Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ulqini: RTSH nen kembet e Berishes, larg Shqiperise reale

Të reja

Ulqini: RTSH nen kembet e Berishes, larg Shqiperise reale

08 Jul 2008    
Të dhënat zyrtare të publikuara nga KKRT për muajin maj provojnë se raporti mes opozitës dhe pozitës në edicionet informative është 1 me 4, ndërkohë që përfaqësuesit politikë të opozitës dhe pozitës të ftuar në studiot e RTSH janë në raportin 1 me 5. Por, thelbi i shqetësimit tonë nuk është aq mungesa e opozitës në programet e RTSH, se sa mungesa në këto programe e publikut dhe e shqetësimeve të tij.

Shkelja e ligjit për informimin e publikut nga ana e RTSH, është thelbi i këtij komunikimi me ju, në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste.

Deklarata e qëllimit (neni 66) përcakton qartë thelbin e RTSH si transmetues publik, i cili duhet të udhëhiqet nga idealet e larta të shërbimit ndaj publikut, duke mbuluar në mënyrë të paanëshme lajmet dhe duke realizuar programe në shërbim të qytetarëve dhe jo të partive politike.

Ne konstatojmë se RTSH, jo vetëm e ka braktisur arsyen përse ekziston dhe financohet me taksën e publikut, por është kthyer sot në institucionin mediatik më regresiv, më të njëanshëm, më paqeprishës dhe më mediokër të mediave elektronike shqiptare.

Ekipi drejtues i këtij institucioni, nën presioni e drejtëpërdrejtë të shefit të mazhorancës së sotme Sali Berisha, e ka shndërruar sot RTSH në një instrument mediatik tërësisht në shërbim të tij. RTSH është sot vitrina më e shëmtuar ku ekspozohet koncepti i Kryeministrit shqiptar për transmetuesin publik në veçanti e mediat në tërësi.

Opozita dhe veçanërisht Partia Socialiste e grupi i saj parlamentar kanë muaj që i kanë kërkuar Këshillit Drejtues të RTSH dhe drejtuesve ekzekutive të tij që të respektojnë ligjin dhe të thellojnë reformat për transformimin e plotë të këtij institucioni në një transmetues publik të mirëfilltë në shërbim të qytetarëve. Por kërkesat tona ligjore dhe konstruktive të artikuluara qartë në diskutimet e zhvilluara në seancë plenare në Kuvend kur u diskutua raporti vjetor i RTSH, si dhe kritikat e forta që adresuam në mbledhjen e posaçme të komisionit parlamentar për edukimin dhe mediat në 10 qershor, jo vetëm nuk u mbajtën shënim nga drejtuesit e mësipërm, por situata në RTSH është përkeqësuar në terma tepër kritik, kur është fjala për mënyrën se si ai informon publikun.

Të dhënat zyrtare të publikuara nga KKRT për muajin maj provojnë se raporti mes opozitës dhe pozitës në edicionet informative është 1 me 4, ndërkohë që përfaqësuesit politikë të opozitës dhe pozitës të ftuar në studiot e RTSH janë në raportin 1 me 5.

Por, thelbi i shqetësimit tonë nuk është aq mungesa e opozitës në programet e RTSH, se sa mungesa në këto programe e publikut dhe e shqetësimeve të tij. Kështu në këto programe ose mungojnë fare ose janë të pranishëm fare përciptazi problemet e të mbijetuarve të tragjedisë së Gërdecit, kërkesat ligjore të ushtarakëve në lirim, kërkesat e drejta të minatorëve, protestat e fermerëve për braktisjen që atyre u ka bërë qeveria, shqetësimet dhe hallet e njerëzve në nevojë, të cilët kanë probleme mbijetese për shkak të rritjes së çmimeve etj, etj. Në RTSH mungon përditë e më shumë Shqipëria reale.

Kjo mungesë është zëvëndësuar me Shqipërinë virtuale të Sali Berishës, i cili është në të vërtetë censuruesi dhe drejtuesi real i këtij institucioni. Në këtë institucion mungojnë gjithnjë e më shumë jo vetëm qytetarët dhe opozita, por edhe institucionet kushtetuese dhe të pavarura. Informacioni për këto institucione përzgjidhet sipas shijes së Kryeministrit. Edhe grupi parlamentar i PD-së censurohet dhe të gjithë deputetët e mazhorancës flasin vetëm me gojën e Jozefina Topallit.

Përballë ndërhyrjes arrogante të lidershipit të PD-së në këtë institucion mediatik kombëtar kanë dështuar edhe përpjekjet e disa personaliteteve të njohura , të cilët erdhën në krye të Këshillit Drejtues të RTSH me qëllimin e mirë për ta transformuar atë, por shpejt u detyruan të tërhiqen dhe të dorqëhiqen. Një fakt tjetër mjaft kuptimplotë është edhe e dhëna tjetër, se gjatë tre viteve kanë dhënë dorëheqje katër drejtore të Departamentit të Informacionit.

Ne nuk do të shqetësoheshim për RTSH, këtë “copë komunizëm që vlen vetëm për muze - siç e vlerësonte këto ditë RTSH një e përditshme kombëtare në një koment të saj, nëqoftëse ky transmetues nuk financohej me taksat e publikut shqiptar, nëqoftëse sinjali i këtij ktransmetuesi nuk do të ishte i vetmi në një pjesë të mirë të territorit të Republikës dhe së fundi nëqoftëse RTSH nuk do të ishte një nga standartet demokratike të paplotësuara që Europa e ka vënë si kusht për integrimin tonë në strukturat e saj.

Ne ripërsërisim protestën tonë për keqpërdorimin e RTSH nga Sali Berisha dhe për shkeljen e ligjit nga drejtuesit e tij. Ne besojmë që shqetësimi ynë do të mbahet shënim edhe nga institucionet ndërkombëtare që monitojnë zhvillimet demokratike ne Shqipëri.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm