Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Trekëndëshi Parti-Parlament-Qeveri është shumë i domosdoshëm

Të reja

Trekëndëshi Parti-Parlament-Qeveri është shumë i domosdoshëm

07 Oct 2017    

*Fjala e Sekretarit Organizativ të Partisë Socialiste, Bashkim Fino

 

Të nderuar anëtarë të Asamblesë,

Të gjitha këto që thanë ministrat nuk do të realizoheshin nëse nuk do të kishim një parti të fortë, të organizuar, të konsoliduar dhe një Grup Parlamentar mjaft efikas. Pra trekëndëshi që tha Gramozi, Parti-Parlament-Qeveri është shumë i domosdoshëm. Tani vijmë tek pjesa jonë, tek pjesa e partisë që është më e rëndësishme; se pa atë, edhe po mos të ishim dhe po mos të fitonim si Parti Socialiste, nuk do të ishim sot në vazhdim të atyre direktivave, të atyre mësimeve dhe gjithë detyrave që kishte Qeveria Rama 1 për këtë qeveri të dytë.

Jemi në zgjedhje. Pra ne në fund të gushtit kemi marrë një vendim si Asamble për zgjedhjet në çdo dy vjet që bëjmë për Kryetarët e Organizatave të Partisë Socialiste.

Është e vërtetë që kemi dalë fitues; është e vërtetë që kemi marrë një rezultat fantastik në 25 Qershor, por kjo nuk do të thotë që mos të bëjmë analizë. Dua t’ju them dy-tre shifra të cilat edhe unë, kur i kam lexuar dhe kur i kam studiuar, kam thënë që dhe po të kishim marrë dhe po të kishim punuar akoma dhe më mirë në 25 Qershor, ne mund të kishim marrë një rezultat akoma dhe më të mirë.

Ka rreth 120 njësi administrative, në raport me 383 njësi administrative në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, që ne kemi dalë dobët; që do të thotë se kemi dalë me më pak vota si Parti Socialiste në krahasim me 2013. Gjithmonë krahasimin e bëj me PS-në, nuk e bëj as me PD-në as me LSI-në. Mund të kemi dalë fitues në këto 120 njësi administrative në raport me PD dhe me LSI-në, absolutisht, por kemi dalë dobët me vetveten, pra me rezultatin e Partisë Socialiste në 2013. Nga rreth 4894 qendra votimi që janë baraz me organizatat socialiste siç ne i kemi në statut, ne kemi 1500 organizata socialiste që kanë dalë më dobët se rezultati i vitit 2013 si Parti Socialiste, ndërkohë që kemi pjesën më të madhe, rreth 2/3 e organizatave ku kemi dalë shumë mirë dhe në mënyrë fantastike.

 

Pra, pse i thashë këto dy shifra?!

I thashë këto dy shifra, sepse jemi në muajin tetor; jemi në proces deri në fund të tetorit për zgjedhjet e Kryetarëve të Organizatave dhe për zgjedhjet e Kryetarëve “Një anëtar, një votë”. Që do të thotë: janë të gjitha mundësitë dhe premisat për të bërë një analizë të hollësishme të rezultateve të 25 Qershorit në të gjithë territorin, jo vetëm në këto 1500 organizata por dhe në të gjithë organizatat e tjera, sepse ka vend për të përmirësuar. Në qoftë se nuk do ta bëjmë ne mirë, që jemi këtu në këtë sallë, mbi 350 veta si anëtarë të Asamblesë Kombëtare, nuk mund ta bëjnë mirë as ata atje poshtë. Pra ne duhet të shpërndahemi në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nuk na kushton asgjë për të marrë pjesë në mbledhjet e organizatave për të bërë analizën dhe për të bërë zgjedhjet e tyre. Mbasi të bëjmë një analizë dhe zgjedhje të mirë të organizatave, të jeni të bindur se do të kemi një rezultat të edhe në Njësinë Administrative, ku gjatë muajit nëntor do të zgjedhim Kryetarët e Njësive Administrative.

 

Unë do të kërkoja angazhimin e të gjithë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, angazhimin maksimal të të gjithë strukturave në Njësitë Vendore,- me këshilltarë të bashkisë, me deputetë, me të gjithë strukturat,- që të marrin pjesë në mënyrë të organizuar dhe jo në mënyrë fiktive për të bërë mbledhje të organizatës. Nuk na intereson të shkruajmë në letër që bëmë një mbledhje organizate. Ose do ta bëjmë organizatën dhe të bëjmë një mbledhje model, ku të jenë minimumi 80% - 90% e anëtarësisë, ose mos ta bëjmë fare mbledhjen e tyre. Ta shkrijmë atë organizatë, ta shkrijmë atë qendër votimi dhe ta ngremë nga e para. Në të kundërt, nëse ju do të bëni mbledhje thjesht për çështje letre, për të na dërguar ne informacion në Tiranë, e keni tepër të gabuar sepse erdhën zgjedhjet lokale pas dy vjetësh dhe ne prapë do të shkojmë tek partia për të kërkuar.

 

Në fund kam një pretendim për Kryetarët e Partisë, të cilët janë 61 Kryetarë Partie të zgjedhur; do zgjidhen pas dy vjetësh, nuk ka zgjedhje tani. Por dua t’ju them që ne jo pa qëllim kemi luftuar, kemi punuar si kryesi, edhe si Asamble, që kemi vënë Kryetarët e Partisë për herë të parë funksionarë. Funksionarë me një pagë dinjitoze, me një pagë afërsisht me pagat që kanë sot në administratën shtetërore, si asnjëherë tjetër.

Më duhet t’ju them që sot 10 Kryetarë Partie nuk janë funksionarë, pra kanë pretenduar dhe pretendojnë se janë në pozicione të ndryshme shtetërore. Unë u bëj thirrje atyre që brenda 10 ditëve të japin dorëheqjen. Ta lëshojnë partinë, të bëjmë zgjedhje të reja në ato bashki. Kryetarët e Partisë ne i duam 24 në 24 orë në zyrat e partisë, në punët e partisë, në krye të punëve të partisë, me strukturat e partisë.

Nuk mundesh dot të bësh një detyrë në dy karrige dhe në dy zyra, të jesh edhe Prefekt edhe Drejtor, edhe Kryetar i Partisë së Njësisë. Prandaj si Sekretar Organizativ në funksion të statutit, statuti ma njeh një të drejtë të tillë jo mua por të gjithëve ju,  që brenda 10 ditëve këta kryetarë partie duhet të japin dorëheqjen, që ne të na hapin dritën jeshile për të bërë zgjedhjet. Pasi të mbarojmë zgjedhjet e Kryetarëve të Organizatave dhe Kryetarëve të Njësisë, të hapim zgjedhjet dhe për Kryetarët e Partisë në ato njësi vendore ku ata kanë dhe një mandat tjetër funksionar.

 

Dua të mos zgjatem. Materialin e keni përpara. Nëse keni pyetje, sugjerime për materialin, sepse është material për të gjithë ju, unë jam i gatshëm dhe i hapur për të kthyer përgjigje. 

 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm