Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Tragjedia e radhes ne Bulqize: Qeveria indiferente per jeten e minatoreve merret vetem me funeralet

Të reja

Tragjedia e radhes ne Bulqize: Qeveria indiferente per jeten e minatoreve merret vetem me funeralet

06 Jun 2008    
Deputeti i PSSH në zonën e Matit Qemal Minxhozi ka akuzuar drejtpërsëdrejti Qeverinë si përgjegjësi të tragjedive pafund në minierat e Bulqizës. Minatori 53 vjeçar që humbi jetën dje është aktakuza më e fortë për këtë Qeveri. E vetmja detyrë që di të bëjë mirë kjo qeveri pasi i vret shtetasit e saj, u shpreh Minxhozi, janë organizimet dhe paratë për funerale.

“Indiferenca e qeverisë është përgjegjësi kryesor i tragjedisë së radhës në Bulqizë.

Përgjegjëse për këtë tragjedi janë gjithë strukturat e shtetit të cilat me heshtjen e tyre po marrin në mënyrë të vazhdueshme jetë njerëzish. Shkaku i aksidenteve të mëparshme nuk është marrë seriozisht dhe kjo është më e dhimbshmja për familjet e minatorëve dhe gjithë shqiptarëve. Qeveria lan duart me Bulqizën duke marrë përsipër vetëm organizimin e funeraleve dhe jo për t'i bërë analizë gjendjes kaotike, situatës tepër të rënduar të kushteve të sigurisë së jetës së minatorëve e cila e ka bazën tek korrupsioni galopant që s'shfaqet në Bulqizë me tragjeditë njëpasnjëshme i ngjet jo një kantieri pune, por një Gërdeci të dytë".

Brenda harkut kohor të një viti kalendarik mesatarisht në çdo tre javë, një kryefamiljar, një prind, një vëlla goditet për vdekje në minierat apo stoqet sipërfaqësore të mbetjeve të kromit.

Kështu plot 15 minatorë janë përcjellë me dhimbje të thellë në banesën e fundit nga familjarët e tyre. Gjithsecili mediton se kush e ka radhën tani? Në të njëjtin intensitet vale shtohet numri i viktimave të kromit me indiferencës e qeverisë.

Shtrohet pyetja se sa të tjerë duhet të vdesin që qeveria të marrë masa për të siguruar jetën e njerëzve që ata të mos goditen tragjikisht?!

Si është e mundur të lejohen ende metoda shfrytëzimi të mineraleve pa patur as kushtet më minimale të disiplinës dhe të sigurisë të fronteve të punës?!

Edhe sa minatorë të tjerë duhet të vdesin që qeveria të ndalojë shfrytëzimin pa kritere minimale, profesionale të vendburimeve të kromit nga firmat përgjegjëse me licencë apo pa licencës?!

Edhe sa të tjerë duhet të vdesin që policia dhe prokuroria të vënë para përgjegjësisë shkaktarët e kësaj gjendje kaotike?!

Nuk e kuptoj se sa funksionon shteti me aksesorët e tij në fuqi. Ajo që po ndodh sot në Bulqizë nuk i le asgjë mangët tragjedisë së Gërdecit ndoshta me të vetmin ndryshim që në Gërdec humbën jetën 26 vetë për dy tre javë ndërsa në Bulqizë e Batërr humbën jetën 15 vetë në harkun kohor të një viti. Me këto ritme dhe me këtë indiferencë shtetërore Gërdeci i Bulqizës po i afrohet dhe do t'ia kalojë Gërdecit të Tiranës.

Si është e mundur që Kryeministri nuk shkon për të promovuar nismën e tij në Bulqizë dhe të japë shpjegime se sa e sigurt është jeta në Bulqizë, si po luftohet atje, si po lëvizin ryshfetet politike dhe ekonomike për të marrë një licencë, se si më mungesë të shtetit është kryekanuni dhe jo rrallë herë dhe kallashi.

Për sa më sipër që sot kam depozituar kërkesën time për interpelancë urgjence me kryeministrin Berisha për t'i kërkuar atij shpjegime që t'i thotë kuvendit dhe popullit arsyet të neglizhencës plotësisht të verifikueshme të tij dhe të qeverisë që ai drejton lidhur me situatën mesjetare të punës në Bulqizë dhe në minierat e tjera të vendit.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm