Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Vazhdojmë punën duke ecur përpara me reformën zgjedhore dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR

Të reja

Vazhdojmë punën duke ecur përpara me reformën zgjedhore dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR

21 Oct 2019    

Komunikim me mediat i Kryeministrit Edi Rama dhe njëkohësisht kryetarit të Partisë socialiste, pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste:

Ju besoj e dini që ne jemi në një proces zgjedhor brenda partisë dhe sot nga një anë kemi parë ecurinë e procesit, nga ana tjetër kemi dakordësuar mbi propozimin e grave anëtare të kryesisë së partisë dhe deputete, ministre, që të nisim procesin e përfshirjes së grave dhe të vajzave si bashkëkryetare të organizatës socialiste.

Ky është një proces që përbën një risi të rëndësishme, por dhe një domosdoshmëri në kushtet kur ne jemi pa diskutim partia me e votuar nga gratë dhe  nga vajzat në Shqipëri. E nga ana tjetër, unë dhe fatmirësisht dhe të tjerët në këtë kryesi, mbrojmë bindjen se kur duhet bërë muhabet, bëhet me burra dhe kur duhet bërë punë, më mirë bëhet me gra. Kështu që do ta çojmë përpara këtë proces.

Së dyti, natyrisht kemi diskutuar edhe për pjesën tjetër, për temën e ditës lidhur me mosmarrjen e vendimit të merituar për Shqipërinë dhe natyrisht që kemi rënë të gjithë dakord për faktin që kjo nuk ndryshon asgjë në trajektoren strategjike të vendit, të partisë socialiste dhe të qeverisë sonë. E në ndërkohë, në ditët në vijim unë kam një sërë komunikimesh të përcaktuara në axhendë me presidentin e Francës dhe me një sërë drejtuesish të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit.

Nga ana tjetër, pa diskutim  në aspektin praktik, ne jemi të qartë duhet të vazhdojmë cdo ditë punën sepse edhe nëse do të kishim marrë një “Po” të shumëpritur dhe të merituar disa ditë më parë, detyrat janë po ato që janë edhe pa atë “Po”, pra të ecim përpara me reformë zgjedhore dhe brenda vitit të ngjisim shkallën e parë, pra të miratojmë në parlament të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR si pjesë e ligjit zgjedhor, të presim se në këtë aspekt nuk kemi ne diçka më shumë për të bërë plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me radhë të gjitha pikat e përcaktuara nga Bundestagu gjerman, të cilat janë siç e kam thënë më shumë se një herë, të rëndësishme për ne dhe jo të nevojshme për Gjermaninë në vetvete.

-Opozita po kërkon të hapni krahun dhe te jepni doreheqjen..

Kryeministri Edi Rama: E cfarë duhet të them une me këtë rast?! Këtu nuk ka asgjë të re! Ata kanë punuar shumë fort dhe nuk kanë lënë gur pa luajtur për të dështuar procesin. Nuk ia kanë dalë sepse ne kemi arritur të kapërcejmë pengesat e ngritura artificialisht, në gjashtë muajt e parë të vitit, duke marre mbështetjen e fuqishme të Kancelares  dhe të Gjermanisë.

Faktkisht, qoftë Maqedonia e Veriut, qoftë Shqipëria nuk kanë arritur dot të marrin atë që ju takonte, jo si rezultat i një ndonjë rezerve substanciale ndaj tyre, por si rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane, ku sot është materializuar ajo që kam paralajmëruar prej disa kohësh në të gjitha fjalimet e mia në parlament, një konflikt mbi të ardhmen e BE.

Në këtë pikë nuk besoj se ne këtu apo ata në Maqedoninë e Veriut kanë më shumë në dorë se sa të bëjmë detyrat e shtëpisë. Dhe detyrat tona të shtëpisë janë shumë të qarta. E kam thënë përpara se të merret vendimi. Siç e shikoni dielli ka dalë përsëri, dita ka filluar përsëri dhe rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje, pa asnjë ekuivok. Ne duam të bëjmë Shqipërinë europiane, për shqiptarët, për fëmijët tanë dhe këtë do të bëjmë cdo ditë.

-Zoti Rama, reformën zgjedhore do ta bëni me Partinë Demokrtike apo pa Partinë Demokratike?

Kryeministri Edi Rama: Reformën zgjedhore do ta bëjmë me të gjithë ata që duan të marrin pjesë në proces dhe do ta votojmë - sikundër përcaktohet edhe në pikën përkatëse të parlamentit gjerman - në parlament dhe në parlament në dijeninë time ka një opozitë e cila është e përfshirë në komisionin e reformës zgjedhore, ku ka dhe një karrige bosh për miqtë tanë të opozitës jashtë parlamentare dhe është në të drejtën e tyre të ulen apo të mos ulen në atë karrige. Por ne nuk do të presim dhe brenda këtij viti do të miratojmë reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.

-Si do ta bindni opozitën brenda parlamentit?

Kryeministri Edi Rama: Ne do të vazhdojmë procesin dhe me ata që do të binden do të votojmë reformën zgjedhore.

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm