Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Triumfi i të bërit shtet varet kryekëput nga zbatimi i Reformës në Drejtësi

Të reja

Triumfi i të bërit shtet varet kryekëput nga zbatimi i Reformës në Drejtësi

15 Jan 2018    
Fjala në emër të Grupit Parlamentar të PS, e kryetarit Taulant Balla, në seancën e sotme parlamentare: 

Z. Kryetar,
Kolegë e kolege deputetë,


I dëgjova me mjaft vëmendje kolegët që parafolën në emër të opozitës. Fjalimet me të drejtë ngjanin si një fjalim i vetëm dhe ishin të përqendruara të treja tek seanca e fundit e vitit të shkuar.

Bashkohem me ju në vlerësimin që seanca e fundit ishte një shfaqje e turpshme e që nuk duhet përsëritur. Çizmet, shishet dhe togjet e letrave të punës së parlamentit, tymuset e stadiumit, ulërimat histerike nuk kanë lidhje aspak me parlamentarizmin, politikën dhe arsyen e qenies sonë këtu, të të gjithëve ne, të 140 deputetëve.

Por turpi gjithmonë dhe asnjëherë nuk është kolektiv; përgjegjësia nuk është asnjëherë kolektive, ajo është politike dhe individuale. Dhe turpin le ta mbajë kush e ka; dhe kush nuk di ta ndajë turpin e seancës së fundit, le të paguajë gjyqin e opinionit publik. 
Sot Kuvendi i Shqipërisë fillon sesionin e dytë të legjislaturës që kemi marrë besimin e shqiptarëve për t’u shërbyer, por seanca përmbyllëse e vitit të kaluar, e ritheksoj, ishte shfaqja më e turpshme e antiparlamentarizmit, faturën për të cilën opozita ia la për të paguar popullit shqiptar. 

Ç’kusur ka populli shqiptar të paguajë faturën tuaj? Kjo nuk është hera e parë që me veprimet e saj, ajo që ka për detyrë të ofrojë një vizion të ndryshëm nga të bërit shtet, ofron në fakt një vizion dhune që nuk ka asgjë të përbashkët me Europën ku ne duam që të bëhemi pjesë. 

Shqipëria sot është më afër se kurrë çeljes së negociatave të anëtarësimit, çka do të bënte një hap epokal në historinë e Shqipërisë. Ndaj nuk e meriton aspak as baltën, as tymin, as dëshpërimin e kësaj opozite, që prej dy vitesh udhëhiqet nga frika e Reformës në Drejtësi. 
Të gjithë e mbajmë mend se si me datë 18 dhjetor, në mënyrë të koordinuar brenda dhe jashtë Parlamentit, opozita u orvat të bllokonte me pahir këtë reformë në momentin shumë ligjor të caktimit të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm për vijimin normal të punës së këtij institucioni. E kjo ndodhi, ndonëse caktimi i saj me një mandat të përkohshëm ishte process legjitim, kushtetues dhe i konfirmuar zyrtarisht nga misionet e drejtësisë të SHBA dhe BE, të cilat asistojnë prej ditës së parë Reformën në Drejtësi. 

Pse SHBA dhe BE e mbështetën procesin? Pse SHBA dhe BE ishin të parët që reaguan duke mbështetur vendimmarrjen e Kuvendit menjëherë atë ditë? Pse e përgëzuan Kuvendin për ecjen përpara të procesit të Reformës në Drejtësi?

Ndërsa kushdo tjetër syresh këtu, që njihet për arsyet kuptimplota që ka për t’iu kundërvënë Reformës në Drejtësi, nuk përdor mekanizmat që njeh kushtetuta e ligji për t’iu kundërvënë, për ta kundërshtuar. Ua kemi thënë prej ditës së parë: Shkoni në Gjykatën Kushtetuese!

Shqipëria sot është në një udhëkryq shumë të rëndësishëm: presim çeljen e negociatave për anëtarësim. Dhe ashtu sikurse çdo shfaqje uniteti e bashkëpunimi në funksion të kushtetutës, të ligjit dhe posaçërisht të Reformës në Drejtësi, është një pikë e fituar; ashtu si dhe çdo shfaqje si ajo e seancës së kaluar, është një pikë e humbur në radhë të parë për Shqipërinë.

Bashkëpunimin nuk jemi vetëm ne që jua kërkojmë; në fakt bashkëpunimin e kërkojnë 99.9% e shqiptarëve, të cilët kërkojnë që të zgjedhurit e tyre të shtyjnë përpara procesin e integrimit europian. 

Lulzim, Monikë, atje ku ece sot je e ndëshkuar nga Rregullorja e Kuvendit për fyerjen e rëndë të rregullave të këtij Kuvendi, edhe ti Fatmir, edhe ti Naço. Jemi këtu për t’i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve, jo partive të cilat na kanë sjellë këtu me mandate. Për fat të keq gjithmonë e më shumë dhe më haptazi, opozita nuk vjen për të përfaqësuar në këtë sallë qytetarët që e votëbesuan, por për të përfaqësuar atë 1% e vogël, e cila i friksohet Reformës në Drejtësi si djalli nga temjani, pasi drejtësia për disa prej jush do të thotë humbja e pronave, pasurive të jashtëligjshme që kanë vënë në kurriz të popullit shqiptar. 



Zonja e zotërinj, 

Kolegë e kolege deputetë, 

Për Partinë Socialiste nuk ka dy standarde, s’ka dy drejtësi, s’ka dy mijë sjellje ndaj drejtësisë e ndaj përfaqësuesve të pushtetit gjyqësor, që përcaktohen nga na intereson politikisht apo s’na interson politikisht një veprim apo vendim në sistemin e drejtësisë. 

Reforma në Drejtësi është një reformë që garanton aspiratat dhe të ardhmen europiane të qytetarëve shqiptarë; ndaj asnjë borxh politik nuk mund ta ndalë sado që përpiqet, sikurse u munduan të bënin seancën e fundit të Kuvendit. Ne e dimë fare mire, pavarsisht dëshirës tonë të mirë për të gjetur një kompromis për të mirën e gjithë shqipëtarëve: nuk mund ta ndryshojmë opozitën që kemi. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë dialog me ju, mirëkuptim me ju, me bindjen se kur vjen puna te kauza si drejtësia apo integrimi nuk ka të majtë e të djathtë, por shqiptarë dhe anti-shqiptarë. Por se si do të vendosni ju është çështja juaj; një gjë është e sigurt, askush nuk do të na ndalë në rrugën e Shqipërisë që duam për Shtet, Punë dhe Mirëqënie. 


Një triumf ky që varet kryekëput nga zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe që ne do ta bëjmë realitet me apo pa opozitën, sepse në rrugën tonë të përbashkët kemi me vete të gjithë shqiptarët, qofshin ata që votojnë pro si dhe ata që kanë votuar kundër kësaj qeverie më 25 Qershor. 
Ndonëse nuk jemi ne që duhet të kërkojmë falje për gjithçka ndodhi në seancën e fundit, besoj se ju të paktën i detyroheni të gjithë shqiptarëve një ndjesë kolektive që shohin të neveritur pëçudnimin që i bëhet kësaj salle sovrane dhe institucioneve të vendit të vet. Kjo duhet të jetë një ndjesë, një borxh ndaj të gjithë atyre që ndihen të zhgënjyer nga përfaqësuesit e tyre, kur shohin se si këta të fundit abuzojnë me pushtetin që u është dhënë duke u përpjekur të bllokojnë Reformën në Drejtësi. 
Shqipëria dhe shqiptarët nuk e meritojnë as baltën, as tymin, as takën e çizmeve firmato në ajrin e parlamentit si pasojë e shfrenimit të një opozite të mbledhur grusht nën çadrën e frikës prej Reformës në Drejtësi. 

Por pavarsisht asaj që ndodhi në seancën e fundit, Kuvendi i Shqipërisë prej mesit të shtatorit nuk është më ai i katër viteve të shkuara kur fjala të jepej kur të tekej, e koha dedikuar talljes, sajesave, sulmeve, sharjeve personale ishte e pashtershme. Sot për fat të mirë edhe deputeti më i padisiplinuar në këto 27 vite largohet nga foltorja sapo bie gongu i mbarimit të kohës, e ky është një hap i mirë. Kjo është shenjë që tregon se në këtë Kuvend nuk ka më vend për rrumpallë, sikur se u përpoqët në seancën e shkuar, sepse ky tashmë është një institucion transparent dhe i disiplinuar që përfaqëson shqiptarët ashtu siç ata e meritojnë. Kjo erë e re ndryshimi në Kuvendin e Shqipërisë duhet të sanksionohet përfundimisht bardh e zi në javët e ardhshme, ndryshimet e Rregullores së Kuvendit dhe ndryshimin e librit të rregullave të Parlamentit në tërësi, duke përfshirë këtu edhe Kodin Etik. 

Kolegë e kolege të opozitës, 
Shpresa jonë është sot që brenda muajit janar ne të miratojmë sëbashku Kodin Etik dhe brenda muajit janar edhe ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, për të përshtatur dhe për ta sjellë Rregulloren e Kuvendit në të njëjtën linjë me ndryshimet kushtetuese. Janë detyra të rëndësishme për të cilat jemi votuar e për të cilat sigurisht jemi të gatshëm; e dëshira jonë është që të bashkëpunojmë të gjithë sëbashku në funksion të këtij viti, që për të gjithë ne duhet të jetë viti i Shqipërisë Europiane. 

Faleminderit! 
Suksese të gjithëve!

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm