Partia Socialiste e ShqipërisëTë reja › Vijon fushata e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste, Rama në Kamëz: Ju uroj mirëseardhjen në PS, keni bërë gjënë e duhur!

Të reja

Vijon fushata e anëtarësimeve të reja në Partinë Socialiste, Rama në Kamëz: Ju uroj mirëseardhjen në PS, keni bërë gjënë e duhur!

20 Oct 2018    

Fjala e Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, me të rinjtë dhe të rejat e anëtarësuar në Partinë Socialiste, Kamëz:

Sot ne nuk jemi këtu për fushatë elektorale por jemi këtu për të mirëpritur në Partinë Socialiste një grup të konsiderueshëm vajzash, djemsh, grash, burrash që kanë hedhur hapin për tu angazhuar si pjesë e familjes tonë politike.

Duke i parë në radhët e para ata që janë rreth meje në një moshë fare të re, do doja të thoja që, shumëkush mendon që politika është diçka e keqe, diçka e pistë, diçka që s’duhet t’i afrohesh dhe besoj keni dëgjuar dhe dëgjoni përditë njerëz që thonë, “jo që s’merrem me politikë, por as dua t’ia di”.

Por në fakt është një iluzion, sepse politika merret me ty gjithë kohës.

Duke ardhur këtu më bëri përshtypje rruga, ishte si ato rrugët e zonave të Tiranës kur unë u bëra kryetar Bashkie shumë vite më parë. Në pamje të parë mund të duket sikur ajo s’ka lidhje me ty, por, në fakt, ajo ka lidhje me ata që votojnë dhe ata që nuk votojnë, me ata që angazhohen dhe ata që nuk angazhohen, sepse sa më shumë njerëz të angazhohen, aq më shumë politika ndikohet prej tyre. Sa më pak njerëz të angazhohen, aq më shumë pjesa tjetër vuan vendimet e gabuara, apo mospërfillje e politikës.

Të marrësh pjesë, nuk do të thotë domosdoshmërisht që të merresh me politikë, por do të thotë që të ndikosh, të ndikosh për të bërë të mundura gjëra që i vetëm nuk i bën dot kurrë. Duhen shumë njerëz që të bëhen gjërat që ndryshe mbeten siç janë.

Fjala vjen, foli Rakipi për Platformën tonë të Bashkëqeverisjes. Platforma jonë e Bashkëqeverisjes është shumë e thjeshtë, është në xhepin tuaj. Kush ka një telefon e ka në xhep qeverinë sot. Duket si një fjalë e bukur dhe e pakuptimtë, por në fakt është thjesht e vërteta. Kush ka sot një hall, apo një problem me një zyrë shteti, s’ka nevojë fare as të njohë njeri, as të bredhë për të hapur një derë, as të presë pafund! Mjafton të nxjerrë telefonin nga xhepi, të shkarkojë aplikacionin www.shqperiaqeduam.al dhe në 3 minuta të regjistrojë shqetësimin, ankesën, problemin, duke ia çuar drejtpërdrejtë ministrit, titullarit më të lartë në atë sektor ku ka shqetësimin.  

Po pret legalizimin dhe nuk po e merr dot?

S’ke pse pret! S’ke pse kërkon rrugë të vjetra me miq me shokë, me lekë, me dreq! Çoje dokumentacionin tek aplikacioni! 3 minuta kohë duhen dhe brenda 10 ditësh ti merr përgjigje. Në rast se të takon ti merr legalizimin dhe të marrin në telefon dhe të thonë “hajde merre”! Kjo nuk është një përrallë. Ky është realiteti i më shumë se 16 mijë familjeve që e kanë prekur këtë eksperiencë, qoftë për një legalizim, qoftë për një Hipotekë, qoftë për një llogari pensioni, qoftë për një mbifaturim dritash, qoftë për një gjobë të padrejtë nga një Inspektoriat dhe për shumë e shumë të tjera aspekte të jetës së përditshme.

Kjo është ajo që ne premtuam, që tu japim mundësi njerëzve që të kenë akses të drejtpërdrejtë, siç ka një deputet.

Pse një deputet ka mundësinë të hapë çdo derë për të marrë një shërbim dhe një qytetar i zakonshëm, një njeri i zakonshëm të mos ta ketë?!

S’ka asnjë arsye. Në këtë mënyrë ne i japim çdo njeriu mundësinë që të bëjë atë që nganjëherë deputetët ankohen se nuk e bëjnë dot, se ministrat nuk ua hapin telefonin, për 1001 arsye. Pra, nuk është e thënë që, në rast se një deputet e merr ne telefon një ministër ai e hap telefonin menjëherë.

Ndërkohë që, në rast se një qytetar çon ankesën përmes telefonit te www.shqperiaqeduam.al ministri e merr menjëherë ankesën, automatikisht dhe është i detyruar ministri vetë ta ndjekë dhe të shohë se ku ka ngecur, duke vënë në lëvizje natyrisht administratën, por përgjigjet ministri ama.

Si ka ndodhur kjo?

Si është bërë e mundur kjo?

16 mijë raste, që, unë po ju them, mund të ketë edhe dhjetëra-mijëra të tjera, sot, që, kur njerëzit hezitojnë, nuk e dinë, nuk e besojnë, nuk e bëjnë këtë mundim, vazhdojnë kërkojnë ato rrugët e vjetra, jo të gjejë mik, jo të gjejë shok, jo të japë lekë, etj., etj., por, janë 16 mijë raste që jam i bindur do ishin mbetur ashtu siç ishin, sepse janë raste që janë me vite në të shumtën e herës.

Këtë sigurisht ne e bëjmë, sepse na e jep mundësinë teknologjia. Ja, janë ca aty p.sh. që kanë që në fillim që po më filmojnë mua. Kjo nuk ndodhte dot përpara, sepse përpara askush se kishte mundësinë që të kishte një kamera që të filmonte çfarë të donte. Por teknologjia na e ka krijuar këtë mundësi që të jemi të gjithë kameramanë, të jemi të gjithë gazetarë, të jemi të gjithë kazanë dhe secili hedh aty çfarë t’i vijë për mbarë.

Ndërkohë që, teknologjia është vetëm mjeti.

Ama, këtë e ka mundësuat vota. Vota ka sjellë këtë ndryshim, që, hap pas hapi do të konsolidohet dhe do të vijë dita kur të gjithë do ta zotërojnë këtë mjet të bashkëqeverisjes dhe shteti do të jetë i gjithi në xhep, në kuptimin, të gjitha shërbimet do të jenë në xhep, nuk do kesh nevojë fare. Sot p.sh., nuk ke nevojë të shkosh në gjendjen civile të marrësh certifikatë. Mund ta marrësh direkt nga shtëpia, nga kompjuteri, sepse është futur sistemi i firmës elektronike dhe kështu me radhë, shumë shërbime të tjera, të gjitha, pra s’do ketë më nevojë për të pasur kontakt direkt me asnjë zyrë. Kjo vetvetiu do ta ulë në zero korrupsionin në të gjitha nivelet, për sa i përket shërbimeve, sepse gjithçka do të jetë në telefon.

Por Platforma është diçka e veçantë që erdhi si rezultat i votës. Nëse qytetarët nuk do kishin votuar për ne, nuk do ishte bërë kjo gjë. S’do ishte. Është shumë e thjeshtë. Dhe po kështu, mund të merrni me radhë në të gjithë sektorët. Pastaj, ka vend për të diskutuar, diku më mirë, diku më pak, diku jo aq mirë, diku jo mirë, por, ama nuk do kishte një çek për çdo bebe që do rritej 8-fish, që do rritej 16-fish, që do rritej 24-fish. Do vazhdonim me historinë 50 mijë lekë të vjetra, që e pata vënë unë kur isha në bashkinë e Tiranës, pastaj e mori qeveria dhe mbeti aq. Ndërkohë që, ata që janë këtu sot për tu anëtarësuar kanë qenë bebe, bashkëmoshatarët e tyre në Tiranë që kanë marrë 50 mijë lekë të vjetra dhe 50 mijë lekë të vjetra ka mbetur deri më sot.

Nga 1 janari do jetë 400 dollarë për beben e parë, 800 për beben e dytë dhe 1200 për beben e tretë dhe dua ta përsëris, se më kanë pyetur shpesh herë, “po mirë po sikur të bëjmë dy përnjëherë?” 800 për të dy se nuk do marrim vërtetim kush ka dalë i pari e kush ka dalë i dyti, kush merr 400, kush merr 800 dhe ata që dalin pastaj 3 përnjëherë, të tre nga 1200 se nuk mund t’i diferencojmë që ti dole i pari, ti do marrësh vetëm 400 dhe ai që doli i treti, se ai ishte më i vonuari, të marrë 1200, nuk shkon.

Pra, këtë e bën vota, që, duket sikur në fakt nuk ka lidhje. Ka lidhje dhe ka shumë lidhje. Ashtu sikundër vota ka bërë që sot nuk ka pikë rëndësie nëse ti je fëmija i një bariu, apo je fëmija i një ministri. Në rast se ti ke rezultate më të mira se fëmija i ministrit, ti mund të jesh fëmija i bariut, por ty fëmija i ministrit nuk ta kalon dot radhën kur futesh në universitet, sepse e gjitha bazohet në rezultatet dhe i gjithë procesi është i kompjuterizuar. Çdo gjë, çdo ndërhyrje në proces është e pamundur, nuk mund të ndërhyhet dot që të marrësh njërin e ta bësh të parakalojë tjetrin.

Por kush e bën këtë?

Vota.

Ne sot jemi në prag të marrjes së një vendimi, - që, disa i ka mërzitur, por shumicën besoj e ka kënaqur dhe sidomos gratë, vajzat, nënat nëpër shtëpia, - mbylljen e basteve dhe të lojërave të fatit. Janë mërzitur më shumë gjithë tifozët e Interit, se mendojnë që tani u ka ardhur dita të fitojnë, por në fakt ata do jenë më të kënaqurit se nuk do fitojnë dot dhe do kuptojnë që më mirë që u mbyllën për të gjithë, se sa të rrinin duke humbur, se ngelën duke vënë gabim skedinën.

Por, përtej shakasë, e vërteta është që është një zhvillim shumë i fortë për të mbyllur një industri të kriminalizuar, për fat të keq, një industri që financohet në masën e vet më të madhe nga krimi i organizuar dhe që është një industri pastrimi parash. Është një industri që praktikisht krijon dëshpërim. Në studimet e bëra rezulton që një nga katër lojtarë fati kanë menduar të paktën një herë të vrasin veten të paktën një herë. Mbi 70% e tyre jetojnë në stres. Dhe ajo që është më e tmerrshmja në Shqipëri, është që, 68% e lojtarëve e fillojnë këtë rrugë 10 deri në 15 vjeç, që është e pakonceptueshme. Parafytyro të gjithë prindërit, nënat sidomos, që bëjnë gjithçka për të rritur fëmijët dhe që fëmijët u kthehen në të sëmurë nga ideja dhe nga vesi i lojës së fatit.

Do t’i mbyllim, ndryshe nga çfarë thuhet dhe çfarë përflitet. Sot më thanë që paskan organizuar edhe protestë këta lojtarët e fatit. Nuk i organizojnë këta. I organizon tjetër kush. I organizojnë ata që e financojnë këtë industri. Për fat të keq, në këtë rast, këtë gjë e mbështet edhe opozita, qartësisht dhe e mbështet duke hedhur baltë që kjo bëhet sepse vëllai im do bëjë një, do mbajë një...

Të paktën në këtë rast nuk kanë përmendur Taulantin, kjo është gjë e madhe, se, çuditërisht në këtë rast Taulanti nuk del gjëkundi, por e vërteta është që do mbyllen që të gjitha dhe ne tani po bëjmë përgatitjet. Po shohim me ekspertë. Kemi ngritur një grup ekspertësh për të bllokuar edhe bastet online që janë jashtë, sepse sot luhet nëpër telefona e nëpër kompjutera jashtë shtetit. Pra, para nga këtu shkojnë jashtë shtetit, nëpërmjet kartave të kreditit dhe janë edhe ato miliona e miliona që i merr lumi. Por do të shikojmë se si do ta realizojmë këtë gjë.

Pra, që të mos zgjatem më shumë, për të gjitha këto e për shumë të tjera që mund të them është politika. Politika ka bërë shumë të këqija në historinë e njerëzimit, por ka bërë gjëra që pa politikën nuk do kishin ndodhur. Shtetet e Bashkuara i ka krijuar politika. Bashkimin Europian e ka krijuar politika. Pavarësinë e Shqipërisë e ka bërë politika. Shqipërinë demokratike e ka lindur politika dhe kështu me radhë. Patjetër që kur politika bie në duar të këqija bën dëme të mëdha, se politika ka pjellë edhe nazizmin, ka pjellë edhe fashizmin, ka pjellë edhe diktaturat, komunizmin, të gjitha. Por ajo që është shumë e rëndësishme të kuptohet është që, nuk është fjala për tu bërë politikan kur thuhet merrem me politikë. Është fjala thjesht për tu përfshirë e për të mos lënë bosh vendin tënd.

E kush është vendi yt?

Vendi yt është sigurisht të jesh një votues. Njerëzit janë vrarë. Njerëzit kanë bërë burgje, janë syrgjynosur, janë shkatërruar për të drejtën e votës.

E drejta e votës ka qenë një arritje e madhe e njerëzimit dhe të thuash që unë nuk votoj është realisht të fyesh të gjithë sakrificat që ka bërë njerëzimi për këtë. Por nuk është thjesht çështja e ditës së votimit. Është çështja e pjesëmarrjes e në këtë aspekt. Një parti politike të krijon këtë mundësi, që duke u bërë bashkë me të tjerë, ti të çosh përpara disa gjëra që ndryshe nuk shkojnë përpara. Nuk e rregullon dot vetëm rrugën që e lidh shtëpinë me rrugën kryesore. Politika e rregullon, duke u bërë bashkë, duke zgjedhur njeriun e duhur, duke mbështetur forcën e duhur, duke pasur fuqinë e duhur për të marrë mbrapsht investimin dhe mbështetjen tënde dhe të komunitetit ti arrin të realizosh atë që ndryshe nuk e realizon dot. Kështu shkollat, kështu qendrat shëndetësore, kështu me radhë shumë gjëra të tjera.

Pra, duke ju uruar dhe një herë mirëseardhjen në familjen tonë politike, unë ju them që keni bërë gjënë e duhur. Më mirë të merresh me politikë sesa me lloto, nuk diskutohet fare! Më mirë të jesh një qytetar i angazhuar, sesa një lojtar fati i dëshpëruar!

Faleminderit! 

Ndaje me miqtë:      

«   Kthehu te lajmi Artikulli tjetër       Artikulli i mëparshëm