Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Të miratojmë të gjitha iniciativat që lidhen me përputhjen e plotë të legjislacionit shqiptar me Konventën e Stambollit dhe rekomandimet e Këshillit të Europës

Të reja

Të miratojmë të gjitha iniciativat që lidhen me përputhjen e plotë të legjislacionit shqiptar me Konventën e Stambollit dhe rekomandimet e Këshillit të Europës

04 Dec 2017    

Fjala në seancën e sotme parlamentare e kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla:

Fjala në Mocionin me Debat: “Për dënimin e fenomenit të dhunës në familje dhe marrjen e masave urgjente për evidentimin e situatës dhe gjetjen e mekanizmave efikase ligjore për parandalimin e këtij fenomeni”

Replikë me deputetin parafolës Sali Berisha:
Për nga mënyra sesi foli, është apologjia më e mirë që mund t’i bëhet sjelljes së patolerueshme të ndonjë politikani edhe kur bëhet fjalë për një ditë kaq solemne, sikurse është angazhimi i këtij parlamenti në luftën e përbashkët ndaj një fenomeni të rrezikshëm, sikurse është dhuna ndaj grave. Për parafolësin nuk ka asnjë lloj gjëje tjetër rëndësi përveç se lufta për karrige; e për sa i përket gënjeshtrës, ky është kampioni më i madh që ka njohur kjo foltore. Ngatërrove 220 milionët e Lulit te Rruga e Kombit, Sali. E mos ia bëj Lulit pas krahëve këtë gjë, sepse ka ikur në Bruksel sot. Unë e kuptoj që ti Lulin nuk e do më, por inatin dhe dashurinë për Lulin mbaji brenda vetes.  Luli nuk e shpjegoi dot mirë këtë histori javën e kaluar; erdhe ta shpjegosh ti. Edhe ti e katranose më keq se ç’ke katranosur çdo gjë.

Sa për shërbimet e Kuvendit, ju lutem, në procesverbalin e Kuvendit, kur të zbardhet, 7x7 bëjnë 49 dhe 36 + 49 bëjnë 85; se do vijnë brezat pasardhës e do na qeshin që paska pasur politikanë që s’dinë të shumëzojnë e të mbledhin.

Kolege dhe kolegë deputetë,

Tri gjëra të rëndësishme që lidhen me angazhimin tonë kundër dhunës ndaj grave. Së pari, duhet të angazhohemi që ato që themi këtu t’i mbajmë dhe t’i respektojmë. Kemi thënë që në Kodin Zgjedhor 30 % e listës duhet të jenë vajza e gra, dhe s’duhet të ketë asnjë parti politike si kjo partia këtu që pranoi të paguajë 120 mijë euro për të mos pasur aq sa duhet gra në këtë sallë. Për mua duhet të jetë 50 % gra e 50 % burra, sepse nuk kanë asgjë më pak gratë se burrat; por do të ishte më mirë që gratë të ishin gjysma e kësaj salle. Këto kritere që vendosim këtu duhet t’i respektojmë.

Ju shkoni paguani 120 mijë euro - turp për një parti politike që pranon të paguajë gjobën për të mos pranuar që 30% e grave të jenë në këtë sallë.

Së dyti, me projektligjin që do të miratojmë sot në pjesën e fundit të kësaj seance, ai nënkomisioni të mos jetë më shprehja më e keqe e këtij që parafoli këtu, por të mblidhemi aty e të flasim realisht për një fenomen i cili duhet dënuar në gjenezë, sepse ka plot gra e vajza që sot hezitojnë të denoncojnë dhunën në familje, sepse kanë frikë nga tradita, kanë frikë nga vjehrri e vjehrra, kanë frikë nga kunati etj.

Kësaj historie do t’i japim fund; për këtë duhet të bëhemi të gjithë bashkë dhe sot ishte një ditë solemne për të qenë bashkë, e jo për ta përdorur këtë foltore për hallin e radhës të hequr hallin e radhës të Saliut apo Lulit e kujtdo tjetër.

Duhet sa më shpejt t’i miratojmë iniciativat ligjore që lidhen me përputhjen e plotë të legjislacionit shqiptar me Konventën e Stambollit, rekomandimet e Këshillit të Europës, dhe këtë ta bëjmë sa më shpejt.

Së fundi, kemi bërë reformën administrative-territoriale. Ne si grup parlamentar jemi të gatshëm, në mënyrë sa më të shpejtë, të rrisim autoritetin e pushtetit vendor për sa i përket kontrollit,  mbështetjes së çdo nëne dhe çdo motre që është e atakuar nga fenomeni i dhunës në familje.

Kjo është, Sali, të flasësh për diçka që ka rendi i ditës, e jo të hapësh dhëmbët.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm