Taulant Balla

Vettingu është themeli i Reformës në Drejtësi. Berisha dhe Basha kanë frikë nga ky proces

U çua njëri këtu dhe tha: “Tregoni një investim që keni sjellë. Sa janë shpenzimet e një fushate zgjedhore?”.

Po kur vjen në parlament dhe nuk sheh se çfarë ka si rend dite, normale që do fillosh të merresh me gjithçka ke dëgjuar nga mediat, nga portalet.

Do ta kisha besuar me gjithë shpirt çdo koleg deputet që do të ishte ngritur dhe do të merrte fjalën për hallin e banorëve të Zharrzës, nëse këtë gjë do ta kishte bërë periodikisht për të gjithë ata fatkeqë në Shqipëri që halli i ka bërë, për faj të shtetit, për faj të kompanive private apo për faj të vendit, të kenë humbur shtëpitë e tyre.

Në qarkun e Elbasanit, 510 familje prej vitit 2007, 2008, 2009, 2010, 2011 prisnin që qeveria një ditë të kujtohej e t’u dëmshpërblente shtëpitë e tyre, e t’u jepte mundësinë të nisnin diçka të re, por më kot. Këto 510 familje ngjajnë me Zharrzën, sepse edhe atyre u janë shembur shtëpitë.

Për këtë vit ishin rasti më i mirë për të thënë se pati një qeveri që u kujtua për to.

Për 218 familje në Belsh, shumica prej të cilëve kanë votuar për Partinë Socialiste dhe Aleancën për Shqipërinë Europiane, por edhe ato që nuk e kanë votuar, morën 720 mln lekë si dëmshpërblim për fatkeqësinë që u kishte ndodhur.

71 familje në Cërrik morën 159 mln lekë. 148 familje në Elbasan morën 430 mln lekë e po kështu në Gramsh, Librazhd dhe Peqin.

Do ta kisha besuar çdo koleg deputet që do çohej këtu për t’i qarë hallin banorëve të Zharrzës; nëse minimalisht një herë të vetme në këtë sallë të Parlamentit do ishte çuar përpara se banorët e Zharrzës të hynin në protestë dhe do t’u qante hallin atyre.

Do ta kisha besuar sinqeritetin e çdo folësi në këtë foltore, nëse një herë të vetme jo vetëm për banorët e Zharrzës, por për çdo banor të varfër të Shqipërisë sonë do të ishte çuar dhe do të thoshte: “Është një familje në filan fshat, së cilës i është shembur shtëpia dhe nuk është kompensuar nga shteti”. Do ta kisha besuar çdo folës në këtë foltore, që dikur mund të ketë mbajtur edhe karrige të rëndësishme të qeverisjes vendore, nëse nuk do t’i ishte referuar procedurës minimale që ka kompensimi. Të gjithë e dimë që kur ndodh një fatkeqësi, institucioni i parë që bën rivlerësimin e dëmit dhe që përcakton se sa do të jetë sasia që shteti do të kontribuojë, është pushteti vendor. Megjithatë, jam shumë i sigurt që përpjekja e çdokujt që përdor fatkeqësinë e 700 banorëve të Zharrzës nuk është një përpjekje morale, por është një keqdashje për t’u tallur me hallin e atyre banorëve.

E mora fjalën për të folur për një marrëveshje shumë të rëndësishme që kemi nënshkruar me shtetin gjerman. Një marrëveshje e cila është vijim i disa investimeve shumë strategjike në sektorin energjetik, por nuk mund të hesht për akuzat që u hodhën për sa i përket Reformës Zgjedhore.

Kuvendi i Shqipërisë përgjatë përpjekjeve për të bërë Reformë Zgjedhore, me angazhimin e kësaj mazhorance për të bërë minimalisht reformë në 4 çështje, për të cilat edhe OSBE-ODIHR ka vlerësuar se ka qenë koha e nevojshme për t’u bërë. Ndër to, më kryesorja ka qenë depolitizimi i Komisioneve Zgjedhore. Duhet ta dini, kolegë deputetë, ka një traditë në gjithë këto vite: që nuk mund të bëhet Reformë Zgjedhore pa dakordësinë e të dy palëve politike, pa mazhorancën dhe pa opozitën.

Për sa i përket këtij propozimi, qëndrimi i opozitës ka qenë i prerë – as nuk duam të hyjmë në bisedime, as në negociata dhe as të draftojmë amendamente, për sa i përket depolitizimit të komisioneve.

Kemi pasur përsëri një propozim që lidhet me votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit; dhe Partia Socialiste e Shqipërisë, në respekt të votës së qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit, është munduar gjithmonë që ta çojë përpara. Edhe në këtë çështje kemi pasur një refuzim bllokues nga ana e opozitës, Partisë Demokratike. Për momentin, këta janë opozita reale ende në këtë vend. Opozitarë të tjerë të cilët kanë marrë përsipër të zëvendësojnë folësit e Partisë Demokratike, këta nuk janë në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ne nuk kemi mundësi që me ta të mbledhim Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Lidhur me propozimin për votim dhe numërim elektronik, ju e dini që çështjen e votimit elektronik e ka propozuar Partia Socialiste në vitin 2012; dhe për këtë votim dhe për këtë numërim janë harxhuar disa miliona euro për zgjedhjet e vitit 2013, për të bërë një projekt pilot në Fier.

Skanerat u blenë. Procesi u bë gati, por procesi dështoi për aq kohë sa gjithë ai investim që ishte bërë nga KQZ-ja e atëhershme nuk mundi të zgjidhte situatën e krijuar me një fletë votimi, me 66 parti që konkurronin, sa kohë që skanerat e blerë ishin përcaktuar deri në 45 parti politike që mund të konkurronin dhe mund të shkruheshin në një fletë votimi. Megjithatë, prej ditës së parë ne i kemi qëndruar të njëjtës linjë që i ka qëndruar edhe OSBE/ODIHR: që pa kaluar një projekt pilot, ne nuk mund të testojmë një projekt kombëtar.

Para dy ditësh në Shqipëri ishin dy deputetë të Këshillit të Europës, njëri irlandez dhe tjetri gjerman. Dhe kolegu deputet irlandez solli në vëmendje të shqiptarëve një shembull që është ndër më domethënësit në Europë. Irlanda investoi plot 78 mln euro për të garantuar votim elektronik dhe numërim elektronik; dhe në ditën e zgjedhjeve, në Irlandë zgjedhjet nuk u bënë dot me votim dhe numërim elektronik sepse sistemi dështoi.

Jam plotësisht i bindur që edhe propozimet që u hodhën sa i përket financimit të partive politike, nuk ka nevojë për ide. Projektin më të mirë për të zgjidhur problemet që krijon financimi i partive politike, na e ka ofruar Këshilli i Europës. Një projekt që ka mundësuar që Shqipëria, parlamenti, Komisioni i Reformës Zgjedhore të këshillohen nga një prej ekspertëve më të mirë të problemeve që ka financimi i partive politike dhe financimi i fushatave zgjedhore. As 0.6 euro për frymë, as 2 euro për frymë nuk është zgjidhje. Zgjidhja është kufizimi i shpenzimeve, dhe ne kemi bërë një draft shumë të thelluar për të zgjidhur këtë çështje, por përsëri na duhen bojkotuesit e parlamentit që të vijnë në parlament për të votuar fjalë për fjalë draftin e ardhur nga Këshilli i Europës.

Nuk mund ta bëjnë dot as dy deputetë, as një grup parlamentar gjithë ekspertizën më të mirë Europiane që ka bërë Këshilli i Europës; dhe nuk mund ta zgjidhë asnjë amendament, as dy amendamente të dy deputetëve, por duhet ta zgjidhë vota e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të majtë dhe të djathtë. Pa praninë e Partisë Demokratike nuk mund të votojmë dot ndryshimet qoftë në ligjin e partive politike, qoftë në ligjin e kodit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.

Ne mund të bëjmë teatër sa të duam, të nxjerrim këtu dy letra e të themi kemi bërë dy amendamente. Por ne duhet ta dimë se ka një procedurë, ku pa veton e Partisë Demokratike ne nuk mund të draftojmë dhe më pas të miratojmë ndryshimet në kodin zgjedhor.

Por unë bie dakord me të gjithë, që sot Partia Demokratike nuk është në këtë seancë gjoja e justifikuar me protestën apo me bojkotin e Parlamentit, që gjoja nisi për Reformën Zgjedhore.

Keni dëgjuar më ndonjë përfaqësues të Partisë Demokratike që të flasë për Reformë Zgjedhore, për votim elektronik?

Flasin dhe fshihen pas një alibie se gjoja duan qeveri teknike dhe se gjoja nuk mund të bëhen zgjedhje në Shqipëri.

Për Vettingun Lulzim Basha dhe Sali Berisha nuk duan të flasin; por që edhe ish-miku ynë Ben Blushi të mos flasë për Vettingun, kjo nuk më kishte shkuar ndër mend. Të harxhosh gjithë ato minuta te kjo foltore dhe të mos thuash asnjë fjalë pse po e bojkoton Saliu dhe Luli Vettingun.

Jam i sigurt se ende brenda teje ka shpresë që mund të reflektosh, të flasësh për Vettingun. Dhe duhet të flasësh edhe ti për Vettingun, të flasësh për bojkotin e Saliut dhe të Lulit, sepse është bojkoti i tyre; dhe ti mos u bëj pjesë as e Saliut e Lulit për të sabotuar Vettingun.

Vettingu është themeli i Reformës në Drejtësi. Prej nesër ne duhet të kishim filluar ngritjen e komisioneve zgjedhore. Sot duhet të kishin ardhur dhe komisionet duhet të ngriheshin, dhe të ishin dhënë kandidaturat për të filluar këtë proces kaq të rëndësishëm.

Kryeministri sot solli këtu një shembull të një investimi turistik. Unë po ju sjell një shembull që më bukur se kushdo tjetër e tha dje emisioni “Fiks Fare”. Është një fshat në zonën ku unë shërbej si deputet prej 12-vitesh, ku një gjykatë rrugën në fshatin ku fëmijët shkojnë në shkollë ia ka njohur një pronari. Mua nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend një gjë e tillë. Kam shkuar vetë në dyer gjykatash, por e pamundur të çash në gjykata të cilat në lidhje korruptive me pronarin e një hidrocentrali, licencë e dhënë në vitin 2007, nuk do t’ia dijë fare se ku duhet të kalojnë fëmijët për të shkuar në shkollë. Por me vendim gjykate, pa iu dredhur syri, pa iu dridhur dora dhe çekiçi, rruga nëpërmjet të cilës fëmijët do shkojnë në shkollë do bëhet pronë e një njeriu të caktuar. Sot të jesh kundër Vettingut është njësoj si të jesh kundër atyre fëmijëve për të shkuar në shkollë.

Prandaj Luli dhe Saliu janë kundër Reformës në Drejtësi. Ata Reformën në Drejtësi dhe Vettingun e lidhin me emra, thonë: po u bë Vettingu do më ikë Mirela Fana, gruaja e këshilltarit të Sali Berishës. Iku Mirela Fana. Duhet ngritur një komision hetimor për të parë të gjitha vendimet e gjykatës që ka dhënë gruaja e këshilltarit të Sali Berishës. Po sa të tjerë ka emëruar Saliu aty?

Rasti më flagrant është sjellja e djalit të Sali Berishës përpara komisioneve hetimore të Parlamentit. Janë mësuar fëmijët e Saliut që dëshmitë t’i japin përpara gjyqtarëve dhe prokurorëve që ka emëruar babi.

“Unë nuk jap dëshmi para një personi që nuk e ka emëruar babi”, kjo është sjellja e fëmijëve të Sali Berishës.

Kur këta mendojnë Vettingun, këta mendojnë se u ikin gjyqtarët që kanë emëruar. 8 vite në pushtet, Sali Berisha nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka emëruar prokurorë dhe gjyqtarë. Dhe si ka mundësi që këta sot, nesër, pasnesër, të hënën, të martën, që janë ditë kritike për të çuar përpara procesin e Vettingut, na fshihen gjoja pas një kërkese që nuk ka mazhorancë në botë që ka 90 vota në parlament, që t’i thotë opozitës se unë që kam 90 vota po largohem dhe hajde ti si opozitë që ke 50 vota në Parlament.

Është e sigurt që në 18 qershor do jetë më e madhe mazhoranca.

Demokratë të thjeshtë në Elbasan, dje vinin te çadra për të firmosur peticionin. Kam votuar Partinë Demokratike, tha njëri, por ndjehem i zhgënjyer që partia ime sot është bërë palë me korporatën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.

Edhe ti Blush duhet të vish në Elbasan që të firmosësh peticionin. Është një peticion i shoqërisë civile; është peticioni i 97% të qytetarëve shqiptarë të cilët duan Vetting, sepse përmes Vettingut do të pastrohet drejtësia. Dhe duke pastruar drejtësinë është e sigurt që do të pastrohet edhe politika.

*Fjala në Parlament e nënkryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla