selenic lajm

Me të njëjtin pasion që luftuam për drejtësinë, do punojmë për ekonominë e mirëqenien

Mirëdita të gjithëve!

Mirë se ju gjeta!

Ky është takimi i parë realisht elektoral i Partisë Socialiste dhe sëbashku me Damianin vendosëm ta bënim këtu, si hapin e parë për një fillim të mbarë nga zemra e Labërisë.

Unë ju jam shumë mirënjohës për të gjithë mbështetjen tuaj në këto 3 vjet e gjysmë të qeverisë sonë dhe jam i bindur se ne, në një periudhë kaq të shkurtër, pas çerekshekulli pa shtet, pas çerekshekulli pa drejtësi, pas çerekshekulli që rrënoi shpresën e njerëzve nuk kemi bërë asnjë mrekulli.

Çka kemi bërë është shumë pak në krahasim me atë që mbetet për t’u bërë. Por pa diskutim ju kemi dhënë të gjithë atyre që na besuam me votën e tyre në qershorin e 4 viteve më parë, por dhe të tjerëve që nuk votuan për ne, provën e sigurt se ne dimë të bëjmë shtet, provën e sigurt se vizioni, programi, skuadra dhe vendosmëria jonë janë çka i duhet Shqipërisë për të hapur një faqe të re në historinë e saj.

Kemi ndërmarrë reforma të thella dhe të vështira, reforma të dhimbshme dhe me kosto, të cilat duhet të ishin ndërmarrë 20 vite më parë. Kemi bërë shumë punë, pasi kemi qenë të detyruar të shlyejmë një mal me borxhe. Por e gjithë kjo periudhë e qeverisjes sonë ka qenë jashtëzakonisht e vështirë, sepse kemi qenë të detyruar të punojmë në një vend ku ende drejtësia është në kthetrat e gjykatësve dhe të prokurorëve të korruptuar, të lidhur si mishi me thoin me ata që janë ngujuar në bunkerin prej plasmasi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për turpin e tyre, nga frika e drejtësisë.

Është vërtet dëshpëruese të shohësh një parti që lindi nga shpresa e madhe për “Shqipërinë si gjithë Europa” të pushtojë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe të ngujohet aty për t’i ndërprerë rrugën aspiratës së këtij populli për të pasur drejtësi, për t’i prerë rrugën qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi për të gjetur drejtësi, për t’i prerë rrugën të ardhmes, duke u bërë barrikadë për të mos lejuar çlirimin përfundimtar të Shqipërisë nga diktatura e korrupsionit në drejtësi.

Ne e dinim shumë mirë, kur filluam këtë betejë, se pengesa më e madhe për t’u kapërcyer, muri më i lartë për t’u shembur, hendeku më i gjerë për t’u mbyllur mes nesh dhe të ardhmes ishte drejtësia e korruptuar dhe vendosëm në programin tonë, reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, edhe pse nuk i kishim votat për të ndryshuar Kushtetutën, nuk e dinim që Aleanca jonë do të kishte votat për të bërë ndryshimin rrënjësor të ligjeve që duan një shumicë të cilësuar. Por e vendosëm në program, me bindjen se tanimë i ka ardhur koha drejtësisë dhe i ka ardhur koha njeriut të zakonshëm të mos trajtohet si skllav i lidhur me zinxhirët e korrupsionit që kanë marrë peng drejtësinë në gjithë këto vite.

Ia dolëm të bëjmë pjesën e parë. Ia dolëm të ndryshojmë Kushtetutën. Ia dolëm të kalojmë bazën e ligjeve më të rëndësishme. Ia dolëm të vendosim në themel të kësaj reforme Vetting-un e gjykatësve dhe prokurorëve. Vetting-u është filtri ku do të kalojë çdo gjykatës dhe çdo prokuror. Vetting-u është skaneri që do t’i bëhet çdo gjykatësi dhe çdo prokurori, për të ndarë mënjanë ata që janë të denjë për t’i shërbyer popullit, për t’iu shërbyer qytetarëve, për t’i shërbyer vendit tonë dhe për të çuar përpara drejtësisë, ata që kanë kryer krime, të veshur me mantelin e njeriut të drejtësisë.

Vetting-u është momenti i të vërtetës me të cilën do të ballafaqohen një për një, të gjithë prokurorët dhe të gjithë gjykatësit e këtij vendi, që do të duhet të provojnë se pasuria e tyre është vënë me punë, është vënë nga fitimet e ligjshme, që do duhet të provojnë se vendimet e tyre kanë qenë të përputhura me Kushtetutën dhe me ligjin, që do duhet të provojnë që i kanë shërbyer Kushtetutës dhe njerëzve.

Në rast të kundërt do duhet të përgjigjen për shkelje të Kushtetutës, për shkelje të lirive dhe të drejtave të njerëzve, për grabitjet e pronave, për shkeljet pa kriter e pa karar, pa fund e pa krye të të drejtave që u janë mohuar për 27 vjet, njerëzve të këtij vendi.

Kjo i ka mbledhur bashkë në bunkerin e turpit, ata që drejtojnë Partinë Demokratike dhe ata që vazhdojnë të qëndrojnë në krye të sistemit të drejtësisë. Janë të lidhur si mishi me thoin. Por të jeni të bindur se në 18 qershor, ne do t’i zmbrapsim njëherë e përgjithmonë. Të jeni të bindur se bllokimi i Vetting-ut, për të çliruar drejtësinë, do të mbarojë në 18 qershor. Të jeni të bindur se parlamenti i ri, menjëherë pas votimit të qeverisë së re, do të votojë zhbllokimin e procesit të Vetting-ut.

Brenda këtij viti do t’i shikoni me radhë, njëri pas tjetrit, ta lënë Pallatin e Drejtësisë, ata që e kanë marrë peng dhe të shkojnë të përgjigjen përpara drejtësisë së re për të gjitha zullumet, mëkatet dhe krimet që kanë bërë në kurriz të këtij populli dhe të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi.

Po ashtu të jeni të bindur se me të njëjtin pasion, me të njëjtin vullnet, me të njëjtën këmbëngulje, pavarësisht malit të madh për t’u kapërcyer, që ne kemi luftuar dhe po luftojmë për të vendosur drejtësi në këtë vend, do të vazhdojmë të luftojmë për të rritur punësimin, do vazhdojmë të luftojmë për të rritur ekonominë, do vazhdojmë të luftojmë për të rritur mirëqenien.

Të jeni të bindur se sa më i drejtë të bëhet vendi, aq më shpejt do rritet ekonomia, se me heqjen e pengesës së madhe që i krijojnë gjykatat e këtij vendi, njerëzve, investitorëve, ekonomisë, ne do të shikojmë një fazë të re zhvillimi me më shumë punësim, me më shumë mirëqenie për të gjithë njerëzit që duan të jetojnë me punë të ndershme në këtë vend.

Këtu në Selenicë, si kudo në të gjithë Shqipërinë, nuk ka vetëm socialistë, ka edhe demokratë, ka plot njerëz të ndershëm, ka plot familje të zakonshme që janë mësuar të votojnë për Partinë Demokratike. Ka plot vajza dhe djem, prindërit e të cilëve kanë votuar vijimisht Partinë Demokratike. Mua më vjen shumë keq për ta. Ndjehem shumë keq, që ata sot janë të braktisur nga lidershipi i partisë së tyre.

Por u them me zemrën të hapur dhe me krahët e hapur se janë të mirëseardhur të na bashkohen në 18 qershor, jo për t’u bërë anëtarë të Partisë Socialiste, jo për të ndryshuar bindjet e tyre politike, por për të vënë interesin e familjes së tyre mbi interesin e atyre që e kanë mbyllur Partinë Demokratike në bunkerin e turpit, në Bulevardin e Dëshmorëve të Kombit.

Të bashkohen me ne, sepse në fund të ditës, drejtësia është ajo që u duhet njësoj njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, qofshin socialistë, qofshin demokratë; Sepse në fund të ditës, gjykatësit e korruptuar nuk i ndajnë njerëzit në socialistë e  demokratë, por i trajtojnë si mish për top; Sepse në fund të ditës, në pazarin  e drejtësisë nuk hyhet me teserë partie, por hyhet për të vënë kokën në satërin e gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar; Sepse në fund të ditës, ata që e kanë mbyllur Partinë Demokratike, atje në bunkerin e turpit, nuk interesohen, nuk e vrasin mendjen, nuk duan t’ia dinë për çdo demokrat të zakonshëm që humbet pronën, që humbet të drejtën në gjykatë. Atyre, gjykatësit e korruptuar iu duhen vetëm për të mos humbur lirinë e tyre, duke dhënë llogari për zullumet e tyre përpara drejtësisë.

Demokratët, qytetarët e zakonshëm demokratë, duhet të na bashkohen në 18 qershor, sepse e ardhmja e fëmijëve të tyre është shumë më e çmuar sesa e ardhmja e Saliut. E ardhmja e Saliut është mbrapa. E ardhmja e fëmijëve tyre është përpara.

Drejtësia që ne duam, është drejtësia që duam për Shqipërinë që duam. Shqipëria që duam nuk është e ndarë në ngjyra-ngjyra, por të gjitha ngjyrat janë të shkrira për ne, në flamurin kuqezi të Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit.

Kush e do flamurin kuqezi duhet të votojë në 18 qershor! Kush do që ky flamur, flamuri i Skënderbeut, i Ismail Qemalit, i rilindësve, i dëshmorëve, i patriotëve të njohur apo të panjohur, që nga ata që e shkrinë jetën e tyre për atdheun deri te ata që e shkrinë jetën e tyre në emigracion, për të ndihmuar familjet e tyre, duhet të mendojë vetëm një gjë shumë të thjeshtë: 18 qershori do ta ngrejë këtë flamur më lart.

18 qershori do të bëjë që flamuri kuqezi të afrohet në oborrin e Europës së Bashkuar.

18 qershori do të bëjë që ne të hapim negociatat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Për të gjitha këto arsye, demokratët e zakonshëm duhet ta lënë Saliun atje, kukuth, i mbyllur në bunker. Duhet të bashkohen me të gjithë socialistët, pa dallim, fqinj me fqinj, bashkëqytetarë me bashkëqytetarë, bashkëfshatarë me bashkëfshatarë, për Shqipërinë që Duam, me shtet, me punë, me mirëqenie.

Mua më vjen shumë mirë që ne sot vijmë këtu, 4 vjet nga fushata e shkuar dhe tanimë, Lumi i Vlorës nuk është më një premtim, është një kantier i hapur dhe rruga e Lumit të Vlorës nuk është më një ëndërr që tretej pas çdo fushate, por ka filluar të bëhet realitet.

Megjithatë, ju siguroj që të gjithëve që nuk keni parë gjë akoma, sepse shumë më tepër duhet bërë dhe shumë më tepër do të bëjmë!

Shumë më tepër do të bëjmë për Vlorën!

Shumë më tepër do të bëjmë për Selenicën!

Shumë më tepër do të bëjmë për Himarën, për Sarandën dhe për të gjithë Shqipërinë!

Ne e duam Shqipërinë dhe jemi këtu për Shqipërinë që Duam.

Shumë faleminderit!

 

*Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama në takimin elektoral në Selenicë