Taulant Balla

Të bëhemi të gjithë bashkë për të shpëtuar Vettingun nga Basha dhe Berisha

Sot në Elbasan deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka firmosur peticionin për reformën në drejtësi.

I shoqëruar nga qytetarë të Elbasanit, Balla u shpreh se procesi i Vetting-ut është thelbësor në gjithë reformën për drejtësi.

“Tashmë është e qartë që duhet të bëhemi të gjithë bashkë për të shpëtuar Vettingun nga Basha dhe Berisha.

Ditët që vijnë janë ditë shumë kritike për procesin e Vettingut, po të kemi parasysh që në Kuvendin e Shqipërisë duhet të ngrihen dy komisione të cilat bëjnë të mundur vijimin e procesit të Vettingut.

Bojkoti i parlamentit nga ana e opozitës do të thotë bllokim për procesin e Vettingut; do të thotë bllokim për procesin e integrimit europian të Shqipërisë; do të thotë bllokim të ecjes para të Reformës në Drejtësi. Pa Reformën në Drejtësi, ne nuk mund të sigurojmë pastrimin e sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët  e korruptuar.

Siç e dini, edhe në një kosh me mollë mjafton të ketë disa mollë të kalbura dhe kështu do kalbet i gjithë koshi i mollëve.

Kështu është dhe sistemi i drejtësisë që ne kemi sot – i mbushur në një pjesë të caktuar të tij me elementë  të cilët e kanë korruptuar sistemin e drejtësisë. Shqiptarët duhet të bëhen të gjithë bashkë për të çuar përpara procesin e Vettingut.

Vettingu është elementi thelbësor në të gjithë Reformën e Drejtësisë. Kush është sot kundër Vettingut, është kundër interesit kombëtar të shqiptarëve për një drejtësi të pastër, për një drejtësi të pastruar nga elementët e korruptuar.

Kështu që këtu nga Elbasani, unë i bëj thirrje jo vetëm popullit të Elbasanit që t’i bashkangjitet kësaj iniciative kaq të shkëlqyer të shoqërisë civile”- përfundoi Balla.