjithë për Partinë Socialiste, sepse është e ardhmja jonë, është Shqipëria e gjeneratës tjetër. Zgjedhjet e 18 qershorit nuk janë për 4 vitet e ardhshëm, zgjedhjet e 18 qershorit janë për të gjithë ju, për rininë, për brezat e ardhshëm, sepse jam i sigurt që me Edi Ramën do të ketë më shumë mirëqenie, do të ketë më shumë vende pune, do të kemi Shqipërinë që ne duam. Sistemi që kemi zgjedhur në vitin ’90 është sistemi demokratik, ku vota është fuqia që të jep për të qeverisur një vend dhe për të bërë ndryshime të mëdha. PD-ja, e cila nuk e do shtetin, nuk do që ky vend të ecë përpara; kërkon t’i bojkotojë ato sepse i vret e mira, i vret zhvillimi i Durrësit, i vret Rilindja Urbane në çdo qytet të Shqipërisë dhe përballë kësaj, ata kërkojnë kaosin, kërkojnë t’i prishin këto zgjedhje. Përgjigja e merituar që do t’u japin shqiptarët është që të gjithë do të votojnë, do të votojnë Partinë Socialiste, do të votojnë Edi Ramën, sepse janë të bindur që me Edi Ramën shqiptarët nuk do të jenë më vetëm fizikisht në Europë, por do të jenë anëtarë të familjes europiane me të drejta të plota dhe me mirëqenie në çdo familje.