Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Ulqini: Shqiperia qe flet Berisha e ndryshme nga Shqiperia reale

Të reja

Ulqini: Shqiperia qe flet Berisha e ndryshme nga Shqiperia reale

12 Jun 2008    
Shqipëria reale është Shqipëria ku tragjedia e Gërdecit - simbol i korrupsionit dhe i krimit shtetëror, ku humbën jetën 26 qytetarë të pafajshëm dhe u dëmtuan me qindra e mijëra të tjerë në shëndetin, bizneset dhe ekonomitë e tyre familjare, etiketohet si Aksident teknologjik. Kam këtu vendimin e djeshëm të firmosur nga kryeministri Sali Berisha ku kjo tragjedi e pashembullt vazhdon të quhet në mënyrën më cinike të mundshme si Aksident teknologjik! Shqipëria reale është Shqipëria e atyre tetë punëtorëve të Gërdecit,

Tre vjet pas ardhjes së mazhorancë së Berishës në pushtet qytetarët shqiptarë po ndeshen me një realitet që as e kishin menduar dhe as e kishin dëshiruar ndonjëherë. Realiteti i sotëm mediatiko - politik ofron dy Shqipëri krejt të ndryshme. Njëra është Shqipëria për të cilën flet kryeministri Berisha dhe tjetra është Shqipëria reale.

Shqipëria e kryeministrit Berisha është Shqipëria që e ka mundur korrupsionin falë punës titanike të qeverisë së tij.

Shqipëria reale është Shqipëria ku korrupsioni po ua nxin jetën përditë e më shumë shumicës së qytetarëve të cilët duhet të paguajnë bakshish për shërbimet e kërkuara që nga zyrat e administratës shtetërore e deri tek shërbimi shëndetësor.

Shqipëria reale është e tenderëve skandaloz ku korrupsioni i qeveritarëve mbulohet me vellon e kontraktuesve ndërkombëtar.

Shqipëria reale është Shqipëria ku tragjedia e Gërdecit - simbol i korrupsionit dhe i krimit shtetëror, ku humbën jetën 26 qytetarë të pafajshëm dhe u dëmtuan me qindra e mijëra të tjerë në shëndetin, bizneset dhe ekonomitë e tyre familjare, etiketohet si Aksident teknologjik. Kam këtu vendimin e djeshëm të firmosur nga kryeministri Sali Berisha ku kjo tragjedi e pashembullt vazhdon të quhet në mënyrën më cinike të mundshme si Aksident teknologjik! Shqipëria reale është Shqipëria e atyre tetë punëtorëve të Gërdecit, të cilët në shenjë proteste për sjelljen e qeverisë ndaj tyre dhe kësaj tragjedie, zgjodhën si mjet të reagimit qytetar dhe human grevën e urisë. Për Shqipërinë e kryeministrit Sali Berisha greva e urisë e punëtorëve të Gërdecit nuk ekziston. Sjellja e përfaqësuesve të qeverisë ndaj kësaj greve është krejt armiqësore, thua se grevistët janë fajtorë për tragjedinë e Gërdecit dhe për faktin që ishin dëshmitarë okularë për mënyrën sesi silleshin në fabrikën e vdekjes njerëzit e kryeministrit Berisha. Nuk ka mjaft me Gërdecin zotërinj deputetë të Partisë Demokratike, deri sa të ketë drejtësi.

Shqipëria reale është Shqipëria që figuron gjithnjë e më shumë në dokumentet e institucioneve ndërkombëtare më prestigjioze si vendi ku korrupsioni dhe qeverisja e keqe e listojnë Shqipërinë në top listën e vendeve të korruptuara. Këtë e thonë raportet e Bankës Botërore, FMN-së OKB-së etj e thonë raportet e institucioneve të specializuara në testimin e korrupsionit si Transparenca Ndërkombëtare, e nënvizojnë me forcë në raportet e tyre institucionet evropiane dhe ato amerikane si Departamenti i Shtetit, USAID etj.

Shqipëria e Sali Berishës është Shqipëria që njeh vetëm zhvillim, prosperitet, mirëqenie, rritje pagash dhe pensionesh.

Shqipëria reale është Shqipëria e çmimeve të larta që e kanë përkeqësuar në mënyrë serioze jo vetëm nivelin e jetesës së pensionistëve dhe të papunëve, por e kanë përkeqësuar nivelin e jetesës në shumicën e familjeve shqiptare.

Shqipëria reale është Shqipëria me numrin më të madh të vetëvrasjeve në historinë e pluralizmit për arsye të varfërisë.

Shqipëria reale është Shqipëria që detyron njerëzit që të sfidojnë vdekjen dhe të shkojnë e të gërmojnë si në kohë të para qytetërimit në zgafellet e 600 minierave të braktisura apo që kanë kushte pune të mjerueshme. Jo vetëm minatorët dhe familjarët e tyre, por me mijëra shqiptarë të varfër gërmojnë nëpër këto zgafella, jo sepse është rritur çmimi i kromit, dhe për pasojë është shfleftësuar çmimi i jetës, siç tha këtu të hënën e kaluar këtu një ministër i ndershëm i qeverisë Berisha, por sepse është varfëria që i detyron njerëzit që për mbijetesë të rrezikojnë çdo ditë jetën. Rasti i minierës së Bulqizës ku në 12 muaj kanë humbur jetën 14 minatorë është pa dyshim një rast që jo vetëm ministri përgjegjës por të gjithë qeverinë e bën me turp.

Shqipëria e Sali Berishës është Shqipëria ku institucionet dhe liria e medias respektohen si kurrë më parë.

Shqipëria reale është Shqipëria që në tre vjet ka shënuar konfliktet më të dhunshme mes qeverisë dhe kryeministrit të saj nga njëra anë dhe institucioneve kushtetuese dhe atyre të pavarura nga ana tjetër. Sulmi i kryeministrit Berisha për të vënë nën kontroll të plotë institucionet e pavarura dhe ato kushtetuese është pa dyshim një nga dëmet më të mëdha që i bëhet standardeve demokratike që Shqipëria duhet të përmbushë për tu integruar në Bashkimin Evropian. Edhe konflikti aktual me institucionin e presidentit dhe të prokurorisë është një provë tjetër e sjelljes arrogante anti demokratike të kryeministrit aktual.

Shqipëria reale është Shqipëria ku mediat e lira dhe të pavarura që nuk pranojnë ti shërbejnë qeverisë sulmohen egërsisht me mjete ekonomike dhe kur ato rezistojnë atëherë etiketimet ndaj tyre nuk njohin kufij moralë dhe politikë.

Turi i kryeministrit Berisha i këtyre ditëve nëpër Shqipëri është pa diskutim prova e ekzistencës së dy Shqipërive që ekzistojnë njëra në realitet dhe tjetra në fjalimet publike të Sali Berishës.

Si deputet i këtij Kuvendi i bëj thirrje kryeministrit Berisha që nëse vërtet nuk arriti të dinte asgjë për Gërdecin (ndonëse unë dhe shumica e shqiptarëve nuk e besojnë mosdijen e kryeministrit) përpara se të ndodhte tragjedia e tmerrshme të bëjë përpjekje të njohë Shqipërinë reale dhe si akt të parë të shkojë të takojë grevistët e Gërdecit duke bërë kështu detyrën e tij ligjore dhe qytetare si kryeministër dhe si njeri.
Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm