Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Tirana, mishërimi i forcës sonë transformuese

Të reja

Tirana, mishërimi i forcës sonë transformuese

23 Mar 2019    

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin në Tiranë të ciklit kombëtar Bashkia që Duam:

 

Faleminderit të gjithëve! 

Dua që në këtë moment ta ktheni pak kokën pas. Kthejeni dhe ndalojeni te Tirana e 4 viteve më parë.

Ecni me sy nga ky shesh. 

Aty në qendër ku jeni ju qëndron kufoma e shatërvanit komunist, një shtojcë e tepërt dhe e degraduar e sheshit historik, që na ka mbledhur të gjithëve këtu, sot. 

Në të majtën time, në hyrjen e parkut është zënë prej vitesh, nga një tren ndërtimesh pa leje, rruga për t’u ngjitur në park. Janë legalizuar nga qeveria në korrik të 2013-ës, fill pas zgjedhjeve të humbura dhe kthyer në prona të zaptuesve të parkut. 

 

Në të djathtë, dergjet qysh se nuk mbahet mend gërmadha e stadiumit “Qemal Stafa”, futur në listën e zezë të FIFA-s dhe të UEFA-s, si një hot spot i rrezikshëm, ku nuk qaset dot më asnjë skuadër e huaj. 

Më tutje, sheshi “Skënderbej”, skena e një shfaqjeje revoltuese dritëshkurtësie dhe banaliteti provincial, e vetmja qendër historike e një kryeqyteti në Europë pa asnjë shans për këmbësorët, pa asnjë fije respekti për trashëgiminë kulturore, pa asnjë pikë ambicieje për të ardhmen. 

Më tutje akoma, gropa e Bulevardit të Ri, i mbetur në rrugë dhe ai, njësoj si të gjitha rrugët e mbetura rrugëve nga koha e atyre që sot, si për një shaka fatale të universit, kanë mbetur në rrugë për vete. 

Këtej prapa meje, Parku i Liqenit lënë në mëshirën e fatit, mbushur me plehra dhe pa asnjë poç që ndizet natën, qoftë dhe sa për të prishur syrin e keq. 

Përreth qendrës dhe deri në rrezen e Unazës, një qytet pis, ku plehrat mblidhen si ta sjellë fati dhe kazanët më shumë digjen sesa pastrohen dhe dezinfektohen. 

Ndërsa në perëndim të Tiranës ngrihet çdo mbrëmje reja e zezë e Sharrës, që mbyt Kombinatin dhe turpëron krejt kryeqytetin.

Pa folur për gropat e rrugëve dhe për asfaltin e rrjepur në çdo segment dhe pa shkuar më tutje, rrotull Unazës ku mbretërojnë feudalët e vegjël të komunave, që shtrijnë këmbët në formë pallatesh, mbuluar me çarçafë getosh, drejt qendrës së Tiranës. 

Ajo Tiranë e vetëm 4 viteve, që tani po e shihni me sytë pas, një organizëm pa zemër, pa shtyllë kurrizore funksionale, me trurin e çoroditur, mushkëritë e mbushura me blozë dhe organet e bëra lëmsh me njëra-tjetrën, ku zhurma dhe pisllëku bëjnë ligjin, është e shkuara e mbetur veç në shëmbëlltyrën e forcave të vjetra të politikës së vjetër;

PD-ja, si sheshi i vjetër në qendër. 

LSI-ja si shatërvani i vjetër, këtu në bisht. 

Të tjerët, të ashtuquajtur aleatët, si kioskat e rritura në vite këtej anash, shtesë pas shtese, që iu kishin bllokuar njerëzve rrugën dhe iu kishin zënë pamjen Parkut të Tiranës. 

Kjo Tiranë që kemi sot s’ka asnjë lidhje me atë që ju sapo patë me sytë e kujtesës. Ky qytet, sot është mishërimi i forcës sonë transformuese, edhe i boshllëqeve tona, padyshim. Është një pasqyrë e dëshirës tonë për ndryshimin dhe i aftësisë sonë, jo vetëm për të dashur, po edhe për ta bërë ndryshimin, por dhe pasqyrë e shumë defekteve që duhen ndrequr. 

Është një provë e dallimit të madh, nata me ditën, mes nesh dhe atyre që... desha të them i kemi përballë, por, në fakt, që i kemi mbrapa, çdo ditë e më mbrapa. Kush e vë këtë në dyshim, ose s’ka dalë nga nata e tyre, ose e ka harruar natën e tyre se çfarë ishte, kur ata kishin në dorë Shqipërinë dhe Tiranën. 

Ndërkohë që dita jonë mund dhe duhet të jetë patjetër shumë më e mirë dhe do të jetë më e mirë padiskutim. Shumë më e mirë.  

Tirana jonë sot, ashtu si çdo qytet tjetër që ne qeverisim, edhe si vetë Shqipëria, s’ka të krahasuar me çka ishte përpara sesa ne ta merrnim në dorë, më saktë akoma, s’ka të krahasuar me më përpara sesa ne t’i merrnim në dorë të dyja, edhe bashkinë, edhe qeverinë. Pa këtë sinergji, kjo ditë do kishte shumë më pak dritë. Për këtë mjafton t’i kthejmë edhe njëherë sytë pas, tek Durrësi, Elbasani, Korça, Fieri, apo vetë Vlora, kur ne ishim në krye të bashkive, por nuk ishim ende në qeveri. Qytete të penguara, qytete të bllokuara, qytete të torturuara nën presionin e të vjetrës, që kishte në kthetra qeverinë e Shqipërisë dhe mbante në kthetra të gjitha fuqitë transformuese të Shqipërisë. 

Nga ana tjetër, pikërisht pse jemi edhe në bashki, edhe në qeveri, sot, ne nuk mund të ndalemi te krahasimi i thjeshtë mes të djeshmes dhe të sotmes, por duhet të hedhim vështrimin përpara, larg përpara, tek diferenca e madhe mes realitetit të sotëm dhe ambicies sonë për Tiranën dhe për Shqipërinë që Duam. 

Sheshi “Skënderbej”, sot është një kryevepër urbanistike, e konfirmuar ndërkombëtarisht, e cila i bën Shqipërisë shërbime të mira, duke marrë çmime ndërkombëtare prestigjioze, vlerësime të larta në revistat dhe në gazetat e mëdha të botës, komplimente dhe foto të pafundme nga vizitorë.

Por Muzeu Historik është ende një fantazmë e së shkuarës mu në mes të sheshit. 

Opera është një kantier dhe faktikisht këtë vit do i hapë dyert dhe do tërheqë me siguri shumë më tepër vizitorë, me qenien e saj krejtësisht të rilindur. Por në krah të saj, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë është i madhi i munguar në transformimin tonë të derikëtushëm dhe kjo nuk është pak. 

Teatri i Kukullave është një karakatinë që na turpëron përballë fëmijëve tanë. 

Uroj dhe besoj që deri në fund të këtij mandati qeverisës, ne do t’i hapim themelet e Bibliotekës së re Kombëtare dhe të Teatrit të ri të Fëmijëve, këtu pranë, te Garda. Ndërsa deri në fund të mandatit të ri të Erjonit do të hapim me siguri, edhe dyert e këtyre dy institucioneve të pazëvendësueshme për një kryeqytet dinjitoz. 

Patjetër nuk e harroj, se s’kam sesi, Teatrin e ri Kombëtar, të cilin do ta ndërtojmë me se s’bën dhe për turpin e të gjithë atyre që e kanë baltosur pa lindur projektin tonë, ne do ta bëjmë Teatrin e ri Kombëtar një tjetër kryevepër të konfirmuar ndërkombëtarisht, ashtu si “Qemal Stafën” e vjetër, Arenën e re Kombëtare, ku, më në fund, për pak muaj do të gjejë vendin e vet të respektuar në këtë qytet, edhe vepra historike e Gerardo Bossios dhe e drejta e mohuar deri më sot, e Tiranës për të pasur një stadium futbolli modern, të bukur, të denjë për kryeqytetin e Shqipërisë që Duam. 

Po njësoj do ta rilindim Piramidën, e cila më në fund do të marrë jetë, duke iu kushtuar më të rinjve me një program fantastik edukativ, zhvillimor dhe argëtues, por duke u përfshirë njëkohësisht në albumin e kryeveprave urbane dhe arkitektonike ndërkombëtarisht të njohura të Tiranës. 

Sot, Tirana europiane nuk është më një vegim në horizontin e ëndrrave dhe të shpresave tona, por është një realitet në formim e sipër falë punës sonë. 

Ju kam thënë këtu e 4 vjet më parë, na jepni një mandat për Tiranën dhe me Partinë Socialiste dhe me Erjonin do ta rizgjojmë qytetin e zhytur në gërhimat e Lulzimit, duke e rikthyer në punën transformuese të viteve historike 2000, kur Tirana u bë kryeqytet i shpresës dhe i ndryshimit, por u mor peng nga armiqtë e betuar të shpresës dhe të ndryshimit të shqiptarëve. 

Ja ku jemi sot!

E këtu në Tiranë mund të tregojmë me gisht një nga një, njësi më njësi, jo vetëm në qytetin e vjetër, por edhe në komunat që i janë bashkuar Tiranës, se çka kemi bërë me mandatin që na dhatë. Besoj se nuk mjaftojnë, por janë më shumë sesa të mjaftueshme, për të kërkuar një mandat të ri për Erjonin dhe për Partinë Socialiste të Shqipërisë në Tiranë për 4 vjet të tjera, që të bëjmë 4-fishin e punës së këtyre 4 viteve që po mbyllen e jo vetëm në Tiranë, por kudo ku në këto 4 vjet kemi qeverisur dhe kemi mbajtur zotimin kryesor të fushatës së shkuar, për të bërë në 4 vite, më shumë sesa në 20 vitet pararendëse, të marra së bashku.

Ndërsa për kudo ku kanë qeverisur ata që sot janë arratisur, pasi kapitulluan përballë forcës sonë dhe nuk kishin më arsye të qëndronin as në Parlament, kam një mesazh shumë të thjeshtë: 

Ju në Shkodër, shikoni Vlorën dhe pyeteni veten, a doni që dhe Shkodra të ndryshojë si Vlora? 

Nëse po, ne jemi gati edhe për ju, me gjithë zemër, plot me ide, plot me pasion, plot me vullnet për ta ndryshuar më në fund edhe Shkodrën, ashtu siç ndryshuam thellësisht Vlorën. 

Ju në Kukës, shikoni Korçën dhe pyeteni veten, a doni që edhe Kukësi të ndryshojë si Korça? 

Nëse po, harrojini “Flamurët” që u kanë mbetur vetëm hunjtë dhe na jepni neve, besimin dhe detyrën që Kukësit t’i sjellim jo vetëm stadiumin dhe aeroportin ndërkombëtar, për të cilat e kemi nisur pa kthim punën, por edhe rrugën e rritjes së ekonomisë familjare përmes turizmit dhe agroturizmit. 

Ju në Lezhë, shikoni Fierin dhe pyesni veten, a doni që dhe Lezha të ndryshojë si Fieri? 

Nëse po, e keni në dorë, mos humbni edhe 4 vjet të tjera, siç humbët kot 4 vite që shkuan dëm, por bashkohuni pa dallim partie dhe origjine, për ta bërë Lezhën një tjetër histori suksesi dhe për t’i hapur vetes tuaj një rrugë të re mundësish, që nga bregu i detit deri në zonat e thella, ku bashkimi ynë është e vetmja mundësi e juaja për të krijuar mundësi të reja ekonomike në atë zonë. 

Nuk kam pyetje për ju në Gjirokastër, Berat e kudo ku 4 vjet kanë drejtuar edhe me votat tona të shumicës sonë, aleatët e djeshëm, që sot i janë dhënë rrugës, sherrit, filxhanit dhe shejtanit. Gjirokastra, Berati dhe të gjitha ato bashki me radhë, deri në Skrapar, në 1 korrik do të gdhihen në krahun e zemrës, me Partinë Socialiste të Shqipërisë. 

Sot nis pa dorashka beteja jonë për 30 qershorin e socialistëve nga Kukësi deri në Konispol. Sot mbaron ecja jonë në majë të gishtave dhe nis një ofensive frontale.

Kohët e fundit e kemi kafshuar shumë shpesh gjuhën dhe kemi lënë shumë shpesh të kalojë valën e sulmeve të atyre që e duan Shqipërinë shesh për përsheshin e tyre. I kemi parë kur kanë sulmuar Parlamentin, duke e gjymtuar atë fizikisht me aktin e tyre të tradhtisë ndaj zgjedhësve dhe ndaj vetë sistemit demokratik, që e ka zanafillën tek ajo parti që sot ka humbur përfundimisht fillin. 

I kemi parë kur kanë sulmuar qeverinë, duke eksportuar nëpër botë shfaqjet e turpshme të dhunës së vulgut ndaj institucioneve demokratike në Shqipëri. 

I kemi parë, kur kanë sulmuar Policinë e Shtetit, kur kanë sulmuar prokurorët e gjykatësit që kalojnë vetting-un dhe kur kanë sulmuar vetë Reformën në Drejtësi, sa herë vetting-u nxjerr jashtë pallatit të drejtësisë shërbëtorët e tyre të njohur, të korruptuar, me damkë, kur kanë sulmuar miqtë dhe partnerët e këtij vendi, me shqipen e tyre të varfër gjer në dhimbje dhe të shthurur gjer në lebeti. 

I kemi parë kur kanë sulmuar Shqipërinë në çdo instancë dhe në çdo kanal të huaj, ku kanë pasur mundësi të fusin hundën e tyre. 

Nuk ua kemi kthyer sy për sy dhe as dhëmbë për dhëmbë. Kemi marrë frymë thellë dhe kemi duruar pafund, përfshirë edhe dhunimin e përditshëm me Qim kazanët dhe Kadri sahanët e tyre mediatikë. 

U kemi ofruar, sa kemi mundur, bashkëpunim për Reformën Zgjedhore dhe jo vetëm. 

U kemi mundësuar të flasin në Parlament më shumë se ne. 

U kemi duruar baltën, vezët dhe bojën e dëshpërimit të tyre mbi fytyrat tona. 

Por e gjitha ka qenë e kotë. 

Në vend se të na sfidonin me ide, duke pranuar sfidën e duelit demokratik në Parlament, kanë zgjedhur të na gjuajnë me gurë. 

Në vend se të na sfidonin në fushën e demokracisë, duke përdorur mendjen për të na mundur, kanë vendosur të mbyten për të na marrë me vete, si i mbyturi që të mbyt, me synimin e ulët dhe të shpallur, që ta bëjnë Shqipërinë të duket përsëri, ai vendi i zhytur dhe i mbytur në dallgët e rrumpallës së tyre, të cilin bota kishte nisur ta harronte.

Në vend se të vinin mend, pas disfatës së dy viteve më parë, kanë dalë mendsh fare, deri në pikën që duan ta kthejnë disfatën e tyre në disfatë të Shqipërisë dhe ashtu, të mjerë në dëshpërimin e tyre, mendojnë se duke e kthyer Shqipërinë në rrumpallën e paligjshmërisë, sherrit, konfuzionit, do t’i detyrojnë ndërkombëtarët të ndërhyjnë që t’u hapin këtyre të dëshpëruarve, rrugën e pushtetit në tavolinë.

Ta harrojnë!

Nëse ata nuk e kanë për gjë t’i tradhtojnë zgjedhësit e tyre dhe ta shkelin me këmbë mandatin e popullit, ne nuk kemi mandat për të lëshuar nga dora, por vetëm kontratë për të zbatuar dorë për dore me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi.

Unë kam bërë edhe gabime, po kurrë nuk ju kam tradhtuar dhe kurrë nuk do t’ju tradhtoj juve që jeni këtu dhe të gjithë atyre që nuk janë këtu, në Shqipëri apo kudo që jetojnë nëpër botë, që më kanë dhënë mua dhe Partisë Socialiste, besimin për të bërë Shqipërinë që duam.

Nuk e kam harruar asnjë sekondë dhe nuk do ta harroj deri në sekondën e fundit, se vetëm zyra është e imja, pushteti është i juaji. Është i shumicës së shqiptarëve që na e kanë dhënë mandatin për Shqipërinë që duam, jo për çfarë do një tufë të dëshpëruarish me Lulzim Bashën në krye.

Pushteti është i studentëve që na dhanë shuplakën e vyer të fundvitit të shkuar, por i treguan gjithashtu Shqipërisë që përveç nesh, askush tjetër nuk mund të llogaritet si një alternativë që zgjidh probleme dhe kryen punë dhe është bash ky pushtet i tyre që po bën dhe do të bëjë për studentët deri në fund të këtij mandati, më shumë sesa kanë bërë të tëra pushtetet, e marra sëbashku në 20 e kusur vite, që pararendën ardhjen tonë në krye të vendit.

Zero lekë paguajnë sot, studentët me 9-ta e 10-ta. Zero lekë, edhe ata që vijnë nga familje me ndihmë ekonomike. Zero është sot, edhe për studentët me aftësi ndryshe, apo me prind invalid, tarifa e universitetit. Jo vetëm zero tarifë, por dhe 100 mijë lekë bursë mujore për të gjithë këta studentë dhe tarifë e përgjysmuar për të gjithë studentët e Shqipërisë, sepse ky është pushteti i studentëve, ndërsa kartonët tanë në Parlament dhe zyrat tona në qeveri janë aty për ta ushtruar këtë pushtet në interes të tyre.

Janë aty për të siguruar bibliotekën e tyre online, me qindra e mijëra libra e miliona artikuj shkencorë. Të njëjtën bibliotekë të bashkëmoshatarëve të tyre në Europë dhe në Amerikë; Për të garantuar mirëqeverisjen e universitetit përmes bordeve të rinovuara sipas mesazhit të tyre; Për të projektuar ndërtimet e domosdoshme dhe laboratorët e nevojshëm në çdo fakultet’ Për të ngritur gjatë këtij mandati, kantierin më të madh të transformimit të universitetit e për të ndërtuar gjatë mandatit tonë të dytë në Bashkinë e Tiranës, kampusin modern universitar që i duhet kryeqytetit dhe rindërtuar brenda këtij mandati qeverisës, me standarde dhe kushte dinjitoze, çdo konvikt universitar të Shqipërisë në Tiranë, në Shkodër, në Elbasan, në Gjirokastër dhe në Vlorë.

Pushteti është i fëmijëve që i marrin sot, librat falas deri në kasën e pestë e do t’i marrin falas deri në klasën e nëntë, në mbyllje të mandatit tonë. Pushteti është i bebeve që sot vijnë në jetë me një cek të shumëfishuar deri në 24-fish, krahasuar me vetëm vitin e shkuar.

Pushteti është i mësuesve, i infermierëve, i mjekëve, që sot janë shumë më mirë se dje. Ashtu siç janë shumë më mirë se dje, edhe mjediset ku ata ushtrojnë detyrën e tyre, por që nesër duhet dhe do të jenë më mirë se sot. Shumë më mirë se sot.

Sot, ata paguajnë më pak taksa se dje. Paguhen më shumë se dje. Trajtohen me shumë më tepër dinjitet se dje. Por sigurisht nuk mjafton, nuk ka se si të mjaftojë dhe ne, pikërisht se e  dimë se nuk mjafton, nuk e krahasojmë të sotmen me të djeshmen, por krahasojmë atë ku jemi me atë ku duam të shkojmë dhe jo për vete.

Ku do shkoj unë për vete? 198 centimetra i kam. Sa më lart do shkoj?

Por për të gjithë ata që duhet të kenë paga më të larta dhe ne do ta bëjmë të mundur këtë; Për të gjithë ata që duhet të kenë kushte më të mira në shumë shkolla, në shumë pavijone, në shumë qendra shëndetësore, njësoj siç kanë filluar të bëhen kushtet në shumë shkolla, në shumë spitale dhe në shumë qendra shëndetësore.

Ne do ta bëjmë të mundur, hap pas hapi, siç e kemi nisur.

Ky është momenti për t’i dhënë një përgjigje shumë të qartë dhunës mbi mjekët, por jo vetëm mbi mjekët, çdo lloj goditje për shkak të detyrës, që nga ato në fushat e futbollit mbi arbitrit, mbi lojtarët, tek ato në rrugë mbi policët e deri tek ato mbi përfaqësuesit e popullit në Parlament, në qeveri, në bashki, kudo qofshin dhe kudo qoftë dhuna, edhe në sallën e Parlamentit.

Për këdo që ngre dorë kundër kujtdo që kryen një detyrë publike, shumë shpejt, ne do të garantojmë ndëshkime shembullore dhe të pashmangshme nga asnjë prokurori e nga asnjë gjykatë, në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Kujtdo që godet dikë për shkak të detyrës, shteti ka për detyrë t’i tregojnë vendin e merituar.

Pushteti ynë është i sipërmarrësve, i atyre të vegjëlve që sot, falë kartonëve tanë në Parlament, paguajnë nga zero deri në vetëm 5% taksë deri në 140 mijë dollarë xhiro vjetore.

Ata që jetoni me vetëpunësim dhe krijojnë punë për të tjerët nuk janë numra, nuk janë spektatorë, edhe pse fatkeqësisht janë shpesh telespektatorë të telenovelave të mbrëmjes, ku debatohet për të gjitha llojet e mustaqeve të Çelos, por nuk flitet kurrë për ta, nuk flitet kurrë për jetën e tyre, nuk flitet kurrë për të ardhmen e fëmijëve të tyre. 

Përkundrazi ju nxihet jeta. Ata nuk mundet dhe nuk do t’i lëmë kurrë në baltë, duke i braktisur në detyrën e ushtrimit të pushtetit të tyre në interes të tyre, të familjeve të tyre, të qyteteve të tyre, të bashkive të tyre, të vendit tonë të përbashkët. Ashtu siç nuk mundet dhe nuk do të lëmë kurrë në baltë, askënd që punon, në qytet apo në fshat, në qendër apo në periferi të këtij vendi, Shqipërisë, e cila sipas raportit të javës së shkuar të Bankës Botërore ka krijuar më shumë se gjysmën e vendeve të reja të punës që janë krijuar në rajon gjatë vitit 2018.

Kemi dyfishuar eksportet bujqësore. Kemi ulur papunësinë në nivelin historik 12%, duke u bërë vendi, - sipas Bankës Botërore, jo sipas meje, jo sipas nesh, - me papunësinë më të ulët në rajon. Kemi rritur volumin e mbështetjes financiare për ata në nevojë.

Kemi bërë jashtëzakonisht shumë, krahasuar me nga u nisëm, por o Zot, sa shumë akoma duhet bërë në krahasim me ku jemi! Jemi ende në mes të rrugës dhe kurrën e kurrës, rruga jonë drejt Shqipërisë që duam nuk do katandiset si rrugët e mbetura rrugëve të atyre që kanë dalë në rrugë për t’i bërë keq qeverisë, por aty në rrugë do të mbeten për të keqen e tyre dhe vetëm të tyren.

Sot, më shumë se dje, ne e kuptojë që, për ta ndërtuar Shqipërinë që duam, duhet të luftojmë çdo ditë, më shumë se një vit më parë dhe kur them të luftojmë, e kam fjalën të reformojmë në çdo drejtim e të mos harrojmë në asnjë çast, vetëreformimin, vetëndryshimin, vetëpërmirësimin e vazhdueshëm, si parakushtin e suksesit që kërkojmë për qytetin që jetojmë dhe për Shqipërinë që duam.

Të punojmë me këmbëngulje në çdo drejtim, duke kapërcyer çdo ditë një vështirësi, duke hedhur çdo ditë një hap, duke realizuar çdo ditë një ndryshim të vogël, duke projektuar çdo ditë një ndryshim të madh.

Të komunikojmë pa pushim me njerëzit, t’u tregojmë pa pushim se çfarë bëjmë.

Të dëgjojmë pa pushim prej tyre për çka nuk shkon si duhet në çdo derë, në çdo lagje, në çdo fshat, në çdo qytet.

Të përballemi me të keqen. Me të keqen që aty në rrugë, e mbledhur grusht, që qëllon me gurë, është vetëm shfaqja më ekstreme, por e keqja është ajo që është hapur si vaji në lakra, kanal më kanal, portal më portal. Të luftojmë me të vërtetat tona. Të përdorim rrjetin tonë të anëtarësisë dhe çdo rrjet social për ta ridimensionuar të keqen që krijon mërzi, ankth, pasiguri, përmes ekranesh dhe portalesh, ku Shqipëria që jeton me punë, - Shqipëria që krijon 32 mijë vende pune vetëm përmes zyrave të punës; Shqipëria që del e para në luftën kundër papunësisë në rajon; Shqipëria që eksporton 300 milionë euro prodhime bujqësore në vit, dyfishin e katër viteve më parë; Shqipëria që lufton krimin dhe drogën me rezultate të njohura ndërkombëtarisht, e cila deri vetëm disa vite më parë nuk mund të imagjinoheshin; Shqipëria që përzë çdo javë nga administrata nëpunës dhe drejtues të korruptuar; Shqipëria që në çdo vend të lirë pune, sot ka një vend për studentët me 9-ta e 10-ta; Shqipëria që jua zgjidh hallet e vjetra, të 5 - 6 a 10 vjet, mesatarisht 1000 njerëzve në muaj; Shqipëria e njerëzve të zakonshëm, - nuk del asgjëkund.

E keni parë ndonjëherë në televizor, keni dëgjuar ndonjëherë të flitet për njeriun e zakonshëm, për ata që i bëjnë të gjitha këto dhe që nuk jemi ne?

Nuk jemi ne që e kemi dyfishuar prodhimin bujqësor dhe që kemi dyfishuar eksportet. Janë ata që punojnë atje, që nuk i llogarit njeri, por që ama ju turren nga pas dhe e kthejnë në lajm kombëtar, një kanal që akoma nuk funksionon, ndërkohë që ne e kemi dyfishuar sipërfaqen e ujitur në Shqipëri, duke dyfishuar sistemin e kanalizimit dhe të ujitjes.

E keni parë në ndonjë portal këtë Shqipëri? Komentohet gjëkundi? Debatohet gjëkundi për këtë Shqipëri?

Përkundrazi, çdo ditë e çdo natë hap televizorin dhe sheh e dëgjon vetëm keq, zi, çorodi, një stinë të tërë televizive, - në një vend që ka patjetër 1001 halle, por që fiton çdo ditë 1001 sfida në nivelin e njerëzve të zakonshëm, - e merr Babale- Alizoti. Pastaj vjen telefonata e Niçes nga Shijaku, edhe një stinë tjetër televizive.

Pastaj vjen teledrama e djegies së mandateve dhe një popull i tërë zvarrë, me telekomandë në një derrhane dhe në një sherrhane të paparë, ku çdo ditë, deri në darkë, miza bëhet buall, miu bëhet ari dhe derrave të shtrirë kolltukëve u drejtohet fjala me emrin “zotëri”; Si mendon zotëria juaj?  Ç’mendoni ju zoti Kadri për Niçen e Shijakut? Po ju zoti Kadri, si e konsideroni Babalen? A mendoni ju Zoti Kadri se Ilir Meta do vrasë veten? Zoti Kadri, çfarë e ka shtyrë vallë Presidentin e Republikës të mendojë vetëvrasjen?

Dhe derrat e shtrirë atje japin mendim, bëjnë vëzhgime, shfaqin opinione, kurse Shqipëria juaj që fatmirësisht nuk jeton as në ato kanale, as në ato portale dhe as falë Kadrinjve, se ka kadrinj, ka dhe më keq, ka dhe Qim Kadri. Atyre ne nuk kemi çfarë t’u bëjmë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi çfarë bëjmë. Sepse ata me lirinë e tyre mund të diktojnë axhendën e lajmeve dhe të debateve në ato kafazet e pëllumbave të tyre. Pëllumba me emrin Kadri. Por nuk diktojnë dot lirinë tonë për të komunikuar sy më sy dhe rrjet social më rrjet social, me të gjithë njerëzit e këtij vendi, këtu e përtej kufijve, në këtë luftë të barabartë për informacion të gjithanshëm, nga çdo sektor, ndërkohë që rrenat dhe lajmet e rreme bëjnë kërdinë mbi miletin.

Ne duhet të vendosim patjetër një ekuilibër ti ri.

Prandaj të dashur miq e shokë, motra e vëllezër, anëtarë dhe simpatizantë dhe zgjedhës të Partisë Socialiste, por dhe të gjithë ju njerëz normal të këtij vendi, që meritoni shumë më tepër nga ne, por meritoni shumë, shumë më tepër nga ata që ju rrokanisin kokën nga mëngjesi deri në darkë, këtu në Shqipëri, apo në emigracion, që nuk doni sherr, që nuk doni rrëmujë, por doni punë, doni ardhmëri, përfshihuni çdo ditë, pak minuta, në këtë luftë.

Si? Me telefonin tuaj, me Facebook-un tuaj, me Instagram-in tuaj, me Twitter-in tuaj, me Whatsapp-in tuaj, jepni pëlqime, shpërndani lajme, bëni komente, ndani informacionin real, merreni rolin tuaj si qytetarë, për të mbrojtur fëmijët tuaj nga kjo flamë kazanësh që digjen përnatë, njësoj si kazanët e Tiranës, katër vite më parë.

Mbroni fëmijët tuaj, sepse Sharra e dikurshme që mbyste Tiranën, sot është spostuar dhe grumbullimet më të mëdha të mbeturinave nuk janë as në Porto Romanon e Durrësit, por janë nëpër kanalet dhe nëpër portalet e Kadrinjve dhe Qim Kadrinjve, një tufë zuzarësh që duan t’ju thonë juve se Shqipëria është një vend i zi, që nga Shqipëria vetëm duhet të iket, se në Shqipëri nuk ka asgjë për të parë.

Po 6 milionë turistë që erdhën vitin e shkuar, çfarë panë në Shqipëri?

Apo i solli me zor mafia?!  

Apo ishin të gjithë të droguar dhe nuk dinin rrugën dhe ranë këtu në Shqipëri?!  

 

E mos harroni ka vetëm një rrugë, nuk ka tjetër, në fund të ditës vendos populli kush e fiton dhe kush e humbet betejën; zgjedhjet, zgjedhjet dhe vetëm zgjedhjet.

Janë zgjedhjet e 30 qershorit që do të vendosin jo vetëm çfarë bashkish duam për Shqipërinë sot, por edhe çfarë Shqipërie duam nesër.

Është radha t’ju them jo juve, por nga ky kuvend i madh qytetar i socialistëve dhe në emër të aleancës së pathyeshme që ne kemi me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, Lulzim Bashës dhe atyre që e ndjekin pas: Ne na vjen turp për ju dhe na vjen keq për të gjithë ata që ju i braktisët, që kishin votuar për ju, jo për ne, duke refuzuar t’i përfaqësoni në Kuvendin  e Shqipërisë.

Në fund të fundit është e drejta juaj t’i tradhtoni dhe t’i zhgënjeni ata që gënjyet, kur ju premtuat se do të jeni zëdhënësit e tyre në Parlament dhe turpin karshi Shqipërisë dhe historisë së parlamentarizmit shqiptar do ta mbani ju.

Mbajeni vetë, është i juaji!

Vetë e zgjodhët t’i jepeni rrugës, në rrugë do rrini.

Ne nuk kemi as mandat t’u japim juve pushtet në tavolinë dhe as pushtet për të lënë rrugëve për hesapin tuaj.

Por një ftesë unë e kam ende për ju. Jeni ju që ju keni rrokanisur kokën shqiptarëve dhe miqve ndërkombëtare për reformën zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe që keni mbajtur peng, për kushedi sa muaj, Shqipërinë, në të gjitha marrëdhëniet e ndërkombëtarëve me Shqipërinë, për vo timin elektronik  dhe numërimin elektronik. Hajdeni ulemi ta miratojmë sëbashku atë reformë. Biem dakord t’i eksperimentojmë, po të doni, në disa zona që në qershor, edhe votimin, edhe numërimin elektronik.

E meqë e keni me shumë qejf ju temën e shitblerjes së votës, ne jemi të gatshëm të miratojmë në Kuvend çdo masë të re ndëshkimore në Kodin Penal, që  mund të propozojë viktima e mirënjohur e shitblerjes së votave në Shqipëri, doktoresha e shkencave horoskopike, zonja Monika Kryemadhi. Pastaj ne e kalojmë vetë në Kuvend, me deputetët e rinj të partive tuaja. Ata i keni zgjedhur ju, nuk i kemi zgjedhur ne dhe duke ju rënë atyre ditë-natë, - ne s’na vjen keq për ata, - ju thjesht tregoni ngjyrën tuaj të vërtetë.

Nëse ju, në zgjedhjet e 30 qershorit fitoni një bashki të vetme më shumë se ne, ne jemi gati të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare që në vjeshtë. E di që Lulzimi dhe ju mbas Lulëzimit nuk do ta pranoni këtë sfidë, sepse ju e dini mirë, - e dini në fakt, më mirë se kushdo tjetër, prandaj keni ikur në rrugë, - që aleancën e sotme qeverisëse të PS me njerëzit e zakonshëm, ju nuk e mundni dot me zgjedhje, as në Kukës dhe as në Skrapar, lëre më në Tiranë e më pas, në të gjithë Shqipërinë.

E pikërisht, kjo ju ka dëshpëruar deri në tërbim dhe ju ka bërë të na urreni deri në pikën që keni humbur logjikën dhe t’i jepeni qorrazi rrugës së arratisjes tek ëndrrat me dhunë. Ju jeni të parët që e dini që ne kemi fituar dhe do të fitojmë përsëri dhe përsëri kundër të gjithëve ju bashkë. E këtë herë, më thellë, sepse ne jemi zëri dhe forca e të ardhmes për Shqipërinë, në krye dhe në krah të njerëzve. Ndërsa ju jeni një shportë karavidhesh në krahët e së shkuarës.

Ne do të fitojmë sepse kryetarët e bashkive tona kanë rilindur qytete, kanë punuar për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ndërsa në bashkitë e drejtuara nga ju qytetet vazhdojnë të lëngojnë, pavarësisht atyre që qeveria ka mundur të bëjë diku këtu, diku atje dhe edhe qytetarët që ju kanë votuar s’kanë parë asnjë hajër, por vetëm sherr nga vota juaj.

Ne do të fitojmë se shqiptarët nuk janë budallenj, siç fatkeqësisht i kujton Lulzimi, kur zgjohet nga gjumi i gjatë, apo Monika, kur i kërkon Zotit ndihmë të shpëtojë Shqipërinë nga shitblerja e votës. Ata e kanë kuptuar, madje dhe ata që deri dje kanë votuar qorrazi për njeriun e partisë tuaj, kanë filluar ta kuptojnë se kush voton për ju ka vetëm zhgënjim.

Ndërsa kush voton për ne, investon votën e vet në punë të mira, për shtëpinë, për grupin e interesit vet, për bashkinë, për Shqipërinë. Ne nuk i kemi bërë mirë të gjitha, pa diskutim. Ka plot gjëra që akoma nuk i kemi bërë, ka ende plot gjëra që duhet t’i korrigjojmë. Kemi bërë edhe gabime, kudo ku kemi punuar. Por ne kemi vizionin e duhur, ne kemi planet e duhura, ne kemi skuadrën e duhur në fushë. Ne kemi plot rezerva të mira në skuadër. Sepse ne jemi shumë, ne jemi populli i shumicës dërrmuese dhe jemi të hapur dhe të gatshëm çdo ditë që të ripërtërihemi, të përmirësohemi gjatë betejës sonë për Shqipërinë.

Ndërsa ju jeni një pakicë që rrudhet nga mungesa e vizionit, nga verbëria në raport me veten, nga shurdhëria në raport me njerëzit që ju kanë mbështetur. Një pakicë e dëshpëruar që e ka të keqen brenda dhe tani e ka lidhur veten me zinxhirin e akteve të dhunës. Për sa kohë do e kërkoni të keqen jashtë jush, për aq kohë e keqja do t’ju mbajë e do t’ju çojë poshtë e më poshtë.

Keni nisur prapë avazin, nuk futemi në zgjedhje me këtë kryeministër, me këtë qeveri.

Punë e madhe fort! Mos u fusni!

E bëtë dy vjet më parë. Si sot, dy vjet më parë, atje, pak më andej.

Dhe falë nesh nuk dolët fishek nga zgjedhjet, siç e meritonit, në fakt. Sepse morët gjysmën e qeverisë, me kushtin ama që ta pranoni rezultatin dhe të mos e shani më Shqipërinë në gjuhë të huaj. I humbët zgjedhjet. Me qeverinë tuaj i keni humbur zgjedhjet. E prapë se prapë e hëngrët komplet llafin, siç e keni zakon dhe ju rikthyet kontestimit të rezultatit dhe nxirjes së Shqipërisë në çdo gjuhë të huaj.

Tani ka ardhur koha ta mësoni një herë e mirë. Pushteti nuk është “qofte te daja”!

Ky vend nuk është plaçkë për ju. Sistemi demokratik nuk është cirk për arushën Lul, që bërtet për karamelen e radhës. As dyqan për shoqen Mona, që ulërin për trastat e radhës. Askush në këtë sistem nuk futet me zor në zgjedhje. Kush do, futet, kush s’do, s’futet. Ama askujt në këtë sistem nuk mund t’i ndalohet të zgjedhë dhe të zgjidhet kur vjen dita e zgjedhjeve. Edhe tani ka ardhur koha që kjo vallja me maska e Lulit të mbarojë një herë e mirë.

Lulzim Basha i ka tmerr zgjedhjet, sepse nuk i fiton dot.

Luzim Basha nuk i fiton dot as në partinë e tij, po të mos i vjedhë, lëre më t’i fitoje në mexhlisin e madh të sistemit që kemi zgjedhur dhe që as do ta ndërrojmë, as do ta përçudnojmë për hatër të Lulzimit. Madje unë kam një dyshim, por nuk e provojmë dot, sinqerisht. Sikur ne të mos futemi në zgjedhje në 30 qershor dhe Luli të futet vetëm, prapë nuk i fiton zgjedhjet.

Jo, seriozisht, mund t’i vjedhë, por nuk i fiton dot, sepse njerëzit e këtij vendi nuk e pranojnë dot, jo më ta votojnë. Një njeri, e keni parë, e ka humbjen të shkruar në ballë. Një lider pa hallate, që djeg mandatin e përfaqësisë së popullit, për t’u fshehur në mes të turmës, “jam njëri si ju, tani ju përpara, ikni, digjeni Parlamentin për mua”.

Çfarë lideri është ky!

Me mëngët e këmishës përveshur. Një burrë që mendon vetëm për veten. Dhe që vetëm gënjen çdo njeri që i del përpara dhe zhgënjen çdo njeri që e ha gënjeshtrën e tij.  Akoma më keq, ka edhe një problem të madh. Sot, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike nuk ekzistojnë si mundësi investimi politik për askënd. Sepse ti u jep votën, d.m.th, mandatin që të të përfaqësojë, ata djegin mandatin dhe thonë unë jam si ti, tani ti ik, merr pushtetin për mua.

Ndërsa LSI sot, jo vetëm nuk përfaqëson askënd, por po ta besojmë Monikën, LSI nuk përfaqëson më as Ilir Metën.

Ilir Meta ndihet kaq i pa përfaqësuar, saqë i duket sikur një juntë ushtarake do sulmojë pallatin presidencial. Zoti President, e di që më dëgjon, rri i qetë. Jemi dhe do të mbetemi gjithmonë vend i NATO-s. Nëse s’më beson mua, ti beson Pandin. Të garantoj që sa të kemi Pandin, ky vend nuk del nga NATO.

 
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm