Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ulqini: Heshtje e qeverise Berisha ndaj te mbijetuarve te tragjedise se Gerdecit

Të reja

Ulqini: Heshtje e qeverise Berisha ndaj te mbijetuarve te tragjedise se Gerdecit

19 Jun 2008    
Në një rast të pa precedent në historinë e pluralizmit shqiptar, kryeministri Berisha që u premtoi shqiptarëve në 3 korrik se problemet dhe shqetësimet e qytetarëve do të ishin angazhim thelbësor i qeverisë së tij, pra ky kryeministër ka dy javë që hesht për kërkesat e grevistëve të Gërdecit.

Sot mbushen 2 javë nga dita që shtatë ish punëtorë të fabrikës së demontimit të municioneve ushtarake në Gërdec, që mbijetuan nga shpërthimi i 15 marsit, janë futur në grevë urie, në shenjë proteste ndaj indiferencës së qeverisë Berisha për zgjidhjen reale të problemeve të shumta që shkaktoi kjo tragjedi.

Në një rast të pa precedent në historinë e pluralizmit shqiptar, kryeministri Berisha që u premtoi shqiptarëve në 3 korrik se problemet dhe shqetësimet e qytetarëve do të ishin angazhim thelbësor i qeverisë së tij, pra ky kryeministër ka dy javë që hesht për kërkesat e grevistëve të Gërdecit.

Çfarë i kërkojnë kryeministrit Berisha përfaqësuesit e të mbijetuarve të tragjedisë së Gërdecit, që kanë ndërmarrë aktin sublim të grevës së urisë? Cilat janë kërkesat e tyre miliardere, siç i quajnë kërkesat e gevistëve të gërdecit përfaqësuesit e kryeministrit Berisha?

Grevistët kërkojnë që të shpërblehen të gjitha familjet e viktimave që akoma nuk e kanë marrë këtë shpërblim të caktuar nga qeveria. Kjo është kërskesa e pare miliardere e grevistëve të Gërdecit.

Grevistët kërkojnë që të dëmshpërblehen 157 punëtorët që punonin në fabrikën e vdekjes së Gërdecit për mjetet e tyre motorike që u shkatërruan ditën e shpërthimit. Kjo është kërskesa e dytë miliardere e grevistëve të Gërdecit.

Grevistët kërkojnë që nga data 1 qershor 2007 deri në datën 15 mars 2008 tu njihen sigurimet shoqërore të plota sipas vështirësive të punës që kryenin. Kjo është kërskesa e tretë miliardere e grevistëve të Gërdecit.

Grevistët kërkojnë që tu paguhet rroga për një vit dhe të trajtohen me asistencë për vitin e dytë, sipas kodit të punës të Republikës së Shqipërisë. Kjo është kërskesa e katërt miliardere e grevistëve të Gërdecit.

Grevistët kërkojnë që punëtorët që u plagosën dhe u gjymtuan nga shpërthimi në Gërdec të dëmshpërblehen në shumën 150 mijë lek. Kjo është kërkesa e pestë miliardere e grevistëve të Gërdecit.

Grevistët kërkojnë që qeveria tu lidhë pension familjeve të 26 viktimave që humbën jetën në tragjedinë e Gërdecit në shumën 40 mijë lek muaj. Kjo është kërkesa e gjashtë miliardere e grevistëve të Gërdecit.

Dhe së fundi grevistët kërkojnë ndihmë emergjente për 157 punëtorët e mbijetuar nga tragjedia e Gërdecit në vlerën 400 mijë lek për secilin.

Këto janë gjashtë kërkesat e grevistëve, të cilët kanë dy javë që janë futur në grevë urie. Këto kërkesa nuk mund të anashkalohen dhe aq më tepër të etiketohen nga ata që e shkaktuan tragjedinë e Gërdecit. Ashtu siç është një akt i paprecedent etiketimi i krimit shtetëror të Gërdecit si Aksident teknologjik po kaq e pashembullt është heshtja e qeverisë ndaj grevës së urisë të të mbijetuarve të Gërdecit.

Kam këtu kërkesën e shoqatës Punonjësit e Gërdecit drejtuar kryeministrit Sali Berisha në datën 29 maj të firmosur nga Andi Belliu kryetar i grevës së urisë. Në këtë kërkesë, të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit i kërkonin kryeministrit Berisha që brenda pesë ditëve të kishte një përgjigje me shkrim nga qeveria për kërkesat e tyre, përndryshe theksonin këta të mbijetuar alternativa e vetme ishte greva e urisë. Qeveria heshti ndaj këtyre kërkesave, duke i detyruar përfaqësuesit e të mbijetuarve të Gërdecit që pasi pritën një përgjigje për dy javë, të futeshin në grevë urie.

Kaluan edhe dy javë të tjera në grevë të urisë dhe kryeministri Berisha jo vetëm hesht ndaj kësaj greve dhe kërkesave të mbijetuarve të tragjedisë së Gërdecit, por po sillet ndaj tyre në mënyrë tejet armiqësore.

Grevistët nuk u lejuan të fillonin grevën në një mjedis publik në qendër të Vorës, duke u nxjerrë me forcë nga policia.

Grevistët nuk u lejuan as dje të vazhdonin grevën e tyre të urisë në një çadër pranë zyrave të kryeministrit Berisha në një përpjekje tjetër për ta detyruar kryeministrin që të dëgjojë hallet dhe problemet e shtetasve të tij, të cilët po rrezikojnë seriozisht jetën e tyre jo për kërkesa luksi, por për mbijetesë.

Për grevistët e urisë mungoi kujdesi human dhe mjekësor nga qeveria. I vetmi kujdes që nuk u mungoi greviste të urisë dhe familjeve të tyre ishte sjellja provokuese dhe kërcënimet e kamufluara të policëve të veshur civil, që për dy javë nuk munguan për asnjë çast të mbikëqyrnin nga afër të gjithë ata që u kujdesën për grevistët e urisë dhe shprehën solidaritetin e vet ndaj tyre.

Me grevistët e urisë është solidarizuar media e pavarur, qytetarët e Vorës dhe të Tiranës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të opozitës. Sot ambasadori amerikan në Shqipëri në një të përditshme kombëtare i përgjigjet kështu pyetjes së gazetarit për grevën e urisë: Mendoj se duhet të fillojmë duke marrë parasysh viktimat e tragjedisë. Në një moment të vetëm jetët e tyre ndryshuan përgjithmonë. Shumë vetë për fshi fëmijë të vegjël dhe të pafajshëm, humbën jetët e tyre dhe mendoj se ata duhet të jenë në qendër të vëmendjes së çdo përqasjeje, dhe shpresoj, çdo zgjidhje që do të gjendet në lidhje me shpërthimin e ndodhur.

Përballë këtij reagimi të fuqishëm, heshtja e kryeministrit Berisha ndaj kërkesave të punëtorëve të Gërdecit, jetët e të cilëve u ndryshuan përgjithmonë për shkak të kësaj tragjedie - siç thekson ambasadori amerikan në intervistën e tij, e bën fajtor dhe përgjegjës për herë të dytë kryeministrin në fjalë. Herën e parë për shpërthimin me pasoja kaq tragjike dhe herën e dytë për heshtjen tragjike ndaj atyre që u vranë, u gjymtuan dhe e pësuan për shkak të papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie.

Të heshtësh ndaj kësaj greve është një lloj si të duash të rivrasësh të mbijetuarit e tragjedisë së tmerrshme të Gërdecit. Asnjë justifikim dhe asnjë argument i çfarëdo lloji nuk mund të justifikojë heshtjen e kryeministrit Berisha ndaj kësaj greve. Krimi shtetëror në Gërdec nuk mund të justifikohet me mos dije dhe nuk mund të mbulohet me heshtje as sot dhe as mot nga askush dhe aq më pak nga kryeministri Berisha.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm